“Ligji i xhunglës” dhe drejtësia shqiptare

0
287

Nga Feti ZENELI

Kënaqësinë publike që na dha vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për largimin nga radhët e Drejtësisë të një gjyqtari që nuk justifikonte burimet e krijimit të pasurisë, duket se na e ktheu në “urth”, media pro-qeveritare, me lajmet e tipit: “Largohet gjyqtari që emëroi Berisha”! Por, dhe reagimi ngazëllyes i përfaqësuesve politik të mazhorancës i shoqëruar me refrenin, “s’keni parë gjë akoma”, nuk la ndonjë shije të mirë, për të gjithë ata shqiptarë të ndershëm, që shpresojnë ende tek një drejtësi e pavarur, e barabartë dhe tërësisht ligjore. Madje trajtime e vlerësime të tilla, në vend që t’i vënë “vetulla”, i nxjerrin “sytë” reformës, aq më tepër në një kohë, që opozita dhe institucione të tjera në vend, po ngrenë akuza pa fund për kapjen e drejtësisë nga mazhoranca aktuale. Nga ana tjetër, kjo atmosferë entuziaste e kampit të majtë për “viktimën e parë” të Vettingut, duhej të ishte shmangur edhe për keqkuptimet që mund të krijohen në Bruksel, ndërkohë që Reformës në Drejtësi i është vënë në një sqetull edhe “kungulli” i shpresës për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Siç dihet, BE ka kushtëzuar, çeljen e këtyre negociatave, edhe me largimin ligjor nga sistemi i drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, dhe jo të atyre që janë emëruar në kohën e “x” apo “y” politikani të lartë që ka qeverisur vendin tonë në vitet e tranzicionit. Duhet të jesh miop në politikë, që “duartë” e Brukselit për të luftuar korrupsionin e përhapur shqiptar t’i përdorësh, “si mashë për të nxjerrë nga zjarri gështenjat” e hakmarrjes ndaj kundërshtarëve të pushtetit. Ato nuk mund t’i përdorësh; as “për të hedhur gurin e të fshehësh dorën”, apo, aq më pak, që “me një gur të vrasësh dy zogjë”; domethënë, që të shfrytëzosh të njëjtën mundësi, si për të çelur negociatat e anëtarësimit, ashtu dhe për të mbyllur llogaritë me kundërshtarët e tu. Këto shpresa të kota nuk duhet t’i ushqesh as kur je duke përjetuar delirin e ndonjë komplimeti diplomatik “për reforma mbreslënëse”, pasi kushdo që e sheh dhe e prek këtë realitet, nuk mund të hutohet me fjalë e premtime parajse.

Një midis shumë objektivave që duhet të përmbush Reforma në Drejtësi, sipas konceptit më të mirë euro-atlantik,  është dhe ai i fshirjes së imazhit negativ që është krijuar lidhur me të ashtuquajturin “ligj i xhunglës”. Faktet tregojnë, se përkundër dëshirës proeuropiane dhe proamerikane që kemi artikuluar në këto 28 vite tranzicion, ne jemi duke vrapur në një rrugë pa krye, duke rendur drejt kaosit dhe paligjshmërisë ekstreme në ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ndaj më shumë se sa veprat e mira; si instalimi i ekonomisë së tregut, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, vizita e Presidentit Bush, ndërtimet e rrugëve dhe autostradave; mbahen mend firmat piramidale, kaosi i ’97-ës, ngjarjet e ’98-ës, thyerja e embargos ndaj Millosheviçit, Gërdeci, 21 Janari, mbushja e vendit me hashash, etj. Natyrisht, “e keqja” mbahet mend më shumë se sa “e mira”, por politikanëve tanë, u kanë ngelur të këqijat në kujtesë, edhe për shkak të përsëritjes pa fund, si akuza ndaj njeri-tjetrit, me qëllim që të theksonin si avantazh të tyre “të keqen më të vogël”. Kjo lloj sjelljeje politike i ka shtyrë ata; që të shpërfillin ligjet, normat dhe parimet demokratike gjatë ushtrimit të pushtetit, duke u përpjekur që të shesin si suksese publike; qoftë premtim-mashtrimet e tyre diabolike, ashtu dhe ndonjë vlerësim të përgjithshëm të natyrës diplomatike. “Mashtro, vidh e kërcëno”; ky ka qënë refreni i përvitshëm i këngës qeverisëse të të gjithë atyre politikanëve që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë interesat e këtij populli në vitet e tranzicionit.

 

Ndërsa atje në Parlament luajnë teatër me njeri-tjetrin, duke mos dashur t’ja dinë, se e kanë çuar në fund çdo tregues, që i përket jetesës njerëzore në këtë vend me pasuri përrallore. Kujtojnë se duke hedhur batuta e sharje për njeri-tjetrin, u hedhin hi syve BE-së dhe SHBA-së, të cilat i kuptojmë prej së largu mafitetet e tyre prej batakçinjësh e trafikatësh, vjedhësish e mashtruesish, banditësh e të pamoralshëm; ndaj dhe “i çojnë në shtatë çezma e s’u japin ujë” integrimi. Kjo është arsyeja që klima europiane për plotësimin e kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, ndryshon çdo një orë. Kësisoj pa mbërritur akoma në veshët e shqiptarëve “sihariqi” i kryeministrit për mundësinë e çeljes së negociatave, dy deputet të Bundestagut gjerman shprehen për një klimë të pafavorshme në këtë drejtim, derisa të bien në grep “peshqit e mëdhenjë” të  korrupsionit, duke filluar me ish-Ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri. Në takimin me “Miqtë e Shqipërisë”, Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani deklaroi për situatën në Shqipëri se: “Trafiku i drogës është një plagë e hapur, e cila duhet të kurohet. Duhen shkulur me rrënjë arsyet që kanë sjell në këtë situatë dramatike. Nuk mund të tolerojmë më dhe as të lejojmë që të mos dënohen këto fenomene”. Por një ndër “arsyet” që duhej shkulur me rrënjë për këtë situatë “Made in Albania” të drogës; pra keqeverisja e 4 viteve të shkuara, u rimboll sërish në 25 qershor, edhe për një mandat tjetër. Pa u ndalur në një analizë të hollësishme të kësaj “rimbjelljeje elektorale”, mjafton të themi se arsyeshmëria qytetare e përdorur, përjashto ata që s’kanë tru për të arsyetuar, bazohej tek magjia ndryshuese e Reformës në Drejtësi. U mendua, se me këtë rast do të merrte fund inkurajimi i maskarenjve dhe të gjithë atyre që i kanë dalë për zot grabitjes deri në palcë të këtij vendi, që nuk do të mundin më t’i blinin dhe t’i kthenin shqiptarët në një turmë amorfe, që nuk do të betoheshin më “për Partinë!”, por sipas fjalëve të Xhon Galtit: “Betohem për jetën time dhe për dashurinë që kam për të, se unë nuk do të jetoj sipas dëshirave të dikujt jetër, as do t’i kërkoj dikujt tjetër të jetoj sipas dëshirave të mia!”. Ndoshta sipas kësaj linje arsyetimi e ndërtoi deklaratën e tij edhe ambsadori Donald Lu, kur u shpreh se: “Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikës…”, ndaj “ Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të angazhohen fortë kundër krimit të organizuar, pavarësisht lidhjeve me njerëz të fuqishëm…”, me qëllim që në janar 2018 “…për herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh”.

 

Tani jemi në fund të marsit, dhe asgjë s’ka ndryshuar nga “ligji i xhunglës”, ku “peshku i madh…” vazhdon “… e ha të voglin”, edhe me ndihmën e “Drejtësisë” që po reformohet duke u deformuar politikisht. Është paraja e fituar përmes pisllëqeve të panumërta që po e keqpërdor këtë lloj reforme; si për të pastruar vetveten, ashtu dhe rrugën e pengesave të ligjshme, me qëllim që të hidhet, shpërdohet e vidhet si më parë, në tentavivë për jetëgjatësi pushteti. Përpjekje të tilla nuk kanë për të rreshtuar asnjëherë, për sa kohë do të aplikohet një drejtësi, “… si rrjeta e merimangës, që kap mizën dhe lë të kalojë skifteri”, siç thonë spanjollët”, apo një drejtësi që nuk fillon nga vetja, për të mbërritur pastaj tek një drejtësi për të gjithë. Faktet dhe ngjarjet e deritanishme në kuadrin e zbatimit të Reformës në Drejtësi tregojnë se ajo po përdoret ende si një armë në duartë e “më të fortit”; pra të pushtetit.

Të asfikosh Gjykatën Kushtetuese, në një moment deçiziv të kësaj Reforme, do të thotë, t’i hapësh rrugë arbitraritetit ekzekutiv të pushtetit. Po kështu, të njëjtën gjë tregon edhe penalizimi i zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të opozitës, duke mos cënuar asnjë drejtues të lartë të mazhorancës, përqendrimi i  gjithë forcës së Reformës vetëm tek gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk justifikojnë mijëra euro pasuri, ndërkohë që ka politikanë e zyrtarë të lartë që me një rrogë mujore prej njëmijë e ca euro, brenda pak viteve, kanë vënë pasuri që vlerësohet në miliona euro. Një gazetarë i njohur solli këto ditë në vëmendje të publikut rastin e “një ish-kryeministri, që ka 13 vjet pa punë dhe shëtit më një fouristradë 90 000 euro”. Disa muaj më parë, ishin burimet zyrtare të OSBE-së që denoncuan raste pasurimi me mbi 200 milionë euro secili të zyrtarëve më të lartë të këtij vendi në nivel presidenti apo kryeministri. Por, edhe pa denoncime të kësaj natyre, nuk është e vështirë të identifikosh politikanët dhe zyrtarët shqiptarë të të gjithë niveleve që kanë vënë pasuri marramendëse në mënyrë korruptive. Përndryshe nuk ka se si Shqipëria të rënditet midis 19 vendeve më të korruptuara të botës dhe me një varfëri afrikane, ndonëse me vendndodhje në një nga zonat më të bekura me kushte natyrore e pasuri nëntokësore të Europës.

Kjo situatë më sjell ndërmend thënien e avokatit, profesorit dhe aktivistit të njohur amerikan në fushën e drejtësisë sociale, Bryan A. Stevenson, sipas të cilit: “E kundërta e varfërisë nuk është pasuria (mirëqenia)… Në shumë vende, e kundërta e varfërisë është drejtësia”. Kjo do të thotë, se reforma në drejtësi, përveç të tjerash, duhet të jetë një instrument i fuqishëm apo një garanci më shumë në favor të një ekonomie që u shërben të gjithëve, dhe jo vetëm pushtetit të radhës, sikundër ka ndodhur përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit tonë. Kur vetë reformat ekonomike të deritanishme, nuk kanë arritur të krijojnë një ekonomi që të punoj për të gjithë apo të sigurojë, që të gjithë të punojnë në dhe për këtë ekonomi, zor se një gjë e tillë mund të arrihet nga Reforma në Drejtësi, nëse ajo lihet në dorën e kësaj klase politike, që, siç thoshte një analist: “…pasi kanë ngrënë për shumë vite me radhë shqiptarët, mendojnë tani, se si do ta shfrytëzojnë këtë moment për të ngrënë njeri-tjetrin”. Përfaqësuesit mediatik të palëve, janë të parët që kanë dalë në “shesh të mejdanit”, duke skërrmitur dhëmbët nëpër ekranët e televizorëve apo faqet e gazetave të përditshme. Deklaratat e disve prej tyre të lënë të kuptosh, se reforma në drejtësi duhet bërë për “hakmarrje” dhe jo për “hakdhënie”. Ndërkohë për qytetarët e thjeshtë problemet janë rënduar; nuk ka punë, nuk ka shpresë, krimi po lulëzon, taksat janë rritur dhe do rriten edhe më tej, vendin e bimëve bujqësore e ka zënë hashashi, etj. Ndaj një pjesë e tyre po mendon si të largohet nga kjo skëterrë që po i kanoset vendit, sepse kërkon të jetojë me nder e me dinjitet.

Mirëpo, shumëkush nuk ka se ku të shkojë, sepse kanë investuar, kanë krijuar familje, kanë ndërtuar shtëpi e biznese, kanë krijuar lidhje politike e shoqërore në këtë vend, ndaj shpresojnë që situata e krijuar të ndryshoj për mirë këtu, në atdheun e tyre, të marrë peng nga një klasë politike e papërgjegjshme. Nga ana tjetër, politika është në krizë zgjidhjesh dhe në krizë të mbështetjes reale nga qytetarët, të cilët ndjehen të zhgënjyer nga të gjitha palët. Në këto kushte, klasa politike është e interesuar që Reforma në Drejtësi t’i shërbej më shumë konsolidimit të vetvetes, se sa pëmirësimit të jetës qytetare. Kjo është aryeja që politika, sidomos ajo mazhoritare ngryset dhe gdhihet me “magjitë’ e Reformës në gojë, pa u shqetësuar shumë për; raportin alarmant të FMN-së lidhur me koncesionet e tipit PPP; përmbytjet në Shkodër; taksat që ngrihen; varfërinë që shtohet e pabarazinë që thellohet; ankesat e Dhomës Amerikane të Tregëtisë për rrritjen e taksave dhe të burokracisë; bizneset që mbyllen; investimet e huaja që nuk po vijnë më në Shqipëri; drogën “Made in Albania”, që ka zaptuar Perëndrimin, dhe, tash së fundi, edhe Lindjen; indekset ndërkombëtare për treguesit e konsumit e mirqënies, sipas të cilëve renditemi gjithmonë nga fundi. Në këto kushte, Reforma në Drejtësi dhe Vettingu duhet t’i kthehen politikës, në mënyrë që objekt i hetimit, gjykimit dhe ndëshkimit, të bëhen “të fortët” e politikës, biznesit dhe banditët e të gjitha niveleve. Vetëm në këtë mënyrë, qytetarët shqiptarë do dëgjojnë shumë shpejt për vendime gjykatash të formës së prerë, ku “iks” president, kryeparlamentar, kryeministër, ministër apo çfardo lloj zyrtari tjetër i lartë u prangos për shkelje të ligjit, keqqeverisje, favorizime dhe abuzime me fondet publike, etj., dhe u dënua me shumë vite burg, duke ju sekuestruar njëkohësisht edhe pasuritë e paligjshme, siç ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht në vendet e tjera të rajonit tonë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here