Intervista/ Ish-Presidenti: Shqipëria po kthehet në bazën e mafias kolumbiane në Evropë. Si e shoh debatin në PD

0
141

Intervistoi Aida Topalli

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në një intervistë për “Standard” foli për ngjarjet e fundit politike në vënd. I pyetur nëse të gjitha këto ngjarje kanë një emërues të përbashkët, ish-Presidenti tha se në pamje të parë nuk janë të lidhura me njëra tjetrën, por, sikurse shtoi ai, ngjarje të tilla kanë hyrë në korelacion dhe kanë krijuar influencë të drejtpërdrejtë njëra me tjetrën. Përsa i përket Reformës në Drejtësi, Nishani shtoi se nisma është marrë fillimisht nga  ai, në bashkëpunim me partnerët, në tetor të 2014-ës. Por kjo iniciativë e tij, theksoi ish-Presidenti, duket të ketë shkaktuar alarmin  tek qeveria, të cilës nuk i “leverdiste” një reformim i sistemit. Më tej, Nishani foli për negociatat me Greqinë, dhe i quajti ato të domosdoshme për rregullimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por quajti të padrejta deklaratat e Ministrit të Jashtëm grek, si dhe fajësoi drejtpërdrejt Ministrin e Jashtëm, Bushati dhe Kryeministrin Rama për mungesë të thellë të transparencës. Brenda përgjigjes së tij, Nishani foli për një fotografi që qarkullon, ajo e ushtarakut të Flotës Detare në delegacionin e Ministrit të Jashtëm gjatë negociatave në Korçë. Sipas tij, që një funksionar i lartë i një ministrie t’i bashkëngjitet ekipit të nivelit të lartë të një ministrie tjetër duhet të ketë një praktikë zyrtare komunikimi të shkëmbyer. Përsa i përket bashkëpunimit PD-LSI, ish-Presidenti tha se çdo koordinim në aksionin opozitar përtej interesave përkatëse partiake dhe natyrisht ku secila parti ruan profilin e vet politik dhe organizativ, është në shërbim të interest më të mirë të vendit. Për akuzat e bëra nga mazhoranca kundrejt opozitës, kryesisht kundrejt Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Nishani nënvizoi se në këtë realitet fatal qeveria është dorëzuar dhe ka gjetur një “fije kashte”. Luftën ndaj opozitës dhe shtoi se të ndodhur në një presion të tillë, opozita ka nevojën të rezistojë. Sipas Nishanit qeveria aktuale ka dështuar të qeverisë. Më tej, i pyetur për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet partia Demokratike si dhe për të dhënë një mendim për grupet kritike, Nishani shprehu bindjen se se krijimi i lëvizjeve apo partive të tjera politike nuk e dëmton PD, por sikurse thekson ai, PD-ja do të dëmtohej nëse vetë ajo do të largohej nga parimet mbi të cilat është krijuar dhe ka funksionuar në këto 28 vite.

Nishani, brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore kanë ndodhur një mori ngjarjesh, nisur që nga akuzat e ish-ministrit të Brendshëm për bashkëpunim me bandat kriminale, zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, vakancat në Gjykatën Kushtetuese, emërimet në KLP e KLGJ e deri tek vetting-u në polici. Të gjitha këto, a kanë sipas jush, një emërues të përbashkët?

Rendisni një sërë çështjesh apo ngjarjesh që në pamje të parë nuk është se janë të lidhura me njëra- tjetrën, por që pa dyshim kanë hyrë në korelacion me njëra- tjetrën dhe kanë influencën e tyre tek njëra- tjetra. Origjina e thelbit nis tek reforma e sistemit të drejtësisë. Në muajin tetor të vitit 2014 si President i vendit, nisur nga shumë rrethana dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë iniciova dhe nisa një proces institucional për reformën në sistemin e drejtësisë. Kjo iniciativë dhe angazhim i Presidentit të Republikës vuri në alarm dhe lëvizje të menjëherëshme qeverinë e cila kuptoi se reforma në sistemin e drejtësisë ishte e domozdoshme dhe e pashmangëshme, por i duhej ta vinte atë në kontrollin e saj pasi një drejtësi e re dhe e pavarur do të ishte fatale për të. Ka shumë e shumë arsye për tu ndjerë e sfiduar nga drejtësia kjo qeveri por rasti më shpërthyes dhe publik, pa asnjë mundësi fshehjeje është inkriminimi i Ministrit të saj të Brendshëm në bashkëpunimin me grupet kryesore të kultivimit dhe trafikut të drogës. Qeveria aktuale e dinte mirë se çfarë kishte në planet e saj, ndaj donte të krijonte mburojën ndaj penalizimit. Rruga më e sigurt ishte kapja e sistemit të drejtësisë. Emroi në KLP dhe KLGJ jo thjeshtë militantë të saj, por pjesën më ekstreme të idhtarëve politikë, ish- bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit dhe pjestarë të trupave gjykues dhe prokuratore të regjimit të diktaturës që kishin dënuar njerëz për agjitacion dhe propagandë politike. Qeverisë i duhej me cdo kusht komandimi i Prokurorit të Përgjithshëm. E kapi atë përmes një sjellje skandaloze jo vetëm antikushtetuese por dhe arrogance politike, duke injoruar dhe shpërfillur çdo ligj, rregull, praktikë ligjore, kushtetuese dhe ligjvënëse. Transporti i kanabisit nuk ka të ndalur, shpërtheu trafiku masiv dhe gjigand i kokainës, heroina nuk sekuestrohet asnjë gram kur hyn në Shqipëri e ka vetëm raste identifikimi kur ajo del nga Shqipëria. Pyetja është e thjeshtë. Kush garanton një trafik kaq masiv të kokainës dhe heroinës drejt Shqipërisë dhe prej saj drejt perëndimit ? Ku janë paratë dhe pasuritë e vëna prej trafikut të drogës ? Pse nuk hetohen, sekuestrohen dhe asgjësohen ato ? Pikërisht për të mos patur përgjigje për këto pyetje krejt të thjeshta duhet kontrolli i prokurorisë, gjykatave dhe organeve të vetingut. Shikoni kush është emëruar nga qeveria sot në këto organe. Të njëjtët militantë partiakë që kjo qeveri i emëroi edhe më parë në KLD. Kryeministri i sotëm është i vetmi kryeministër që pas diktaturës që po qeveris pa patur fare në funksion pushtetin qygjësor. Shikoni se çfarë ka bërë. Ka bllokuar totalisht Gjykatën e Lartë. Për pesë vite rrjesht rrëzoi automatikisht çdo Dekret Presidencial për emërimin e gjyqtarëve të lartë. Ka paralizuar totalisht Gjykatën Kushtetuese duke bllokuar cdo emërim në këtë gjykatë. Ky ka qënë objektivi kryesor i këtij kryeministri. Të qeverisë pa patur kontrollin e pushtetit gjyqësor. A mund të thotë dikush në botë se kjo ndodh në ndonjë vend normal. A është ky model që është katandisur tani në Shqipëri, modeli i një vendi demokratik ?

Ngjarje të tilla u pasuan me të tjera, të ngjashme. Deklarata e Ministrit të Jashtëm grek, Kotzias, për një marrëveshje të arritur me homologun e tij, MEPJ, Bushati, për aneksimin e 12 miljeve det nga Greqia, dhe mohimi më pas nga Z. Bushati dhe kryeministri Rama. A ka, sipas jush, diçka të vërtetë në deklaratën e Kotzias? Po ashtu, ju jeni thirrur edhe nga presidenti Meta, së bashku me kolegët tuaj, çfarë u bisedua konkretisht dhe në ç’përfundim dolët?

Procesi i negociatave me Greqinë për ndarjen e Shelfit Kontinental dhe përcaktimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive është një situatë e turpshme që rrënon imazhin e shtetit tonë. Jo pse bëhen negociata. Absolutisht jo. Ato janë mëse të domosdoshme dhe duhet të ndodhin. Por qerveria shqiptare është duke i zhvilluar në terr të plotë informativ, çka bie ndesh jo vetëm me detyrimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese por edhe me parimet bazë të një shoqërie të hapur dhe transparente. Sipas konfirmimeve të palës greke bisedimet dhe negociatat kanë vite që zhvillohen. Por autorizimi për plotfuqishmëri nga Presidenti i Republikës nuk është marrë. Ka një fakt të bërë publik pa dashje nga vetë qeveria që kompromenton rëndë imazhin dhe besueshmërinë e saj. Fotoja e ushtarakut të Flotës Detare në delegacionin e Ministrit të Jashtëm gjatë negociatave në Korcë. Që një funksionar i lartë i një ministrie t’i bashkëngjitet ekipit të nivelit të lartë të një ministrie tjetër duhet të ketë një praktikë zyrtare komunikimi të shkëmbyer. Me çfarë qëllimi e ka kërkuar Ministria e Jashtme këtë ushtarak të detit nga Ministria e Mbrojtjes ? A e ka informuar Ministria e Mrojtjes atë të Jashtmen për problemet që ky ushtarak ka patur me Shërbimin Sekret të Ushtrisë ? Cfarë kontributi ka dhënë ky ushtarak i detit në bisedën midis dy ministrave të jashtëm ? Mungesa e përgjigjeve të këtyre pyetjeve e kompromenton shumë jo vetëm sjelljen e qeverisë por imazhin e vetë shtetit tonë. Këtë imazh nuk e dëmtojnë ata që denoncojnë paudhësitë dhe kërkojnë që ato të ndreqen por e dëmtojnë ata që i bëjnë paudhësitë. Nëse nisemi nga deklaratat e medias në Greqi kjo çështje është shumë e rëndë. Sipas atyre mediave, qeveria shqiptare ka negociuar ndarjen e Shelfit Kontinental të Shqipërisë (jo edhe atë të Greqisë) si dhe i ka njohur Greqisë të drejtën e hapsirës detare 12 milje si njohje të Zonës Ekonomike Ekskluzive të Greqisë e cila shkon mbi Shelfin e Shqipërisë aty ku konçidon që ka dhe pasuri të shumta ekonomike !!!! Nëse kjo që thotë media në Greqi është e vërtetë atëhere Qeveria Shqiptare ka dorëzuar territore të gjera dhe pa asnjë kompetencë kushtetuese mbi vehte. Gjatë takimit që pata me Presidentin e Republikës i shpreha pikërisht disa prej këtyre shqetësimeve. Unë shpresoj që në këtë situatë Presidenti i Republikës do detyrojë qeverinë që të bëjë transparencën e duhur dhe do ta ndalojë qeverinë që të falë territore shqiptare.

Nga njëra anë kemi një opozitë, PD- LSI, e cila prej disa kohësh është bërë bashkë kundër qeverisjes aktuale. Si e shikoni ju këtë frymë bashkëpunimi?

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë aktualisht forca jashtë qeverisjes. Janë forca politike në opozitë bashkë me disa parti të tjera më të vogla. Ato kanë përgjegjësinë e monitorimit të punës së qeverisë si dhe denoncimin dhe përpjekjet për parandalimin (me sa munden) të abuzimeve dhe dëmeve që shkakton keq qeverisja. Çdo koordinim në aksionin opozitar përtej interesave përkatëse partiake dhe natyrisht ku secila parti ruan profilin e vet politik dhe organizativ, është në shërbim të interesit më të mirë të vendit.

Nga ana tjetër kemi mazhorancën, e cila vazhdimisht hedh akuza mbi opozitën, kryesisht mbi Partinë Demokratike dhe liderit të saj, Lulzim Basha. Në këndvështrimin tuaj, çfarë qëndron në thelb të këtyre akuzave?

Ka një fakt që është i dhimbshëm. Qeveria aktuale ka dështuar të qeverisë vendin. Vendi ka rënë në një varfëri të theksuar që vijon të thellohet çdo ditë. Institucionet e shtetit janë në kolaps dhe kaos. Rendi dhe siguria e qytetarëve është në minimumin e vet. Personazhet e njohur të botës së krimit ushtrojnë influenca të fuqishme mbi institucionet e shtetit dhe shumojnë pasurinë kriminale. Arsimi dhe shkolla ka degraduar plotësisht. Shëndetësia ka humbur misionin e saj. Në këtë realitet fatal qeveria është dorëzuar dhe ka gjetur një “fije kashte”. Luftën ndaj opozitës. Një qeveri që angazhon institucionet e shtetit, infrastrukturën publike, resurset e shoqërisë për të sulmuar dhe asgjësuar opozitën nuk është modeli i një shoqërie demokratike. Në këtë agresion antiopozitar, z. Basha, Partisë Demokratike dhe të gjithë opozitës në tërësi i lind detyrimi jo vetëm të rezistojnë por të punojnë fort që fundin e kësaj beteje të mos e përcaktoj abuzimi i pushtetit.

Duke marrë si pikë referimi shkrimin e bërë nga “Mother Jones”, a ka diçka të vërtetë në atë shkrim, sipas jush? Po akuzat e Partisë Demokratike se shkrimi është i financuar nga Kryeministri Rama, qëndron?

Unë nuk kam ndonjë provë që ai shkrim është financuar nga Kryeministri i vendit. Kam provën që Kryeministri dhe Qeveria është angazhuar në një luftë dhe sulm antiopozitar në vend. Shkrimi është një investigim i një niveli “bulevardesk” që kryesisht është orientur në një sulm politik ndaj Presidentit të SHBA, Trump, e që përpiqet të krijojë lidhje midis kompanive lobuese në SHBA edhe me klientë rusë. Ajo që më intereson mua si qytetar i këtij vendi është fakti se Partia Demokratike që akuzohet si pro-ruse rezulton të jetë në fakt partia e themeluar dhe angazhuar mbi parimet dhe praktikat më euro-atlantiste që kanë egzistuar ndonjëherë në Shqipëri, z. Basha rezulton të jetë kryenegociatori diplomatik i antarësimit të Shqipërisë në NATO. Për ironi të fatit, akuzat vijnë nga ajo parti që u krijua, formësua dhe trashëgua si modeli më orthodox i sovjetizmit. Duket që nuk ka hequr ende dorë nga sjellja politike sipas po atij modeli.

Po për gjendjen aktuale të Partisë Demokratike, çfarë mund të thoni? Për lëvizjen e krijuar nga z. Patozi dhe z. Bode, keni një mendim? Ndërkohë ka edhe kritikë të tjerë brenda partisë, si z. Imami apo Znj. Topalli. Cila është fryma e duhur sipas jush, fryma e z. Basha dhe sugjerimet e tij, apo fryma e kritikëve të tij? Pra, cila do ndihmonte në të mirë të PD?

Partia Demokratike është sot në opozitë. Të qënit opozitë nuk është asnjëherë avantazhuese apo komode. Për më tepër që ajo u penalizua në formën më të pandershme gjatë zgjedhjeve të fundit pasi u godit nga segmentet më të pushtetshme të policisë së shtetit dhe bandat e krimit te organizuar. Besoj se mjaftoi rrahja e një zonje (komisionere e PD) në mes të Durrësit qe të terrorizohej cdo qytetar opozitar në atë qytet. Në lojë nuk ishin ulëset në Parlament por milionat e bisnesit të kanabisit. Kjo dhe disa rrethana të tjera lanë një traumë të rëndë tek Partia Demokratike pas atyre zgjedhjeve. Protesta e fundit ne Tiranë tregoj se PD ka rikuperuar shumë që nga ai moment, por padyshim ka shumë punë përpara. Debatet e brendëshme në kuptimin e parimeve demokratike janë krej normale por në kontekstin e luftës politike në Shqipëri, në raport me kulturën shoqërore që ne kemi por edhe interesat i individit padyshim që krijojnë lëndime, corjentim, lëkundje besimi brenda kampit opozitar. Natyrisht, askush nuk mund të gjykohet për zgjedhjen e vet politike. Ajo është një e drejtë individuale. Personat që ju përmendni janë kontributorë të rëndësishëm të politikës, PD dhe Shtetit Shqiptar. Unë besoj se kanë ende shumë mundësi të vijojnë kontributin për PD. Nga ana tjeter nuk besoj se krijimi i lëvizjeve apo partive të tjera politike e dëmton PD. Jo. Krijimi i partive politike është jo vetëm e drejtë e gjithkujt por dhe pasuri e pluralizmit. Partia Demokratike do të dëmtohej nëse vet ajo do të largohej nga parimet mbi të cilat është krijuar dhe ka funksionuar në këto 28 vite. Nëse ajo do të largohej nga kontakti dhe komunikimi me qytetarin. Nëse ajo do të atrofizonte trupën e vet organizative. Për sa kohë këto elementë do ti ruaj me fanatizëm dhe do ti pasuroj edhe më shumë jam i bindur se sëshpejti do të jetë përsëri partia e parë politike në vend.

Ç’mund të thoni për ngjarje të tilla në vend, siç është ngjarja e 28 shkurtit?

28 shkurti është ngulur si një gozhdë e ndryshkur në imazhin e Shqipërisë. Eshtë një tregues fatkeq se sa shumë është e rrezikuar Siguria jonë Kombëtare. Këto dhe të tjera do mund të kurohen ditën kur policia dhe prokuroria shqiptare do vendosin para ligjit garantuesit e këtij transaksioni të mafias ndërkombëtare, pritësit dhe përpunuesit e kassj sasie gjigande kokaine, shpërndarësit e saj. Kur të na tregojnë sekuestrimin e pasurive të vëna nga trafiku i kokainës dhe drogave të tjera. Nëse do dështojnë ta bëjnë këtë, do duhet një zgjidhje e thellë politike për të krijuar pastaj institucione efiçente të zbatimit të ligjit në mënyrë që Shqipëria të mos kthehet përfundimisht në bazën e mafias kolumbiane në Evropë.

Dhe së fundmi, në vlerësimin dhe pikëpamjen tuaj, drejt cilës rrugë po shkon Shqipëria?

Pëe fatin e keq të të gjithëve Shqipëria ka ngecur në një udhëkryq me disa enigma. Nuk ka asnjë prespektivë të qartë për një kthesë në standardin ekonomik të shqiptarëve. Ka afërsisht 5-6 vjet që nuk ka një rritje të pagave apo pensioneve. Përkundër kësaj në 5-6 vitet e fundit për shkak të inflacionit, rënies së investimeve, rënies së punësimit, rënies së qarkullimit të mallrave dhe financave, rritjes së taksave, etj., të ardhurat e shqiptarëve kanë rënë. Kjo ka rritur frikën dhe pasigurinë e jetesës për qytetarët. Ata kanë reaguar në këtë situatë me ikje masive në azil. Por ajo nuk është zgjidhja as për individin dhe as për vendin. Po të gjykosh aspektin “makro”, Shqipëria ëdhtë një vend anëtar i NATO-s, vend kandidat i BE që pret hapjen e negociatave, vend me pluralizëm politik dhe ekonomi tregu, vend me resurse të shumta ekonomike. Por në realitetin e jetes së përditëshme të qytetarëve këto avantazhe jo vetëm që nuk po i shërbejnë atyre por por dëmtohen pak nga pak nga një pakicë individësh të papërgjegjëshëm dhe zullumqarë. Kjo statujë e ngërcit, kaosit institucional dhe social, pasigurisë dhe frikës duhet ndryshuar me cdo kusht.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here