Reformat e vdekura në arsim të mbetura pa gjeneral dhe pa ushtri

0
316

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Thonë se dikur një gjeneral në kohët e vjetar u kap së bashku me ushtrinë e tij. Legjenda thotë se gjenerali i kapur rob ishte një ndër më të këqijtë; i pashpirt, mizor, vrasës, e gjithçka të ligë që mund të kishte në këtë botë e mbarte ai vet. Ai që e kapi, mendoi se ishte më mirë që bota ta merrte vesh ligësinë e gjeneralit, përmes një gjesti po aq të lig. Mbreti që i kapi rob, siç nuk e mendonte askush urdhëroi nxjerrjen e syve të ushtarëve, ndërsa gjeneralin famëkeq e la me një sy të udhëhiqet ushtrinë e tij të verbër. Po ashtu thonë se mbreti që mburrej kaq shumë me gjeneralin e tij të preferuar, sapo e pa këtë mënyre vdiq nga marazi.  Historia e trishtë mu kujtua kur pashë një fragment të një premtimi, reforme, nisme, a ku e di unë sesi mund të quhen, petullat që gatuhen pa ujë, e vaj por vetëm me krunde nga MASR.

Megjithatë mendova se mos ndoshta pas kësaj reforme qëndronte ndonjë mendje gjeniale, e ngjashme me gjeneralin e lashtësisë?

Nëse e shikon nga mënyra e perceptimit, artikulimi dhe më pas hedhja në tregun mediatik, duket se pas kësaj mund të qëndroj ish-gjenerali dhe shpura e tij. Ai dhe vetëm ai e ka “mendjen femër”, duke prodhuar çdo katër orë template e matrica të çuditshme, frymëzuar edhe prej madhërisë. Kështu që dy-tri herë në muaj nuk është çudi të prodhoj ndonjë reformë, nismë, risi të re, model, modul, qasje evropianisto-kaukaziane-siberiane, “për të mirën” e arsimit. Mësuesit me mesatare 7 e lart? Po nuk është keq. Po të mendosh që ish-gjenerali ka mbetur vetë një vit në shkollë dhe shefi i tij po ashtu, madje vetë madhëria që i ndritë fama në jetë të jetëve, ka vetëm një diplomë të rëndomtë Bachelor, nuk është çudi që nga përvoja e tyre personale të kërkojnë më shumë mësues të ditur, për fëmijët shqiptar. Nuk duhet të harrojmë që prej fillimit të revolucionit për shkatërrimin e arsimit shqiptar e deri më sot, janë ndërmarrë një sërë reformash, hairin e të cilave nuk e pa askush. Dhe që të mos duket se kemi një kujtesë afatshkurtër apo të dëmtuar rëndë, ja vlen të kujtojmë disa prej tyre:

1.Një ministër një shkollë. Askund nuk është parë e dëgjuar kjo nismë, por kjo nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që askush nuk e di se si shkoi kjo nismë, pse ministrat harruan shkollën së bashku me kreun e tyre. Si ka mundësi që kjo nismë e trumbetuar me të madhe, u shkri si kripa në ujë;

2.Kurrikua për shahun dhe masivizimi i tij, rritja e inteligjencës së të rinjve. Humbi edhe kjo nismë rrugës, tavolinat e shahut nuk u anë gjëkundi dhe edukimi fizik është kthyer më shumë se kurrë në një formalitet.

  1. Edukimi për fenë. U fol e u përfol se do të bëheshin mrekulli, se do të edukohej brezi i ri me një frymë shumë më paqësore e sociale. Rreshteri tuhaf, që mezi mori gradën e kapterit në prag pensioni, hartoi edhe kurrikulën, sipas “modelit evropian”, por që shkollat nuk provuan kurrë “mrekullinë”, që do të sillte edukimi fetar.
  2. Tekste të përbashkëta me Kosovën, programe të përbashkëta, plane të përbashkëta mes Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për Kosovën. U fry e u fry kjo punë, u derdhnë lot, e më së fundi zyrtarët kosovarë e më konkretisht Ministri i Diasporës në 201, e pranoi troç, : “Nuk e mbajtëm fjalën me ju ndihmu me libra e sende të tjera, sepse shteti amë Shqipëria, na tha që nuk kemi lek për diasporën”. Tani Pandi e di vetë se çdo t’i bëj bahçes në mungesë të ujit.
  3. “Do të kemi një shërbim psikologjik dhe social të shtrirë në të gjitha shkollat dhe ndihmës mësues për të bërë një shkollë sa më gjithëpërfshirëse”. Çfarë ndodh në të vërtet? Psikologët në shkolla u tkurrën edhe më shumë nga sa ishin. Për punonjësit social as që bëhet fjalë të ketë një të vetëm dhe ndihmës mësuesit caktohen me pikatore. Veç kësaj këta të fundit, as që nuk e kanë idenë për çfarë janë, pasi janë pa arsimin përkatës për atë punë dhe krejtësisht të pa trajnuar. Pasoja në shkolla? Kërcet druri si gomari në duhan ndaj nxënësve në arsimin 9-vjeçar, në gjimnaz nxënësit injorojnë dhe madje e kërcënojnë mësuesin sa herë që u teket, shkolla është kryer në konsumatorin më të më madhe të marijuanës nga mosha 12-19 vjeç, ndërkaq që seksizmi është fjala që ka zëvendësuar përshëndetjen “mirëmëngjesi”.
  4. Për projektin e klasave inteligjente as që nuk flitet më. Entuziazmi për këtë projekt digjital, u shuajt si flaka e kashtës.

7.. Ka edhe më. Tekste alternative, që janë kthyer në monopol për shtëpitë botuese të preferuara, çorapi i madhe me ardhjen e rinisë në prehrin e arsimit që nuk mban dot veten e jo më të tjerët, reforma e Drejtorive arsimore, rajonale, shkrirja e IShA tek IZhA, etj, etj.

  1. Shkollat Qendër Komunitare, kanë përfunduar në parking për makinat e lagjes dhe vënien në funksion të palestrës për elitën e lagjes që do të ulë barkun nga ushqimi i tepërt.

Po si do t’ia dali Ministria e Arsimit të përballojë kaq shumë reforma, ndonëse një pjesë e tyre kanë vdekur prej kohësh?

Tani që gjenerali s’është më fizikisht në korridoret e sarajit të arsimit, mbeten reformat që kanë vdekur me kohë e me vakt. Pothuajse në të gjitha gjenerali, kishte kontributin e tij si autor i vetëm, përfshi edhe strategjitë e mëdha, me premtime bombastike të pafilluara ndonjëherë pale më të zbatoheshin. Ushtria që pretendohej se do të ndërtohej prej tij si më e forta në historinë e arsimit, mbeti një ëndërr në sirtar. Po e gjithë kjo situatë nuk duket të jetë problem i madh për Ministrinë e Arsimit e aq më pak për qeverinë.  Për të dalë nga llumi ku është zhytur vetë, zgjidhjen e sheh tek nismat reja. Ministria po “punon fort që të plotësoj kuadrin ligjor” për arsimin e lartë brenda muajit shkurt 2018.  Në fakt edhe pse punoi fort e fort, MASR, nuk nxori gjë në dritë as në shkurt e as tani në prill. Dalin VKM , por mungojnë udhëzimet për zbatimin e saj. Del udhëzimi për zbatimin e ligjit të arsimit të lartë, por ai është kontradiktor me ligjin e arsimit parauniversitar. Por si në çdo sektor edhe arsimi e ka ilaçin vet. Prodhon nisma të reja, të ashtuquajtura reforma, strategji pa strateg etj. P.sh vetëm në pak prej fillimit të këtij janë lançuar nisma të tilla, si: Shkollat me ushqim, bëjmë detyrat e shtëpisë në klasë, 3 lëndë në 6 orë, mësuesia profesion i kërkuar, duke vënë si notën minimale për pranim 7, e ndonjë xhevahir tjetër. Ndërkaq në MASR, u shuajt pa u ngritur mirë Sektori i Diasporës, dhe janë krijuar superdrejtori, që ja kalojnë për kompetenca edhe vetë ministrit. Nuk dihet se çdo të bëhet me ristrukturimin e paralajmëruar në arsim, por një gjë dihet ama, se për arsimin nuk e çan njeri kokën. Ndërkohë që duket se një projekt,  i ri po shfaqet në horizont, që pritet të rikthejë gjeneralin në detyrë. Projekti është për shkollimin e militantëve në shkollën e drejtorëve që të kujton shkollën e partisë njëherë vaktit. Por tani ajo do të marri një emër të ri, në përputhje me filozofinë djuiste; Shkolla e formimit dhe trajnimit të liderëve të ardhshëm të institucioneve arsimore. Këta “liderë” do të përzgjidhen me kujdes, që të jenë ajka e partisë dhe njerëzit më me devotshmëri, që t’i japin ketë institucionit në shërbim të qeverisë, sa herë që ajo të ketë nevojë për nxënës në takime, stola për miting, prindër që duhet të vërshojnë e të presën madhërinë me brohoritje etj. Ndërsa në botën e qytetëruar, po investohet në drejtim të infrastrukturës, përmirësimit të kushteve të punës së mësuesit dhe pagës së tij, kualifikimit dhe trajnimit të këtyre të fundit, ne po punojmë për “liderat” dhe u ngremë rrogën mësuesve jo më shumë se 5 euro në pesë vite. Reformat që udhëhoqi gjenerali me bekimin e shefit të tij dhe madhërisë, vdiqën rrugës ose nuk e filluar rrugëtimin dhe ushtria e tij imagjinare i ka humb vula diku në arkivë. Por gjenerali pritet të rikthehet plot triumf në arsim. Në fund pas një ose dy vjetësh, ne do të mbledhim kockat dhe mbetjet e reformave të tij dhe qeverisë që i erdhi pas marrëzisë, në çdo skut dhe oborr të shkollave dhe padyshim edhe në oborrin e ministrisë.

————–

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here