INTERVISTA/ Malltezi : Nuk na e pati fajin statuti që nuk fituam zgjedhjet. Si e shoh debatin në PD

0
321

Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, njëkohësisht anëtar i kryesisë së saj, në një intervistë për “Standard” foli rreth mbledhjes së Këshillit Kombëtar, statutin e ri të PD-së, si dhe propozimet konkrete që ka patur ky i fundit, për ndryshimet në statut. Lidhur me statutin e ri të PD-së, miratuar tashmë paraprakisht në Këshillin Kombëtar të 20 prillit, Malltezi u shpreh se kishte një përpjekje për gjetjen e një emëruesi të përbashkët të grupit të punës. Përsa i përket mbledhjes së Këshillit Kombëar, anëtari i kryesisë së PD-së, theksoi se ngjarja ishte padyshim pozitive, ndërsa shtoi më tej se statuti duhet të ishte bërë transparent disa ditë më parë dhe jo në ditën që u zhvillua mbledhja. Malltezi dha edhe disa detaje të mbledhjes, ku ndër to nënvizoi: (i) përfshirjen në rendin e ditës edhe të diskutimeve për zgjedhjet e shkuara përveçse për statutin dhe për (ii) diskutime në parim mbi statutin para se të diskutohej nen për nen. Për të dyja këto pika, ky i fundit pohoi se kishte votuar pro, por nga votimi i përgjithshëm u rrëzua, duke e quajtur këtë një vendim të nxituar. Kreu i Departamentit të Mjedisit citoi për “Standard” propozimet e bëra në Këshill, të cilat ishin tre, dy prej tyre u propozuan, ku njëri edhe u miratua, ndërsa njëri, bën të ditur Malltezi, u tërhoq nga ana e tij. Kur u pyet për ndryshimin e bërë në nenin 52 të statutit të ri, ku krerët e departamenteve nuk janë më pjesë automatike e anëtarësisë, përgjigja e Malltezit do të ishte ajo që e cilëson humbjen e zgjedhjeve si jo për faj të statutit. Ky i fundit bën thirrje PD-së për organizim mirëfilli të saj, për bashkim. Pasi sikurse theksoi në fund të intervistës, vendi është përballë një të keqeje të madhe, përballë së cilës të gjithë faktorët duhet të kontribuojnë, qoftë edhe duke sakrifikuar nga vetja.

 

Intervistoi Aida Topalli

 

Cili është mendimi juaj për Statutin e ri të Partisë Demokratike?

 

Është një zhvillim pozitiv që të kemi reflektim mbi nevojat dhe përballjen me situatat e reja. E mira ishte që dukej që kishte një përpjekje për të gjetur emërues të përbashket nga grupi i punës.

 

Çfarë mendimi keni për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD?

 

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD është një ngjarje pozitive pasi përfshin shumë intelektualë. Ishte një mbledhje pozitive padyshim, ndonëse do kishte qenë mirë të ishin shmangur disa situata të pakëndshme të fillimit të saj. Në mënyrë të veçante statuti duhej të ishte shpërndarë të paktën 3-4 ditë para mbledhjes dhe jo në të njëjtën ditë. Kjo nuk ishte normale pasi do ishte më e udhës që anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD të njiheshin më parë dhe të adresonin pyetje nëse do kishin. Më pas pati kërkesa për (i) përfshirjen në rendin e ditës edhe të diskutimeve për zgjedhjet e shkuara përveçse për statutin dhe për (ii) diskutime në parim mbi statutin para se të diskutohej nen për nen. Personalisht votova pro këtyre propozimeve pasi që PD është krijuar si Parti e njerëzve të lirë, parti e fjalës së lirë dhe nuk ka pse të mos diskutojmë për çdo temë që shqetëson demokratët. Këto propozime u hodhën në votë por u rrëzuan. Mendoj që nuk duhej nxituar për të rrëzuar propozimet për të folur lirshëm në forumet tona. Më pas mbledhja vijoi mjaft korrekte dhe cilido që pati sugjerime apo propozime për nenet përkatëse të statutit pati mundësi të shprehej. Kjo do duhej të kishte karakterizuar çdo minutë të mbledhjes qysh nga fillimi.

 

Çfarë qëndrimi keni mbajtur ju në miratimin e këtij Statuti? A kishit propozime, dhe nëse po, a mund t’i konkretizoni?

 

Nëse do flisja në parim do thoja thjesht që ne nuk na e pati fajin statuti që nuk fituam zgjedhjet. Dhe se më e rëndësishme është që publiku të kuptoje që ne jemi të gjithë bashkë kundër të keqes kaq të madhe që ka pllakosur vendin dhe që po shtyn njerëzit të ikin si refugjatë edhe 27 vite pas pluralizmit. Pata 3 propozime, nga të cilat një u miratua, njërin e terhoqa dhe tjetri nuk u miratua. Propozimi i parë ishte tek Neni 50 ku propozova që Këshilli Kombëtar duhet të mblidhet një herë në 6 muaj ose një herë në vit. Sipas sugjerimeve u miratua të shtohet që Këshilli Kombëtar duhet të mblidhet jo më pak sesa një herë në vit. Propozimi i dytë ishte në vijim të nenit që Këshilli Kombëtar duhet të miratojë aleancat para dhe pas zgjedhore, propozova që Këshilli Kombëtar të shprehet edhe lidhur me aksionin politik dhe bashkëpunimin p.sh me LSI aktualisht pasi nuk është e udhës që anëtarë të ndryshëm kryesie të dalin me qëndrime të ndryshme. Më sqaruan që lidhur me aksionin politik të përditshëm e kanë vendosur në statut që të jetë vendimmarrje e Kryesisë së PD dhe meqë kjo ishte korrekte e tërhoqa si propozim. Propozimi i tretë kishte të bënte me zgjedhjet e drejtuesve të Departamenteve. Në statutin e ri është caktuar që drejtuesit e departamenteve të zgjidhen nga kryesia pas propozimeve të kryetarit. Unë sugjerova që të zgjidhen nga Këshilli Kombëtar dhe jo kryesia pasi ia jep këtë të drejtë një grupi më të madh përfaqësimi. U hodh në votim por nuk u miratua, pra u la që do i zgjedhë Kryesia.

 

Le të ndalemi tek neni 52 i statutit të ri, ku krahasuar me nenin 39 të statutit aktual, nuk perfshihen në kryesinë e PD krerët e departamenteve, si dhe do të ketë një numër anëtarësh më të ulët, që ka afrësi me Statutin e 2005. A është ky një rikthim në atë që quhet edhe “PD tradicionale”? Cili është qëndrimi juaj për këtë nen?

 

Ka argumente për secilin variant. Nuk përbën ndonjë dallim të madh pasi siç e theksova më lart nuk është statuti që na çoi në humbje. Më e rëndësishmja është që PD të mbledhë forumet dhe të funksionojë çdo ditë me ritëm ndërsa të tjerat nuk janë aq thelbësore.

 

Po propozimi i kritikëve për kufizim të mandatit të kryetarit, ç’mund të thoni për të?

 

Pati një diskutim për këtë pikë me argumente pro dhe kundër. Nuk jam jurist dhe as anëtar i grupit të punës për statutin, ndaj nuk mund të them argumente juridike për këtë temë, por një argument që qëndron ishte se një nen i tillë mund të çojë që grupe brenda PD të punojnë kundër veç për të hequr njërin apo tjetrin kryetar. Kjo do ishte kundraproduktive dhe kundërshtari mund t’a përdorë për të blerë veç për të sabotuar.

 

Çfarë mendoni se duhet të bëjnë faktorët në PD?

Duhet që secili prej nesh të shohë përpara. Historia nuk mund të kthehet pas. Qefmbetjet dhe inatet nuk na çojnë përpara. Përballë kemi krimin e organizuar, drogën dhe korrupsionin dhe nuk mund të përballemi nëse përçahemi. Duhet të jemi të gjithë bashkë për t’u përballur me këtë të keqe që ka zënë vendin. Duhet që secili të falë diçka nga vetja për hir të ecjes përpara, bashkimit dhe përballjes me krimin në pushtet.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here