“Prilli i thyer” i Edi Ramës! Nje analize per te mos u humbur….

0

Marrja e timonit qeveritar nga një parti e vetme nuk ka vonuar të nxjerrë në dritë strategjinë e mbrapshtë që shkon në dëm të shqiptarëve, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Edi Rama ka gatuar që kur erdhi në pushtet një mish-mash taksash e tarifash, pasojat e të cilit do të ndihen për shumë kohë akoma.

Taksa antikombëtare

Le ta fillojmë nga “dhurata” më e hidhur, që do të hyjë në fuqi përfundimisht në prill, taksa e Rrugës së Kombit. Taksa më e re që i shtohet shqiptarëve dhe atë gjithë atyre që do t’u duhet të kalojnë nga Rruga e Kombit ka shkaktuar revoltën e shumë politikanëve shqiptarë dhe atyre në Kosovë. Deputetja e Alternativës, ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila nuk është treguar e rezervuar ndaj kryeministrit Edi Rama, lidhur me këtë çështje. Përmes një postimi në facebook, Lila e cilëson një absurd të madh këtë taksë, ndërsa ironizon edhe deklaratat e Ramës në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kur propozoi një president të përbashkët.

Ja reagimi i saj në FB.

10€ për 10 vjet shtet – “Talli” i rrugës së Kombit

10€ pagesë për vajtje ardhje në rrugën e kombit zhveshën dy qeveritë nga pretendimet se po punojmë në mbledhje të përbashkëta të Qeverive për të përafruar dallimet në mes dy shteteve.

10€ për një makinë deri në 3.5 t absurd shqiptar andej kufirit. Ende më keq, tanimë kur Ministri i Infrastrukturës së Kosovës deklarohet se, nuk e kanë ditur për këtë shumë dhe për këtë punë?!?!

Por, çka kanë biseduar ministrat e infrastrukturës sa ishin bashkë në mbledhje të dy qeverive?!

Tre zv/Ministrat kosovarë në qeverinë e Shqipërisë, përfshirë, zv/ministrin e turizmit, u konsultuan sado pak për këtë pikë, apo nuk janë për t’u konsultuar aty?!

Kosovarët janë jashtë çdo kategorie vizitorët më të shumtë të shtetit amë, ndaj me këtë taksë rrugore, a po pretendohet të ulet numri i tyre apo si është puna?!

Sa për ilustrim, në qershor të Vitit 2017 nga 437 mijë e 820 turistë që vizituan Shqipërinë, 31% erdhen nga Kosova, që do të thotë 135,724 turistë erdhen nga Kosova për një muaj vere. Të gjithë këta do të shpenzojnë së paku 30-fishin e taksës prej 10 €, andaj çfarë po synon shteti shqiptar të arrijë me këtë taksë tani?! Apo, preferon më tepër turistët që do të vijnë me avion dhe anije dhe do të shpenzojnë dy-tre fish më tepër se kosovarët.

Neve shqiptarëve, kur nuk na pengojnë Serbët në integrim, sikur me autostradën energjetike (linjën 400 kV), ne pengojmë njëri tjetrin me talle të autostradës rrugore.

Çfarë kalkulimi u përdor për të nxjerrë këtë shifër? A e dijnë autoritetet e Shqipërisë që pagesat vjetore për shfrytëzim të autostradave evropiane nuk kalojnë 200 € (shih vegëzen e bashkangjitur)? Cili është motivi dhe cilat janë pritjet nga kjo tarifë?!

Shumë më mirë do të ishte të kishte folur Kryeministri i Shqipërisë për këtë pagesë në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, sesa që lundroi në imagjinatën e vet dhe foli për President të përbashkët në mes të dy shteteve.

Ndoshta Shqipëria e liruar se po ecim drejt liberalizimit të vizave, dëshiron të na ndihmojë të gjejmë rrugët për në Evropë, ndërsa Evropianët t’i lëmë të vijnë në Shqipëri. Arsyetim tjetër nuk më vie në mend për këtë tarifë për autostradën e papërfunduar.

Lëre më, që ana Kosovare ende nuk e i ka vendosur tarifat e veta.

Nëse mund të ketë absurd të kësaj pranvere, atëherë ky është absurdi më i madh.

Nga ana e tij, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhalliu, deklaroi se tashmë rruga nuk meriton të quhet më “Rruga e Kombit”. “Ky vendim është në kundërshtim me vendimet e qeverisë Rama, pra është kundër bashkimit të shqiptarëve dhe mbledhjeve të përbashkët të dy mbledhjeve Kosovë-Shqipëri. Kjo rrugë ka qenë bashkuese për shqiptarët dhe me këtë taksë që është shumë e lartë, ajo nuk e duhet ta ketë më këtë emër. Nuk jemi kundër pagesës së taksës së rrugës, por kjo që është propozuar dhe miratuar është njëra ndër më të lartat në rajon e Evropë”, tha kreu i ODA-s në RTK. “Kur të vendoset tarifë duhet të vendoset për alternativë. Është një monopol dhe i detyron kosovarët për të paguar dhe kjo është jashtë normales”, tha ai.

Gërxhaliu deklaroi se Shqipëria e Kosova duhet të dalin me modele për të mirëmbajtur këtë rrugë.“Duhet të kemi dialog, Kosova meriton një trajtim më të mirë nga Shqipëria”.

 

Taksa e pronës

Por, duke filluar nga data prill, të gjithë duhet të paguajmë edhe taksën e re të pronës, që do të përllogaritet mbi bazën e vlerës së tregut dhe jo mbi sipërfaqe, sic ka qenë deri më tani. Qeveria i ka bërë publikuar vlerën e pronave në qytete të ndryshme, mbi bazën e të cilave do të përllogaritet taksa. Me shumë gjasë, ajo do të vendoset tek fatura e ujit dhe do të paguhet nga qytetarët çdo muaj, ndërsa për bizneset do të jenë inspektorët tatimorë të bashkive që do të merren me arkëtimin.

Por ende nuk dihet se si do të kapërcehet fakti që ende shteti nuk ka një kadastër të plotë fiskale, siç premtoi qeveria në nisje të këtij procesi. Vlera e pronave janë përcaktuar me çmime reference dhe të dhënat janë të paplota. Kjo nënkuptone që qytetarët do të paguajnë më shumë.

TVSH-ja që falimenton biznesin e vogël

Ngarkesa tjetër fiskale me bazë shumë më të gjerë, fillimisht tek rreth 20.000 biznese, por edhe tek të gjithë konsumatorët, pritet të jetë kalimi i biznesit të voglë me TVSH. Sipas paketës fiskale të këtij viti, të gjitha bizneset me xhiro vjetore mbi 2 mln lekë do të lëshojnë faturën e TVSH-së. Parimisht produktet e shërbimet mund të jeni deri në 20% më të shtrenjta, ndërkohë bizneset duhet të paguajnë më shumë ekonomistët që u mbajnë bilancet.

Ulja e pragut për xhiro pa TVSH deri në 2 milionë lekë në vit do të bëjë që edhe sipërmarrjet e vogla tregtare me xhiro mesatare 5500 lekë në ditë të jenë subjekt TVSH-je. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, numri i çregjistrimit është rritur ndjeshëm këto muaj aq sa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të dalë me një deklaratë, ku e cilësonte këtë një skemë për t’iu shmangur TVSH-së.

Sipas specialistëve, një masë e tillë rezulton e dëmshme edhe për bizneset, që janë totalisht të papërgatitura për një gjë të tillë, duke qenë se u rritet kostoja administrative, edhe për klientët, që janë paguesit fundorë të taksës 20-përqindëshe, sidomos në afat-shkurtër do të ketë frustrim të biznesit familiar me efekte shumë minimale në formalizim.

Por nuk pritet që as për buxhetin e shtetit kjo masë anti-popullore të ketë një efekt të ndjeshëm.

Pasojat e pritshme do të jenë mbyllja e disa mijëra bizneseve të vogla, që do të kërkojnë mbështje sociale papunësie nga buxheti, monopolizim sektorial, rrezikim masiv të prodhimit vendor, që punon me cikël të mbyllur për tregun e brendshëm dhe favorizim i prodhimeve të importit. Gjithashtu, vështirësia objektive e menaxhimit nga institucionet fiskale përgjegjëse të skemës së zgjeruar të TVSH, rrezikon të prodhojë probleme financiare për buxhetin e shtetit dhe njëkohësisht rritjen e mundësive për abuzime dhe korrupsion.

Tarifat e Rrugës së Kombit, rekord në Evropë

 

Tarifat që priten të aplikohen qysh këtë javë në rrugën e Kombit janë më të lartat në Europë. Portali europian http://www.tolls.eu jep të dhëna të detajuara për të gjitha tunelet, urat dhe autostradat që janë kundrejt pagesës ne Europë. Siç shihet edhe nga renditja Shqipëria ka nivelin më të lartë të tarifave të vendosura ndaj një investimi publik vetëm për mirëmbajtje, me 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët. Sipas informacioneve zyrtare, Austria merr taksë për rrugët me pagesë mesatarisht 0.5 euro në ditë për një veturë dhe 0.9 euro për një kamion. Në Maqedoni pagesa varion 0.9 euro në ditë për veturat në 2.5-3.5 euro për kamionët. Ndërsa në Tuneli Prado-Carénage, në Francë kërkon një tarifë 2.8 euro për vetura dhe 3.2 euro për kamionët. Në Turqi Ura Sulltan Selim mbi ngushticën e Bosforit aplikohet pagese për veturat 1.7 euro në ditë dhe për kamionët 2.3 euro. Në Moldavi veturat paguajnë 0.5 euro në ditë dhe në Rumani 0.4 euro në ditë.

Këto çmime funksionojnë për investime të bëra kryesisht nga privatët, të cilët nëpërmjet taksave nxjerrin paratë e investimit. Ekspertët nga Drejtoria e Përgjithshme të Rrugëve pohojnë se zakonisht për mirëmbajtje tarifat në maksimalen e tyre janë 2.5 euro për 100 kilometër. Ndërsa kontrata e mirëmbajtjes për rrugën e Kombit është vetëm për aksin, Milot- Morin që është 101 kilometër.

Tarifa më të larta koncesioni aplikohet për tunelet në Itali që lidhin zonat turistike të Mont Blanc, që janë zona turistike që japin më shumë se dy versione për lëvizje.

==

Konsulenti propozoi tarifë katër herë më të ulët për kalimin në rrugë

Tarifa e kalimit që qeveria ka vendosur mbi rrugën Durrës-Kukës është deri në 4 herë më e lartë se sa çmimi i rekomanduar nga kompania konsulente. Ka qenë kompania Egnantia Odhos, ajo që qeveria shqiptare pajtoi për bërë strategjinë mbi tarifimin e rrugëve në Shqipëri. Raporti i është dorëzuar ministrisë së transporteve në gusht të vitit 2015. Në dokument kompania ka përpiluar listën e akseve të mundshme që mund të bëhen me pagesë dhe çmimet që duhet të paguajnë qytetarët. Sipas raportit, çmimi maksimal i përballueshëm nga familjet shqiptare është 3.5 euro për 100 kilometër. Por ky është tavani më i lartë i mundshëm. Ndërsa tarifa optimal e rekomanduar nga konsulenti është 1 deri në 2.5 euro për 100 kilometra. Sipas raportit kjo është tarifa më e përballueshme nga familjet shqiptare, e cila jo vetëm përcakton një kosto të drejtë, por edhe zbut efektet sociale nga taksa e rrugës.

Por cfarë vendosi qeveria? Koncesioni i Rrugës së Kombit nuk përfshin të gjithë rrugën Durrës Kukës. Konsorciumi i kompanive “Kastrati” dhe “Salillari” do të mirëmbajë vetëm segmentin nga Miloti në Morinë, ndërsa pjesa tjetër do të mirëmbahet me paratë e buxhetit që paguhen po nga qytetarët. Segmenti Milot-Morinë është 118 kilometër i gjatë dhe sa herë që qytetarët do të kalojnë në të me autoveturë ata do të paguajnë 5 euro tek koncesionari privat. E thënë ndryshe tarifa e kalimit në rrugën Milot Morinë është 4.2 euro për 100 kilometër ose 2 deri në 4 herë më e lartë nga ajo që rekomandoi konsulenti privat.

==========

Banka Botërore: Në Shqipëri ka patur rënie të pagave

 

Ekonomia e Shqipërisë dy vitet e fundit është rritur me ritme me të shpejta se Rajoni, por kjo nuk është përkthyer në një jetesë më të mirë për shqiptarët. Banka Botërore duke analizuar zhvillimet në sektorin e pagave përgjatë viteve 2016-2017 në Rajon e Ballkanit Perëndimor ka gjetur se teksa vendet e tjera kanë bërë hapa para duke rritur pagën reale në ekonomi, Shqipëria ka bërë hapa pas. Krahasimi është bërë me paritetin e fuqisë blerëse (PPP) ku njësia krahasuese është marrë Austria.

Banka Botërore vëren se nivelet e pagave ndryshojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi dhe Bosnja raportuan nivelet më të larta të pagave, ndërsa Shqipëria më të ultat. Dallimet në nivelet e pagave në krahasim me Austrinë janë ulur me kalimin e kohës në Shqipëri dhe Kosovë në Ballkanin Perëndimor. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (përveç Shqipërisë) kanë raportuar nivele pagash më të larta sesa Bullgaria. Pagat në Mal të Zi gjithashtu tejkaluan nivelin e Hungarisë. Në të gjitha vendet niveli i pagave ishte dukshëm më i ulët se në Austri.

Në Shqipëri paga mesatare e matur në Paritetin e Fuqisë Blerëse ishte rreth 25 për qind e nivelit austriak, teksa niveli i pagave në Mal të Zi ishte sa 54 për qind e nivelit te Austrisë.

Shifrat gjithashtu tregojnë ndryshimet në nivelet e pagave në krahasim me Austrinë, ku është shënuar vetëm në Shqipëri dhe Kosovë.

Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor shënuan rritje të lartë të pagave përpara krizës së 2007/2008. Rritja e pagave reale ishte, në disa raste, dyfishi i asaj që u aplikua në vendet e BE-së. Ashtu si në vendet e në tranzicion rritja u ngadalësua ndjeshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas krizës, rritja u përshpejtua në vendet partnere, por kjo nuk u reflektua për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ashtu si në vendet e Bashkimit Evropian (përveç Austrisë), vendosja e pagave në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte e centralizuar vetëm në disa industri.

=====

Lini nje pergjigje