INTERVISTA/ Flet Gent Strazimiri: Djegia e mandatave, si hap i parafundit i opozitës

0
323

Ndërkohë që aksionet qytetare, të mbështetura këmba këmbës nga Partia Demokratike, kanë marrë një rrugë pa kthim, dje, katër kryqëzimet më të mëdha në vend u bllokuan, bizneset e vogla ulën qepenat, pra ,mosbindja qytetare vazhdoi. Deputeti i Partisë Demokratike, në një intervistë për “Standard”, foli gjerësisht për Rrugën e Kombit, rëndësinë e këtij aksi, dhe përdorimin e “mbrapshtë” që po i  bën qeveria aktuale. Situatën e krijuar nga qëndrimet arrogante të mazhorancës, Strazimiri i krahason me kohën e regjimit të Enver Hoshës. Më tej, Strazimiri foli për vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila dy ditë më parë dha masën e arrestit me burg për 11 protestues, dhe e qujati atë të kapur politikisht, ashtu sikurse ka ndodhur me të gjitha procedurat e tjera. Për reagimin opozitar në vijim, Strazimiri tha se do të ketë përshkallëzim të protestave, e nëse do të jetë e nevojshme, do të shkohet edhe në djegie të mandateve, në mënyrë që Rama të mos ketë më ku të përplaset, por të detyrohet të shkojë të përballë tyre, për çdo shqetësim apo vendim.

Taksa e pagesës e vendosur nga qeveria për“Rrugën e Kombit” solli reagime të forta. Si e shihni ju këtë çështje?

Rruga e Kombit  është pasuria më e madhe që është bërë për këtë vend. Do të duhet të ishte një monument i mirëqenies dhe jo një hall i kombit. Rruga e Kombit është krijuar që populli të ketë më shumë lekë në xhepat e tij dhe jo qeveria t’i marrë më shumë lekë popullit. Për më tepër, çdo pasuri që ka ky vend , për të patur mundësi për të rritur mirëqenien e familjes, është kthyer po ashtu në një hall. Hallexhi nuk është thjesht ai që nuk ka bukë. Edi Rama e ka çuar vendin që hall edhe më të madh ka ai që ka më shumë lek. Janë një sërë pasigurish në vend, pasiguria juridike, financiare, ekonomike, mosqëndrueshmëria politike e qeverisë dhe e vendimeve që qeveria merr, e bëjnë më hallëxhi zengjinin sesa fukarain. Kjo është një situatë që duhet të marrë fund një orë e më  parë. Kjo nuk është një qeveri për popullin, por një qeveri që nuk shton pasuritë e popullit, por pasuritë që ka populli, ja var si gur në qafë për ta mbytur.  Pse ndodh kjo?  Nuk dinë ta bëjnë? Jo në fakt, kjo ndodh sepse nuk duan ta bëjnë. Kjo është një qeveri socialiste, që do të thotë një qeveri sociale, dhe gjëja e parë që duhet të bënte, duhet t’u thonte oligarkëve të vendit që duhet të paguani më shumë, sepse kam 12.4% të popullsisë nën nivelin e varfërisë. Ky duhet të ishte raporti i kryeministrit.  Çfarë ndodh? Janë shtuar oligarkët dhe konçesionet, po ata emra, pesëshja e njohur tashmë. Ndërkohë që niveli i varfërisë, nga 12.4% që e gjeti e çoi në 43.7%.  Në mënyrë të vazhdueshme kam pyetur edhe Ministrin e Financave në Parlament, pse populli varfërohet kur ekonomia rritet, pasi në raportin e ekonomisë del që ekonomia është rritur me pesë herë më shumë? Përse nuk rishpërndahet kjo e ardhur e kësaj rritjeje ekonomike, kur raportet e këtyre thonë që ëkziston.  Dje, ishte dita kur edhe bizneset në mënyrë të pavarur në të gjithë republikën, kanë reaguar duke mbyllur qepenat. Ky është një sinjal alarmi për të gjitha qeveritë përgjegjegjshme, që të mos hajë inat me popullin. T’i thuash këshilltarëve socialistë të Bashkisë së Kukësit, edhe mund ta pranojme  deri diku. Po bizneset e tjera, edhe ata janë të PD-së? Këta ku i fut, tek 97%-shi që ju janë ulur taksat, apo tek 3%-shi? Ka një të vërtetë të madhe në këtë vend, 99% e popullsisë është duke vuajtur, 1%, Edi Rama dhe klientela e tj, po pasurohen çdo ditë me mjerimin e këtij vendi. Jemi rikthyer edhe njëherë në periudhën kur ndajmë në mënyrë të barabartë varfërinë, ndërkohë që gjithçka e marrin 10 apo 15 vetë. Në kohën e Enver Hoxhës, në atë varfëri të madhe, i gjithë populli ndante në mënyrë të pabarabartë varfërinë dhe mjerimin, vetëm 15 familje, anëtarë të Byrosë Politike i kishin të gjitha, ishin  nivelet më të larta të mirëqenies europiane, ne popullin më të varfër të Europës.  Pas 28 vitesh demokraci, kjo është e padrejtë. Dhe një gjë që është e padrejtë, nuk munjd të quhet e ligjshme.

Kërkesën e depozituar në Kuvend për shtyrje të seancës plenare, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e quajti si të pabazuar në nene dhe joligjore, e për pasojë nuk e miratoi. Çfarë mund të thoni për këtë?

Ruçi nuk është kryetar i Parlamentit shqiptar, Ruçi është kryetar i socialistëve të parlamentit. Kjo tashmë është e qartë. Është një ndër personat më të kontestuar të qeverisë socialiste, për shkak të të shkuarës së tij. Është njeriu me i papërshtatshëm për një nivel demokratik, duke qenë se 26 vjet më parë, ky i fundit është shkaktar i ngjarjes më të rëndë në Shkodër, që mban përgjegjësinë dhe urdhërin e tij. Të flasësh për Ruçin dhe atë që ai e quan të ligjshme apo të paligjshme, unë jam krejtësisht kundër në të gjitha proceset dhe dimensionet që ky i fundit ka për ligjshmërinë.

Kryeministri Rama u shpreh dje në seancë se do të ishte e udhës që opozita të ishte në sallë për të shprehur të gjitha kundërshtitë për Rrugën e Kombit. Si e quani këtë citim ?

Opozita ka 5 vjet që ishte në Parlament. Por tashmë të jesh në atë sallë dhe të shprehësh mendime kur përballë ke Edi Ramën, nuk është më opozitë, por është kolaboracion. Pas seancës së fundit, kur Edi Rama u shprehme një fjalor që unë nuk mund ta riprodhoj këtu, për atë që e kishte paralajmëruar opozita, që populli do të ngrihet, të dalë në sheshe. Ti je i vetëm, do të dalë populli, jo partia Demokratike. PD-ja do të mbështesë çdo lëvizje në të mirë të popullit. Sigurisht për Ruçin dhe për socialistët e tjerë të Parlamentit, shprehja perverse e Ramës do të rezultojë etike dhe ligjore, dhe aspak e dënueshme, Me të tilla stratazhema dhe paftyrësi që bën pushteti, tregon se ka jo ditët, por orët e fundit të tij.

Dy ditë më parë  z.Spaho pas përplasjeve me policinë në gjyqin për protestuesit e arrestuar ka bërë një telefonatë me kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliun, ku ka marrë një përgjigje të tillë “Policia nuk është e imja, është e shtetit”.

Nëse ka dhënë një përgjigje të tillë z.Veliu, si e konsideroni? Mund t’ju them çfarë tha z.Spaho. Përgjigja ime për z. Veliu dhe për Policinë e Shtetit, të cilën mund ta quash të tillë, pasi është e tillë, nëse shteti është në dorë të narkotrafikantëve edhe policia është në dorë të tyre. Provë për këtë është Fatmir Xhafa dhe vëllai i tij, kreu i narkotrafikut në vend, dhe miku i tij i ngushtë, Ardi Veliu. Jo rastësisht dy ditë më parë në gjykatë ju bëra thirrje Policisë së Shtetit se po shkelnin ligjin, edhe ata vetë ishin të vetëdijshëm për këtë, që të hiqnin shqiponjat dhe të vensonin pullën e kuqe të Stalinit. Kjo është policia e Ardi Veliut, që ky e quan Policia e Shtetit.

Si parashikohet të përshkallëzohen protestat e opozitës?

 Qeveria dhe PS-ja, në këtë shtet tashmë monopartiak, duhet të dëgjojë zërin e popullit. Deri në momentin kur ky i fundit do të dëgjohet, populli nuk do t’i ndahet reagimit popullor, por do të jetë në pjesën më të ndërlikuar të kësaj lëvizjeje. Unë mendoj se nuk është një lëvizje thjesht antiqeveritare, për një qeveri të keqe. Detyra e PD-së është të çojë shoqerinë në një stad tjetër emancipimi, sepse shoqeria shqiptare po kalon një momënt kritik jo vetëm politik, por edhe social. Ajo që sot quhet komunizëm, në vitet 30 quhej Musolinizëm ose fashizëm.

 

A mendoni se do të reagojë mazhoranca nga këto që duken të qarta që janë lëvizje dhe revolta qytetare?

Nëse mendoni se mazhoranca do të heqë dorë nga vjedhjet dhe krimet, nuk mund të reagojë. Është shumë vonë për ta. Ky shtet monopartiak, që ka ardhur në pushtet me paratë e krimit dhe të drogës, sigurisht që nuk do të heqë dorë nga vjedhjet dhe konçesionet, e kanë të pamundur, pasi është shumë vonë. I vetmi vend për ta është burgu! Ata e dinë dhe nuk mund  të ketë tjetër zgjidhje për ta, përveçse të bëjnë qëndresë.

 

A do të kërkojë opozita shpjegim tek Prokuroja e Përgjithshme Arta Marku, për vendimin e marrë dy ditë në gjykatën e Tiranës?

Unë nuk besoj se opozita duhet t’i kërkojë shpjegime Arta Markut, pasi është e paligjshme. Eshte person që nuk ka kaluar ende Vettingun. Është një person tërësisht në shërbim të narkotrafikut dhe oligarkëve. Unë jam i bindur që është tërësisht nën  influencën e Fatmir Xhafajt dhe të të gjithë Fatmir Xhafajve, ish-hetues, prokurorë të Shërbimit të Shtetit. Ajo po ben çfarë i thonë ata. Në të kundër duhet të kishte ardhur në Parlament të kërkonte edhe njëherë arrestimin e Saimir Tahirit, të shkonte në arrest shtëpie Orest Sota.  Do të kishte kërkuar të shkonin para përgjegjësisë pënale të gjithë ata që nuk arrestuan në kohë Klement Balilin, i cili vazhdonte dhe jepte intervista, të paktën pesë ose 6 ditë, që nga moment kur doli i cituar nga CNN- si Escobar i Ballkanit. Ka shumë punë, tashmë i ka thyer të gjitha këto siguresa. Pritshmëria që duhet të jepte Arta Marku, si e re, në shërbim të ligjit dhe kundër narkotrafikut, tashmë i ka skaduar koha. Do ta përsëris edhe njëherë, atë që kam thënë. Dikush kishte edhe pritshmëri, thoshte lëreni Arta Markun të punojë njëherë. Arta Marku është zgjedhur në mënyrë të paligjshme, askush që është zgjedhur me argument të gabuara, nuk mund të sjellë një rezultat të drejtë. Arta Marku është produkt i instrumentave të gabuara. Nuk mund të sjellë një rezultat të thjeshtë, nuk mund të sjellë një rezultat të ligjshëm. Është peng i paligjshmërisë dhe e pazareve që e zgjodhën.

 

A mundet një Gjykatës të japë vendim jashtë territorit ku është përcaktuar të ushtroje funksionin?

 Debati është juridik. Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, senaca e dy ditëve më parë ka qenë tërësisht e paligjshme. E patë edhe vetë, kur lexoi preambulën e vendimit, na bëri të besojmë të gjithëve ne të pranishmëve, mos ndoshta jemi në Kukës. “Gjykata e Kukësit, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Kukës, e mbledhur sot në Tiranë, vendosi që….”. Koncepti i juridiksionit lidhet me territorin. Juridiksioni nuk është diçka që gjyqtari e merr me vete edhe kur shkon në shtëpi, në cepin tjetër të Republikës, por e ka të lidhur me territorin në të cilin vepron. Juridikdioni i gjyqtarit jashtë këtij territory, përveçse me vendim të Gjykatës së Lartë, e ka Kodi i Procedurës Penale, është nul. Juridiksioni nuk është çantë shpine, që mund ta marrësh kudo me vete.

 

Nëse situata vazhdon e tillë, a mund të shkojë opozita deri në djegie mandatesh?

Opozita mund të shkojë edhe në djegie mandatesh. Kur? Unë kam thënë gjithmonë, që opozita si hap të parafundit, duhet të ketë djegien e mandateve. E ka detyrimin të ketë hap të parafundit. Jo hap të parë apo të dytë. Në momentin që opozita djeg mandatet, situatën e merr në dorë populli. Opozita ka një pjesë të sovranitetit të popullit, atë të minorancës. Pa këtë pjesë të sovranitetit që ka opozita, nuk mund të ketë demokraci. Është kusht i domosdoshëm. Nga 140 veta që kemi në Parlament, sikur vetëm një nga opozita të mbesë, ai përfaqëson më së shumti  sovranitetin e popullit. Në momentin kur opozita dorëzon mandatet, do të thotë që institucionet demokratike, demokracia, nuk funksionon dot më. Që nga ai moment situatën e merr në dorë sovrani.

Intervistoi: Aida Topalli

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here