SKANDALI I KARBURANTËVE/ “Arratiset” administratori, Tatimet bllokojnë “Gulf”-in dhe… (FOTO)

0
190

Prej dy ditësh, në pikat e tregtimit të Gulf është krijuar amulli, pasi Sun Petroleum Albania shpk (e cila bën tregtimin me pakicë të naftës) ka ndërprerë furnizimin, ndërkohë që konsumatorët kishin blerë me qindra tollona. Askush nuk po u jep zgjidhje atyre se çfarë do të bëhet, teksa të dy kompanitë e lidhura me të Sun Petroleum Albania (e pakicës) dhe Sun Petroleum Albania Trading (e shumicës) janë offshore dhe si të tilla është e pamundur të identifikohen aksionerët. Aksioner zyrtar është Universal Energy Group, me seli në Delaware të SHBA-ve, një zonë e njohur për krijimin e kompanive guackë.

Taksat
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kërkuar në datën 19 prill vendosjen e masës së sigurimit të detyrimit tatimor për kompaninë Sun Petroleum Albania, e cila tregtonte markën Gulf. Kompania ishte në qendër të vëmendjes tre ditët e fundit, pasi ajo ndërpreu furnizimin me karburant në pikat e saj, ndërkohë që rezultoi që kishte shitur mijëra tollona me çmim më të lirë sesa tregu (120-130 lekë për litër nga 165-178 lekë për litër që është mesatarisht në treg). Sipas kërkesës së dorëzuar nga tatimet në Qendrën Kombëtare të biznesit, ku i kërkohet kësaj të fundit të mos lejojë tjetërsimin e mbi pasuritë dhë të drejtat pasurore që i përkasin këtij tatimpaguesi deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore, rezulton që detyrimi i krijuar nga kompania, përfshirë interesa dhe gjoba është 40.7 milionë lekë, ose rreth 300 mijë euro.


(Urdhri i Tatimeve për vendosjen e masës së sigurimit të detyrimit tatimor për Gulf)

Pjesën më të madhe të këtij detyrimi, me rreth 66% të totalit është TVSH (27.5 milionë lekë), e ndjekur nga sigurimet me 6.5 milionë lekë, ose rreth 50 mijë euro, një shumë që në fakt u takon punonjësve që kanë punuar në këtë kompani. Në të njëjtën shumë është dhe detyrimi për tatimin e mbajtur në burim, ndërsa për tatim fitimin ka vetëm një gjobë prej 10 mijë lekësh.
Tatimet pohojnë se subjektit i është dërguar njoftimi dhe kërkesa për të paguar, por ai nuk ka paguar asgjë/

Problemet
Burime nga tregu pohuan se muajin e fundit Gulf kishte shitur tollona edhe me 120 lekë për litër,  që është 25-40% më lirë se nafta që tregtohet në pikat e tjera të pakicës (165-178 lekë/litër), në një skemë mini piramidë, teksa nafta ka mbaruar dhe tollonat kanë mbetur në duart e konsumatorëve.

Administratori i kompanisë ka dhënë dorëheqjen para dy ditësh. Dokumenti zyrtar i dorëheqjes është depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Arsyet e largimit të administratorit Irakli Svanidze, një shtetas gjeorgjian, thuhet se janë personale, ndërkohë që drejtimin e kompanisë nuk e ka marrë askush tjetër. Vete “Gulf” ka si pronarë një kompani “offshore” në parajsat fiskale, kurse aksionerët janë krejt të panjohur. Në tatime dhe në gjykata nuk është njoftuar asnjë procedurë falimenti apo kërkese për mbyllje aktiviteti, por në të gjithë vendin pika e karburantit “Gulf” janë mbyllur.

Disa biznese kanë parapaguar deri në 3000 litra karburant dhe kanë mbetur në duar copa letre që nuk përdoren. Gjithsesi, ato thonë se po presin se ndoshta mund të kemi ndërrim të pronësisë të “Gulf”. As në Prokurori nuk është regjistruar ndonjë kallëzim penal.
Nuk ka të dhëna të plota financiare për aktivitetin e “Gulf”. Deri para dy ditësh, ishin regjistruar 41 pika karburanti, ndërkohë xhiro vjetore e kompanisë është reduktuar nga viti në vit.

Në vitin 2015, ajo regjistroi një xhiro 3.2 miliardë lekë kurse në 2016 pati një rënie me 38% duke zbritur në 2 miliardë lekë.
Shitjet me pakicë, nga ana tjetër, ranë me 34 përiqnd. Furnizuesi kryesor me shumicë e “Gulf” ka qenë kompania tjetër “offshore” “IRTC”, e cila kishte në përdorim rafinerinë e “Armo”-s deri në fund të vitit që shkoi, kur mbylli dhe aktivitetin duke lënë pas një mal me borxhe. Fati i “Gulf” është i paqartë, por kësaj radhe përveç borxheve të zakonshme ndaj tatimeve dhe biznese, kompania përmes skemës mashtruese bëri viktima dhe qytetarë të thjeshtë që nuk kanë ku t’i përdorin tollonat e karburantit.

Aktorët e tregut pohojnë se në pikat e pakicës së Gulf është tregtuar nafta e rafinerisë ARMO, e cila ka punuar deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar. ARMO shfrytëzohej nga kompania IRTC (edhe kjo një offshore) që prej tetorit të vitit 2016 dhe e ndërpreu aktivitetin në nëntor 2017, pasi Bankers Petroleum, që e furnizonte me naftë bruto ndërpreu marrëdhënie për shkak të mospagesave. Në momentin që ndërpreu aktivitetin, IRTC kishte rreth 30 milionë euro detyrime të papaguara, sipas burimeve zyrtare të tatimeve në një material për Komisionin e Ekonomisë.

Sun Petroleum kishte krijuar detyrime ndaj tatimeve, ndonëse ka deklaruar se do i paguajë me këste dhe përgjithësisht ka qenë konsideruar si kompani e rregullt, ndërsa ka akumuluar dhe borxhe ndaj furnitorëve që arrijnë në miliona euro dhe nuk ka paguar as qiratë e pikave muajt e fundit (pjesën më të madhe të pikave e kishte me qira).

Tregu i karburanteve
Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani. Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjellta apo shit-blerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies.

Në vitin 2014, tatimet çuan për gjykim administratorit e shoqërisë “Tea Construction and Petroil”, pasi kompania kishte bërë transportin fiktiv të një sasie prej 4.4 milionë litra naftë nga një depozitë në Kodër Mëzez, Tiranë për në magazinën doganore në Ballsh, ndërkohë që nafta ishte shitur në treg, duke shmangur të paktën 242 milionë lekë taksa.

Rasti më flagrant është ai i rafinerisë ARMO, dhe nënkontraktorëve të saj, të cilët janë të zhytur në borxhe, të krijuara në vite që vetëm ndaj tatimeve arrijnë në 240 milionë euro (sipas burimeve zyrtare të tatimeve, pa llogaritur fshirjet nga falja fiskale). Në total detyrimi, përfshirë furnitorët, ujësjellës, energji dhe bankat e huaja arrin në 600 milionë euro, sipas vlerësimeve të mëparshme nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë. Rasti i ARMO-s është një nga vjedhjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë që ka mbetur pa gjetur fajtorët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here