Biznesi amerikan: Shqipëria është e papërballueshme nga taksat!

0
200

Biznesi ankohet se barra reale e taksave në Shqipëri është dy herë më e rëndë sesa thuhet zyrtarisht nga qeveria. Presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë, Mark Crawford thotë se dhjetëra taksa dhe tarifa që shtohen vit pas viti e kanë bërë barrën fiskale të papërballueshme. “Nëse shikon në letër 15 për qind, nuk duket një normë shumë e lartë krahasuar me botën. Por, janë 30 taksa dhe tarifa të tjera të vogla, të cilat e çojnë barrën e taksave 20-30 për qind, e ndoshta deri në 40 për qind të fitimit, ose të të ardhurave personale”, thotë Crawford.

Sipas tij, taksat e larta janë prej vitesh pengesa kryesore e biznesit në Shqipëri. Madje, ai thotë se politika fiskale shpesh është kaotike. “Është e pamundur që një kompani të ndërtojë hotel me 5 yje, kur nga një anë hiqen taksat, por nga ana tjetër shtohet një taksë në rrugë për turistët nga Kosova që vijnë këtu”, thotë presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë.

 

Por taksat e larta nuk janë problemi i vetëm që vuan sipërmarrja. Crawford thotë se, ndryshe nga vendet e rajonit, në Shqipëri politika e taksave nuk ka qëndrueshmëri. “Nëse ne e ndryshojmë paketën fiskale vit për vit dhe gjatë vitit shtojmë tarifat, është shumë e vështirë për një kompani të huaj të planifikojë. Ata kanë aksionerët e tyre, burimet e tyre dhe pritshmëritë e tyre nga jashtë”, shprehet Crawford. Sipas kreut të Dhomës amerikane, klima e paqartë dhe taksat e larta kanë dekurajuar shumë investitorë të huaj të vijnë në Shqipëri. “Unë nuk jam shumë i shqetësuar për ata që janë këtu, madje duhet të kujdesem për ata që janë këtu sepse janë publicitet më i mirë, ose më i keq, për të tjerët që mund të vijnë. Por jam i shqetësuar për ata që mund të kishin ardhur dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Nuk jemi në nivelin që mund të jemi rehat me këtë situatë siç është aktualisht”, përfundoi Crawford intervistën për Top Channel.

 

Rënie e investimeve të huaja

Investimet e huaja ranë me 35 milionë euro në vitin 2017, (3.7%), duke arritur në 908 milionë euro. Banka e Shqipërisë ka publikuar dhe të dhënat e detajuara sipas shteteve dhe aktivitetit ekonomik, që japin një tendencë të sektorëve dhe shteteve që kanë ulur dhe kanë rritur investimet në Shqipëri në vitin 2017. Zvicra, Turqia, Gjermania, Organizata Ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holanda, Serbia, Maqedonia rezultojnë të kenë ulur investimet në Shqipëri, ndërsa Franca, Austria, Greqia, Italia, Kosova i kanë rritur.

 

Sipas sektorëve, rënia më e madhe është shënuar në energji, industrinë përpunuese dhe tregtinë me pakicë, ndërsa janë në rritje investimet në industrinë nxjerrëse, aktivitete financiare dhe të sigurimit, Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, Aktivitete të pasurive të paluajtshme.

 

Investitori më i madh në vitin 2017 ishte Zvicra për të dytin vit radhazi, me 330 milionë euro. Ky shtet ka shënuar dhe rënien më të lartë me 24% (-103 milionë euro), duke ndikuar në tkurrjen totale të investimeve të huaja në vend. Zvicra është vendi nga raportohen investimet e gazsjellësit TAP, që është investimi më i madh në Shqipëri, me një total prej 1.5 miliardë euro i shtrirë në disa vite.  Ky projekt pritet të përfundojë në 2019-n, duke lënë “zbuluar” investimet e huaja nëse nuk do të arrihen të gjenden burime të tjera, një paralajmërim i hershëm ky i institucioneve ndërkombëtare. Nga të dhënat rezulton se TAP ka sjellë 36% të totalit të investimeve në 2017-n, duke i bërë flukset hyrëse tepër të varura nga ky gazsjellës, që në momentin që do të përfundojë nuk do të ketë ndonjë vlerë të shtuar për Shqipërinë, pasi vendi nuk ka infrastrukturën e nevojshme për përdorimin e gazit.

Në të njëjtën linjë, edhe investimet në “Energjia elektrike, gazi, dhe furnizimi me ujë” ranë me 30%, apo 169 milionë euro më pak në krahasim me një vit më parë, duke zbritur në 396 milionë euro. Pavarësisht rënies, ai vijon të jetë për të dytin vit radhazi sektori që sjell më shumë investime të huaja direkte në Shqipëri, me 43% të totalit.

Rënia e investimeve në energji është kompensuar nga Industria nxjerrëse, Aktivitete financiare dhe të sigurimit, Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, Aktivitete të pasurive të paluajtshme.

Shteti i dytë që solli më shumë investime në Shqipëri është Holanda, me 112 milionë euro (rënie 6.7), në të cilin regjistrohen flukset e Statcraft, që po ndërton hidrocentralet mbi lumin Devoll edhe ky një investim që po shkon drejt fundit.

Të dy këto investime (TAP dhe Devoll) zunë më shumë se gjysmën e totalit në 2017-n. Në vend të tretë është Franca, me 84 milionë euro (katërfishim me bazë vjetore), edhe ky i lidhur me punimet për TAP, pasi Spiecapag, nënkontraktori i TAP, është me origjinë franceze.

Austria dhe Italia investuan përkatësisht 64 dhe 53 milionë euro në 2017-n, të ndjekura nga Italia me 45 milionë euro dhe Greqia 30 milionë euro. Nga Kosova kanë ardhur 8 milionë euro investimeve, ndërsa shtetet e tjera kanë vlera të papërfillshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here