“Do bllokojmë Kryeministrinë dhe Kuvendin. Rama do iki…”

0

Deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj është shprehur se hapi i radhës së mosbindjes civile do të jetë bllokimi i Kryeministrisë dhe deputetëve të mazhorancës për të mos hyrë në Kuvend.

Loading...

“Protestën e drejtojnë qytetarët, ndërsa opozita është një mbështetëse e tyre, jo si politikanë, por për t’i mbrojtur nga kryeministri Rama dhe burgosjet në mes të natës. Opozita do e largojë Ramën me luftë, por jo me luftë të mirëfilltë, por duke bllokuar ministrat për të mos hyrë në kuvend. Bllokimi i kryeministrisë do të jetë hapi i radhës.

Në radhët e mazhorancës ka të ndershëm, punëtorë, jo të gjithë janë të nënshtruar të Edi Ramës, ka njerëz seriozë dhe të përkushtuar në punë, por mesa duket frika dhe trysnia ndaj tyre është shumë e madhe ndaj nuk pati një hap të rëndësishëm nga Byroja e Kuvendit për largimin e Edi Ramës”, tha Mehmetaj studion e “Report Tv”.

Intervista e plote

Pas aktit të parë të mosbindjes civile do ta vazhdoni këtë rrugë të ‘kryengritjes’ qytetare?

Sigurisht, që po. Qytetarët duhet të gjejnë forcë dhe guxim brenda vetes dhe të jemi shpresëplotë se rrëzimi i një qeverie që po i bën shumë keq shqiptarëve do të jetë një luftë që do ta fitojmë. Shoqëria civile është duke organizuar marshime dhe protesta.

Çfarë do të bëhet me banorët?

Qëndrimet tona lidhur me të gjithë situatën që u krijua në Kukës janë shumë të qarta. Edhe në Kuvend në seancën e para 10 ditësh kanë qenë 14 deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim që kanë folur dhe kanë dhënë mbështetjen e tyre. Ne kemi disa pika të panegociueshme në mbështetje të banorëve atje. E para është lirimi i menjëhershëm i 11 të burgosurve. E dyta është heqja e taksës së Rrugës së Kombit. Për banorët e Kukësit kjo duhet të jetë e pa mendueshme. Aty ka vetëm një tra dhe aty nuk duan t’ia dinë nëse banori ka bërë 0.5 kilometra apo ka përshkuar të gjithë rrugën. Ne i kemi dëgjuar të gjitha shqetësimet dhe faktet e pakundërshtueshme që banorët kanë dhënë mbi pamundësinë e tyre për ta bërë këtë pagesë. Për ta edhe 50 lekë të vjetra janë tepër. Ajo është rruga e tyre dhe nuk kanë një rrugë alternative.

Qëndrimi juaj si është, të mos ketë taksë vetëm për kuksianët?

Ne gjykojmë që aq shumë taksa sa ne paguajmë për mirëmbajtjen e rrugëve të Shqipërisë dhe aq shumë para’ sa janë shpenzuar për t’u ndërtuar pikërisht ajo rrugë, nuk duhet të ketë asnjë pagesë, asnjë rrugë, asnjë taksë, çfarëdo emri t’i vëmë për të kaluar në atë rrugë. Të paktën jo deri në momentin që do të ketë një rrugë alternative, e cila do të krijojë shanse më të mira për qytetarët për ta përdorur dhe atë në rast se nuk do kalojnë nga ajo rrugë. Kjo është e para. E dyta, ne kërkojmë lirimin të menjëhershëm të 11 kuksianëve, të hasianëve, tropojanëve, që janë të arrestuar. Unë nuk e di se si vetë Kryeministri  doli si i penduar, e quajti të drejtë protestën e banorëve atje. Dhe tani vazhdon i mban ata në burg. Por kjo është e papranueshme.

Nuk i liron Kryeministri…

Ju si mendoni, si ndodhi gjithë ajo procedurë? Ishte e iniciuar nga prokuroria? Unë isha në seancë, 2 mijë oficerë policie, shtetrrethim. A thua aty po kalonin kriminelë të rrezikshëm. A mendoni ju që ajo ishte jopolitike? Absolutisht që ishte politike, absolutisht që ishte me urdhër të Edi Ramës. Ai ishte me urdhër të Kryeministrit, ashtu si Edi Rama ka kapur drejtësinë me manovrat që ne kemi parë, me zgjedhjen antikushtetuese që bëri me Prokuroren e Përgjithshme që bëri në Parlament në dhjetor. E thonë dhe në Amerikë, që në fakt në Shqipëri është investuar që qeveria të kapë sistemin e drejtësisë. Ne që jetojmë këtu, ne që e shohim dorën e hekurt të Edi Ramës në sistemin e drejtësisë, e ndjemë në atë seancë, pamë se si djem, burra tërhiqeshin zvarrë nga shtëpitë e tyre në mes të natës, për të krijuar terror, për të krijuar frikë te qytetarët që të mos ngrihen dhe protestojnë. Bëhen procesverbale dhe dokumente duke thyer ligjin. Sepse ti nuk mund të shoqërosh, të arrestosh qytetarët në orën 2 të natës dhe të shkruash në procesverbal sikur e ke bërë në orën 10 të drekës. Janë të gjithë këto procedura dhe një gjyqtare, që atje ishte si një zëdhënëse e Rilindjes të Edi Ramës që jepte verdiktin për qytetarët, që protestonin në mënyrë legjitime. Kështu që, për ne e para është heqja e tarifës për këdo që kalon në Rrugën e Kombit, lirimi iu menjëhershëm i 11 të shoqëruarve, largimi i Forcave Speciale nga Kukësi, dhe pastaj lista vazhdon me disa probleme ekonomike, që e kanë mpirë vendin, që i kanë pirë gjakun vendit, siç është TVSH-ja për biznesin e vogël. Ju e dini që janë paralelisht 200 apo 300 biznese që kanë mbyllur qepenat për të protestuar. Ashtu siç unë e kuptova nga deklaratat e tyre ishte një vendim i bizneseve të vogla, për të qenë në protestë, sepse xhiroja e tyre vjetore e bënte të pamundur për ta të gjenin mundësi financiare për të mbajtur dikë tjetër në punë, për të paguar TVSH-në në shtet duke ditur që të gjitha hallkat e sistemit nuk funksionojë. Këto janë pikërisht mënyra për të mbytur biznesin e vogël që sërish të plotësohet dëshira e Edi Ramës, ku bizneset e mëdha ose ndryshe oligarkët, të jenë pas tij dhe të jenë pikërisht ata që të mbizotërojnë dhe sundojnë në Shqipëri.

Ju thatë në fakt se akte te tilla të dhunshme ndodhin kudo në botë dhe njerëzit nuk mund të arrestohen. Ish-kryetari i LSI dhe aktualisht Presidenti i Shqipërisë, z. Meta, ka folur kundër çdo akti dhune. Si e komentoni këtë?

Unë dua të them që Presidenti në një komunikatë tjetër tha se është e patolerueshme kjo gjuhë arrogante. Mendoj që ky është roli i Presidentit, ku nuk duhet të qëndrojë mes palëve, por të jetë një figurë unifikuese për popullin. Nuk habitem nga deklaratat e tij, por dua të them se nuk kam përse të kem të njëjtin gjykim me të, pavarësisht faktit se ka qenë ish-kryetari i LSI. Unë do ta ftojë Presidentin që të shkojë e të takojë banorët e Kukësit, por gjithashtu të shikojë edhe situatën aty. Gjithsesi, nuk mund të komentoj Presidentin pasi nuk është detyra ime, thjesht unë bëj një koment politik. Dua të ftoj gjithsecilin prej jush, jo vetëm në Kukës, por edhe nëpër fshatra, ku të shikoni se si jetojnë njerëzit.

Faktikisht duhet të shkojë qeveria atje, ligjvënësit, ata që me taksat e qytetarëve duhet të përmirësojnë dhe ndryshojnë këtë situatë.

Atëherë, ne këtu duhet të bëjmë një ndarje të madhe nëpërmjet asaj pjese të politikës që është sot në qeveri dhe pjesës tjetër që jo thjesht është në opozitë, por që është afër qytetarëve dhe interesave të tyre. Këtu fillon ndarja. Pjesa e parë, pra mazhoranca na ka vënë nën hijen e saj dhe ne të tjerëve pa u kuptuar dhe puna që në të vërtetë opozita bën. Ne jemi çdo ditë në terren dhe kontakt me qytetarët, pranë kërkesave por edhe halleve të tyre. Unë nuk kam biznes, ku nuk mund ta di se si vuan biznesi i vogël. Unë nuk jam vetë pensioniste dhe nuk e them vetë që atyre nuk i dalin paratë për të paguar ujin, dritat e ilaçet. Pra, këto janë probleme që ne i marrim nga qytetarët dhe pikërisht për ta ne ngremë edhe zërin. Besoj se ju e keni ndjekur me vëmendje ato çfarë kanë thënë edhe kryetarja jonë, znj. Kryemadhi, por edhe z. Basha dhe z. Vasili, që nuk jemi ne ata që po e drejtojmë këtë proces. Janë qytetarët shqiptarë, ata që po e bëjnë këtë gjë. Po të shihni, kudo nëpër Shqipëri ka vatra të mosbindjes civile, si pasojë e angazhimit qytetar dhe jo të politikës. Një opozitë nuk mund të ngrejë në këmbë një popull të tërë nëse kauzat, për të cilat po flitet nuk rëndojnë pikërisht te vetë ata. Dhe bllokimi i katër akseve rrugore u bë pikërisht nga qytetarët. Po të shikoni, në këto akse të bllokuara për rreth dy ore e tridhjetë minuta, ku nuk ka lëvizur asnjë automjet, përveç emergjencave që patëm, a dëgjuat ju sikur vetëm një bori makine të binte?

Ju po thoni që edhe ata që ndaluan për shkak të bllokimit të rrugës ishin dakord me këtë mosbindje civile?

Ne i takuam ata, i kërkuam ndjesë, sepse padyshim edhe vetë kryetarja e tha që bllokimi i rrugës nuk është për shqiptarët, por për këtë qeveri të narko-trafikut, e cila po bllokon zhvillimin dhe ecjen përpara të shqiptarëve. Madje, drejtuesit e këtyre automjeteve dilnin prej tyre dhe bashkoheshin me protestën.

Mirëpo ka pasur edhe nga ata që kanë dashur të kalojnë dhe të mos bëheshin pjesë e kësaj mosbindjeje civile…

Unë isha aty dhe përveç rasteve të urgjencës nuk pashë asnjë qytetar nga ato që ishin në automjete që ishin kundër protestës. Qytetarët janë të revoltuar, ka arritur në pikën që nuk përballohet dot më. Dhe kur shohim nga ana tjetër edhe arrogancën e këtij Kryeministri, që në parlament i krahason organet gjenitale të një mashkulli, më besoni që aty ka ardhur fundi.

A mendon që ka një lloj ndarjeje mes shoqërisë civile dhe qytetarëve të cilët vendosën të protestojnë veçmas duke mos u bërë pjesë e mosbindjes civile të organizuar së fundmi? A nuk mendoni se ka qytetarë, të cilët mund të duan të mos njollosen politikisht?

Ju keni pamjet, a kishit ndonjë logo partie? Ka një arsye thelbësore se përse politikanët ishin në krye të asaj proteste, që Edi Rama të mos shkojë me vasalët, me mercenarët e tij të burgosë qytetarët natën, ashtu siç bëri me qytetarët e Kukësit. Pra, e vetmja arsye se pse politikanët ose deputetët më saktë ishin në krye, ishte vetëm kjo: Nëse ka njeri që duhet të arrestohet, këta jemi ne. Hajdeni na arrestoni!

Në mos gabohem, ka pasur procedime penale për disa deputetë dhe qytetarë që morën pjesë në bllokimin e rrugëve…

Këtu kthehemi edhe njëherë në mënyrën se si prokuroria, policia është kapur nga Kryeministri dhe qeveria e tij. Unë isha personalisht në Elbasan, por kemi qenë me të gjithë kolegët në të gjitha protestat, nuk pati asnjë qytetar që denjoi të shkaktonte incidentin më të vogël. Kjo është forma që ata kanë zgjedhur për të intimiduar qytetarët, prandaj ne ishim atje. Aty nuk kishte flamuj partie, aty kishte vetëm flamuj shqiptarë. Fakti që çdo ditë do të ketë një protestë të re, kjo nuk do të thotë që ne jemi të ndarë. Ky nuk është momenti për ndasi partish. Sa më shumë angazhim qytetar të kemi, aq më e fortë do të jetë demokracia dhe aq më e mirë do të jetë Shqipëria. Në këtë aspekt, është e mirëpritur çdolloj proteste, e cila do të shërbejë për të zhvilluar vendin.

Kryetarja e LSI-së, znj. Kryemadhi, e ftuar në një ekran televiziv, ka deklaruar që Edi Rama duhet të ikë vetë. Nëse nuk e bën duhet larguar me luftë… Çfarë do të thotë ‘me luftë’?

Ja, kjo do të thotë, që qytetarët të jenë të gjithë në rrugë. Ta ndalojnë të hyjë në Parlament, ta ndalojnë të hyjë në Kryeministri, të ndalojnë ministrat të hyjnë në zyrat e tyre.

Përse nuk bllokuat Kryeministrinë atëherë?

Pikërisht ky do të jetë një nga hapat e ardhshëm. Byroja politike e Kuvendit do të kishte bërë një veprim të mirë për të çtensionuar situatën, duke dënuar Edi Ramën, duke mos e lejuar që të hyjë në Parlament për të paktën 10 ditë. Kështu nuk do ishim të detyruar ta pengonim ne vetë që ai të hyjë në Parlament. Por, ja që nuk e bën.

A nuk ju duket qesharake mbledhja e Byrosë? Kishit vërtet shpresë që Byroja e Kuvendit, duke pasur maxhorancën, të vendoste përjashtimin e kreut të qeverisë?

Unë kam qenë në atë Byro në dhjetor dhe jam dënuar që të mos marr pjesë në Parlament, sepse mbrojta Kushtetutën në Parlament dhe pse një nga mercenarët e Edi Ramës ushtroi dhunë në Parlament në mënyrë të pakontrolluar. E për këtë u përjashtova nga Parlamenti për pesë ditë, pa asnjë motiv. Unë e besoj që në radhët e mazhorancës ka deputetë, të cilët janë të ndershëm, punëtorë, jo të gjithë janë pjesë e pazareve të Edi Ramës. Ne mund të na ndajnë partitë, por absolutisht që kjo nuk na pengon të jemi miq me njërin-tjetrin. Por, me sa duket, frika e Edi Ramës i ka frikur edhe ata. Edhe ata kanë qenë në trysni. U ndjeva shumë keq të dëgjoja një kolege deputete në moshën e nënës sime që të thotë se, ishte normale, sepse ajo ishte një poezi. Nëse në shtëpinë e zonjës Hysi është normale dhe përdoren këto metafora dhe nuk krijojnë asnjë problem, në shtëpinë time dhe të të gjithë shqiptarëve, jo vetëm që nuk përdoren, por janë një turp i vërtetë. Nuk mund të ofendosh qytetarët e tu, duke i krahasuar në atë lloj forme.

Ti je politikane e re, por ndoshta do duhet të mbash mbi shpatulla edhe përgjegjësinë e gjithë politikës që bën vetë LSI-a. Ti the që nuk mund të ketë në asnjë mënyrë taksë në Rrugën e Kombit. Edhe motivet janë shumë të qarta. Edhe unë vetë si qytetare e mendoj si të papranueshme këtë gjë, por realisht kjo marrëveshje me koncesionarin është bërë në kohën kur ministër ka qenë z. Haxhinasto, është firmosur nga Sokol Dervishaj. Përse nuk e kërkuat më përpara këtë gjë? Përse nuk e kundërshtuat më përpara?

Ju e dini se përse janë zvarritur procedurat, qoftë edhe me urdhër të Kryeministrit, sepse nuk gjendeshin termat e përshtatshëm në mënyrë që të mos rëndohej xhepi i qytetarëve shqiptarë. Dhe LSI bëri të mundur këtë dhe paralelisht, pa u vendosur që ky koncesion të firmosej, ka propozuar në Parlament një ligj për koncesionet dhe PPP-të, i cili ka dy vite që fle në sirtarët e parlamentit, sepse Rilindja e asaj kohe dhe e kësaj dite nuk pranon ta sjellë në parlament dhe ta votojë. Ky ligj për të kontrolluar koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat në një spektër më të gjerë, në momentin që do kalonte, do ta bënte të pamundur që ky koncesion të kalonte. Pra, ne në aksionin tonë, qoftë edhe të atëhershëm, kemi qenë në të njëjtën linjë mendimi me këtë që themi sot. Edhe nëse rruga ka nevojë për mirëmbajtje, gjë që është normale, le të ketë një koncesion, le të ketë një partneritet, le të ketë një tenderim, sido që ta quajmë, duhet të jetë buxheti që duhet të paguajë Partneritetin, sepse aktualisht nga taksa e qarkullimit buxheti i shteti fiton një sasi të konsiderueshme parash. Një pjesë e saj le të shkojë për të mirëmbajtur Rrugën e Kombit dhe për rrugë të tjera.

 

 

Loading...

Lini nje pergjigje