Taksat dhe “Rruga e Demokracisë”  

0
164

Taksat dhe “Rruga e Demokracisë”

 

Nga Feti Zeneli

Gjenerali i njohur amerikan për aktivitetin e tij ushtarak gjatë Luftës së Dytë Botërore, Luçius D. Klej, thotë: “Rruga e demokracisë nuk është pa pagesë. Ajo është rrugë ku paguhet taksë, duke pranuar dhe zbatuar përgjegjësitë tonë qytetare”. Kjo është arsyeja, që në hyrje të ndërtesës, ku prej kohësh është vendosur administrata e Drejtorisë së Brendshme Tatimore në Uashington D.C., shkruhet: “Taksat janë çmimi që duhet të paguajmë për të patur një shoqëri të qytetëruar”. Pranimi i alternativës së zhvillimit demokratik të vendit mbi bazën e ekonomisë së tregut të shpie në mënyrë të natyrshme në “derën” e taksidarit. Pa taksa s’ka ekonomi tregu. Në shoqëritë e hapura, qeverive u duhen shuma të mëdha parash për të përmbushur funksionet e tyre dhe për të siguruar shërbimet e nevojshme publike. Këtu përfshihen pagat e mësuesve, mjekëve, policëve, ushtarakëve dhe nëpunësve të tjerë të piramidës shtetrore. Gjithashtu pjesë e shpenzimeve publike janë edhe investimet e ndryshme për ndërtimin e rrugëve, shkollave, spitaleve, zyrave të ndryshme, etj. Janë edhe një sërë çështjesh të atilla shoqërore, që shpesh herë shtrihen deri tek masat financiare për të ndryshuar prirjet e dëmshme të njerëzve për jetën, të cilat përfshihen në axhendën e shërbimeve të ndryshme publike dhe kërkojnë fonde të caktuara financiare për t’u kryer. Siç dihet, burimi i të gjitha shpenzimeve dhe shërbimeve të ndryshme publike janë të ardhurat nga tatimet dhe taksat. Duam apo s’duam, taksat dhe tatimet janë pjesë e jetës. Qeveritë demokratike pohojnë se taksat dhe tatimet janë një e keqe e domosdoshme, gjë për të cilën, parimisht, nuk kanë kundërshtim as vetë taksapaguesit apo tatimpaguesit. Shumica e  njerëzve e pranon, qoftë edhe pa shumë dëshirë, se taksat i sjellin dobi shoqërisë. Po para se sa të bëjnë një pohim të tillë ata duan ta prekin me dorë dobinë e taksave dhe tatimeve që paguajnë në favor të shtetit. Ndonëse përmes vështirësish të shumta, për shkak të ecjes “në rrugët e pashkelura” të demokracisë, edhe shoqëria shqiptare ka hyrë në vitin e 28 të kësaj rendjeje drejt qytetërimit perëndimor. Siç dihet, mbarëvajtja e këtij rrugëtimi simolik, lidhet shumë me atë që prin në emër të interesit publik; pra me politikën qeverisëse të vendit. Ndërkohë, politikat fiskale përbëjnë shtyllën kurrizore të politikave qeverisëse. Parë në këtë këndvështrim, politikat fiskale, para se sa të jenë instrumenta ekonomiko-financiarë, janë indikatori më i rëndësishëm që tregon raportin e marrëdhënieve të shtetit me qytetarët dhe me shoqërinë në përgjithësi. Kjo është arsyeja, që, sidomos, në periudha fushatash zgjedhore apo në momente të diskutimesh të planeve buxhetore shpalosen alternativat më të mira fiskale në interes të qytetarëve. Në këto 28 vite demokraci dhe ekonomi tregu tek ne është krijuar një eksperiencë e gjerë fiskale lidhur me llojin dhe masën e taksave që janë aplikuar kohë pas kohe, në funksion të qëndrueshmërisë dhe rritjes më të lartë ekonomike, sigurisht duke u bazuar tek dy shtyllat apo shkollat kryesore rreth të cilave ato sillen, sikundër janë; sistemi i “taksave progresive” dhe “taksa e sheshtë”. Secila nga këto dy shkolla ka përfaqësuesit e saj, qoftë në nivelin akademik, ashtu dhe në atë politiko-qeverisës. Në nivelin global, John Maynard Keynes njihet si ideator i “taksës progresive”, ndërsa ideologu i “taksës së sheshtë” është nobelisti Milton Friedman. Shkolla e “taksës së sheshtë” është shumë më e vonshme në kohë dhe i përket sidomos periudhës moderne të kapitalizimit. Por aplikimi i tyre duhet bërë larg shkollarizmit dhe shabllonizmit, duke marrë në konsideratë kushtet specifike në të cilat ndodhet ekonomia e çdo vendi të veçantë, në mënyrë që t’i shërbehet sa më efektivisht asaj. Shembulli më i freskët në këtë drejtim është ai i krizës financiare që nisi para një dekade, ku shumë vende të Europës Perëndimore, por jo vetëm, për të përmirësuar nivelin e të ardhurave reale të popullatës u detyruan të ulin sa më shumë nivelin e taksave. Sipas zinxhirit kejnesianist të stimulimit fiskal, rritja e këtyre të ardhurave shpie në rritje të konsumit dhe ky i fundit në rritje të prodhimit. Këtu e ka bazën thënia e famshme e filozofisë ekonomike: “pa konsum, nuk ka prodhim”.

 

Duke u kthyer në realitetin shqiptar konstatojmë, se ka 4-5 vite që ekonomia jonë po vuan mungesën e rënies së konsumit si rezultat i rritjes së barrës së taksave. Qeveria aktuale, ndonëse, përsa u përket politikave fiskale, erdhi në pushtet me premtimin; “kush fiton më shumë paguan më shumë, kush fiton më pak, paguan më pak”; në praktikë veproi ndryshe, duke taksuar dhe tarifuar, gjithnjë në rritje progresive, vetëm bizneset e vogla dhe qytetarët,  ndërkohë që ngarkesën më të vogël dhe lehtësitë më të mëdha në çdo drejtim, ja rezervoi biznesit të madh. E filloi me taksën apo tatimin mbi të ardhurat, të cilën në fashën standard, nga 10 për qind e ngriti në 23 për qind. Me të njëjtën mënyrë u ndërhy edhe në taksën e qarkullimit, që aplikohet mbi gazoilin dhe benzinën. Nga 7 lekë/litër që ishte kjo taksë në 2013-ën, një vit më vonë shkoi në 10 lekë/litër, kurse aktualisht është 27 lekë/litër. Katërfishimi brenda 4 vitesh i kësaj takse u justifkua me mbushjen e “gropës së madhe të borxheve” të lënë nga qeveria Berisha, por statistikat tregojnë se impakti në të ardhurat buxhetore nuk është aq i lartë për shkak të korrupsionit dhe kontabandës të shtuar në këtë drejtim. Masa e tatim-fitimit ka shkuar në 15 për qind, gati 50 për qind më shumë se sa në vendet e tjera të rajonit tonë. Pa u ndalur një për një tek llojet e taksave apo tarifave të rritura nga qeveria e “Rilindjes”, mjafton të kujtojmë se në tërësi ngarksesa fiskale e tyre shkon në mbi 40 për qind. Nën shembullin e qeverisë qendrore, rritje kanë pasur edhe taksat vendore, duke e bërë kështu më të vështirë jetën e qytetarëve shqiptarë. Mjafton të kujtojmë, se gati gjysma e popullsisë së vendit jeton ende me 2 deri në 5 dollarë në ditë, si askush tjetër në rajonin e Ballkanit. Tregues të tillë, ku 30 për qind e familjeve shqiptare nuk sigurojnë dot as bukën e fëmijëve, apo ku 39 për qind e tyre nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe ujit janë pjesë e statistikave për vendet më të varfëra të botës. Faktet tregojnë se, për shkak të kësaj situate, në pjesën më të madhe të vendit po punohet “për bukën e gojës”. Konkretisht, nga totali i parave që qytetarët shqiptarë fituan në 2017-ën, rreth 9 miliradë euro i përdorën për konsum, afro 5 miliard euro i shpenzuan për importe mallrash dhe shërbimesh, ndërkohë që kanë investuar vetëm 20 për qind të këtyre shumave. Kësisoj pesha specifike e konsumit në atë që quhet PBB është shumë e lartë; pra gati 80 për qind. Sot, komponenti më i rëndësishëm i PBB-së së Shqipërisë është konsumi. Jemi në një fazë ku kriza financiare, po shndërrohet në krizë konsumi, ashtu siç ndodhi me krizën globale të 2007-ës. Natyrisht, për të patur zhvillim ekonomik, duhet të ketë patjetër konsum. Por konsumi nuk vjen nëse në vendin tonë nuk investohet dhe zhvillohen ato aktivitete prodhuese që gjenerojnë punësim në shkallë të gjerë të njerëzve. Në një ekonomi; investimet vijnë kryesisht nga tre burime, kompanitë e huaja, shpenzimet kapitale të qeverisë dhe investimet e biznesit vendas. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet e huaja deri tani janë mbajtur gjallë, kryesisht nga gazsjellësi TAP dhe HEC-et mbi kaskadën e Devollit, të kontratuara nga qeveria Berisha, ndërkohë që investimet publike të “Rilindjes” janë bërë “rrush e kumbulla” koncesionesh, ndërsa ato të biznesit privat janë stopuar për shkak se kredia bankare për ekonominë, si burimi kryesor i financimit të investimeve të reja vazhdon të mbetet në ngërç. Kësisoj, ekonomia nuk po prodhon dhe nuk po rritet më tej.

Raporti më i fundit i Forumit Ekonomik Botëror, “Raporti për gatishmërinë e prodhimit në të ardhmen 2018”, e rendit vendin tonë të 91-shin në botë, ndër 100 ekonomi, ndërsa në Europë dhe rajonin e Ballkanit, sigurisht jemi në vend të fundit. Por duke u shtuar këtyre konkluzioneve dhe ato që parashikon Banka Botërore, në prezantimin e raportit të rregullt ekonomik për Europën Juglindore, rezulton se ekonomia shqiptare do të përkeqsohet dhe më tej gjatë viteve në vazhdim, për shkak të mungesës së investimeve të huaja dhe klimës së përshtatshme të biznesit në përgjithësi. Nga ana tjetër, një sondazh i Fondacionit Fridrih Ebert ka zbuluar kohët e fundit faktin, se rreth 60 për qind e të rinjve tanë duan të ikin nga Shqipëria. Po përtej këtyre statistikave; sa pesimiste aq dhe të paspjegueshme të këtij fjalëkryqi ekonomik, askush nuk e ka të vështirë të shohi; se për 5 vitet e fundit, nuk është shtuar asnjë kilometër rrugë, nuk është ndërtuar asnjë vepër e rëndësishme publike në energjitikë, shëndetësi, arsim, e kështu me radhë; me përjashtim të disa pedonaleve e restaurimeve në qendra qytetesh. Kuptohet, që kjo situatë e rëndë ekonomiko-sociale, nuk mund të të ndihmojë të hedhësh asnjë hap dinjitoz më tutje në rrugën demokratike të integrimit europian, duke shpresuar kështu vetëm tek “mrekullia e lypjes” në derën e Brukselit dhe “ndjenja e keqardhjes” së zotërinjëve perëndimorë. Si shkak i kësaj situate, përveç keqqeverisjes në përgjithësi, ekspertët e fushës rendisin edhe njëfarë inkoherence apo mungesë vizioni të qeverisë aktuale, në politikat fiskale. Ishte tarifa për “Rrugën e Kombit”, ajo, që e evidentoi dukshëm këtë kontradiksion në aplikimin fiskal. Parimisht, e majta, duke ndjekur rrugën Keynesjaniste të “taksave progresive” ka dorë të rëndë në kërkimin e këtyre pagesave, por ajo e kompenson një gjë të tillë me shërbimet publike që shteti ofron për qytetarët, gjë e cila nuk ndodhi me tarifën e përcaktuar për t’u paguar nga përdoruesit e “Rrugës së Kombit”. Normalisht, një qeveri që aplikon nivel të lartë taksash, duhet të kujdeset vetë për shërbimet publike, por në këtë rast problem për realitetin shqiptar është mungesa e një administrate efikase dhe papërgjegjshmëria politiko-ekzekutive. Qytetarët shqiptarë kanë vuajtuar jo pak, edhe në vitet 1997-2005 nga politikat e majta fiskale, ndërkohë që Shqipëria, në të dy rastet, nuk ka bërë asnjë hap para në rrugën e demokracisë integruese.

Ndryshe ka ndodhur në periudhën e qeverisjes demokratike, ku përveç të tjerash është operuar me taksa të ulta, duke ja lënë në dorë privatit edhe shërbimet, sipas parimit kosto-përfitime. Ka gati tre dekada, që vende të ndryshme të botës së qytetëruar po e përdorin “taksën e sheshtë” apo taksat e ulëta si një instrument fiskal për të nxitur konkurueshmërinë në treg dhe për të shtuar rritjen ekonomike. Ajo është njëkohësisht, një ndër medikamentet më efikas për të kuruar informalitetin dhe për të përmirësuar klimën e thithjes së investimeve në ekonomi. Taksat e ulëta, iniciativa e lirë ekonomike dhe roli i vogël i shtetit në ekonomi e shërbime, ishin rruga që ndoqi qeveria “Berisha” nga viti 2005 deri në 2013-ën, e cila u kurorëzua me arritje të shumta në fushën e integrimit dhe zhvillimit ekonomiko-shoqëror të vendit. Aplikimi i “taksës së sheshtë” në këtë periudhë pati ndikim pozitiv në luftën ndaj korrupsionit, nxiti rritjen ekonomike, stimuloi investimet e huaja, frenoi pasojat e krizës financiare, forcoi buxhetin e kështu me radhë. Janë pikërisht këto rezultate që qëndrojnë në bazë të të gjitha arritjeve të tjera lidhur me integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, zhvillimin e biznesit dhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve shqiptarë. Janë, gjithashtu, këto arritje që i paraprin anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, liberalizimit të vizave me vendet e  zonës “Shengen”, aplikimin për statusin e vendit kantidat, kryerjen e investimeve të shumta në infrastukturë, turizëm, energjitikë, bujqësi, shëndetësi, arsim etj. Me pak fjalë, sistemi i “taksës së sheshtë” në Shqipëri i ka shërbyer gjithnjë produktivitetit ekonomik dhe jo rishpërndarjes me prapavijë politiko-nostalgjike të buxhetit. Kushdo që është edukuar me slloganin: “pa investime nuk ka zhvillim ekonomik”, s’mund të rrijë duarkryq në këto momente, pasi morali i vetëm i ekonomisë së tregut është aftësia konkuruese. Shtet ligjor, administratë efiçiente, siguri, taksa të ulëta e pronë e garantuar është gjithë “menyja” e preferuar prej investitorëve të çdo kategorie. Në teorinë e ekonomisë thuhet qartë se, politika në fushën e taksave bëhet gjithnjë në funksion të biznesit dhe të progresit në tërësi. Pa progres të ekonomisë nuk mund të ecësh i sigurt në rrugën e demokracisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here