Standard.al

Përplasja me dyer të mbyllura me Krichbaum dhe Ramën

0

Dosja “Tahiri” ka qenë çështja kryesore që u diskutua në seancën dëgjimore të kryeministrit Rama në Bundestag, në Komisionin për Çështjet Europiane, që drejtohet nga Gunther Krichbaum.

Deputetët gjermanë pyetën Ramën se “si ka mundësi që një ish ministër dhe deputet që i bëhen akuza aq të renda si në rastin e Saimir Tahirit, nuk i hiqet krejt imuniteti, por mbrohet nga mazhoranca qeveritare”, por kryeministri ka dhënë të njëjtën përgjigje që jep vazhdimisht për këtë çështje, se Saimir Tahirit i është hequr plotësisht imuniteti.

Në kundërpërgjigje, Raporteri për Shqipërine i Grupit Parlamentar CDU, deputeti Thorsten Frei tha se kjo nuk ishte e vërtetë. Frei, që pak kohë më parë ishte në Tiranë, tha se kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e Tahirit, ishte refuzuar nga mazhoranca socialiste.

Frei shkoi më tej kur u shpreh se: “Votimi u bë pasi prokurorët u sulmuan publikisht, gjë që është e papranueshme dhe jashtë standardit europian”.

Por pavarësisht rëndësisë së kësaj çështjeje, momenti më i vështirë për kryeministrin shaiptar ka qenë kur deputetët gjermanë nisën të diskutojnë për sulmet që iu bënë nga Tirana kreut të Komisionit, Gunther Krichbaum.

Në fakt Rama e kishte nisur paraqitjen e tij pikërisht me këtë temë.

Që në fillim kërkoi ndjesë për fyerjet e disa mediave në drejtim të kryetarit të Komisionit, Gunther Krichbaum, madje i dënoi sulmet ndaj Krichbaum si shpifje “të poshtra e të ndyra”, por tha se, “si kryeminstër i një vendi të lirë, ai nuk kishte mundësi të ndalonte shkrime të tilla prej kazani.”

Por ndryshe nga sa pritej, deputetët gjermanë kanë qenë të mirëinformuar për burimin e fyerjeve dhe sulmeve ndaj kolegut të tyre.

Burimet konfirmojne se deputeti i CSU Florian Hahn e kundërshtoi Ramen, duke i thënë se sulmet ndaj kolegut Krichbaum ishin media pranë tij dhe se “për këtë arsye ndjesa e Ramës nuk i dukej e sinqertë”.

Katia Leikert, zëvendëskryetare e grupit parlamentar CDU. Në ndërhyrjen e saj, ajo tha se ndjesa e kërkuar nga Rama ishte gjëja e duhur, por, nga ana tjetër, të dhënat nga Tirana vinin në dyshim pohimin e kryeministrit se ai nuk ka lidhje me mediat që sulmuan Krichbaum.

Në të njëjtën linjë ishin edhe deputetë të tjerë, përfaqësues të CDU, SPD, të të Gjelberve dhe Liberalëve.

Edhe deputetët e Partisë së Gjelbër e të Majtë shprehën solidaritet me Krichbaumin dhe dënuan sulmet mediatike, ndërsa një përfaqësues i SPD mbajti një qëndrim më të zbutur, me tone shfajësuese ndaj Edi Ramës.

Kulmi i seancës ka qenë momenti kur fjalën e mori Gunther Kirchbaum.

Kreu i Komisionit për Çështjet e Evropës në Bundestag tha se nuk bëhej fjalë thjesht për personin e tij, por për një akt politik me pasoja politike. Krichbaum solli shembuj konkretë, me emra portalesh, që e kishin sulmuar dhe që siç tha ai, kishin lidhje direkte me stafin e Edi Ramës.

Ky ishte momenti i parë, kur Rama ka ngritur zërin duke thënë “Lie, lie”, (Gënjeshtër, gënjeshtër).  Ai e ka përsëritur disa herë këtë fjalë, duke e ndërprerë Krichbaumin që fliste në komision. Megjithatë, Kryetari i Komisionit, i cili kishte përpara një raport me informacione nga struktura gjermane në Tiranë,  ka vazhduar t’u vendosë emra portaleve që e sulmuan, duke thënë se njëri prej tyre ishte nën ndikimin e Saimir Tahirit dhe një tjetër nën ndikimin direkt të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Të pranishmit në mbledhje e përshkruan këtë si momentin më kritik, sepse Edi Rama është ngritur në këmbë dhe me zë të lartë ka përsëritur “Lie, lie” (Gënjeshtër, gënjeshtër). Nën këtë atmosferë të tensionuar, mbledhja u mbyll, por në mbrëmje deputetët e CDU/CSU të partisë së kancelares Merkel, sipas një vendimi të marrë më herët, kanë braktisur darkën e shtruar për ta nga kryeministri Rama.

deputetët e partisë së Merkelit nuk morën pjesë në darkën ku i kishte ftuar ambasada gjermane me Edi Ramën të martën në mbrëmje.

“Krichbaum kishte kritikuar në të shkuarën mundësinë e hapjes së negociatave me Tiranën, dhe për këtë kishte qenë në fokus të mediave shqiptare, që janë pranë Kryeministrit Rama. Si pasojë e fushatës mediatike, një delegacion nga Unioni do të vizitojë Tiranën në fillim të Majit.
Me një një humor të prishur ka kaluar edhe darka e Ramës, ku deputetët ishin ftuar nga ambasada shqiptare në Berlin: Grupi i deputetëve kishte njoftuar paraprakisht refuzimet për të qenë pjesë e darkës”

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.