Del projekti i Teatrit të ri, ja si do të “gllaberohet” trualli publik nga kullat, prone publike….

0
287

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama, së bashku me një arkitekt të shquar danez, të zgjedhur pa konkurs, prezantuan brenda ambienteve të Kryeministrisë projektin e Teatrit të Ri Kombëtar. Fillimisht, ngjalli habi fakti që ishte Kryeministri që prezantoi detajet e Teatrit të ri, jo Kryetari i Bashkisë së Tiranës, si figura legjitime për të paraqitur zhvillimet urbane të kryeqytetit. Erion Veliaj ishte veç pjesë e publikut të thjeshtë.

Së dyti vjen fakti, edhe më i rëndësishëm, se në mes të ditës, përballë një audience të nënshtruar dhe apatike, përtej fjaleve të bukura dhe imazheve joshëse, Kryeministri i vendit tregoi atë çfarë Tpz.al ka denoncuar prej javësh, grabitjen e radhës që do t’i bëhet truallit shtetëror, dhe pikërisht truallit të Teatrit Kombëtar të Tiranës me skemën tashmë të njohur të Parneritetit Publik Privat.

Por çfarë po ndodh me Teatrin Kombëtar? Nga prezantimi i arkitektit danez kuptohet qartë se mbi gjysma e truallit aktual të Teatrit, së bashku me nje truall tjetër shtetëror të parkingut të Bashkisë së Tiranës, do t’i dhurohet investitorit privat i cili aty do të ngrejë disa kulla në këmbim te ndërtimit të Teatri të ri Kombëtar.

Në mungesë të transparencës totale nga ana e qeverisë dhe e bashkisë, Tpz.al ka zbërthyer projektin e paraqitur, për të kuptuar më mirë sesa metra truall do t’i hiqet Teatrit Kombëtar për t’ia dhuruar ndërtuesëve të kullave.

Sipas projektit danez, Teatri Kombëtar do të shtrihet vetëm në 2500 m2 truall, ndërsa do t’i hiqen 3800 m2 tokë. Ngjitur me Teatrin do të ndërtohen 7 kulla, ku e para nis me 10 kate e cila do të jetë një qendër tregtare, ndërsa kullat e tjera do të shtohen me dy kate, deri tek e fundit që shkon 23 kate.

Këto kulla jo vetëm që do t’i bëjnë hije Teatrit të ri, por nga ana tjetër do t’i gllabërojnë mbi 3800 m2 hapësirë publike. Përveç 3800 m2 pronë e Teatrit, qeveria dhe Bashkia e Tiranës do t’i japin edhe disa hapësira të tjera publike, rreth 2500 m2 tokë.

Nga përllogaritja sipas projektit, kullat do të kenë mbi 55 mijë m2 ndërtim, me një vlerë prej 140 milionë euro, dhe e ndërtuar në 75% mbi truall publik.

Që teatri aktual është i vjetër dhe i papërshtatshëm për shfaqje, për këtë biem dakord të gjithë. Nëse duhet restauruar ndërtesa aktuale apo duhet ndërtuar një e re, kjo kërkon një debat transparent.

Gjithashtu duhet thënë që Partneriteti Publik-Privat është shumë i nevojshëm atëherë kur shteti nuk arrin dot të ndërtojë me financat e veta vepra infrastrukturore të rëndësishme dhe tepër të kushtueshme, të tilla si aeroporte, autostrada, hekurudha, etj., dhe ku vetëm një kilometër i tyre mund të kushtojë me miliona Euro.

Por, sigurisht, Partneriteti Publik-Privat nuk mund të përdoret kur bëhet fjalë për shkolla, kopshte, spitale dhe së fundmi teatro. Këto objekte, që ofrojnë shërbime elementare, duhen ndërtuar me paratë që rrjedhin nga taksat dhe zhvillimi ekonomik i vendit, jo duke shkëmbyer troje dhe favore okulte me çfarëdolloj privati me të cilin Kryeministri i vendit, apo çdo funksionar tjetër i shtetit, mendon të bashkëpunojë.

Nëse, për të rindërtuar një teatër, një shkollë a një kopsht na duhet te falim më tepër se gjysmën e truallit të këtyre objekteve, a mos duhet vallë t’i falim gjysëm e Shqiperisë dikujt tjetër në mënyrë që ai të na ndërtojnë gjysmën që mbetet?!/TPZ.AL/E.H./

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here