Po tani, kë të besojmë: “Botën” apo Bashën?

0
327

Po tani, kë të besojmë: “Botën” apo Bashën?

 

Nga Feti Zeneli

 

Po mbushen gati 5 vjetë që përfaqësuesit e trupës diplomatike dhe drejtuesit e opozitës politike në Shqipëri, ndajnë qëndrime dhe opinione të ndryshme me njeri-tjetrin, si asnjëherë tjetër më parë. Ndoshta, togfjalëshi “qëndrime dhe opinione” nuk është dhe aq i gjetur, ndërkohë që atë, të cilën opozita shqiptare e cilësonte të “zezë”, ndërkombëtarët thoshin se është “e bardhë”. Fjala vjen, ndërsa demokratët shqiptarë denonconin mbushjen e Parlamentit me kriminelë dhe të vendit me kanabis sativa, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar; ose heshtnin ose sillnin “fakte” kundështuese, siç ishte rasti i Guardia di Finanza, “për asgjësimin e 99.8 për qind të sipërfaqes së mbjell me bimë narkotike”. Por, pavarësisht mosmbështetjes ndërkombëtare, opozita jonë nuk u tërhoq aq lehtë nga misioni i saj në shërbim të demokracisë dhe të së vërtetës. Ishte vizioni dhe këmbëngulja e kreut demokrat, z. Basha, i cili arriti t’i imponohet shumicës parlamentare për miratimin e ligjit të dekriminalizimit, që tronditi nga themelet ngrehinën e stërmadhe të pushtetit majtist. Të njëjtin përkushtim dëshmoi lideri demokrat edhe në betejën e tij politike lidhur me krijimin e kushteve dhe mundësive nga mazhoranca për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri, deri ditën e mbylljes së “Çadrës” protestuese përballë kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kulmin kjo situatë e nderë konfliktuale e arriti në prag të miratimit të Reformës në Drejtësi dhe mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, aq sa në masmedia dhe mendjet e njerëzve qarkullonin ide dhe parashikime të frikshme, për një “nëntëdhjetë e shtatë të dytë”, për “rikthimin e votimeve moniste”, për një “Putizim dhe Erdoganizim të Shqipërisë”, e kështu me radhë. E gjithë kjo frikë ushqehej nga ngjarje dhe veprime reale, të cilat ditë pas dite merrnin dhe bekimin e faktorit ndërkombëtar, jo vetëm për të shkuar në zgjedhje pa opozitën, por edhe për t’i njohur këto zgjedhje si të ligjshme. Kulmi arriti, kur Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, nëpërmjet një letre publike drejtuar qytetarëve shqiptarë pak orë para arritjes së marrëveshjes Basha-Rama, shprehu keqardhjen që opozita nuk do merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare, duke i bërë thirrje asaj që të mos organizonte veprime të cilat do të minonin të drejtën e qytetarëve për të votuar. Më herët ishte refuzuar edhe e ashtuquajtura “Paketa McAllister”, që i jepte opozitës disa ministra teknik në “qeverinë Rama”, “Presidentin konsensual”, “Avokatin e Popullit”, “Kreun e KQZ-së”, etj. Nëpërmjet artikulimit të “qeverisë teknike pa Ramën kryeministër”, opozita synonte plotësimin e kushteve normale për zhvillimin e zgjedhjeve të padiktuara nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit qeveritar. Megjithatë asnjë shënjë për kompomis nuk dukej në horizont. Me kalimin e ditëve dhe sidomos pas zgjedhjes së Presidentit vetëm me votat e mazhorancës majtiste, dukej sikur qëndrimet e palëve po radikalizoheshin gjithnjë e më shumë. “Secili për vete, Zoti për të gjithë”, mund të ishte shprehja më e gjetur për të karakterizuar situatën e marrëdhënieve midis forcave të ndryshme politike në Shqipëri. Mazhoranca dhe disa partiçka rreth saj, që në numër të përgjithshëm nuk e kalonin shifrën 15, të cilat ishin regjistruar për zgjedhje, paraqitën në 29 prill listat e kandidatëve për deputet. Opozita dhe aleatët e saj e dogjën dhe këtë afat ligjor për përfshirjen në zgjedhje. Jo vetëm teknikisht e materialisht, por edhe psikologjikisht, po bëheshin përgatitjet e fundit për të shkuar “në zgjedhje pa opozitën”. Nga varri i harresës politike kishte dalë dhe Skënder Gjinushi, me po atë vetullngrusje si në nëntëdhjetë e shtatën, për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë. Sidomos këto partiçkat e vogla mendonin se qe bërë “deti kos”, ndaj morën “lugën” për të ngrënë gjithë PD-në dhe duke e lënë atë “një shprehje…” historike, njëlloj siç mendonin dikur fuqitë e mëdha të Europës për coptimin e Shqipërisë dhe katandisjen e saj në një “shprehje gjeografike”. Flitej gjithandej se “Opozita e Çadrës” do të tretej si kripa në ujë dhe do të krijohej një opozitë e re me “Libra” dhe “Sfida”, që kishin dalë majtas e djathtas për demokraci individuale. Lideri i opozitës djathtiste po kryqëzohej si “antieuropian”, “antiamerikan”, “pro -rus”, “antivetinng”, “antishqiptar”, e lloj-lloj etiketimesh të tjera. Tryeza e Presidentit për arritjen e një marrëveshje midis palëve politike kishte dështuar dy herë me radhë. Ndërkohë opozita po mbyllte muajin e tretë në “Çadrën e Lirisë”, të ngritur në 18 shkurt të 2017-ës, pas mbylljes së një proteste madhështore për zgjedhje të lira e të ndershme në 13 maj të vitit të shkuar. Dy ditë më vonë pritej vizita e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, z. Yee në Tiranë, e cila shihej si shansi i fundit për arritjen e një kompromisi midis mazhorancës dhe opozitës shqiptare. Dhe marrëveshja u arrit, ndonëse pak orë pas largimit të zyrtarit të lartë amerikan, por ajo nuk i shpëtoi “kurthngritjes” ndërkombëtare ndaj opozitës, në rrugën e mbështetjes sorosiane të pushtetit majtist në Shqipëri. Kreu demokrat e zgjodhi marrëveshjen, jo si zgjidhje, por si “të keqen më të vogël”, përballë fatkeqësisë kombëtare, që po përgatisnin  ndërkombëtarët sorosian dhe politikan shqiptarë “pa din e pa iman”, për lënien jashtë Parlamentit të opozitës. E ndërsa u duk se po qetësohej disi me të huajtë e Shqipërisë, Bashës ju sulën të vetët e partisë, madje duke kërkuar në mënyrë ultimative shkarkimin e tij në fillimin e fushatës zgjedhore. Ndonëse i ndodhur “në mes dy zjarresh”, kreu demokrat s’kishte zgjidhje tjetër, veç të ecte përpara, sërish në opozitë. Por, sidoqoftë, zgjedhësit shqiptarë nuk i besuan lidershipit të tij; i besuan “Botës” së brendshme e të jashtëme.

Pas pak ditësh mbushet plotë një vit nga ky moment, periudhë e cila me faktet dhe ngjarjet që ka regjistruar po i jep më shumë të drejtë Bashës, se sa “Botës”. Gjatë kësaj periudhe u faktua procesi i kanabizimit të vendit, si një strategji politike për blerjen e zgjedhjeve nga mazhoranca qeverisëse. Më shumë se për tonelatat e kanabisit të kapur nga policitë e vendve fqinje rreth e qark Shqipërisë e kam fjalën për përfshirjen e kupolës së Policisë sonë me në krye ish-Ministrin e Brendshëm në kultivimin dhe trafiqet e paligjshme të drogës. Nuk besoj se ka mbetur “i bardhë e i zi” pa e marrë vesh se ç’ka ndodhur në këtë drejtim gjatë “qeverisë së parë” të “Rilindjes”. Fakte të tilla të dhimbshme vijnë edhe nga fusha e Reformës në Drejtësi. Zgjedhja e Arta Markut në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, vetëm me votat e deputetëve të Partisë Socialiste, zyrtarët kryesorë të së cilës hyjnë e dalin sot në dyertë e organit të akuzës për dosjet e korrupsionit dhe krimit qeveritar, i vuri kapak kapjes politike të drejtësisë. Sipas kreut të PD-së, z. Lulzim Basha, me një veprim të tillë mazhoranca dëshmoi, se Parlamenti i dalë nga votat e blera të 25 qershorit 2017, u deligjitimua plotësisht, në një kohë që pritej fillimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi, pas gati tre vjetë përpjekjesh të shumta kombëtare e ndërkombëtare për miratimin e saj, duke rrezikuar në këtë mënyrë; stabilitetin, demokracinë dhe integrimin europian të vendit. Vetëm në këtë mënyrë mund të realizohen hakmarrjet sorosiane dhe të dëgjohen këshillat diplomatiko-mjerane për arrestimin e Berishës dhe të Metës, ashtu siç është denoncuar së fundi në media. Humbja e shpresës, arbitrariteti i pushtetit, varfëria ekonomike, rritja e taksave, falimentimi i biznesit, shtimi i korrupsionit, mungesa e investimeve të huaja, shtimi i problemeve sociale, tallja dhe përçmimi i opozitës, pushtetimi apo sorosimi i jetës njerëzore, etj., janë kapituj të tjerë të këtij argumentimi për denoncimet dhe publikimet politike të z. Basha, si lider i opozitës shqiptare, edhe përballë kundërshtive të padrejta ndërkombëtare. Shumica e qytetarëve shqiptarë, atë që dikur e dëgjonin si ligjëratë politike të kreut demokrat, se pushteti i dalë nga votat e blera, arrin të kontrolloj edhe jetën personale të qytetarëve shqiptarë, duke e konsideruar veten zot të gjithëçkaje, që mbledh e shpërndan çfarë do, sa do dhe kujt do; tashmë po e përjetojnë si një shqetësim të përditshëm, në çdo hap, që ata hedhin. Aktualisht ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori janë tre këmbët e një perustije politike, që i shërbejnë një qëllimi të përbashkët, ashtu siç e kërkon interesi i kreut të ekzekutivit apo ai i një grupi njerëzish influent rreth e qark tij, duke kufizuar liritë e të drejtat qytetare, si dhe shtypur reagimin publik. Ndëshkimin tërë mllef, që ata duan t’u japin të tjerëve, u jep kënaqësi më shumë se sa përmbushja e rregullt e detyrës.

Natyrisht z. Lulzim Basha mund të përballet me vështirësi të ndryshme në drejtimin dhe organizimin e opozitës, por ai asnjëherë nuk ka kërkuar ndihmën e çdo lloj “qelbësire”, aq më pak të banditëve dhe kriminelëve apo mbushjen e vendit me drogë për të ardhur në pushtet. Si një intelektual i shkolluar në Perëndim dhe si një përfqësues i së djathtës politike, ai synon një pushtet që ngrihet mbi bazën e garantimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Pa u ndalur më gjatë në këto lloj historish politike, mjafton të themi, se shumica e denocimeve publike të paralajmëruara në kohë nga z. Basha si lider i opozitës, me kalimin e kohës janë provuar si të vërteta absolute nga disa burime. Ky fakt i thekson edhe më shumë cilësitë e liderit tek kreu demokrat, pavarësisht se kundërshtarët politik dhe inatçinjtë anakronik, duke shfrenuar fantazinë e veseve autoritariste të përqeshjes dhe ridikulizimit cinik, përpiqen që ta zbehin figurën e tij në publik. Gjithëçka që lidhet me lidershipin e Bashës, duket se e ka zanafillën tek thënia e Sokartit, sipas të cilit: “Ai që dëshiron të ndryshojë botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij”. Siç dihet, njeriu arriti të ndryshoj botën dhe shoqërinë në përgjithësi, vetwm pasi ndryshoi veten e tij. Dhe, siç thotë Arthur Ashe, për ta realizuar këtë aksion: “Fillo aty ku je, përdor atë që ke, bëj atë që mundesh!”. Natyrisht, duke mbajtur gjithmonë parasysh që “arti i lidershipit është të thuash “Jo!”, dhe jo “Po!”. Në një shkrim të botuar disa muaj më parë, me titull: “AND-ja e lidershipit perëndimor”, analizoj “Jo-të e arta” të Bashës për javë me radhë, edhe përballë faktorit ndërkombëtar deri sa u arrit të krijohej drafti i duhur tekniko-ligjor për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në funksion të ndërmarrjes së reformës në drejtësi. Mjafton të kujtojmë se shumë personalitete politike të botës perëndimore, përfshi edhe ish-Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit, znj. Nuland, u shprehën me superlativa për lidershipin e Bashës, duke e cilësuar atë “… jo vetëm një lidership politik, por edhe një lidership patriotik për interesat më të mira të vendit tonë”. E gjithë sjella politike e liderit demokrat, z. Lulzim Basha, qysh nga dita e parë e zgjedhjes në krye të PD-së, më sjell ndërmend thënien e një mendimtari të njohur amerikan, John Maxuell, sipas të cilit, “…një lider i mirë është ai, që e njeh rrugën, ecën në atë rrugë dhe e tregon atë”. Mbase për të ecur me vendosmëri dhe bindje të plotë në këtë rrugë, zotin Basha e ka ndihmuar disi edhe profesioni i të qënit jurist ekselent, por ai s’mund t’ia kishte dalë kurrësesi, nëse nuk do të kishte patur staturën e një lideri të përgjegjshëm vizionar, të ngjajshëm me të atyre që drejtojnë sot në botën e qytetëruar perëndimore. Basha e dëshmoi veten si një politikan i sprovuar, ndërsa bëri gjithëçka për të kapërcyer “vijat e kuqe” të interesave të vogla primitive brenda dhe jashtë vendit. Ajo që bie më së shumti në sytë e atyre, që kanë vërtetë sy të shikojnë, është se, në betejat më të rëndësishme politike, nëpërmjet qëndrimit të tij këmbëngulës, kreu demokrat arriti, përveç të tjerash, të dëshmojë një model të ri të të bërit politikë, sipas stadardeve më të mira perëndimore. Ai tregoi se nuk është sipërfaqësisht dhe pragamtikisht pro-amerikan apo pro-europian, por është në thelb, në përmbajtje dhe parimisht i tillë. Gjithëçka buron nga bindja e tij, se partnerët tanë strategjik, përtej qëndrimeve kompromentuese të përfaqësueve të tyre në Shqipëri, nuk do të pranonin kurrë për qytetarët tanë, asgjë më shumë dhe asgjë më pak se standardet, normat dhe parimet që i kanë bërë për shoqëritë dhe individët e tyre. Shqiptarët, ashtu si çdo komb tjetër i botës së qytetëruar, meritojnë një standard perëndimor në të gjitha aspektet e qeverisjes së tyre, ndaj, bazuar në realitetin që po përjetojmë, duket se ka ardhur koha të besojmë më shumë Bashën se “Botën”, për të shpërthyer me guxim elektoral prangat e psikologjisë vetvrasëse: “Të gjithë politikanët tanë, njëlloj janë”!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here