Kiço Londo më i prekur se kurrë: Kam dhimbje të thellë për teatrin!

0
434

Regjisori Kiço Londo dhe njëkohësisht drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin e mëngjesit Rreze Dielli.

I prekur nga zhvillimet e fundit mbi çështjen e teatrit Kombëtar , regjisori shprehu indinjatën e tij gjatë emisionit. Në projektin e ri të Teatrit Kombëtar nuk është pozicionuar godina e Teatrit Eksperimental, ndaj pyetjes nëse Teatri Eksperimental do të vazhdojë të ekzistojë si strukturë edhe pas prishjes së godinës Londo i përgjigjet:

“Unë jam në heshtje dhe në dhimbje të madhe. Jam tek ëndrrat dhe tek dashuria për teatrin. Teatri ka aktorë të mëdhenj si Robert ndrenika. Kur të kemi arritur që teatri të bëhet një nevojë jetike për publikun, atëherë do të jemi një shoqëri më e lumtur , më e mirë dhe nuk do të ngrihemi duke sharë në mëngjes.

Unë jam zhytur në një dhimbje të thellë, -shprehet autori . Ata që janë marrë me projektin, nuk e njohin. Unë kam kurajon të them që Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni më i mirë artistik i të gjithë hapësirës shqiptare. Nga 11 teatro që ka Shqipëria, ne marrim 3% të buxhetit dhe duhet të bëjmë 3% të shfaqjeve. Dhe ne vitin e kaluar kemi pasur një mesatare prej 60% shfaqje. Teatri nuk është godina, është marrëdhënia e spektatorit me teatrin. Jemi duke luftuar për të mësuar spektatorin me teatrin. Ne kemi nevojë të shkojmë në teatër. Teatri është një gjë e shenjtë që ka lindur para shumë gjërave. Sipas asaj që thuhet, Zoti pas krijimit të botës krijoi teatrin se njerëzit u mërzitën. Pak kohë më vonë njerëzit u mërzitën edhe me teatrin dhe dërguan një engjëll te Zoti që ti thoshte se njerëzit u mërzitën sërish. Zoti i dha një letër që ta hapte kur të shkonte te njerëzit. Dhe kur shkoi te njerëzit dhe e hapi, në letër shkruhej “interes”. Duhet të ketë interes për teatrin”.

Regjisori Kiço Londo i përfshirë nga emocioni , pas ngjarjeve të fundit të aktualitetit në lidhje me teatrot shprehet:

“Është duke më rrëmbyer emocioni, por jam i shokuar se kam 4 vjet që përpiqem shumë dhe papritur nuk e shoh më teatrin. Gjërat e mëdha nuk fillojnë nga paratë por nga dashuria. Unë nuk jam i marrë që të marr fotot e Violeta Manushit, Margarita Xhepës, Drita Pelingut dhe ti heq. I kam lënë aty që të rinjtë të mësojnë prej tyre.”

Londo foli edhe për shfaqjen më të fundit në Teatrin Eksperimental “Darka e Lamtumirës” me aktorët Gazmend Paja, Laura Nezha dhe Visjan Ukcenaj. Ai tregoi se pse kishte zgjedhur këtë vepër.

“Shfaqja është zgjedhur në kuadër të dramave franceze dhe kemi dëshirë që të japim një ndryshim duke ndarë Shqipërinë në 6 rajone dhe do të paraqesë një organizim të ri të teatrit të qyteteve. Mjaft qytete të Shqipërisë që kanë ose jo teatër janë të tulatur nga arti. Ne synojmë që bashkitë që përbëjnë rajonin duhet që të financojnë teatrot e qendrës. Kjo ka të mirë sepse kështu rajoni nuk i mbyll shfaqjet me 7 ,8 herë por shfaqjet vazhdojnë dhe jeta kulturore gjallërohet. Rajonet gjithashtu mund të kombinohen. Ky aktivitet që nisi me shfaqjen “Boeing Boeing” ka sjellë një kërkesë të shumtë nga publiku. Kemi dhënë 45 shfaqje dhe do të japim sërish”.

“Darka e Lamtumirës” ka nisur në Tiranë e më pas do të dalë në rajon. Është një vepër brilante. Kemi shumë artistë dhe pedagogë që na ndihmojnë me shfaqjen.
Teatri Kombëtar Eksperimental është një fushë e madhe ku gjejnë veten shumë aktorë të rinj dhe ky gërshetim ka bërë që biletat të shiten menjëherë. Regjisori Londo ka qenë një ndër njerëzit që ka dhënë një kontribut të veçantë edhe në Teatrin e Metropolit ndaj ai nuk mund të rrinte pa folur edhe për të.

“Triumfi i Teatrit Metropol ngacmoi gjithë jetën kulturore të vendit, dhe ky nuk është triumf personal. Unë nuk mohoj punën time, as të të gjithë aktorëve të rinj. Koha do të tregojë se cfarë po ndodh. Dje në respekt të 10 vjetorit të Teatrit Metropol i dërgova një tufë me lule drejtoreshës së re dhe e urova nga telefoni. U habita kur nuk pashë asnjë foto të vjetër të Teatrit Metropol, a thua se kishte vetëm 2 vjet jetë. Nëse pemën nuk e ujit, ajo nuk bëhet dhe nëse nuk e rreh era, nuk rritet”,-përfundoi regjisori i njohur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here