Rruga që na bashkoi dhe që po na ndanë me Kosovën

0

Nga Zef Shtjefni

Loading...

Dje u mblodhën në Tiranë disa prej prodhuesve dhe eksportuesve të Shqipërisë me importuesit nga Kosova. Këta të fundit janë shumë të shqetësuar për nivelin e lartë të taksës që Qeveria shqiptare ka vendosur për Rrugën e Kombit. Normalisht asnjëri prej tyre nuk ishte kundër taksës së rrugës, sepse të gjithë janë koshientë se çfarë po ndodh në atë gjysmë autostrade, të cilën korrupsioni gjigant dhe paaftësia e la në atë gjendje. Por biznesi nuk është dakord t’i bihet kështu me top, nuk është dakord që Qeveria të mos konsultohet me të, sepse u kërkua disa herë një takim i shoqatave të Prodhuesve dhe Eksportuesve shqiptarë me Ministrat Gjiknuri dhe Sonila Qato për këtë temë. Bile, zv. Ministri i Financave të Kosovës, prezent në takimin e djeshëm, konfirmoi se as në nivel qeveritar nuk është bërë asnjë konsultë apo marrëveshje paraprake dhe se pala kosovare është gjetur e befasuar për nivelin e kësaj takse. Në këtë takim dolën disa probleme të rëndësishme, të cilat Qeveritë e të dyja vendeve bëjnë gabim të madh nëse nuk i marrin parasysh dhe nëse nuk duan që të ringrënë përsëri barrierat ndarëse mes Kosovës dhe Shqipërisë. I pari është ky i taksës së re, që siҫ thuhet është për mirëmbajtjen e rrugës, ku në fakt askush nuk e kupton pse dhe këtu prapë është Kastrati dhe një kompani turke. Nejse, kjo është tjetër mesele, por kryesorja është niveli i taksës. Duke marrë para sysh nivelin e taksës së rrugës të dy vendeve tona fqinje, Serbisë dhe Maqedonisë me 0. 8-0. 9 cent për km, kjo e jona për 56 km autostradë, dhe kjo totalisht jashtë standardeve europiane të taksimit, i bie të jetë shumë e shtrenjtë. Do të ishte shumë më e drejtë të quhej taksa e tunelit të Kalimashit. Kështu që, duke iu referuar të njëjtave taksa të vendeve europiane, edhe pse na duhen dekada të mbërrijmë në nivelin ekonomik të tyre, nuk i bie të jetë më e lartë se 3-8 euro për të gjitha llojet e mjeteve. Por siҫ është menduar, sidomos taksa e kamionëve, e cila në fund të fundit ka lidhje pikërisht me rëndësinë kryesore të një rruge, po e paralizon tregtinë mes dy vendeve. Shqipëria eksporton dhe transporton drejtë Kosovës materiale të tilla si tulla qeramike, ҫemento, hekur, koks dhe gjithashtu materiale që vijnë në Portin e Durrësit nga importi etj. Një pjesë e madhe e tyre janë materiale voluminoze dhe kanë vlerë të vogël në një ngarkesë. Kështu që 45 euro për kamion e rrisin koston e transportit dhe mallrave nga 8-10%. Më shqip kjo do të thotë hapi rrugën Serbisë të shkarkojë në Kosovë prodhimet e saj dhe mbylli rrugën mallrave shqiptare, raport i cili edhe para kësaj takse është 3-4 herë në favor të bizneseve serbe, nga lehtësitë fiskale që ata kanë prej Qeverisë e tyre dhe sepse nuk ka taksa rruge, kur shkarkojnë në Kosovë. Por nuk është vetëm kjo taksa e fundit, që e rëndon apo asgjëson raportin tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Janë dhe taksa të tjera krejtësisht të palogjikë dhe që duhet të hiqen menjëherë, nëse duam vërtetë të bëjmë diçka e jo të flasim e mburremi kot. Shqiptarët paguajnë në kufijtë mes tyre edhe taksë për skanerin e famshëm të Saliut, taksë për terminalet doganore, ose më saktë për parkimet doganore të detyrueshme. Imagjinoni, themi se duhet të heqim traun e doganave dhe nga ana tjetër i detyrojmë kamionët të futën në parkim për orë të tëra që të paguajnë taksë!

Bizneset paguajnë edhe taksë për transportin, paguajnë edhe agjencitë doganore, paguajnë edhe një taksë tjetër për rentat, paguajnë edhe TVSH-në në kufi dhe në fund janë të detyruar të paguajnë shpesh edhe taksën e korrupsionit të doganierëve e policëve tanë të kufirit.

Atëherë si mund të punohet kështu?! A nuk është kjo një vetëvrasje tregtare dhe a nuk është njësoj sikur të ringremë malet shekullore mes nesh, me ndryshimin e vetëm se këto male tani janë male burokracie që po i ringremë vetë. Kryeministri Rama në mandatin e parë dukej se kishte koncepte më të avancuara se pala kosovare për të zhdukur barrierat mes dy vendeve. Por me sa duket specialistët e tij në Ministritë e Transportit dhe Financave janë ose të paaftë ose jo shqiptarë, që nuk i shohin këto pengesa. Nga ana tjetër moskonsultimi me Qeverinë e Kosovës për nivelin dhe bivlefshmerinë e taksës, si dhe me biznesin, nuk me dukën gabime, por faje. Mos të flasim pastaj për Opozitën tonë, e cila e ka për detyrë të mos i falë asnjë gabim Qeverisë. Por kjo të bën të vjellësh dhe kur i dëgjon ato pak kritika të vobekta, pasi është vetë autore e shumë bëmave të zeza të kësaj rruge.

Loading...

Lini nje pergjigje