Nga “shoqëria e njerëzve” në “shoqërinë e njeriut”

0
544

Gëzim Tushi

Ka ardhur momenti kur “plagët” sociale duhen interpretuar duke bërë diagnoza të sakta, analiza të thella dhe klasifikime të qëndrueshme. Në këtë kontekst mendoj se një sasi e konsiderueshme e konflikteve sociale që gëlojnë në shoqërinë tonë, vijnë nga këmbënguljet konservatore dhe paqartësitë konceptuale për të kuptuar kohën dhe imperativat e saj. Një nga të cilat dhe mbase më flagrantja është fakti që akoma nuk po e pranojmë dhe nuk po mësohemi me të vërtetën se sot janë të pamundura funksionimi i totaliteteve që kanë mbajtur në të kaluarën njerëzit në një unitet mekanik dhe lidhje të sforcuar totalizuese e supersociale.

Njeriu i kohës sonë është së pari “vetvetja” dhe pastaj është edhe qënie sociale. Në këtë kontekst mua më duket se është gjë e mirë dhe duhet përshëndetuar që njerëzit tanë kanë mundur të ecin duke modifikuar vetëdijën e dikurshme supersociale duke e përshtatur atë me kohën. Në fund të fundit kjo jetë ka nevojë për “rishikim” dhe modifikim të “kufijve” të mëparshëm të ekzistencës së raporteve midis njeriut dhe shoqërisë. Sepse kemi hyrë plotësisht në kornizat e shoqërisë liberale që ka vënë në qëndër individualitetin e njeriut konkret, unik dhe koherent së pari me veten dhe pastaj edhe me shoqërinë. Në këtë kontekst duhen parë me kujdes edhe shfaqjet e qëndrimeve dhe sjelljeve asocial dhe eksentrike të individëve të caktuar që duan të spekulojnë me kufijtë e lirisë.

Është be kotë këmbëngulja për të patur socialitete të totalizuara të ngjajshme me atë të shoqërisë shqiptare tradicionale, sepse është koha liberale e individualist që nuk i pranon “idetë totalizuese” dhe aq më pak përfytyrimin e strukturave të jetës sociale si “entitete të mbyllura”. Njerëzit janë të priruar jo aq nga strukturat që prodhojne unitete sociale të sforcuara që dëmtojnë identitetin e njeriut si individ i veçantë por nga mënyrat hibride të vendosjes së raporteve interpersonale dhe lidhjeve sociale. Por kjo jo në kuptimin anarkik, sikurse mendohet ndonjëherë duke e nëpërkëmbur sjelljen shoqërore të individit nga që mbivlerësohen veprimet irracionale dhe reaksionet e pakontrolluara individuaale.

Problemi është se koha kërkon që njerëzit tanë të mësohen me të natyrshmen e kësaj jete të ndryshuar dhe me atë që është normalisht e vetkuptueshme.Kriza sociale e shoqërisë moderne shqiptare tashmë është evidente. Janë disa probleme endemike më natyrë sociale, ekonomike dhe personale natyrsisht, që këtë krizë e bëjnë të turbullt për ta kuptuar dhe interpretuar, qoftë si realitet social imediat apo si paradigmë historike të rimodelimeve të strukturës sociale dhe morale të shoqërisë dhe sjelljes së njeriut tonë në përshtatje me të. Vetëm se një gjë është teorikisht fare evidente dhe tani edhe praktikisht e padyshimtë. Shoqëria shqiptare e kohës tonë, nga që është duke u modernizuar me shpejtësi ka krijuar probleme metafizike në konceptimin e ndryshuar të raportit njeri-shoqëri në mënyrë dhe me shpejtësi marramemdëse. Në thelb të vlerësimit të këtyre ndryshimeve duket qartë rezultantja historike e këtij “raporti ekzistencial”. Shoqëria jonë është duke marrë formë individualiste par excellence me një vrull të jashtëzakonshëm. Padyshim këto procese që po zhvillohen në shoqërinë tonë nuk janë gjithnjë të “disiplinuara”.

Nganjëherë prishja e raporteve tradiconale të shoqërisë me njeriun bëhen me intensitet të lartë dhe pse jo edhe në kushtet e një kaotizmi social konceptual dhe material. Ndoshta nga që mezi dolëm nga një shoqëri e korniuzuar sipas modelit komunist të “totalitetit social”, nga limitet dhe kufijtë e nje jete kazerme, pa hapësira për individualitet dhe intimitet personal, nga që sapo kemi dalë (vetëm dy dekada janë pak) nga bataku i ideologjisë së kolektivizmit, duket se njerëzit tanë janë bërë partizanë pa kushte të ideologjisë së individualizmit, që në të vërtetë konsiderohet dhe është esenca e modernitetit.

Mararmendja e njerëzve për shkak të ndryshimit të thellë të shoqërisë, të natyrës së njeriut dhe të marrëdhënieve midis tyre, është një fakt që shumë njerëzve nga që nuk e kuptojnë thelbin, sfidat dhe vështirësitë e këtij ndryshimi radikal, madje epokal, u duket paradoksal dhe jo shumë i shpjeguar fenomenet e reja që janë të natyrshme në procesin e kalimit të shoqërisë tonë, nga një shoqëri totalisht të kolektivizuar në shoqërinë e individualizuar si asnjëherë. Ky kalim ka sjellë shumë nga të mirat por dhe nga ndrallat e modernitetit në shoqërinë tonë, në të cilën ndeshemi me me reagime eksentrike, nganjëherë të paekulibruara të mentalitetit të shpërthimeve të ekzagjeruara, anormale me sens totalisht anti-social dhe kundër-kolektivist të “ideologjisë” dhe sjelljeve individualiste të frymëzuar nga psikologjia e sjelljes personaliste ose jo-kolektiviste të njerëzve.

Në shoqërinë tonë është bërë problem shqetësues prishja e raportit normal, të domosdoshëm për funksionimin e saj, midis dimensionit social të shoqërisë dhe natyrës individuale, midis psikologjisë personale dhe kolektive. Shumë sociologë të shoqërisë moderne janë të shqetësuar, që në shoqërinë e sotme për shkak të individualizmit ekstrem të jetës moderne,  po humbasin vlerën disa njësi të vogla sociale.

Në të vërtetë edhe ne kur analizojnë dhe interpretojnë dukuritë e përplasjes së individualitetit dhe shoqërisë tonë, së pari duhet të pranojmë se koha moderne ka krijuar kushte të reja, që këto raporte midis shoqërisë dhe njeriut, kolektivit dhe personit të jenë esencialisht të ndryshuara. Në të vërtetë duket se pas këtij realiteti të ri, tani në shoqërinë shqiptare në mënyrë empirike por shpesh edhe teorikisht është hapur problem që duhet diskutuar për ta kuptuar dhe interpretuar drejt raportin e shoqërisë me individin dhe për të zgjidhur problematikën e shumtë që ka sjellë ky ndryshim në marrëdhëniet dhe jetën e përditëshme.

Sepse në se do të abstragojmë nga elementët e tjera që determinojnë sistemet e ndryshme, do të kuptojmë se pikërisht masa dhe derjtimi i këtij raporti shoqëri individ përbën faktorin determinant përcaktues dhe ndarës të shoqërisë totalitare nga ajo demokratike. Sepse në se shoqëria jonë e së kaluarës kishte në plan të parë shoqërinë dhe interest e saj, shoqëria e re ka ndryshuar kahun dhe pozicionin e këtij raporti, duke vlerësuar në rradhë të parë njeriun si person, si individ dhe individualitet pastaj interest e mëdha publike të shoqërisë në tërësi.

Çështja është që njerëzit tanë duhet të kuptojmë se në shoqërinë demokratike nuk kemi ndarje me “thikë” të këtyre dy komponentëve ekzistencialë siç është shoqëria dhe individi, por kemi një rivendosje të ndryshuar të raportev, duke e ndryshuar modelin totalitar të sundimit të kolektivizmit social mbi intersat e njeriut, në një shoqëri që ka vënë në plan të parë individin e përveçëm, synimet e tij të personalizuara.

Këtë çështje të koncentruar në trajtë më filozofike dhe sociologjike e gjejmë të në debatin që është i hapur në ditët tona, në zgjidhjen e problemit të madh ekzistencial të raporteve të reja shoqëri individ. Me pak fjalë ajo që diskutohet sot është problem se si duhet të jetë raporti midis këtyre dy faktorëve, midis shoqërisë dhe individit. Do të pranojmë të ndërtojmë sipas parimit që modern është që të jetojmë në një shoqëri e cila të jetë në “lartësinë e njeriut” apo do vazhdojmë të ngulim këmbë në ideologjinë e kolektivizmit që kërkon  që të kemi njeriun në “lartësinë e shoqërisë”? Ky është debat i madh që kohët e fundit është ndezur edhe teorikisht në betejën socio-filozofike midis partizanëve të individualizmit dhe komunitarizmit.

Rëndësi ka që shoqëria jonë është në rrugën e duhur, të vlerësimit të veçantë të rolit të njeriut si qënie e përveçme, e cila nuk mund të përthithet dhe të absorbohet nga shoqëria. Ne na takon mbase jo sa të tjerët, që të përpunojmë idetë e reja që duhet të synojnë jo të konformojmë njeriun me imperativat dhe dimensionin e shoqërisë si totalitet i kulluar, por të punojmë për të thelluar përmasat e individualizmit të jetës modern. Sfida është ndërtimi i shoqërisë “sipas përmasave të njeriut”. Shoqëria shqiptare e ka kapërxyer tashmë “rubikonin” e narrativave të mëdha supersociale e totalizuese. Ajo nuk i duron ato.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here