Deputetja e PD-së, Kadiu: PD kur të vijë në pushtet do të heqë taksën e qarkullimit…

0
196
Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu e ftuar në emisionin “Top Show” në “Top Channel” ka bërë deklaratën e fortë teksa ka premtuar se PD kur të vijë në pushtet do të heqë taksën e qarkullimit. Kadiu ishte e ftuar në emision për të folur për taksën në rrugën e Kombit si dhe projektet e dhëna me konçension nga qeveria.
Së pari Kadiu ka deklaruar se vendi ynë “duhet të heqë dorë sa më parë nga PPP-të, sepse kjo praktikë po dëmton konkurrencën”. Ndërsa duke u ndalur veçanërisht në taksën e qarkullimit Kadiu tha se qeverisë i dalin paratë për mirëmbajtjen e rrugëve. “Nëse flasim për pagesën e rrugëve janë një lloj elementi që ndihmojnë ekonominë, por ka një parim global, që rrugët të paguara bëhen atëherë kur shteti i ofron qytetarëve një rrugë tjetër alternative. Në rast të kundërt nuk mund të aplikohet një taksë e tillë. Jo vetëm që është atakuar ky lloj parim, por unë besoj fort që këtu shteti po i merr qytetarëve dy herë taksat.
E para, po ia merr me taksën e qarkullimit dhe e dyta ia merr nëpërmjet tarifës së koncesionit”, – tha Kadiu, teksa bëri me dije edhe premtimet e Partisë Demokratike në lidhje me politikat që do të ndjekë me koncesionet kur të vijë në pushtet. “Rruga e Kombit ishte një ndër projektet më madhore të Republikës së Shqipërisë dhe më pozitivi, pavarësisht se asokohe u mendua se do t’i jepte një lloj prestigji kombit, por koha ka treguar që vlera e shtuar që kjo rrugë i ka dhënë ekonomisë shqiptare, varion nga 350-400 milionë euro në sektorin e turizmit, ndërtimit, etj. Kur themi taksën e naftës në fakt kemi të bëjmë me taksën e qarkullimit. Deri në vitin 2013 Qeveria Berisha për të ndihmuar mirëmbajtjen e kësaj rruge vendosi një taksë qarkullimi që ishte 70 lekë për litër. Në vitin 2013 kësaj takse nga 70 lekë i shtohen edhe 240 lekë dhe çdokush nga ne paguan 310 lekë më shumë për çdo litër. E dini sa paguajnë shqiptarët? 120 milionë euro që qytetarët paguajnë për taksën e qarkullimit, i dalin dhe i teprojnë Qeverisë për të mirëmbajtur rrugën e kombit dhe të gjitha akset e tjera të Shqipërisë. Rrugës së Kombit i duhen rreth 3 milionë euro në vit për t’u mirëmbajtur. Partia Demokratike ditën e parë që do të vijë në pushtet do të heqë taksën e qarkullimit dhe do të hetojë me shumë transparencë, e do të shfuqizojë çdo koncesion, që nuk është i fokusuar në interesin publik sikurse do të vërë para drejtësisë përgjegjësit e tyre”, – tha deputetja demokrate. Ajo gjithashtu denoncoi çmimin e lartë prej 5-10 eurosh të vendosur për qarkullimin në Rrugën e Kombit. “Kosto e shërbimit te ofruar nga konçesionari është sa trefishi i kostos reale të shërbimit. Sot përmes këtij partneriteti me privatin, qeveria po i takson shqiptarët për herë të dytë. Garantimi i fluksit te trafikut deri në 15 milion tregon hapur se ky partneritet nuk është në interes te publikut por vetëm në interes të koncesionarit, i cili do të arkëtojë në fund të kontratës 390 milion euro”, shpjegoi deputetja Kadiu.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here