I mbijetuari rrëfen tmerrin në Kampin e Tepelenës: “Oj nanë po na hanë shtrigat”

0

Çështja e Kampit të Tepelenës, ka qenë tema e emisionit “Studio e Hapur” të martën në News24. I ftuar ka qenë Simon Miraka, një nga të mbijetuarit e Kampit të Tepelenës i cili ka rrëfyer ditët e tmerrit që ka kaluar në ato ambjente.
Në një rrëfim prekës, Miraka tha se brenda 24 orësh në kamp kanë ndërruar jetë rreth 30 fëmijë për shkak të mungesës së ushqimeve dhe higjenës.
“Kam shku 2 javësh. Jemi internu në 1945. Fillimishit jemi sistemu në kalanë e Beratit. Në 1949 na hoqën nga Berati dhe na sistemuan në ‘Toran’, na vendosën në stane bagëtish. Brenda 24 orëve kanë vdekur 30 fëmijë nga mungesa e ushqimit dhe mungesa e higjenës. Kjo situatë alarmoi ministrinë e Brendshme, dhe atëherë na hoqën nga kampi Toranit dhe na vendosën në kampin e Tepelenës. Në kampin e Tepelenës kam ndenjur nga mosha 4 vjeçare deri në moshën 8-vjeçare. Fëmija i regjistron ngjarjet dhe i mban mend të gjitha. Fëmijët janë engjuj dhe këta engjuj ishin të rrethuar me tela. E dhimbshme ishte për nanat të rritnin fëmijët mes telave. Kampi Tepelenës ishte i përbërë nga pleq, plaka, fëmijë”, ka thënë Miraka.
Kjo çështje u rikthye në vëmendjen e publikut, pas deklaratës së historianit Pëllumb Xhufi, i cili tha se kushtet nuk ishin dhe aq të këqija gjatë një debati politik.

“Oj nanë po na hanë shtrigat”
Dëshmi rrëqethëse vijnë nga i mbijetuari i Kampit të Tepelenës, Simon Mirakaj. Në rrëfimin në studion e emisionit ‘Studio e Hapur’ në ‘News24’, Mirakaj tregon rreth vuajtjeve të nënave që shihnin fëmijët e tyre të torturoheshin.
“Mbaj mend dy fëmijë të cilët u shtrinë barkas nën tela për të gjetur ndonjë frutë, gorricë ose dardha. Në momentin që fëmijët u ngritën u pikasën nga policia. Policia i kapi fëmijët dhe i lidhi në një shtyllë. I mbajti gjithë natën deri në mëngjes. Ata qanin të dy sepse i vendosnin afër çezmës dhe aty frynte. Edhe sot e kam kujën e tyre në vesh kur thërrisnin “Oj nanë po na hanë shtrigat”, pohoi Simon Mirakaj.
“Më rrahën sa humba ndjenjat se doja babain”
Në një kohë kur vijojnë debatet për kushtet në kampin e Tepelenës, vjen një rrëfim i pazakontë në emisionin ‘Studio e Hapur’ në “News24”. I mbijetuari nga ky kamp, Simon Mirakaj në një ballafaqim me të shkuarën flet për jetën në këtë kamp, moshën kur është dërguar në kamp dhe vuajtjet që ka kaluar atje.
Mirakaj rrëfen se mësuesi e kishte pyetur nëse e donte babanë e tij dhe ai ishte përgjigjur me sinqeritetin e një fëmije se ‘po’. Por siç duket përgjigja e tij nuk i kishte pëlqyer mësuesit, e cila e kishte rrahur për orë të tëra, derisa në kthimin nga shkolla për në kamp, atij i kishte rënë të fikët.

Lini nje pergjigje