Negociatat me Greqinë/ Beja: Pala shqiptare mungesë transparence lidhur me çështjen

0
158

Vladimir Beja, ish-komandanti i flotës detare, vlerësoi në studion e Syri.net qëndrimin e mbajtur nga Presidenti Ilir Meta lidhur me plotfuqishmërinë e grupit negociator në negociatat me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve.

Beja theksoi se nga pala shqiptare ka pasur një mungesë transparence lidhur me çështjen.

“Ne të gjitha informacionet i kemi mësuar ose nga mediat greke ose nga autoritetet greke, çka tregon se pala shqiptare është treguar inferiore”, tha Beja.

Ai tha se marrëveshja nuk lejon pazare dhe kufijtë detarë janë po aq të rëndësishëm sa ato tokësorë.

“Marrëveshja e drejtë do të ishte që grupi negociator të kishte mbështetjen e mbarë opinionit dhe jo të një force politike.

Me riparimin që bëri Presidenti Meta duke përfshirë në grupin negociator Ksenofon Krisafin, mendoj se grupi është nën një presion.

Mendoni që në krye të grupit negociator do të jetë Komandanti i Flotës, që nuk është profesionist, ndërkohë që përballë do të ketë admiralin grek, që është një profesionist.

Grupi negociator nuk duhet të ketë presionin për të përfunduar marrëveshjen sa më shpejt të jetë e mundur. Mendoj se marrëveshja duhej të përfundojë atëherë kur palët të bien dakort, të mbrohen interesat e Shqipërisë.

Shqipëria nuk është në atë gjendje që shpejt e shpejt të bëjmë një grup negociator, por duhet të kishim një ekip që duhej të kishte besueshmërinë e plotë të Presidentit, Kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe opinionit publik.

Ne e shikojmë detin si diçka shtesë, ndërsa Greqia e trajton si çështje jetike”, tha Beja.

Në vijim ai shtoi se në negociata secila nga palët paraqesin ligjin për detin. “Greqia e ka 6 milje, jo 12 milje, pasi nëse do ta kishte këtë të drejtë, atëherë i bie që ajo të kishte si det territorial të gjithë Mesdheun. Pala shqiptare duhet t’i kërkojë Greqisë që të respektojë kufizimet ndërkombëtare, që vendi fqinj e ka 6 milje”, tha Beja.

Sipas tij, problemi më i madh sot është besueshmëria dhe transparenca.

Përsa i takon akuzave ndaj Artur Mecollarit, Beja tha se duhet të tregohet kujdes në akuzat që bëhen ndaj ushtarakëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here