Çmimet e banesave do të shkojnë në stratosferë

0

Ndërtimi është shndërruar jo pak herë në “mollën e sherrit” në arenën ekonomike dhe atë politike të Shqipërisë, siç po ndodh edhe së fundmi. Në vitet 2006-2008, ndërtimi do të mbante në këmbë ekonominë, duke qenë jo vetëm ndër sektorët me kontributin më të madh në GDP, por duke orientuar edhe investimet private: ato të biznesit dhe qytetarëve. Kërkesa në rritje për banesa, për shkak edhe të lëvizjeve të brendshme të popullsisë (nga zonat rurale drejt qyteteve të mëdha), si dhe dërgesat e mëdha të emigrantëve, që kapërcyen në këtë periudhë vlerën e 1 miliard eurove  u shoqëruan me leje të shumta ndërtimi dhe rrjedhimisht, edhe me valë ndërtimesh të reja në të gjithë Shqipërinë. Një sektor që po merrte zhvillim të vrullshëm, por që kishte probleme të mëdha, kryesisht me informalitetin.  Të gjithë e kujtojmë shprehjen që përdorej shpesh në ato vite “firmë ndërtimi me 1 punëtor”.

Por lulëzimi i ndërtimit do të zgjaste pak vite. Me nisjen e krizës financiare ndërkombëtar, ky sektor që mbahej në këmbë në një pjesë të mirë nga paratë e emigrantëve, do të prekej i pari. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në vitin 2010, pesha e ndërtimit në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar ishte negative, me -6.85%. Në vitin 2011, ky sektor do të merrte frymëmarrje të lehtë dhe do të kontribuonte me 2.82% në GDP. Vitet që do të pasonin, nga 2012-2014 do të ishin më të rëndat për ndërtimin, për shkak edhe moratoriumit që nxorri qeveria dhe që ndalonte ndërtimet.  “Ushqimi” i vetëm për firmat në këtë këto vite ishin investimet publike. Në vitin 2015, me heqjen e moratoriumit për lejet e ndërtimit, sektori filloi të gjenerohej dhe rrjedhimisht, edhe pesha e tij në ekonominë e vendit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në vitin 2015 ndërtimi kontribuoi me 6.64% në GDP dhe në vitin 2016 me 5.58%.

NDËRTIMI NË VITE KUNDREJT GDP

(Burimi: INSTAT)

Viti 2010                     – 6.85%

Viti 2011                     2.82%

Viti 2012                     -8.80%

Viti 2013                     -9.25%

Viti 2014                     -13.33%

Viti 2015                     6.64%

Viti 2016                     5.58%

Viti 2017 do të sihte edhe periudha “e artë” për këtë sektor, që vijon ende. Statistikat zyrtare flasin për rritje galopante të tij. Në tremujorin e parë 2017, kontributi i ndërtimit në rritjen ekonomike ishte 14.17%, në tremujorin e dytë 22.86% dhe në tremujorin e tretë 7.64%. Ndërkohë që në tremujorin e fundit pati një “boom” në dhënien e lejeve të ndërtimit, gjë që paralajmëron edhe një valë të re ndërtimesh në të gjithë vendin. “Në tremujorin e katërt 2017 janë miratuar gjithsej 211 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 147 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2016, duke shënuar një rritje prej 43.5 %. Gjatë vitit 2017, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është rreth 868.534 m2, nga rreth 380.141 m2 miratuar në vitin 2016, duke shënuar një rritje prej 128.5 %”, vlerëson INSTAT në raportin e fundit.

Debati për ndërtimin, për kullat që po ngrihen në Tiranë dhe për paratë që e financojnë këtë sektor është shndërruar tashmë në rend të ditës. Një debat që më shumë sesa ekonomik, po bëhet politik. Por përtej çdo dyshimi, një gjë është e sigurtë: çmimet në treg pritet të ndryshojnë. Ndërtuesit parlajmërojnë për shifra të çmendura të metrit katror!

Lini nje pergjigje