Prognoza e zymtë: Shkurtime pagash, investimesh, ja çfarë i pret më tej shqiptarët…

0

Prognoza e zymtë: Shkurtime pagash, investimesh, ja çfarë i pret më tej shqiptarët

Loading...

 

Ekonomia shqiptare ndodhet përballë një sfide të vështirë, që do të na shoqërojë deri në fund të vitit 2020. Niveli i lartë i borxhit, që vlerësohet aktualisht sipas të dhënave të Bankës Botërore, në 71% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar imponon një skenar me jo pak dhimbje. Në tabelën përfundimtare të raportit të BB-së për vendin tonë jepen të detajuar ecuria e treguesve kryesorë të ekonomisë dhe parashikimi i tyre për 3 vitet në vijim. Sipas këtyre të dhënave, qeveria “Rama 2” duhet të bëjë një ulje të fortë të borxhit në 69% të PBB-së deri në fund të këtij viti dhe një reduktim të mëtejshëm në 66.6% në fund të 2019-ës dhe në 64.7% në vitin 2020. Një objektiv që nuk është i lehtë për t’u arritur dhe që do të kërkojë dorë të hekurt, si në kahun e të ardhurave, ashtu edhe shpenzimeve.

Të dhënat e tabelës së BB-së tregojnë se qeveria parashikon të mbajë të pandryshuar nivelin e të ardhurave në 28.1% të PBB-së. Kjo do të thotë se nuk pritet që të ketë reduktim të barrës fiskale. E thënë ndryshe, ulje të taksave dhe tatimeve për qytetarët dhe biznesin nuk do të ketë. Çdo lehtësim sado i vogël që qeveria mund të bëjë në të ardhmen, duke pasur parasysh edhe zgjedhjet e përgjithshme në 2021, duhet ta shoqërojë me mirëadministrim. Pra, tatimet dhe doganat të mbledhin më shumë të ardhura. Në të kundërt, i ka duart e lidhura.

Ndërhyrja më e dhimbshme do të jetë në kahun e shpenzimeve. Të dhënat tregojnë se shpenzimet nga buxheti do të zbresin nga 30.2% e PBB-së këtë vit në 29.7% vitin e ardhshëm dhe 29.4% në fund të 2020-ës.  Gërshëra do të bjerë si tek investimet, ashtu edhe shpenzimet për paga dhe mbështetje sociale. Sipas tabelës së Bankës Botërore, shpenzimet për pagat do të ulen nga 4.8% e PBB-së këtë vit në 4.7% vitin e ardhshëm dhe në 4.5% në vitin 2020. Rënie do të pësojnë edhe shpenzimet për asistencë sociale nga 10.4% këtë vit, në po këtë nivel vitin e ardhshëm dhe në 10.3% në vitin 2020.

Qeveria do të jetë e detyruar të shkurtojë edhe shpenzimet kapitale, të njohura ndryshe si investimet publike nga 5.2% këtë vit në 5% vitin e ardhshëm dhe në 4.9% në vitin 2020. I gjithë ky skenar do të ndodhë në kushte jo optimale, duke pasur parasysh parashikimet aspak optimiste që jo vetëm Banka Botërore, por edhe FMN bëjnë për rritjen ekonomike. Sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, rritja do të tkurret këtë vit në 3.6% dhe më tej në 3.5% deri në fund të mandatit të qeverisë.

 

 

Investimet

 

Banka Botërore apelon qeverinë shqiptare që të ketë kujdes me menaxhimin e investimeve publike, pasi ato janë një risk për buxhetin. Në raportin ekonomik periodik të BB-së për Ballkanin Perendimor, në pjesën për Shqipërinë evidenton arsyet pse menaxhimi i investimeve publike mbetet një sfidë madhore për vendin. “Ai vuan nga probleme që lidhen me të dhëna të fragmentuara, sisteme jo adekuate të monitorimit dhe vlerësimit, si dhe mungesën e standardeve në përzgjedhjen e projekteve”, theksohet në raport. Banka Botërore vlerëson se qeveria shqiptare është gjithashtu, “e pambrojtur ndaj goditjeve fiskale, për shkak të dështimit në monitorimin, raportimin dhe menaxhimin e rreziqeve të tilla si veprimtaritë kuazifiskale të kompanive publike, partneriteteve publike-private dhe detyrimet kontingjente që rrjedhin nga fatkeqësitë natyrore, çështjet gjyqësore aktuale ose të mundshme”.

 

Institucioni financiar ndërkombëtar rekomandon qeverinë që t’i kushtojë vëmendje ngritjes së kapaciteteve të orientuara drejt performancës, si dhe eficiencës dhe efektivitetit në ofrimin e shërbimeve. “Numri i lartë i kontratave me negocim të drejtpërdrejtë dëmton efikasitetin e shërbimeve dhe e bën më të vështirë kryerjen e blerjeve të leverdisshme për qeverinë. Përmirësimi i auditimit të brendshëm mund të ndihmojë në adresimin e problemeve që lidhen me sistemet ose performance”, thekson raporti. Konstatohet se nuk ka shumë informacion shtesë, performanca në ofrimin e shërbimeve nuk është e njëtrajtshme dhe nuk ka transparencë të plotë në lidhje me transfertat për pushtetin vendor. Për më tepër, Banka Botërore sugjeron se duhet përmirësuar planifikimi afatmesëm i buxhetit.

Loading...

Lini nje pergjigje