“Rilindja produksion” prezanton: “Të pangopurit”, filmi serial që po thyen çdo parashikim

0

Nga Gëzim Saliu

Nën regjinë dhe skenarin e kryeministrit, me aktorët-ministra dhe me pjesëmarrjen e “jashtëzakonshme” të oligarkëve që rrethojnë qeverinë, në Shqipërinë tonë të dashur prej 5 vitesh është vënë në jetë filmi serial: “Të pangopurit”.

Ky serial që po arrin rekorde audience (kupto njerëzit e nënshtruar nga varfëria e mjerimi) ka një rezultat që nga viti në viti sa vjen edhe më shumë përforcohet: fakti i shtimit të masës së “pangopësisë” tek producentët e aktorët e filmit. E nisën në 2013-ën me shëndetësi falas e përfunduan tek Chek-Up-et qindra milionëshe në favor të PPP-ve. E vazhduan me premtimin e punësimit të 300 mijë shqiptarëve dhe arritën në 2015-ën në rekordin e eksodit të shqiptarëve, aq sa shumëkujt ju kthye në mendje, vitet ’90. E pastaj rendën të flisnin me krenari për “rend e siguri si kurrë më parë” dhe “polici që duam”, por përfunduan tek hashashizimi i Shqipërisë dhe kthimi i vendit në kultivuesin e trafikuesin kryesor të drogës në Evropë. E kështu me rradhë, episodet e serialit mbushën përditë jetën e shqiptarëve për 4 vite me rradhë.

Azilante

Ndërkaq ajo që vihet re në këtë sezon të dytë është se seriali po korr sukses të reja, madje edhe më fitimprurëse se ato të katër viteve më parë. Në këtë sezon të serialit, vlen të ndalemi tek tri çështje kryesore që prekin më së shumti jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Dhe dy nga këto pika, prekin taksimin, i cili duket se është “tema kryesore” e serialit qeveritar. Në parantezë vlen të theksohet se aksioma sipas së cilës : “shteti mbahet nga taksat” padyshim që nuk bie aspak në kundërshti me arsyetimin e mëposhtëm të shkrimit. Madje edhe në këtë pikë duhet të ndalemi, pasi së fundmi sipas opozitës dhe jo vetëm, duket se shteti ynë, nuk po mbahet as nga taksat, as nga turizmi e as nga remitancat , por më së shumti nga kriminalizimi i ekonomisë. Por ky më pas është një diskutim shumë i gjerë dhë nuk është temë e këtij shkrimi.

Së pari flasim për taksimin e biznesit të vogël, ku me vendim të qeverisë u vendos që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të shtrihet edhe tek 10 mijë biznese të tilla, të cilat kanë xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë. Edhe pse më parë pa këtë taksë, bizneset e vogla kishin vuajtur nga politikat qeveritare, ky vendim i fundit duket se ishte goditja finale ndaj mijërave familjeve. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pranoi në muajin shkurt se shtrirja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe tek biznesi i vogël ka shkaktuar pezullimin dhe mbylljen e shumë bizneseve. Pra kur e pranon edhe vetë qeveria, atëherë kjo masë e “të pangopurve” jo vetëm që nuk po jep rezultatet e duhura por po sjell pasoja të parikuperueshme për biznesin e si pasojë tek mijëra familje shqiptare.

Së dyti, tek sezoni i II i serialit qeveritar vlen të theksohet skema e re e ndihmës ekonomike, e cila sipas përllogaritjeve të ekspertëve ka përjashtuar padrejtësisht thuajse 15 mijë familje. Pse qeveria duhej që pangopësinë e saj ta përcillte edhe tek ato që janë shtresa më e pamundur e qeverisë? Pse seriali qeveritar duhej ta shtrinte skenarin e tij edhe tek nevojtarët? A është e drejtë që pangopësia të shkojë deri këtu? E megjithatë në këtë diskutim vlen të nënvizohet një ndër arsyetimet qeveritare për skemën e re, i cili ka të bëjë me përfitues të padrejtë të kësaj skeme, arsyetim që në disa raste qëndron. Por kjo nuk nënkupton që 10,100 apo 500 raste po të doni, të padrejta të ndihmës ekonomike të dhëna më parë nga qeveria e kaluar të vlejnë si arsyetim për të futur në xhepat e pushtetarëve ato lekë që i takonin me të drejtë pjesës tjetër, e cila nuk përfshin as 100 e as 500 persona, po më së paku 15 mijë të tillë.

Dhe së treti, si qershia mbi torte, qëndron taksa mbi pronën. Kështu nga ky muaj sipas vendimit qeveritar, çdo individ që ka në pronësi shtëpi ose biznes do të paguajë taksën mbi pronën ku formula e re parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët do të jetë 0.05% e vlerës së banesës. Pra nëse një shtëpi ka një vlerë prej 10 milionë lekësh, qytetari duhet të paguajë në muaj 500 lekë. Edhe në këtë pikë vlen sërish diskutimi mbi taksën. Padyshim që taksat janë të nevojshme e si të tilla aplikohen nga çdo qeveri, por ajo që dallon në Shqipëri është fakti se këto taksa sa vijnë e rëndojnë xhepin e qytëtarëve, ndërkohë që reformat apo nismat e qeverisë për të rritur punësimin e luftuar varfërinë janë thuajse pranë zeros.

Por nga sa më sipër , duket se ende nuk kemi parë asgjë akoma. Në vazhdimësi siç bëjnë të ditur nga studio e produksionit “Rama & Co”, pritet që në serialin më të ndjekur në Shqipëri,  të ketë të tjera supriza. “ Të pangopurit” do ju mahnisë, qëndroni pranë ekranit të jetës reale, na ndiqni!

To be continued…

© Standard.al

Lini nje pergjigje