Rekomandimi, “kablli përcjellës” Tiranë-Bruksel dhe sfida e qershorit

0
246

Nga Gëzim Saliu

Raporti i Komisionit Evropian ku rekomandohej hapja e negociatave me Shqipërinë është padyshim një lajm i mirë për vendin. Por ajo që duhet nënvizuar në këtë pikë është fakti se sa realiste është brendësia e raportit, përfundimet e dala prej tij? A janë të dhënat e përpiluara në raport, të dhëna që tregojnë realisht ecurinë e vendit apo thjesht janë të dhëna të cilat në shumicën e tyre janë importuar nga zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë drejt Brukselit? Kjo pikëpyetje vjen jo për të vënë në dyshim rigorozitetin e zyrtarëve në “kryeqytetin e Evropës”, por më së shumti lidhet me “kabllin përcjellës” të rezultateve nga Tirana në Bruksel.  Kështu disa përfundime të raportit , sic është lufta ndaj korrupsionit e drogës apo edhe ndaj grupeve kriminale, janë çështje të cilat çdokush që jeton në Shqipëri i ndjen si problematika fatale të vendit. Vetëm duke marrë në analizë një sondazh të OKB-së e cila e nxorri Shqipërinë si një ndër 20 vendet më të korruptuara në botë, kupton se korrupsioni mbetet në nivele super të larta në vend. Për mos folur pastaj për nivelin e jetesës, varfërinë apo pagat e ulëta.

Ndërkohë duhet theksuar se ky raport më shumë se sa një vlerësim “pikë për pikë” për arrijet e reformat e vendit, vjen si një produkt në  kohë krizash, sfidash e rrisqesh për Evropën e Ballkanin. Në këtë prizëm, duhet theksuar edhe vetë deklarata e Prëesidentit të KE-së Junker, i cili dashur pa dashur, pohoi aryset reale të vendimeve të KE-së për hapjen e negociatave. Ai tha se nëse nuk do ecej para me procesin e integrimit, në Ballkan rrezikohej një luftë si në vitet ’90. Po ashtu një tjetër arsye për këtë gjysmë dere hapur të BE-së, është edhe shmangia e “ndikimeve lindore” në Ballkanin Perëndimor apo e “ rrisqeve te ekstremizmit”, të cilat edhe vetë Kryeministri shpesheherë në diskutimet brenda e jashtë vendit për hapjen ose jo të negociatave, i përdori si presion ndaj BE-së.

E megjithatë, përtej arsyeve të rekomandimit, raporti i KE-së mbetet një lajm i mirë për vendin. Por detyra më e vështirë duket në vazhdimësi, pasi vetëm pas pak kohësh do jepet verdikti i vendeve anëtare të BE-së, vendim i cili përcakton përfundimisht nëse hapen ose jo negociatat me BE-në. Paraprakisht Gjermania, Hollanda dhe Franca janë skeptikë dhe vendimarrjen e tyre mund ta ndryshojnë vetëm rezultatet e prekshme pasi përballë gjigandëve të Evropës nuk funksionojnë “ kabllogramët e porositur” nga Tirana drejt Brukselit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here