Turizmi dhe investimet, ja kush janë të përkëdhelurit e Ramës

0
229

 

 

Tre investime janë bekuar së fundmi me statusin “strategjik” duke përfituar nga lehtësitë që ofron kjo kornizë ligjore, ndërkohë që tre të tjerë janë në proces shqyrtimi ose plotësimi dokumentacioni. Nga gjashtë fusha që mund të përfitohet statusi dominojnë kërkesat për fshatra turistikë, projektet e të cilëve po mbijnë “si kërpudha pas shiut” në gjithë bregdetin shqiptar. Komiteti i Investimeve Strategjike ka rrëzuar vetëm dy projekte, nën argumentin e mungesës së maturimit apo strukturave të akomodimit. Por cilët janë investitorët e rinj strategjikë dhe ata në pritje për “statusin”?

Në vitin 2015 qeveria e majtë do të kujdesej që të “thurte” një kuadër të tërë për investimet strategjike. Kjo sigurisht u pa si një mundësi për të ofruar më shumë garanci ndaj investitorëve ku problematika kryesore ka qenë gjithmonë, ajo e pronësisë por jo vetëm. Ligji përcaktonte të paktën gjashtë sektorë ku investimet private, publike apo mikse të të dyjave mund të kategorizoheshin si investime strategjike. Këta sektorë nisin me energjinë dhe minierat, transportin, telekomunikacionin, infrastrukturën dhe mbetjet urbane, turizmi, bujqësia dhe peshkimi, zonat ekonomike apo zonat me prioritet zhvillimin. Në një variacion kaq të madh sektorësh ato që kanë zënë radhë për të përfituar statusin janë fshatrat turistikë, që po mbijnë si “kërpudha pas shiut” në gjithë bregdetin. Komiteti i Investimeve Strategjikë i cili “bekon” investitorët me statusin “strategjik” ka shqyrtuar tetë dosje ku të paktën për tre prej tyre ka dhënë miratimin, dy janë refuzuar dhe pjesa tjetër është kërkuar të plotësojnë dokumentacion shtesë. (Shqyrtimi është bërë në fund të 2017 por zbardhja e vendimeve është kryer në shkurt 2018). Por cilët janë në fakt projektet që kanë marrë statusin dhe të tjerët që presin në radhë.

Në prill 2017 Concord Investments sh.p.k pjesë e grupit Edil Al, do të inaguronte fillimin e punimeve në një resort në Gjirin e Lalzit “i pagëzuar” si “San Pietro”. Ky kompleks sipas projektit të depozituar në Komitetin e Investimeve Strategjike parashikon një vlerë investimi prej 88 milionë euro, ndërkohë që numri i të punësuarve gjatë fazës së realizimit dhe operimit do të jetë 250 persona. Në vendimin e KIS , “San Pietro” ka përfituar statusin “Investim strategjik me procedurë të veçantë” për një afat 2 vjeçar. Kjo i garanton kompanisë investuese mbështetje në disa aspekte. Së pari kryerjen e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike. Së dyti asistencë në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit. Së treti miratimin në parim dhe lejimin e përdorimit të bregut të detit dhe të zonës përkatëse së plazhit përpara kompleksit sipas kuadrit ligjor në komunën Ishëm në Durrës. Së katërti i garantohet infrastrukturë ndihmëse, për sa i përket nevojave për furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik dhe furnizimit me ujë të pijshëm, sipas përcaktimeve të planit të veprimit për realizimin e projektit bashkëlidhur këtij vendimi. Së pesti investitori përfiton asistencë në lidhje me kryerjen e veprimeve në lidhje me konsolidimin e tokës, sipas përcaktimeve të planit të veprimit për realizimin e projektit. Por çfarë parashikon në fakt projekti “San Pietro”? Vetë kompania Edil Al shprehet se investimi është konceptuar si një kompleks elitar turistik, në zonën më veriore të Gjirit të Lalzit, pranë Kepit të Rodonit, me një sipërfaqe ndërtimi 140.000 m2, e cila shtrihet në një truall me sipërfaqe totale 334.827 m2.

I fundit në listën e projekteve që ka kaluar Komiteti i Investimeve Strategjike është realizimi i një kompleksi turistik i njohur si “Gone Perivol” në Palasë pranë fshatit Dhërmi. Vlera e investimit sipas detajeve të dhëna nga kompania është 32 milionë euro dhe përgjatë fazës së realizimit dhe operimit numri i personave të punësuar do të jetë 200. Subjekti zhvillues është Concord Investments. Në parashtrimin bërë para KIS projekti parashikon realizimin e një kompleksi turistik në zonën e quajtur “Gone”, në plazhin e Perivolit, pranë fshatit Dhërmi. Ai shtrihet në të gjithë faqen e kodrës duke zënë një sipërfaqe rreth 14 mijë m2 i ndarë në dy hapësira të mëdha: hoteleri dhe fshat turistik e ambiente shërbimi. Projekti ka marrë lejen e zhvillimit nga ana e KKT-së si dhe leje ndërtimi në vitin 2017.

Statusi strategjik “Investim strategjik me procedurë të asistuar” i është dhënë investimit “Gone Perivol”, për një periudhë 3 vjeçare. Ashtu sikurse ndodh me investimet e kësaj natyre që përfitojnë statusin, janë të paktën pesë lehtësi, që ofrohen nga ana e qeverisë. “Kryerje e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike. Asistencë në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit.

Komiteti i Investimeve Strategjike ka vendosur që të miratojë edhe dhënien e statusit investim strategjik procedurë e asistuar për projektin e investimit me potencial strategjik “Agrocon”. Referuar dokumenteve zyrtare, vlera e projektit është 5.8 milionë euro dhe parashikon që të punësojë 66 persona. Zbatuesi, në këtë rast subjekti “Agrocon”, parashikon realizimin e një ferme bujqësore për kultivimin e perimeve në ambiente të mbrojtura, të mbyllura e të hapura, dhe realizimin e një magazine të grumbullimit të perimeve, në Fshatin Ngurrës e Vogël, Komuna Krutje, Rrethi Lushnje.

“Agrocon” është në pronësi të grupit Balfin, dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 6 dhjetor 2013. Vetëm pak vite më pas, në qershor të vitit të kaluar Balfin do të hiqte dorë nga ky investim për ta shitur tek Roland Kadiu sipas një marrëveshje paraprake mes palëve por në 14 shkurt 2018 pranë QKR u njoftua anulimi i kësaj marrëveshje, duke lënë sërish 100 për qind të kuotave tek ortaku juridik Balfin (Samir Mane). Kompania ka një kontratë qiraje 90 vjeçare me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here