Individi, llogaritë e jetës dhe “iluzionet sociale”

0
251

Individi, llogaritë e jetës dhe “iluzionet sociale”

Gëzim Tushi

Në jetën e sotme duket qartë që njeriu që të konsiderohet qytetar apo individ i plotësuar, duhet të ketë aftësinë e duhur për të qënë “qënie përsiatëse” për veten dhe fatin e tij në jetë. Ky është një nga kushtet thelbësore për të kuptuar pa iluzione e paragjykime të vërtetat e mënyrës postmoderne të jetës në shoqërinë e sotme shqiptare. E cila e ka vendosur njeriun jo aq përballë mbështetjes së munguar të shoqërisë se sa përballë aftësive të vetes, si kusht për të përballur sfidat që vijnë prej shoqërisë me prirje anonimiste. Është e vërtetë që në shoqërinë shqiptare janë shtuar ankesat, pakënaqësitë nga mënyra si zhvillohet jeta politike dhe ekonomike, si është e organizuar dhe si funksionon shoqëria shqiptare sot. E cila për hir të së vërtetës është e mbushur me shumë sfida e anomali të gjëra sociale.

Por nuk është problemi tek ky konstatim social. Të gjithë e bëjmë analizën e situatës sociale dhe rreshtimin e problemeve të shtuara ekzistenciale të jetës sonë shoqërore. Është realitet që duke jetuar në një shoqëri që në të njëjtën kohë ka edhe prirje anomike (mungesë të normave të qarta sociale) individi në shumë raste ndihet keq. Por kjo jetë i ka këto vështirësinë të anomisë dhe anonimitetit, të cilat i shtojnë vështirësitë individuale të njeriut për të zgjidhur si duhet problemet e jetës. Por nuk mund të jesh dakord me një varg njerëzish, që kanë në mend ide utopike për këtë shoqëri apo prirje mesianike për ta ndryshuar atë. Në mënyrë të padiskutueshme shoqëria shqiptare do të ecë përpara, jo në rrugën e alternativës sociale por sipas versionit postmodern dhe modelit individualist. Kjo e vërtetë nuk është teorike, por është jetike. Kuptimi i saj është kusht sine qua non për të zgjidhur problemet që ka njeriu me jetën personale dhe shoqërinë në tërësi. Në fund të fundit, iluzionistët socialë janë të dëmshëm dhe bëhen pengesë për mobilizimin e energjive personale të individit, i cili duhet të bindet se përgjegjësitë për fatin e jetës së tij nuk është në duart e shoqërisë, e cila gjithnjë e më shumë do bëhet anonime, por ato do rëndojnë krejtësisht mbi shpatullat e individit. Janë demagogjike, krejt reaksionare e të papërshtatshme për kohën që jetojmë, “idetë e ëmbla” të atyre që duan të ngatërrojnë njerëzit lidhur me raportet dhe përgjegjësitë e ndryshuara midis lirisë individuale, përgjegjësisë personale dhe normave sociale.

Jetojmë në një epokë të re, dhe marrëdhëniet midis shoqërisë dhe individit kanë ndryshuar. Në se më parë në shoqërinë tonë totalitariste e supersociale, njeriu ishte qënie e determinuar nga “jashtë”, duke qënë më shumë qënie sociale dhe pjesë mekanike e turmës dhe shoqërisë si “masë gri”, dhe për pasojë qënie pa identitet e përkatësi individuale, sot njeriu është qënie që e ka kuptuar se është më mirë të sillet “rreth vetes”, të besoj më pak tek mbështetjet e “përkatësisë sociale”. Iluzionet që përhapin shpesh njerëzit me prirje dogmatike apo me dëshira të mira sociale, por në thelb të pamunduara e utopike, janë një “ilaç” i keq, që nuk ndihmon njeriun të shërojë një varg “sëmundjesh sociale” që varen nga vetja dhe që do apo nuk do, kjo shoqëri ja ka lënë në dorë si qoftë si “terapi” apo dhe përgjegjësi individuale dhe të personalizuar.

Është e turpshme të përhapësh mjegull sociale në këtë kohë të vështirë. Përkundrazi duhet tjetër gjë. Mobilizim i forcave vetjake dhe energjive personale të individit, për t’i dalë zot jetës, për të mbajtur përgjegjësitë dhe përballuar sfidat e saj. Edhe pse një pjesë e problemeve sociale që kemi në shoqëri, mund të jenë shoqërisht të integruara e me përgjegjësi komplekse. Që i kanë bashkë politika, shteti, shoqëria dhe individi. Por për një gjë duhet të jemi të qartë. Kjo shoqëri që është sot dhe ajo që është duke ardhur, do e kenë gjithnjë e më të reduktuar dimensionin social, gjithnjë e më të “shkurtër dorën” e përgjegjësive sociale, duke ja lënë gjithnjë e më shumë barrën e jetës dhe përgjegjësinë e fatit individual të njeriut vetëm atij. Në një farë mënyre njerëzit duhet të binden, se ky model jete dhe kjo mënyrë të jetuari është ndërtuar mbi bazën e tipologjisë së një shoqërie të “armatosur” për të përballuar nevojat, kostot sociale të individit.  Në këto kushte, kur jemi të bindur se “armët” e mbrojtjes sociale të individit do vijnë duke u pakësuar, pesha dhe përgjegjësitë e individit për të menduar më thellë për jetën dhe fatin e vet, do të rriten. Këshilla normale në këtë rast nuk do ishte që të shpartallohen dembelizmi, arsyetimet sociale fantazmagorike, pritmëritë dhe utopitë sociale. Rruga më e mirë është t’i mësojmë njerëzit tanë që të përgatiten ndryshe, për vete dhe fatin e tyre, që janë kryesisht (në mos tërësisht) në dorën dhe angazhimin individual, për të përballuar sfidat e qarta të jetës së personalizuar. Kjo do të thotë se nuk mund të ketë sukses në jetë dhe nuk mund t’i shmang sfidat e saj, ai që pret “armatosjen sociale” të shtetit dhe shoqërisë, duke qënë individualisht i papërgatitur apo i “armatosur keq” për të bërë luftën e jetës personale.

Është gabim të qëndrosh pasiv, inaktiv para përgjegjësive reale apo të imagjinuara të shoqërisë apo shtetit social. Në kushtet që jetojmë, duhet të kultivojmë kulturë dhe stil tjetër jetese, për raportet sociale dhe individuale të përgjegjësive në jetën e secilit. Kjo do të thotë që njerëzit në vend që të presin shpëtimin e tyre, duke qëndruar në pritmëri para shoqërisë dhe shtetit, është më mirë të mendojnë të “qëndrojnë para vetes”, të gjejnë individualisht rrugët e dobishme dhe zgjidhjet e duhura racionale, jetike, të vërteta dhe jo iluzioniste e utopike.  Sepse kjo jetë i ka përmbysur ato raporte sociale me të cilat jetuam në të kaluarën. Tani gjërat janë më të qarta për të kuptuar pozicionet e reja, që janë vendosur në raportet midis lirisë, përgjegjësisë individuale dhe detyrimeve sociale të shtetit dhe shoqërisë.  Edhe pse me të drejtë mund të themi se ka shumë raste kur individualizmi dhe përpjekjet individuale për të realizuar “veten”, nuk janë tërësisht vetëm në duart e individit. Ka plot raste që tregojnë se kurba e individualizmit pëson fluktuacione gjatë rrugës, duke e bërë atë shpesh herë më shumë çështje fati se sa problem të zgjedhjes së individit. Por edhe pse mund të ndodh kështu njeriut në jo pak raste, ky nuk mund të shërbejë si argument për të hequr dorë nga rruga e individualizmit dhe e përgjegjësisë personale për jetën.

Pyetjes që shpesh i bëjmë vetes, se nga duhet ta gjejmë shpëtimin nga andrrallat dhe problemet e jetës: nga vetja apo nga shteti dhe shoqëria, ka vetëm një përgjigje të vërtetë dhe të saktë. Në se duam të jemi të vërtetë me të vërtetat e jetës, atëherë pa asnjë hezitim e mëdyshje duhet pranuar se përgjegjësinë për fatin dhe rrugën e jetës së tij e ka vetë individi individualisht më shumë se të “tjerët” (shteti apo shoqëria). Idetë e gabuara të çojnë në rrugë të gabuar, pa zgjidhje të tashme dhe pa të ardhme të sigurt. E tillë është një lloj “droge sociale”, nga e cila me sa duket nuk është shëruar plotësisht shoqëria dhe njerëzit tanë, që akoma kanë iluzione e kërkojnë kthim mbrapa tek “shoqëria e madhe” me përgjegjësi sociale.  Historia e jetës demokratike, e shoqërisë liberale e me orientim të pakthyeshëm individualist, na ka dhënë një mësim të madh. Njeriu sa më shumë të kërkoj mbështetje tek “droga sociale”, aq më shumë do jetë në vështirësi dhe individualisht i pakënaqur me jetën. Sepse në këtë shoqëri nuk mund kurrë të jetosh si duhet, aq më pak të jesh i lumtuar, në se vazhdon të jetosh me iluzione sociale, që të bëjnë përgjithësisht të jesh i varur nga të tjerët, (shteti apo shoqëria) apo t’i kthesh “sytë lart” nga qielli duke e braktisur veten në mëshirën e fatit. Kjo shoqëri ka në themel të saj modelin e “privatizimit të punëve” individuale. Kjo është arsyeja pse njeriu e ka të pamundur që të shpresojë të jetojë me kontributin e të tjerëve, (shtetit dhe shoqërisë) kur fare mirë është në dorën e tij, që në mënyrë racionale të dijë të administrojë veten dhe “burimet” jetike individualisht. Kjo nuk është as frazë nxitëse as demagogji liberale. Njerëzit tanë duhet të jenë të qartë dhe të bëhen të kthjellët duke kuptuar më mirë kohën dhe imperativat e saj. Kjo kohë e detyron njeriun që të “përplasë” kokën për të gjetur zgjidhjen jetike, mënyrën e organizimit dhe konsumit të jetës personale. Shumica e zgjidhjeve që mund të gjënden janë individuale, dhe mund të realizohen më mirë individualisht. Në Shqipëri ka ndodhur një revolucion i vërtetë individualist, si pasojë e të cilit shoqëria kaloi nga etapa e “homogjenitetit social” të detyruar, në shoqërinë e lirë në të cilën njeriu ka në dorë “lirinë e zgjedhjes”.

Ky revolucion i ka dhënë njeriut shansi e madh, aftësinë e duhur (që ai duhet ta zbulojë tek vetja) për të patur kuptimin e duhur për mënyrën e ndërtimit dhe organizimit të jetës personale. Njeriu i hallkatur apo që vazhdon të vijë rrotull shoqërisë, dhe qëndron në pritje se çfarë do bëjnë të tjerët për të, jo vetëm që gjërat nuk i ka në vijë, por edhe objektivat e jetës personale nuk i ka të qarta. Kjo do të thotë që njeriu duhet të synojë të dalë nga koncepti i të “jetuarit në turmë”, të synojë që të gjejë zgjidhje individuale për të qënë individ. Individi nuk mund të mbyll sytë përballë realiteteve dhe sfidave të jetës personale. Përkundrazi zotësia është të përshtatet me hapësirat e postmodernitetit për mënyra të ndryshme jetese. Kjo do të thotë se kur njeriu ka të qartë pozitën sociale, ka kuptuar vlerën e stausit të vet si INDIVID, atëherë ai bëhet i ndërgjegjshëm dhe kupton përgjegjësinë që ka mbi vete, për gjithçka që i ndodh në jetë.  Pikërisht kur ai është vërtetë individ, këtë përgjegjësi nuk e kërkon tek të tjerët, por e shikon tek mundësitë, energjitë dhe aftësitë e veta. Ne duhet t’i bindemi logjikës së jetës postmoderne. Ajo po sjell fakte, se në këtë jetë jo kushdo që është njeri është edhe individ në kuptimin më polivalent të konceptit. I tillë bëhet njeriu kur është i aftë të “kontrollojë fatin” e tij, dhe të gjejë zgjidhjet e duhura në jetë. Në kohën e sotme njeriu është i “dënuar” të bëjë mirë llogaritë individuale për çdo lëvizje. Kjo është zgjidhja…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here