Pas heshtjes së gjatë, flet Oriela Nebijaj: Kjo është e vërteta e ndarjes me Renaton!

0
747

Ori Nebiaj është një nga vajzat më të këndshme të ekranit.

E lirshme dhe natyrë sportive, Ori shoqëron publikun në orët e para të mëngjesit, së bashku me Enon dhe Islin. Për herë të parë, Ori flet për disa ngjarje që lidhen me të si p.sh., si mori fund miqësia me Renato Mekollin dhe si u ndanë në biznes.

Ori, edhe pse një vajzë e rezervuar, e pyetur nga “Panorama plus”, pohon se është e dashuruar si dhe ndan me ne disa sekrete të pamjes së saj super të kuruar.

Del gati përditë në ekran, bën intervista pa fund, por duket se ke harruar se duhet edhe ti të intervistohesh. Si ka mundësi që po rri kaq larg mediave, ndërkohë që sot të qënit në qendër të vëmendjes është bërë domosdoshmëri?

Jam çdo ditë në “Wake Up”. Besoj se është mjaftueshëm për të qenë prezente në media, edhe pse nuk i kam thënë jo ftesave të kolegëve në emisione të tjera, qoftë për ndonjë temë apo ndonjë opinion timin tek e tuk.

Duket se edhe aktiviteti në rrjetet sociale nuk është pasioni yt, ka një shpjegim kjo?

Që prej nisjes me rrjetet sociale kështu kam qenë, jo shumë aktive. Ka patur momente kur kam qenë shumë më aktive për shkak dhe të punëve që kam pasur. Më pëlqen t’i përdor si aksesorë të veshjes, jo t’i kem si veshje.

Megjithatë, duket se je një vajzë me ide të qarta, edhe pse s’bën shumë publicitet për veten, sepse në kaq vite aktivitet publik, je pasuruar me mjaft eksperienca. Kanë qenë të gjitha zgjedhje të menduara, apo diku je gjendur edhe rastësisht?

Në fakt, nisi rastësisht impenjimi im me punën dhe disi PR sapo mbarova studimet e larta. Më pas, sa me plan e sa me fat, pata mundësi të fitoj, por dhe të jap eksperiencën time. Lidhet pak dhe me mënyrën si unë jam, nuk e kam parë asnjëherë veten time të përfshirë në vetëm një gjë. Ndoshta, edhe për shkak të efektit rutinë. Ama, jam e kënaqur me kaq sa kam arritur deri tani, qoftë pak apo shumë.

Vite më parë (rreth 4 vite mbase), publiku u surprizua kur të pa që bëre një kapërcim interesant, nga drejtuese në një emision gatimi, si zëdhënëse e Partisë Demokratike. Si ndodhi?

Në fakt, isha shkëputur nga media sërish, d.m.th. kisha më shumë se një vit që s’isha më në ekran. Pranova të bëja ndërkohë një projekt për një kompani dhe nga aty rikontaktova me miq të mitë, të cilët më propozuan të punoja për ta. Kisha patur gjithnjë një damar që lidhej me PD-në, por asnjëherë s’e kisha menduar e as diskutuar se do bëhesha pjesë aktive e një partie politike. Ishin rrethanat në një moment, që bënë që z. Basha të më propozonte të isha unë zëdhënësja, pasi në atë moment do të mbahej dhe Kuvendi i PD-së. Ishte sa habi, emocion, por dhe stepje për çfarë përfaqësonte ai rol. Jam e kënaqur me zgjedhjen time. Më kanë pëlqyer gjithnjë sfidat e vështira.

Asokohe ke dhënë një intervistë ku shpreheshe se të qenit pjesë e Partisë Demokratike, të kishte ndryshuar jetën, çfarë ndodhi që ky rrugëtim nuk vazhdoi më gjatë?

E kam thënë këtë, pasi përpara se të aktivizohesha në PD, jeta ime ishte kryesisht në Tiranë. Lindur dhe e rritur këtu, gjithçka e imja ravijëzohej në një realitet disi të krijuar nga unë, familja, shoqëria. Pasi nisa punën në PD, pata mundësinë të shoh gjendjen e vërtetë, të takoj njerëz në të gjithë Shqipërinë, ama dhe të shoh sa e vështirë është jeta për këdo jashtë zhurmës mondane të kryeqytetit.

Kolegët e tu në programin “Wake-up”, shpesh të ngacmojnë me faktin që ke qenë e angazhuar si zëdhënëse e një partie, po kur e mendon seriozisht, ka ndonjë shans për t’iu rikthyer kësaj eksperience, mbase më vonë?

Si zëdhënëse jo, nuk besoj se do mund të ndodhë. Unë dhashë dorëheqjen nga ai post për garën e forumit. Tani nuk mbaj asnjë post apo titull funksional brenda Partisë, ama jam pjesë e Këshillit Kombëtar të saj. Ne jemi shumë sportivë të tre në emision dhe ata asnjëherë s’më vënë në siklet me ngacmimet e tyre, përkundrazi do shqetësohesha nëse nuk do e bënin. Më pëlqen shumë madje që gjithmonë më pyesin e kërkojnë të dinë më shumë.

Një tjetër rrugëtim i nisur me kaq entuziazëm ishte ai i biznesit, në bashkëpunim me mikun ose më saktë ish-mikun tënd, Renato Mekollin. Edhe kjo eksperiencë mbaroi shpejt. Këto dy ngjarje, a janë të lidhura me natyrën tënde, mbase kurioze për të eksploruar gjëra të reja, por pa ambicie për të ngulur rrënjë?

Gjithmonë kam dashur të kem një biznes timin. Renato, fillimisht si miku im, u gjend në kohën e duhur për mua me idenë e restorantit. Pati shumë skeptikë, shumë më këshilluan të bëja kujdes për shumë arsye, por unë gjithmonë thosha se është mirë dhe të gabosh e të rritesh nga guximi dhe gabimet e tua. Nuk kam asnjë pishman për ortakërinë me Renaton, por pati kohën e vet. Unë vendosa të largohem për shumë arsye të brendshme pune, të cilat besoj i kanë kaluar pothuaj të gjithë biznesmenët, sidomos me ortakë. Ishte hera e parë që unë investova në diçka timen, e realizova me shumë sukses të ngrija një emër të ri dhe dinjitoz, tani i uroj suksese dhe ta çojnë më tej dhe pse pa mua.

Renato është shprehur gjithmonë për ty, i pyetur nga “Panorama”, e cila zbuloi e para miqësinë tuaj, ai rrëfente se Ori është një vajzë fantastike, kur ju u ndatë në biznes, përsëri ai e komentoi këtë ndarje dhe jo ti, pse kjo zgjedhje për të heshtur?

Unë nuk tentova të identifikohem me restorantin, prandaj dhe s’kam dashur as të shprehem. Ishte një biznes i mirë në nisje dhe në përfundim për mua. S’më pëlqen të flas për gjëra që në fakt të vetmit persona të interesuar, jemi ne të dy. Çfarë kam për të thënë, ja them atij dhe nëse ai ka diçka për t’më thënë, mund të bëjë të njëjtën gjë. Komentet pastaj në media, anë për pak vëmendje më shumë.

Në fakt, portalet u mbushën me lajmin “Ndahet Ori nga Renato”. Lajmi bëri bujë sikur po ndaheshin dy bashkëshortë nga ndonjë martesë e gjatë. Në fakt, çfarë nuk shkoi mes jush?

Hahaha, e bukur kjo! Që në fillim mediat shkruanin sa herë ne postonim ndonjë foto të dy, duke aluduar për një raport jo vetëm miqësor midis nesh. Kjo s’ka qenë kurrë e vërtetë e unë asnjëherë s’kam dashur të merrem me këtë pjesë, qoftë dhe nga siguria, se e dija më së miri se të gjithë ata që më njihnin mua të paktën, e dinin se ne s’mund të ishim më shumë se shokë, si dhe thjeshtë partnerë në një biznes. Nuk e di, pse vijojnë me këtë jehonë, ndërkohë që unë kam një jetë krejtësisht tjetër dhe ai gjithashtu. Por besoj, fakti që nuk më ka bezdisur dhe as shqetësuar, do të thotë që nuk ngjiti kërrkund dhe u zbeh pa nisur ende si thashethem.

Përveç programit të mëngjesit, me çfarë po merresh tjetër Ori, ndonjë biznes i ri mbase?

Kam shumë ide në fakt, por mora pak kohë dhe për veten, por dhe për kohën që më merr emisioni i mëngjesit! “Wake Up” është aq sa argëtues dhe impenjativ. Po punoj për një tjetër projekt privat, por me kohë çdo gjë.

Duke u zgjuar herët, me siguri që fle shumë herët, përbën ky një problem për të dashurin tënd?

Në fakt, mendoj se ky do të ishte regjimi ideal për çdo partner. Jo gjithmonë orët e vona janë të mirëpritura. Zgjimi herët më ka rregulluar disi ditën në fakt, pasi duke u zgjuar herët, e vë ditën përpara dhe mund të organizoj të gjitha punët e mia me qetësi. Fle herët, por jo më parë se mesnata. Kështu që partneri im nuk ankohet nga ritmet e ditës time.

Tani që je përditë në ekran, njerëzit janë mësuar me portretin tënd dhe padyshim që ka kuriozitet për sekretet e pamjes tënde super të kuruar. Dikur thoje që nuk shkon në palestër dhe nuk mban dietë, në fakt, ke një trup perfekt. Si ia del?

Në fakt, tani duhet të nis me palestrën që t’i jap një dorë ndihmë genit dhe metabolizmit, për të qenë gjithmonë në formë. Kujdesem sa mundem që të mos e teproj më ushqimin, por dhe mundohem të gjej gjithmonë kohë për të llastuar paksa veten dhe trupin. Bëj masazhe, trajtime, d.m.th. gjithçka sa i takon mirëmbajtjes. Një trup kemi për të gjithë jetën dhe unë jam shumë e kujdesshme kur zgjedh kujt t’i besoj për këtë. Fati më solli të kem mikesha, të cilat janë serioze dhe perfeksioniste në këtë aspekt, prandaj dhe marr shërbimin e duhur vetëm nga ato./Panorama/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here