Lulzim Basha dhe modeli i lidershipit që jetojmë

0

 

Loading...

Nga Alban Daci

Kam ndjekur me vëmendje ecurinë e drejtimit të PD nga kryetari Lulzim Basha, kam ndjekur ndërhyrjet e deputetëve të rinj që Basha ka futur në Grupin Parlamentar, kam ndjekur më vëmendje reagimet e vazhdueshme të grupit kundërshtar brenda PD-së si dhe transformimet dhe situatën e përgjithshme politike të vendit.

Së pari, duhet të theksojmë se PD me zgjedhjet e 2013 u gjet përballë një situatë shumë të vështirë. Mbarimin e lidershipit të z. Berisha, i cili ishte një lider i padiskutueshëm që kishte drejtuar për vite me radhë partinë në sfida, ditë të vështira, por edhe në suksese të rëndësishme si në planin e objektivave partiake ashtu edhe në planin e qeverisjes së interesit kombëtar. Berisha bën pjesë tek liderët e fundit të natyrë demokristiane që ka njohur Shqipëria, pragmatist, autoritar, i vendosur, karizmatik dhe multidimensional. Berisha ka merita të jashtëzakonshme për PD-së, sepse ai arriti ta grinte pas ngjarjeve të vitit ’97 dhe ta risillte në pushtet në 2005, në një kohë që shumë faktorë besonin në vdekjen klinike të Berishës dhe të PD-së. Berisha ka merita të jashtëzakonshme me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, liberalizimin e vizave, ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe të rinovimit thuajse thelbësor të infrastrukturës së vendit. Sigurisht, Berisha si lider ka edhe të metat e tija si në planin e brendshëm të PD-së ashtu edhe në planin e qeverisjeve kombëtare, por nëse bëhet një bilanc serioz dhe jo politik, Berisha duhet të konsiderohet një lider i suksesshëm, jo vetëm për jetëgjatësinë politike, karizmën, por edhe për suksese e qeverisjes në nivel kombëtar.

Së dyti, siç e kërkon tradita dhe siç na mëson historia e shkencave politike, ku mbaron periudha e një lideri të natyrës së Sali Berishës, bashkë me të mbaron i gjithë lidershipi i kësaj partie, i bashkëpunëtorëve të tij, drejtuesve të forumeve. Pra, PD-ja pas zgjedhjeve të 2013 u përballë me një nevojë për një rinovim thuajse të plotë të lidershipit dhe strukturave, sepse koha e gjatë e qëndrimit, ekzistuesit i kishte konsumuar si në ide ashtu edhe në modele apo forma politike.

Së treti, kushdo që do të merrte drejtimin e PD do të duhej të përballej me hijen e vazhdueshme të një lider absolut si Berisha si dhe më vështirësitë për të rinovuar forumet dhe lidershipin e përgjithshëm, sepse ekzistuesit pavarësisht vetëdijesh së konsumimit dhe perëndimit të periudhës së tyre, duke bërë për më shumë se 20 vjet vetëm politikanin profesionist e kishin të vështirë të linin ofiqet, sepse nuk dinin të bënin profesion tjetër. Pra, ishin përballë dilemës, të largoheshin e të pranonin pensionin politik, ose të vazhdonin në mënyrë të dëshpëruar për të luftuar për vazhdimësinë e lidershipit.

Kjo bëri që Basha i sapo zgjedhur si kryetar i PD u përballë në fillim më hijen e vazhdueshme të Berishës dhe me akuzat e vazhdueshme të Pozitës se kryetari i vërtetë ishte ky i fundit dhe po ashtu me vështirësinë për të larguar lidershipin e konsumuar dhe për ta rinovuar atë në të gjitha nivelet e forumeve drejtuese. Është po ashtu krejt normale që një kryetar i ri të zgjedhje bashkëpunëtor të rinj që kanë mendime, linja dhe modele politike të ngjashme dhe më shumë bashkëndajnë se sa konvergjojnë me njëri-tjetrin.

Basha me modelin e tij të një lidershipi soft fillojë dalëngadalë të gjithat sfidat që i kërkonte angazhimi i kryetarit të PD-ë. Sa i përket faktit të prezencës së hijes të lidershipit të ish kryetari Berisha, Basha e fitojë këtë sfidë me thënë të drejtë jo vetëm falë aftësive të tija të lidershipit, por edhe falë ndihmës së z. Berisha, që në çdo moment mbajti qëndrimin e tij se nuk kërkonte më të merrte drejtimin e Partisë dhe kjo ishte një çështje e mbyllur. Megjithatë, lidershipi i Bashës brenda PD-së nuk u konfirmua vetëm në hartimin e listave të PD-së, por edhe falë vendimit të qëndrimit në çadër dhe kohës së qëndrimit aty. Falë kësaj nisme, militantët e PD-së, për herë të parë filluan të thërrisnin: “Rroftë Lulzim Basha dhe jo rroftë Sali Berisha”. Një hap shumë i rëndësishëm për një lidër që de facto e de jure ishte kryetari i ri dhe kërkonte rikonfirmimin e masave.

Kam ndjekur më vëmendje procesin e vështirë të riformimit të PD-së dhe të strukturave drejtuese (proces akoma i papërfunduar, por që ka marr një drejtim pozitivë). Largimi i disave që bënin pjesë tek figurat historike dhe tek lidershipi i Berishës nuk ishte i lehtë, por i domosdoshëm. Këtu e kam fjalën për largimin e Bregut, Topallit, Imamit, Rulit e të tjerëve. Mendoj, se ishte një proces i rëndësishëm, cikli i tyre ishte mbyllur për protagonizëm, por ata i kanë borxhe PD dhe militancës së PD-se dhe duhet të vazhdonin të kontribuonin për Bashën dhe Partinë, pa kërkuar ofiqe. Megjithatë, ata për fat të keq ndoqën rrugën e gabuar të konfrontimit dhe këtë e bëjnë, sepse për më shumë se 20 kanë bërë vetëm politikanin profesionist dhe nuk e pranojnë dot pensionin politik, sepse nuk dinë të bëjnë gjë tjetër në jetë, ose më mirë janë mësuar të kenë vetëm pushtet, privilegje e dhe pas përgjegjësi.

Kundërvenia e këtij grupi sipas këndvështrimit tim nuk është qëllimi apo tentativa për tu rikthyer në një alternativë përballë Bashës, sepse për më shumë se 20 vite kanë qenë ministrat dhe me detyra të rëndësishme në postet e forumeve të PD-së. Ata nuk kanë asnjë qëllim për të qenë asnjë alternativë, sepse në reagimet e tyre nuk kam parë apo lexuar asnjë program apo filozofi politike alternative me të Bashës, por vetëm sulme e mllef personal kundrejt Bashës, për faktin se ai ishte kryetari i ri i PD-së.

Situata politike në Shqipëri dhe angazhimet e saj në nivel ndërkombëtar çfarë lloj lidershipi kërkojnë? Së pari, duhet të theksojmë se ka përfunduar koha e lidershipit karizmatik që vjen në pushtet përmes turmave e mbështetjeve revolucionare. Sot, lider bëhet ai që ai të ruaj ekulibrat institucional e politik në vend si dhe të ketë marrëdhënien në nivelin e kërkuar me ndërkombëtarët për shkak të proceseve ku është përfshirë Shqipëria. Së dyti, një lider vjen në pushtet në Shqipëri për shkak të manovrave dhe marrëveshje politike të suksesshme që mund t’i garantojnë shumicën e qeverisjes. Shqipëria është tashmë me një rritje të dukshme vetëdije sociale e qytetare përballë politikës dhe proceseve demokratike. Duhet të theksojmë se ka një dozë të theksuar zhgënjimi tek qytetarët përballë politikës dhe kjo i ka bërë qytetarët të bëhen pragmatist dhe llogaritar përballë politikë dhe të vendosin politikisht ndoshta dy minuta para se të votojnë gjatë kohës që janë në dhomën e fshehtë të votimit. Së dyti, Shqipëria po bën hapa të rëndësishëm në procesin e Integrimit Europian e po ashtu për shkak të ekuilibrave ndërkombëtar, Shqipëria është në qendër të vëmendjes në Rajon dhe aleatët tanë strategjik si SHBA dhe NATO nuk janë të interesuar për një Shqipëri të destabilizuar. Pra, kjo lloj atmosferë ndalon çdo lloj nisme për të forma revolucionare dhe për të marrë pushtetin me dhunë. Pushtetit në Shqipëri merret vetëm përmes zgjedhjeve periodike dhe vetëm përmes votës së lirë. Politikanët shqiptarë përtej nevojave dhe interesave për pushtet duhet t’i harrojnë format e kaluara që kishin sukses në kohën e suksesit të lidershipit të Berishës.

Kam ndjekur dhe ndjek me interes grupin e ri parlamentar të PD-së dhe sidomos deputetët e rinj të këtij grupi, të cilët i shikojnë në lartësinë e duhur dhe pasqyrojnë sfidat dhe nevojat për një Shqipëri më demokratike, me europiane dhe më të zhvilluar. Pavarësisht moshës së tyre të re dhe mungesës së eksperiencës politike tek ata shikojë dëshirën, vullnetin për të përmbushur detyrat e parlamentarit dhe për t’i shërbyer vendit. Reagimet kundër tyre i shikojë si meskinë, konflikt interesi dhe xhelozi jo vetëm politike, por edhe njerëzore. Megjithatë, PD-ja duhet të vazhdojë të jetë e hapur për të rinj dhe për prurjet e reja që ju përgjigjet realiteteve politikeve dhe sfidave të vendit.

Marrëveshjet e PD apo të Bashës me PS-në dhe me Ramën, nëse bëhen në shërbim të kauzave kombëtare si sfidat e Integrimit Europian, procesi i demokratizimit, reformat në drejtësi, jo vetëm nuk i quaj të gabuara, por Basha duhet përgëzuar për dimensionin e ri politik që po afron në vend duke flijuar herë pas herë edhe lidershipin e tij personal politik. Basha ka dëshmuar se për interesat e përgjithshme të vendit është i gatshëm të bëj kompromise dhe sakrifica. Këto janë cilësitë e një lideri për të cilin ka nevojë vendi sot.

Kontributi politik i Bashës nën drejtimin e PD-së është një shërbim i jashtëzakonshëm për vendit. Basha dhe PD-ja nën drejtimin e tij ka luajtur një rol vendimtar në gjithë procesin e dekrimalizimit. Nëse sot kemi pak ose shumë pak politikanë e deputetë me precedent penal, kjo është meritë e Bashës dhe e linjës politike që ai ka aplikuar në drejtimin e PD-së.

Basha ka një rol të jashtëzakonshëm në aprovimin dhe implementimin e reformës në drejtësi. Pa vullnetin dhe vendosmërinë e Bashës, kjo reformë do të ishte vënë në pikëpyetje.

Basha po luan një rol të rëndësishëm në procesin e Integrimit të Shqipërisë në Europë, duke u bërë promovues dhe jo pengues.

Basha po luan një rol të rëndësishëm në çështjet sociale të vendit duke qëndruar politikisht pranë personave me problem ekonomike dhe të përjashtuar nga sistemi politik aktual deri më sot.

Vazhdoj t’i qëndroj mendimit dhe opinionit se Basha është një lider evropian dhe se politika e tij është një model evropian i bazuar në mekanizma institucional dhe ne rregullat e lojës demokratike të pranuar publikisht.

Ndarjet e brendshme të PD-së për qëllimet të ofiqeve apo në shërbim të pushtet individual i bëjnë jo vetëm PD-së, por edhe vendit përballë sfidave që jetojmë.

Loading...

Lini nje pergjigje