“Barra” dhe “druri i shtrembër” i Vettingut

0
171

Nga Feti ZENELI

Ka më shumë se një vit, që ngritja e institucioneve përkatëse për implemetimin e Reformës në Drejtësi po trajtohet si një “aksion me goditje të përqendruara” politike, i ngjashëm me aksionet e kohës së monizmit në fushën ekonomike, ku zakonisht punohej me moton: “Të bëjmë realitet fjalën e dhënë para Partisë!”. Përsëri në skenë është “fjala e dhënë”, këtë herë, jo para partisë, por para gjithë botës, “për shtet ligjor në Shqipëri”. Natyrisht, asgjë nuk kemi me preokupimin dhe përshpejtimin në kohë të punëve, përkundrazi e përshëndesim këtë lloj devotshmërie. Problemi, në këtë rast, qëndron tek përqendrimi i goditjes “me aksion” të rregullave, normave dhe standardeve ligjore në një fushë që nuk i pranon imitime të tilla, siç është drejtësia. Aktualisht jemi në fazën e fundit të zbatimit të kësaj reforme, që lidhet me krijimin e institucioneve të reja, pas ndryshimit radikal të Kushtetutës dhe ligjeve për organizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë. Duke qënë një reformë e thellë kushtetuese, ajo duhet të udhëhiqet nga parimet themelore të konstitucionalizmit, sikundër e kanë përcaktuar teoricienët më në zë të filozofisë së ligjit dhe filozofisë së të drejtës, për legjitimitetin solid, që të jep respektimi i kompetencave dhe mospërvetësimi arbitrar i të drejtave të tjetrit, qoftë ky individ apo subjekt juridik.

Deri tani “dallëndyshet e para” të Reformës në Drejtësi janë institucionet e Vettingut, ku në pararojë qëndron Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, tek i cili, siç tregojnë dhe rezultatet e publikuara në faqen e vet zyrtare, duket se “i është gjetur zot punës”. Nga drejtuesit e këtij institucioni, ndoshta për shkak të përgjegjshmërisë, eksperiencës dhe profesionalizimit që i karakterizon, por me sa duket, dhe për shkak të familjarizimit të duhur me “punët e zyrës”, nuk u humb kohë e panevojshme me hartime rregulloresh, organogramash e plotësim stafi, siç ka ndodhur në dy institucionet e tjera; Komisionerët Publik dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. U bënë të paktën 6 muaj, që këta po djersijnë për të “kopjuar” një rregullore të brendshme dhe rekrutuar stafin këshillues e mbështetës. Me sa duket drejtuesit e Kolegjit i ka lodhur jo pak “kleçka e Zhvejkut”, që është materializuar në nenin 27, pika 2 e Rregullores, me fuqi mbi kërkesat e nenit 18, pika 4 e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ku përcaktohet: “Njësia e shërbimit ligjor përbëhet nga këshilltar ligjor dhe ekonomikë, të cilët emërohen nga mbledhja e gjyqtarëve, pasi kryehet procesi i vlerësimit të tyre nga Komiteti ad hoc, sipas nenit 22 të ligjit 84/2016”. Po në nenin 18, pika 4 e ligjit në fjalë, çfarë thuhet? “Autoriteti përgjegjës për pranimin në punë të punonjësve është komiteti ad hoc, që krijohet pranë çdo institucioni. Ai përbëhet nga 2 anëtar të Komisionit ose të Kolegjit të Apelimit, përkatësisht sipas rastit, të zgjedhur me short, si dhe nga Komisioneri Publik më i vjetër në moshë”. Duke i ballfaqur me njera-tjetrën këtyre dy perifrazime, duket qartë që kemi një marrje me rregullore, të kompetencës ligjore të Komitetit ad hoc, për t’ja dhënë atë mbledhjes së gjyqtarëve. Këtu “djalli fshihet në detaje”, në rast se “mbledhja e gjyqtarëve” nuk luan thjesht rolin e sekretimit të vendimit që merr Komiteti ad hoc. Por shprehja, “mbledhja e gjyqtarëve emëron…”, të tmerron, në rast se Komiteti ad hoc përdoret në vend të sekretarisë; që lexon, dëgjon e regjistron dokumenta aplikimi apo intervista; për sytë, veshët dhe mendjen e një strukture vendimmarrëse, që nuk e përcakton ligji, por vetëm rregullorja “Për veprimtarinë e Kolegjit të Apelimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Kjo situatë paradoksale, e cila ka mbizotëruar për muaj me radhë, përveç vonesave në rekrutimin e stafit apo fillimin e punës, e ka zhytur institucionin në konflikte dhe veprime paragjykuese, si rezultat i përvetësimit nga mbledhja e gjyqtarëve të kompetencave të Komitetit ad hoc. Dhe për t’i vënë kapak këtij arbitrariteti të panevojshëm, u gjet “një dru i shtrembër”, që u hoq nga barra e Vettingut. Ky ishte Komisioneri Publik, Heral Saraçi, njëkohësisht një ndër tre anëtarët e Komitetit ad hoc të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i zgjedhur sipas kërkesave të ligjit 84/2016. Vendimi nr. 1, datë 12.03.2018, për shkarkimin nga detyra të z. Saraçi, duket se është i vetmi akt i Komisionit Disiplinor të Kolegjit, në këto 8-9 muaj të funksionimit së tij. Kjo masë disiplinore, ashtu siç arsyetohet në rreth 30 faqe të vendimit në fjalë, është marrë për “mosbashkëpunim” me Komisionerin tjetër në hartimin e rregullores së Komisionerëve Publik dhe për “mosbashkëpunim” me 2 anëtarët e tjerë të Komitetit ad hoc të Kolegjit për zbatimin e nenit 27, pika 2 të Rregullores së brendshme të këtij institucioni. Mbase për rastin e parë të “mosbashkëpunimit bilateral”, me kolegun e vet, z. Saraçi mund të ketë një farë përgjegjësie, po për “mosbashkëpunimin trilateral” me dy kolegët e Kolegjit, për të vënë kërkesat e rregullores mbi ato të ligjit 84/2016, ai s’ka asnjë lloj përgjegjësie, pasi është neni 18, pika 4 e këtij ligji që e legjitimon atë si anëtar të Komitetit ad hoc. Në këto kushte, kërkesa e tij e datës 17.12. 2017, për anullimin e Rregullores “për veprimtarinë e Komitetit ad hoc, për administrimin e procesit të emërimeve në Kolegjin e Apelimit”, është e argumentuar ligjërisht dhe, për mendimin tonë, plotësisht e drejtë.

 

Por pa u ndalur më gjatë në sqarimin e një rasti të tillë, dhe pa dashur që ky referim të keqinterpretohet si një marrje në mbrojtje, pyetja që shtrohet edhe nga dikush tjetër, që ka sadopak kulturë juridike është: Ç’duhet rregullorja për emërimet në punë, kur gjithëçka është e plotë dhe e qartë në ligj? Për më tepër, pse duhet, që ajo të delegoj apo tjetrësoj kompetenca institucionale, që nuk i përmban ligji? “Ka ligj, por ka edhe Maliq”, do të ishte një ndër përgjigjet e mundshme. Është “Maliqi” zyrtar, që na ka shoqëruar në rrugëtimin tonë të deritanishëm, dhe nuk mendohej, se fantazama e tij do të shfaqej sërish dhe në epokën e re të Reformës në Drejtësi, madje në një ndër institucionet kryesore të Vettingut, siç është Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ishte ky lloj “Maliqi i ri”, që, siç e treguam më lartë, e bëri “kokë turku” dike, që i referohet ligjit me besnikëri. Të organizosh me rregullore, mbledhje të gjyqtarëve, si “mbledhjet e hapura të partisë” në monizmëm, për të rekurtutuar staf ndihmës e këshillues, ndërkohë që autoriteti përgjegjës për këtë çështje, sipas ligjit 84/2016, është komiteti ad hoc, më së paku do të thotë të instalosh një praktikë pune të kontestueshme në institucionin më të lartë të dhënies së drejtësisë. Problemi është se me rregullore, ti nuk specifikon apo nuk shton ndonjë kriter më shumë se sa është parashikuar në ligj, por kufizon e transferon të drejta, duke rikthyer në skenë praktika të vjetëruar. Veprime të tilla të kujtojnë ata drejtues të paaftë, që realizimin e detyrës së tyre e lidhin vetëm me kontrollin e disiplinës formale në punë të punonjësve.

Por këtu s’kemi të bëjmë me një ndërmarrje dosido, ku mund të tolerohen, si jo shumë të dëmshme, sjellje e qëndrime të kësaj natyre. Në sistemin e drejtësisë, disiplina e vetme që duhet respektuar është ajo e zbatimit me fanatizëm të ligjit. Parë në këtë këndvështrim, përfshirja në Rregulloren e Kolegjit e çështjeve që nuk parashikohen në ligj, kompromenton që në nisje misionin e këtij institucioni epror të Reformës në Drejtësi. Nëse fillimi i mbarë është gjysma e punës, fillimi i keq është një punë që s’mbaron kurrë. Problemi këtu nuk qëndron tek një rast i vetëm, por tek frika e operimit me praktika të tilla në përmbushjen e misionit ligjor të institucionit. Natyrisht, që rekrutimi i stafit të Njësisë së Shërbimit Ligjor me rregullore “parashkruese”, dhe jo me ligje parashikuese, nuk është një problem i vogël, qoftë edhe në aspektin formal. Sipas parashikimeve në ligj, Njësia e Shërbimit Ligjor, në përbërje të së cilës ka një numër të caktuar këshilltarësh ligjor dhe ekonomik, ushtron veprimtari të rëndësishme këshilluese dhe ndihmëse në procesin vendimarrës të trupës gjyqsore, ndaj duhet bërë shumë kujdes në përzgjedhjen e tyre. Ata duhet të jenë nga profesionistët më të zot dhe me eksperiencë të pasur pune, në mënyrë që dinë se si të hulumtojnë, raportojnë dhe këshillojnë, ndaj komisionet apo komitetet e ngarkuara në detyrën e rekrutimit të tyre, jo vetëm nuk duhet “të punojnë për të tretët” në këtë rast, por nuk duhet të pranojnë asnjë lloj diktati që u heq nga duartë “fleshin” e drejtësisë dhe u jep “kasetën” e porosisë.

Fakti që ende s’kanë filluar si duhet punë apo që nuk kanë patur eksperienca të tilla më parë, i bën drejtuesit e Kolegjit, ta vlerësojnë rolin e këshilltarit më pak se sa një ndërhyrje punësimi nga lart, fjala vjen. Por do të kujtohen kur në këto pozicione të kenë marrë këshilltarë që kanë nevojë t’i këshillosh, dhe jo me të cilët duhet punosh. Nëse, kriteri kryesor, fjala vjen, në proçesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve është vlerësimi i pasurisë, së subjektit të rivlerësimit, atëherë “kandidati numër një” për këshilltar ekonomik, duhej të jetë një specialist i fushës së financës me përvojë bankare dhe me eksperiencë pune në vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Çdo lloj kandidature tjetër duhet  të jetë “numri dy”, sepse pa ditur të hartosh raporte vlerësimi apo pa njohur transaksionet bankare, nuk mund të bësh si duhet vlerësimin e pasurisë së subjekteve të rivlerësimit. Nga informacionet që kemi në këtë drejtim, nuk është rekrutuar ndonjë këshilltar ekonomik me këtë lloj eksperience, ndoshta nga që rregullorja ka dalë mbi ligjin dhe urdhëri mbi teknikën, edhe pse ka patur të interesuar. Në këto kushte, nëse do të ishte bërë një rregullore për t’i forcuar e specifikuar kërkesat e përgjithëshme të ligjit, dhe jo për të kufizuar apo tjetërsuar të drejtat e vendimmarrjes institucionale, atëherë ajo nuk kishte pse të kontestohej.

Por dyshoj se kjo është pasojë e një “përvoje përsonale” në përfitimin e pamerituar të pozicioneve të tilla me peshë të rëndë publike, pavarësisht procedurave pa fund të përshkruar në ligjin 84/2016, pasi në fund të fundit, ka zgjedhur politika. Dhe politika shumë rrallë qëllon “në shenjë” profesionistësh të spikatur dhe individësh me integritet të fort moral. Reforma në drejtësi duhet të kishte dhënë shëmbullin e ndryshimit të shënjestër në këtë drejtim. Dhe për të mundësuar një gjë të tillë, politika po, që kishte nevojë për një “rregullore” mbi kërkesat e përgjithëshme të ligjit, për të zgjedhur në krye të Reformës në Drejtësi profesionistë të spikatur dhe jo njerëz anonim, individë me integritet të lartë moral e të papërfolur publikisht, zonja dhe zotërinj të vërtetë, që kanë bërë karrierë me zotësi dhe jo me miqësi, etj. Ndoshta midis tyre ka edhe ndonjë të tillë, por fjalën e kam për ata që “kanë më pak merita në këtë vend”, duke ftuar median që t’ju hyj me themel jo vetëm dosjeve të tyre, por edhe kryerjes së çdo lloj investigimi, që na jep mundësi të koregjojmë vendimarrjen e gabuar, sa s’është vonë, nëse nuk duam që gjithëçka në këtë drejtim t’ja lëmë në dorë partisë dhe rastësisë. Shoqëria dhe vendi ynë janë kaq të vogjël, sa që po të duam, brenda ditës i mësojmë meritat dhe maskarallëqet e njeri-tjerit. Reforma në Drejtësi nuk është çështje telebingoje…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here