Negociatat me Greqinë/ Ja çfarë informacionesh i dorëzoi Bushati Presidentit Meta…

0
223

Katër ditë më parë, pra më 18 mars, Presidenti i republikës Ilir Meta autorizoi ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, për dhënien e plotfuqishmërisë për grupin negociator në negociatat me Greqinë për caktimin e kufirit detar.

Dhënia e autorizimit ishte një proçes paksa i zgjatur në kohë referuar këmbënguljes së Qeverisë përmes ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe në të paktën 3 raste pati letërkëmbime mes institucionit të Presidentit dhe Ministrisë së Jashtme, lidhur me informacionet për pjesëtarët e grupit negociator.

Pas depozitimit të dosjeve, Kreu i Shtetit, lëshoi autorizimin. Kjo do të thotë se Institucioni i Presidencës ka marrë informacionet e duhura për secilin nga anëtarët e propozuar për grupin negociator dhe dosjet e tyre kanë rezultuar të pastra.

Por pas dhënies së autorizimit, u publikuan dokumente sipas të cilave, Qirjako Qirko, një prej anëtarëve të Grupit Negociator, ka qenë prokuror në kohën e diktaturës dhe në ditët e saj të fundit, ka kërkuar dënime qoftë në rastin e rrëzimit të bustit në 20 shkurt 1991, ashtu edhe në ngjarjet e Ambasadave në korrik 1990.

Pyetja që lind është nëse në grupin negociator ka apo nuk ka persona me dosje si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, apo që i kanë shërbyer diktaturës komuniste?

Kjo duket se do të diskutohet në mbledhjen e nesërme të Autoritetit të Dosjeve, ku sikundër raportohet një nga pikat do të jetë edhe ajo për verifikimin e anëtarëve të grupit negociator.

Në fakt kjo proçedurë duhej të ndodhte përpara se Presidenti të lëshonte autorizimin, pra anëtarët e propozuar për grupin negociator duhej të verifikoheshin përpara lëshimit të autorizimit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një çështje me sensibilitet të lartë dhe për të cilën ka pasur një debat, jo vetëm në nivelin politik.

Pyetja që lind është se çfarë do të ndodhë nëse verifikohet zyrtarisht nga Autoriteti i Dosjeve se anëtarë apo qoftë edhe një prej tyre do të ketë probleme në këtë pikë, pra do të rezultojë i përfshirë në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit?

Në këtë rast mund të ketë një skandal në përmasa të mëdha pasi do të kishim të bënim me një mashtrim që i bëhej Presidentit të Republikës lidhur me dosjet apo informacionet e secilit anëtar të propozuar për grupin negociator.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here