Standard.al

“I shkreti popull kokëulur, nuk i ngrihet”/ Pse Rama sot ka të drejtë!

0

Nga Gëzim Saliu

Gjatë fjalës së tij në kuvend ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka përdorur një fjalor që nuk i shkon aspak të përshtat një kryetari qeverie. Dikush mund të thotë se jemi mësuar me Kryeministrin tani, e kjo ishte vetëm batuta e rradhës. Po edhe kështu ka që e mendojnë e megjithatë duket se kjo e sotmja kaloi dukshëm cakun e ironisë, batutave apo lojës politike.  Teksa kreu i PD-së Lulzim Basha ftonte qytetarët nga foltorja e Parlamentit që të ngriheshin në protesta ( për kryetarin e PD-së nuk mund të thuhet se janë të pakta kritikat në kuadër të mungesës së frymës popullore) Rama është shprehur se i shkreti populli rri kokëulur. Për më tepër duke dashur të banalizojë situatën, kreu i qeverisë ka shkuar edhe më tej në replikën me Bashën, duke future në lojën e batutave me popullin edhe “organin gjenital”.  “Nuk mund dot ju të bllokoni asgjë dhe pengoni asgjë  dhe për me tepër pastaj ku filloni me ato kërcënimet. Jo po shiko këtu se do të ngrihen ata, këta. Kjo e ngritjes është thirri, thirri të të ngrihet. Thirri, thirri të të ngrihet, është si ajo e ngritjes, ai shkreti kokëulur s’të përgjigjet dot. Është poezi që e di doktori këtu, pyeteni mire”, u  shpreh sot Rama.

Në fakt Kryeministri ka të drejtë që flet pa teklif kur përmendet populli. Madje ka shumë të drejtë kur popullin e cilëson si “dele” që rri urtë e nuk ngre kokën për asgjë. Ka të drejtë pasi në këto 5 vite të qeverisjes së tij, nuk ka ngelur skandal pa ndodhur e në fund asnjë prej qeveritarëve nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbe.

Ka të drejtë kryeministri kur flet për popull dele, pasi kur burgoseshin qytetarët nevojtarë për lidhjen e dritave e më pas disa prej tyre përfundonin në vetvrasje, shumëkush përmendte frazën e famshme të Rilindjes: “Po bëjmë shtet”.

Ka të drejtë kryeministri kur flet për popull dele, pasi kur qeveria i preu ndihmën ekonomike më shumë se 20 mijë famlijeve që në shtëpi si paisje elektronike kishin vetëm një televizor, shumëkush përmendte frazën e famshme të Rilindjes: “Po bëjmë shtet”.

Ka të drejtë kryeministri kur flet për popull dele, pasi kur PS futi në Parlament e administratë qindra elementë me të shkuar kriminale, shumëkush i cilësonte këto si “akuza të Saliut”

Ka të drejtë kryeministri kur flet për popull dele, pasi kur qeveria dha e vazhdon të japë me miliona euro koncensione për oligarkët e miqtë qeveritarë, shumëkush fliste për : “Rilindje”

Ka të drejtë kryeministri kur flet për popull dele, pasi kur qeveria vendosi taksën e pronës, shumëkush nuk u kujtua të ngrejë kokën e të flasë për taksë të padrejtë, por qëndroi në cep të ringut

Ka të drejtë kryeministri kur flet për popull dele, pasi kur qeveria me një të rënë të lapsit i pezulloi të gjitha pronat e bregdetit në favor të “invstitorëve strategjikë”, shumëkush foli për “zbatim të ligjit”

Ka të drejtë kryeministri kur flet për popull dele, pasi kur qeveria vendosi taksën e Rrugës së Kombit, përveç disa qytetarëve të Kukësit e Hasit e shqiptarëve të Kosovës, askush nuk u kujtua të dilte para oborrit të Kryeministrisë e të fliste për “taksë antikombëtare”.

Ka të drejtë Kryeministrit ku flet për popull dele, pasi kur BB foli për shtim të varfërisë e OKB na cilësoi ndër 20 vendet më të korruptuara të Botës, shumëkush foli për “rritje ekonomike”

E kjo listë kështu mund të vazhdonte pafundësisht. Dhe mbi bazën e kësaj mungese reagimi, kryeministri tanimë është aq i sigurtë në vetvete saqë popullin të cilit më 25 qershor ju “ul në gjunjë e i puthi këmbët” për një votë popullore, sot e cilëson “kokëulur e të pafuqishëm”.

Megjithatë kryeministri bën mirë që këtë vetëbesim, që për nga natyra si përcillet në publik i ngjan më shumë liderëve të vendeve ku demokracia s’ekziston, ta limitojë pak. Pasi edhe ai që rri gjithnjë kokëulur e ka një moment shpërthimi. Kur të mblidhet aty ku s’mban më, nuk ke ç’bën: Një ditë do dalësh nga qoshja ku të ka strukur varfëria, mjerimi, mungesa e alternativës apo edhe vetë dashuria për Rilindjen!

 

 

 

 

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.