‘Bishti i çadrës’ prapë sot në Shkodër

0
249

Nga Frrok Çupi /Në Shkodër, me ‘bishtin e çadrës’ u tërhoq zvarrë monumenti i Stalinit, u përqesh sekretari i parë i Partisë që ia kishte dhënë gruan për një natë “shokut Prokop”, u vranë katër dëshmorë të demokracisë, u frikësua kryeministri i fundit dhe prandaj nuk shkeli në Shkodër… Sot, në gjyqin politik kundër 11 protestuesve kuksianë shfaqet Drejtësia si ‘kizë’ ose e drejtë si ‘bishti i çadrës…

Sot në Shkodër zhvillohet beteja e dytë më e fuqishme pas 2 prillit 1991, në Shkodër.

Sa shumë dyzime shfaqen në Shkodër!

Sot vritet ajo që nuk kishte lindur akoma më 2 prill, kur u vranë katër djem të demokracisë. Më duket se ata ishin katër Marathonomakë; ata sollën në Shkodër flamurin e Demokracisë, e lanë mes njerëzish dhe vetë u flijuan. Sigurimi i Shtetit të diktaturës komuniste, që po jepte shpirt, i vrau. Ministri i brendshëm, që jam i bindur se ka urdhëruar vrasjen, Gramoz Ruçi, sot është në krye të shtetit ‘demokratik’të diktaturës së krimit. Dyzim tragjik.

Një ministër tjetër i brendshëm, i zgjatimit komunist, i kapur në krimin e trafikut të drogës dhe armëve, po turbullon gjithë vendin. Ndërsa katër dëshmorët e Shkodrës i dorëzuan te vdekja, ministrin e inkriminuar nuk ia dorëzojnë Drejtësisë

Për herë të parë, gjatë gjykimit për vrasjen e katër dëshmorëve të prirë nga studenti Arben Broci,  në fjalorin e kodit penal hyri definicioni ‘vrasje me bishtin e çadrës”.

Prapë dyzim mes komunizmit dhe nazizmit: Diktatura komuniste që ende nuk kishte lënë zyrat dhe gjykatat, shpiku fjalor të fund-nazizmit për të mahnitur njerëzit se si disa protestues- bashkëpunëtorë të dëshmorëve, i kishin vrarë shokët e tyre nga brenda turmës; diktatura lante duart!.

‘Bishti i çadrës’ u kthye në simbol të demokracisë të miksuar me komunizëm, që zgjati tre dekada, deri më sot. Tani ndodhemi në një regjim socialist anarkik të përzierë me ‘demokraci’. Prapë dyzim, vetë regjimi ynë është i dyzuar, askush nuk e njeh dhe as e mbron të drejtën e tij.

Drejtësia demokratike e tre dekadave nuk arriti të kapërcejë ‘’bishtin” e regjimit komunist. Vetë demokracia shpiku “drejtësinë e plepave”, një sinonim i “çadrës”.

Shkodra u kthye për të dytën herë në shënjestër të regjimit; herën e parë nga diktatura hoxhaiste, tani nga egërsia post-komuniste kundër krijesave njerëzore në Shkodër deri në Kukës. Shkodra është rajoni më i diskriminuar nga qeveria post- komuniste, me fondet më të ulëta qeveritare se vetë Roskoveci dhe se Vunoi. Atë që ka në dorë qeveria për të bërë kundër Shkodrës e bën me lumturinë më të madhe…

Prapë sot në Shkodër zhvillohet një gjyq politik. Protestuesit kuksianë kundër qeverisë duke kërkuar të drejta të tyre natyrore për jetesë, janë sjellë nën masa policore dhe të lidhur me hekura. Me isguri, edhe sot gjyqi do të deklarojë ‘vrasje me bishtin e çadrës’, dmth., vetë populli protestues vret popullin protestues nga përbrenda.

Kemi mbetur në padinë e përjetshme të Vetëvrasjes! Ndoshta sot Shkodra e rinis Demokracinë duke kapërcyer reliket e diktaturës.

Veritas.com.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here