RAMA i thirri mendjes apo po viktimizohet para Merkel? Kishit të drejtë, ne kemi shumë për të bërë…

0
170

Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për rrjetin gjerman NewsTV. Ai thotë se integrimi i Shqipërisë është çështje për jetë a vdekje.

Ai tha se rajoni rrezikohet nga lufta nëse ngec integrimi.

Rama komentoi edhe deklaratën e Angela Merkel se Shqipëria nuk ka bërë shumë sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rama tha se Shqipëria ka shumë për të bërë në të gjithë sektorët.

I pyetur se përse është i lirë Eskobari i Ballkanit, Rama tha se qeveria e tij ka bërë shumë sa i përket luftës ndaj drogës.

Pjesë nga intervista e Edi Ramës për N-TV:

Z. Kryeministër, le të hedhim një vështrim në të ardhmen. Çfarë lloj shteti anëtar i BE-së do të ishte Shqipëria nëse do të hynte në komunitet?

Edi Rama: Jo i jashtëzakonshëm. Ne jemi një vend i vogël. Ne sjellim përulësi dhe vendosmëri. Ne jemi gjithmonë në vijën e parë kur bëhet fjalë për politikën e jashtme evropiane. Ne marrim pjesë në çdo mision të NATO-s. Ne besojmë në projektet. Por për ne nuk është aq e lehtë sa për vendet e tjera. Për ne është çështje për jetën dhe vdekjen, për të ardhmen dhe të kaluarën. Bashkimi me BE-në do të thotë që ne të largohemi përgjithmonë nga koha e luftës në Kosovë.

Ka anëtarë që po avancojnë dhe ata që duan të konsolidohen. Si do të sillet Shqipëria kur vjen, për shembull, në një sistem kuotash për shpërndarjen e drejtë të refugjatëve?

Unë them në çdo rast, edhe nëse ekziston një sistem kuotash, ne do të bëjmë pjesën tonë. Shqipëria ka një histori krenare sepse ka shpëtuar shumë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ne jemi një vend me 3 milionë banorë. Gjatë spastrimit etnik në luftën e Kosovës, 500.000 refugjatë erdhën tek ne. E kjo nuk ishte lojë fëmijësh, por ne e bëmë dhe do ta bëjmë përsëri në çdo rast. Ne aktualisht kemi pranuar e po mbrojmë mijëra opozitarë nga Irani.

A do të jetë Shqipëria një nga ato vende që bëjnë hapa të mëdha, në ndërtimin e një Fondi Monetar dhe një Bashkimi Bankar, siç kërkohet nga Presidenti francez Emmanuel Macron?

Këto janë ide të mëdha.

Po në lidhje me shpenzimin e dy përqind të produktit të brendshëm bruto në NATO dhe ndërtimin e një ushtrie evropiane?

Ne tashmë shpenzojmë dy për qind të prodhimit tonë të brendshëm bruto për NATO-n …

Po në lidhje me ushtrinë evropiane?

Kjo duhet të lindë fillimisht. Ne gjithmonë do ti përmbushim detyrimet tona.

Pra, pa marrë parasysh se kur hyn në BE, Shqipëria është këtu?

Europa tashmë po shkon në drejtimin e duhur, nuk kam asnjë dyshim për këtë. Nuk ka drejtim të gabuar: komuniteti është në një proces të përhershëm reformues.

Kancelarja Angela Merkel tha para takimit të saj se Shqipëria ka ende shumë për të bërë, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ne ende kemi shumë punë për të bërë në çdo sektor.

Për të huajt ndonjëherë është vështirë të imagjinohet se si Shqipëria është në gjendje ta bëjë këtë gjë. Ekzistojnë disa shembuj të dyshimtë: Klement Balili është ende në kërkim. Si mund të ndodhë kjo gjë?

Së pari, le të flasim për atë që kemi bërë ne për drogat. Ajo që kemi arritur në katër vitet e fundit, askush nuk e ka imagjinuar në ëndrrat e tij më të mirë. Ne kishim problemin e përhapur të kultivimit të kanabisit në vend. Lazarati ishte si një rajon autonom i kultivimit të kanabisit. Dhe policia nuk kishte interes të përfshihej. Por ne e bëmë atë. Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë më një vend ku kanabisi rritet ose tregtohet.

Po në lidhje me ‘Pablo Escobarin e Ballkanit’?

Unë nuk e di nëse duhet kjo nofkë. Ai është një person në kërkim dhe ne jemi duke punuar me organizatat ndërkombëtare për ta ndaluar. Por ju lutem, mendoni për Pablo Escobarin e vërtetë. Edhe ai nuk u kap në pak javë. Dhe ai nuk u ndoq nga një vend si i joni, por nga një superfiqo. Është e lehtë ti vendosësh vulën një vendi duke folur vetëm për disa shembuj të izoluar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here