Përse politika po spostohet drejt ekstremiteteve

0
186

Brikena Bogdo

Tendenca politike kundër kastave, a po hap një epokë, apo histori të re? Italia sapo realizoi zgjedhjet e saj, por maxhoranca nuk shkoi për askënd në këto zgjedhje. Një verdikt i pastër për L5Y (Lëvizja 5 Yje), por feston edhe Lidhja e Veriut. Italianët votuan për dy ekstremet politike, ekstremi i majtë dhe ekstremi i djathtë.

Forcat, deri dje kryesore në Itali, po përpiqeshin ta mbështesnin mbijetesën, pikërisht në bashkimin e tyre, por pa rezultat. Ish forcat kryesore politike, qendra e majtë (Renzi) dhe qendra e djathtë (Berluskoni), kanë mbetur të pambështetur nga publiku italian. Krijimi i koalicionit të gjerë ishte një formë politike me të cilën arriti të  mbijetojë Gjermania, por në zgjedhjet e fundit, edhe Gjermania e pati tepër te veshtirë që ta realizonte, duke treguar që tashmë formacionet politike partiake të vjetra po përmbysen, apo e kanë mbijetesen tepër të vështirë.

Çfarë roli kanë luajtur ideologjitë e majta dhe të djathta në këto ndryshime?

Gjeografikisht vota e zgjedhjeve të fundit në Itali, tregoi përsëri ndarjen ideologjike midis veriut dhe jugut. Jugu i Italisë i cili gjithmonë ka patur një tendencë të majtë, ka ecur progresivisht më majtas, duke votuar Lëvizjen e 5 Yjeve, e konsideruar si ekstremi i majtë. Vota djathtas ka fituar kryesisht Veriun e Italisë. Por faktor ka qenë edhe sistemi maxhoritar, i cili ka favorizuar Grilinët e verdhë (ngjyra e L5Y). Kështu Italia, tashmë është e ndarë kryesisht në blu dhe të verdhë, për shkak të  përmbysjeve të thella të realitetit. Grilinët po përfitojnë edhe nga humbjet e ndarjet e vazhdueshme të qendrës së majtë renziane.

Edhe në Gjermani ekziston ndarja jug-veri, ku në zona më të zhvilluara votohet djathtas, në zona më pak të zhvilluara votohet majtas. Por vendet shumë të zhvilluara, si Gjermania i minimizojnë diferencat ideologjike.

A ekziston ende ideologji e majtë apo e djathtë? Trump, Soros, janë përfaqësues të dy ideologjive, apo thjesht titanë të rinj? Një gjë është e sigurt që Soros përfaqëson formën e re të socializmit, të së majtës, apo të internacionalizmit proletar, shpehur në një shoqëri pa kufij, dhe e implementuar me vërshimin e emigrantëve në të gjithë botën. Dy botët, Perëndimi dhe Lindja, të cilat ishin në një luftë të ftohtë prej 50 vitesh, pas rënies së Murit të Berlinit, janë vënë përballë, në forma të reja dominimi ideologjik.

Po dëgjojmë gjithmonë e më shpesh për ndikimin rus, i cili deri dje ishte përfaqësuesi i kampit të majtë, që është në mbështetje të forcave të djathta. U sulmua presidenti Trump për ndikim dhe mbështetje ruse për të ardhur në pushtet. Pas hedhjes së idesë që në Itali koalicioni i djathtë i ka numrat për të formuar qeverinë, menjëherë vjen reagimi i ashpër i Sorosit, i cili akuzon ndërhyrjen ruse, për arritjen e të djathtës italiane që të krijojë qeverinë.

Në Shqipëri jemi në një valë të nxehtë, ku e djathta po përgojohet për ndikim rus. Që Rusia, deri dje bolshevike, të jetë shndërruar në një shtet me tendenca të djathta dhe të ketë shumë interes, që të ndikojë në mbështetje të së djathtës, nuk po e shohim. Por, me shumë gjasa, edhe kjo do të rezultojë pjesë e “planit Soros”.

Përse kjo “JO” e madhe antikastë në Itali, por edhe në të gjithë Europën e Amerikën?

L5Y po fiton terren, çdo ditë, në Itali. Ata duan gjithçka, gjithmonë e më tepër. Për të arritur këtë përdorën “JO-në” e madhe. Sado e drejtë, JO-ja e madhe për gjithçka e gjithkënd, është një mohim, që ka çuar Italinë, por dhe vende të tjera europiane drejt ekstremiteteve. Në Itali, e majta ngjalli ndjenjën e frikës për ardhjen e fashizmit, ndërkohë që shkaktoi pikërisht të kundërtën, i hapi dyert ekstremit të majtë.

Analistët italianë, ende janë të shokuar nga një fitore e këtij niveli të Lëvizjes Pesë Yjet, as nuk kuptuan arsyet dhe, as nuk arritën të nuhasin ndonjë motiv të vlefshëm, pse arritën këtë sukses. Por, gjithsesi, kjo fitore e ka një emër. Është një inat, është një protestë, që ka sjellë këtë superfitore të grilinëve. Kur je i inatosur, askush nuk mund të të gjykojë, por edhe mund të bësh gabime fatale. Prandaj italianët po pyesin, si ka mundësi që fitoi inati grilin?

Publiku po spostohet për t’u pozicionuar drejt ekstremiteteve, si rrjedhojë e krizave ekonomike. Krizat ekonomike historikisht kanë gjeneruar kriza politike, duke spostuar publikun drejt ekstermiteteve politikë, si p.sh. në Luftën e Dytë Botërore, e cila erdhi pas krizës së vitit 1929. Fakti është që, Italia e kaloi shumë më thellë krizën ekonomike, e cila ende ndihet, duke kaluar në ekstremin e majtë, ashtu siç po konsiderohet lëvizja e grilinëve sot, me 32% të votave.

Por, sot, kjo tendencë e ekstremiteteve politike ka edhe një emër tjetër, “kriza e  emigrantëve”.

Kastat e vjetra në pushtet në të gjithë europën Itali, Gjermani, Francë, mbështetën politikat pro-emigratore, të kritikuara fort kryesisht nga ekstremi i djathtë. Por e veçanta e Italisë ishte që këto politika emigratore u kritikuan, si nga ekstremi i djathtë, po ashtu edhe nga ekstremi i majtë. Për rrjedhojë, mbas zgjedhjeve, të dyja ekstremet politike, i majtë dhe i djathtë festuan.

Kush fshihet mbas këtyre politikave emigratore? Nuk e kuptuan partitë kryesore në pushtet që po rrezikonin, pikërisht pushtetin e tyre duke mbështetur këto politika emigratore? Si u soll BE me ato shtete. që refuzuan kategorikisht politikat emigratore?

Nuk e menduan që ky inat popullor do të merrte përmasa gjigande, deri në largimin e tyre? Cila ishte kjo fuqi e jashtëzakonshme që po detyronte gati të gjitha shtetet e fuqishme europiane të ndiqnin këto politika? Kush është ideatori i këtyre politikave? Është pikërisht ky inat popullor që po e zgjidh enigmën. Ky inat popullor është kryesisht kundër politikavë të emigracionit të ligjshëm dhe të paligjshëm.

Në sipërfaqe po del një emër dhe një plan. Ai quhet “ plani  Soros”. Ndërhyrja e Sorosit për mbështetjen e emigrantëve ka qenë evidente në Itali, por edhe më gjerë në Europë.

Nuk duhet të harrojmë vizitën e Soros në Pallatin Chigi, për të takuar kryeministrin Gentiloni (përgjatë qeverisjes së të majtëve), pikërisht kur po shpërthente skandali i OJQ-ve dhe trafikut të emigrantëve. Më parë, kishte bërë një status mirëseardhje në FB, kreu i konsullatës amerikanë në Milano, “Mirësevini emigrantë në Itali”.

Soros, përmes organizatës së tij “Shoqëria e Hapur”, është një nga financuesit kryesor, të OJQ-ve, të lidhura me trafikun e emigrantëve, si ajo malteze MOAS, por edhe AVAAZ , një organizatë e madhe amerikane. Njihet edhe lidhja e tij me organizatën “Move-On”, një organizatë presioni që është shumë aktive në Amerikë, por edhe shumë e lidhur me emrin e Soros. Por, e gjithë strategjia sorosiane pro emigratore po dekonspirohet, por edhe po kundërshtohet. Të dy forcat eksterme fituese në Itali,  mund të quhen ndryshe forca anti emigratore.

Në takimin e vitit 2016 midis Soros dhe Edi Ramës në Ëashington, mund të jetë prekur edhe tema e emigracionit. Po përflitet që, OJQ të ndryshme, po planifikojnë, hapjen në jug, të rrugës ballkanike, përmes kufijve grek, maqedon dhe shqiptar. Kjo pasi, rruga afrikane, mori goditje nga marrëveshje e arritur midis Italisë dhe Libisë. Në fakt rruga ballkanike duhet të ishte mbyllur në vitin 2016. Por sipas Shërbimeve Informative Gjermane, kalimi i paligjshëm i emigrantëve vazhdon me përmasa të ndjeshme. Çdo muaj kalojnë rreth 15 mijë emigrantë të paligjshëm, në rrugën ballkanike.

Çfarë ka ndodhur me ato shtete që kanë kundërshtuar këto politika? Qeveria hungareze denoncon faktin se vende konservatore, si Polonia por, dhe vetë Hungaria, janë shndërruar në shënjestra nga BE-ja, pasi kanë ndërmarrë aksione kundërshtuese, ndaj të ashtuquajturit “plani Soros” për emigracionin masiv, të miratuar, nga krerët e BE, dhe që do të mundësonte, hyrjen e miliona emigrantëve, për t’u shpërndarë më pas, në vendet antare.

Arrin të ndryshojë ky inat popullor historinë politike?

Historikisht, krizat ekonomike, inatet popullore kanë ndryshuar historitë politike dhe kanë përmbysur sisteme. Është koha e një JO-je, të madhe, kundër gjithçkaje, por kryesisht kundër politikës hajdute. Në Itali, grilinët arritën të bënin  fajtorë parlamentarët dhe rrogat e tyre, për çdo dështim, varfëri, papunësi, fatkeqësi nëpër familje, e deri pasiguri, nëpër qytete. Por, sapo ndryshon ky inat popullor, historinë politike?

Megjithë fitoren e votës popullore grilinët nuk arrijnë të formojnë qeverinë. Është koalicioni i djathtë, Lega, pra ekstremi i djathtë, së bashku me qendrën e djathtë të Berluskonit dhe parti të tjera të djathta, të cilët e kanë më të mundshme krijimin e qeverisë, në Itali. Kjo tregon se,  realisht, formacionet politike ekstreme, thjesht po fitojnë terren, por ende nuk po përmbysin krejtësisht kastat politike. Fakti që përflitet për një bashkëqeverisje të mundshme midis Berluskonit dhe Legës, e tregon këtë fakt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here