Skandali:Qeveria shqiptare i ka dhënë vendburimet e naftës kompanisë ruse Gunvor

0

Të dhënat e siguruara nga Tpz.al, flasin për një lidhje të vazhdueshme mes qeverisë aktuale dhe kompanive ruse për shfrytëzimin e burimeve nëntokësore të Shqipërisë. Historia nis në verën e vitit 2016, kur Albpetrol firmos një leje shfyrtëzimin e disa puseve me kompaninë ‘Jurimex’ në pronësi të biznesmenit rus Robert Nowikovsky.

Loading...

Koncesioni u fitua me tender dhe nuk pati asnjë kontestim. Bëhet fjalë për vendburimet Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj dhe Amonicë. Të treja thirrjet janë pjesë e Vargut të Perlave, një seri fushash produktive të naftës, përgjatë vijës veriperëndim-juglindje të shtyllës kurrizore të Shqipërisë.

Por në media, shpërthyen akuzat se pas kompanisë “Jurimex”, qëndronin rusët e Gazprom, dhe qeveria shqiptare vendosi të anulojë koncesionin. Edhe pse akuzat ishin se pas kësaj kompanie ishte gjiganti rus i Gazprom,burime për Tpz.al bëjnë me dije se në krye të lobimit që të respektohet marrëveshja me kompaninë ‘Jurimex”, ka qënë Austria.

Madje çështja e “Jurimex” e ka vënë në pozitë të vështirë kryeministrin Rama, për shkak të paralajmërimeve për arbitrazh. Por ndërkohë që po zhvillohet një betejë sa ligjore aq edhe nervash, një tjetër kompani ka shprehur interesin për këto vendburime.

Bëhet fjalë për kompaninë Pennine Petroleum e cila me një njoftim në web-in e vet shkruan se  “Tenderat për këto fusha, të cilat janë të gjitha produktive, do jenë të hapura deri në 31 Mars, thotë Albpetrol” shkruhet në faqen e Pennine Petroleum.

Por përpara kësaj thirrje Albpetrol duhet të anulojë më parë kontratën e nënshkruar me “Jurimex”, e cila gëzon mbështetjen e Austrisë dhe që mund të përbëjë rrezik në mbështetjen e Shqipërisë në hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Pennine Petroleum, ka publikuar në faqen e vet edhe shifrat prodhuese për këto fusha, që vijon si mëposhtë:

– Gorishti po prodhon 1,000 fuçi në ditë, me 135 nga 295 puse të shpuara në prodhim;

– Cakran po prodhon 500 fuçi në ditë, me 24 nga 64 puse të shpuara në prodhim; dhe

– Amonica po prodhon 120 fuçi në ditë, me 23 nga 60 puse të shpuara në prodhim.

Sipas shifrave qeveritare, Shqipëria ka 220 milion fuçi rezerva dhe 5.7 bilion metra kubikë rezerva me gaz natyral. Fusha e Patos-Marinzës, gjithashtu pjesë e Vargut të Perlave është fusha më e madhe në tokë në Evropë dhe prodhimi i karburanteve të rënda që është drejtuar nga Bankers Petroleum Ltd., e drejtuar në atë kohë nga drejtori aktual i Pennine Petroleum, Richard Wadsuorth.

“Siç kemi përmendur në të kaluarën, jemi gjithashtu të motivuar të eksplorojmë mundësitë e bashkëpunimit për puse produktive në Shqipëri dhe kudo në Evropën juglindore,” thekson një prej drejtuesve të kompanisë Pennine.

Kush fshihet pas Pennine Petroleum?!

Burime konfidenciale  bëjnë me dije se kompania Pennine Petroleum ka si ortak Gunvor, përfaqësuesi i të cilës pak kohë më parë është takuar me Edi Ramën në zyrën e tij.

Grupi Gunvor u themelua vetëm 10 vjet më parë. Por brenda një kohe të shkurtër ai ja doli të shndërrohej në kompaninë më të madhe energjetike të botës. Sigurisht ekspertët dhe Departamenti i Shtetit thonë se pas kësaj ngjitje të rrufeshme qëndron presidenti rus Vladimir Putin.

Aktualisht Gunvor është e regjistruar si kompani offshore në Qipro. Por qendra e saj operacionale është në Gjenevë të Zvicrës. Mësymja e Gunvor në Shqipëri dhe disponibiliteti i qeverisë shqiptare për të negociuar marrëveshje me të hap skenarë të rrezikshëm gjeopolitikë.

Por përveç kësaj në Shqipëri Gunvor ka disa ortak të cilët nuk janë të panjohur për tatimet shqiptare, pasi i kanë shtetit miliona euro borxh nga kompani të mëparshme. Një prej tyre është ish drejtuesi i ARMO, Besnik Sulaj, një tjetër është pronari i kompanisë Visoka e Transoil Group, biznesmeni Sh.D. apo dhe IRTC.

Në dukje Shqipëria po bën sikur po anulon një marrëveshje që mund të jenë rusët pas, por në fakt është duke shkuar si ‘derri në thes’ te një kompani që rusët nuk janë më të fshehur por të deklaruar publikisht.

Nëse kjo është pakujdesi, apo e qëllimshme do të shihet në vijim. Tpz.al do të publikojë në ditët në vijim ekskluzivisht të gjitha dokumentat që vërtetojnë lidhjen me Pennine Petroleum-Gunvor Group-Besnik Sulaj./TPZ.AL/E.H./

Loading...

Lini nje pergjigje