Nga djuizimi dhe konstruktivizmi tek deformimi i arsimit kombëtar

0
230

Dr. Ndriçim Mehmeti

Na ishte një kohë jo shumë larg kur barbarët mbërritën dhe shqyen dyert e Ministrisë së Arsimit që përndryshe rilindasit e shek. XIX, i thonin  Ministria e Diturisë. Si pjesë të skalionit të parë u thirr në detyrë gjenrali, dikur hypur mbi tank, që të vinte e sillte “din arsimin kombëtar”. Ishte një rast i shumëpritur që e kishte pritur plot 8 vite e ca më shumë, i etur për hakmarrje. Plot pompozitet ngjiti shkallët e institucionit, hartoi platformën e shkatërrimit të arsimit, tabela performance ngjyrë mavi e mbante mbledhje pas mbledhjesh, të gjitha me të njëjtin motiv: Të shfarosim çdo shfaqje të huaj, çdo mendim dhe njerëzit që kishin punuar për shtetin deri në atë kohë. Tani e tuje atij ju la dorë të lirë, të vepronte si ja kishte qejfi. Për të çoroditur miletin e për të shirë sipas ënda, hodhi në tregun mediatik, duke trumbetuar se “botën akademike” të mësuesve fakirë e kishte me vete, filozofinë “krejt autentike”:

Të zhvillojmë arsimin në gjurmën e djuzimit dhe konstruktivizmit

Kush e dëgjoi shqeu sytë, të tjerët që ja dinin huqet dhe kapacitetin e dinin fare mirë, që diku e kishte haur në internet, e tani e shiste si zbulim të madh. Platforma filozofike e sipërpërmendur,  kishte synime vërtet interesante dhe mjaft “ambicioze”. Për ta bërë më konkrete për plebën, për ta shkoqitur më mirë platformën, si i thonë fjalës, të mbështetur mbi djuizmit dhe konstruktivizmin brenda një kohe të shkurtër vetë gjenerali, zgjodhi të botoj librin e tij, mjaft largpamës. Kopjet e para u shitën sa hap e mbyll sytë. Gati në kufijtë e një bestselleri, 44 mijë kopje që përkojnë me numrin e punonjësve arsimorë në Shqipëri me 1100 lek = 48400000 lek të reja. Meqenëse suksesi i parë u arrit, “të eturit e arsimit”, mësues e edukatorë e të gjithë, mezi prisnin edhe diçka tjetër, fap doli libri i dytë, me të njëjtin çmim e me të njëjtat fitime. Pra synimi i parë i platformës dhe ardhjes furishëm në Ministrinë e Arsimit sapo ishte realizuar: Një thes me para, pa taksa, pa tatime, të padeklaruara askund, por për të “mirë” të arsimit ishin fituar prej gjeneralit. Në muajt e parë të mbërritjes së tij, gjenerali kryesoi ndërmor operacionin e suksesshëm : “Të zhdukim nga rrënjët çdo qelizë të arsimit vendor që na la qeveria reaksionare e mëparshme”. Edhe në këtë rast gojët e mira thonë që gjenerali merrte ndonjë bakshish të vogël, për të mbuluar shpenzimet e ditës dhe cigaret nga 500 deri në 1 mijë euro. Të parat i merrte në këmbim të dorëheqjes pa pasoja të drejtuesve “mizerabël”, duke treguar shpirtmadhësi, të dytat, për të thënë ndonjë fjalë të mirë tek shefja e madhe, për ata të cilët donin të ndërmerrnin “barrën e rëndë” të drejtimit të arsimit në rrethe. Madje gojët e mira shkojnë edhe më larg, kur kanë parë me sy e dëgjuar me veshë, kur gjenerali me shpirtmadhësinë e tij pranonte edhe shërbime në natyrë, duke kaluar natën apo mbrëmjen nën shoqërinë e eskortave  të rangut mesatar. Por gjithsesi platforma djuisto-konstruktiviste u shtri edhe më tej me “arritje” edhe më të mëdha. Një sërë reformash, shumica e të cilave as që nuk filluan pale më të përfundonin u ndërmorën njëherësh. Tekste unike, trajnim  i mësuesve pa arsim përkatës, digjitalizimi, autonomia e financiare e shkollës, forcimi i shërbimit psiko-social etj, etj, e tjera. Ndërkaq të tjera reforma u përshtatën për klientë e shefit të shefave, mësuesit të vizatimit pa arsim përkatës. U caktuan shtëpitë fituese të teksteve, pavarësisht se tek-tuk u la në këmbë ndonjë e hajrit sa për të prishur syrin e keq, u ndanë parcelat se kush do të shite, matematikën, kiminë, letërsinë e kështu me radhë. Edhe në këtë rast, gjenerali e leu jo vetëm gishtin, por e futi krahun mirë në thes, duke nxjerrë prej tij jo lepujt e prestigjatorit por topat me euro që i numëronte me shumë kujdes mbrëmjeve nën shoqërinë e cigares së hollë. Ishte krejtësisht i papërtuar për mëngjese e drekra të këtij lloji, pasi aty i lindnin ide gjeniale të padëgjuara ndonjëherë. Shkonte në ministri edhe në mes të natës, që të hidhte në letër gjithçka që mendonte si reformë e të nesërmen ja thoshte shefes që domosdo s’ia bënte fjalën dysh. Mirëpo nuk e mendoi se një ditë maji do t’i trazonte shumë terezinë. Se nga u shpik një qeveri teknike e la me gisht në gojë në kulimin e prodhimtarisë. Ulëriti e bërtiti, u gëlltit e harxhoi paketa pa fund, shkroi letra pas letrash, ankesa pa përtim, harxhoi orë të tëra, në atë të nxehtë të madh vere, në dyert e barit luksoz të Ministrisë.  Po aha, koha e tij kishte përfunduar. Por që t’i japim gjeneralit atë që i takon gjeneralit dhe ministrisë atë që meriton, kjo e fundit e vijoi  trashëgiminë e lënë nga gjenerali pa shkëlqim.

Ministria mendoi se erdhi koha e zbatimit të hapit të fundit të platformës së djuisto-konstruktiviste: Deformimi me rrënjë e degë i arsimit kombëtar shqiptar

Si hap i parë drejt këtij qëllimi final ishte sjellja e teksteve nga Anglia të hartuar për Madagaskarin, Sri-Lankën dhe ishujt Makao. Nga këto tekste u kalua tek trajnimi që u la në dorë të shumicës që i kishin edhe më parë por me një ndryshim të madh, llokmat e mëdha të moduleve i merrnin klientët qeveritar të pazot në këtë fushë, ndërsa të specializuarit në këtë drejtim, merrnin thërrimet që mbeteshin nga ndarja e tortës. Pastaj erdhi dhe u vendos rrënimi i pozitës së arsimtarit si kurrë më parë. Themelet i kishte hedhur gjenerali. Në trurin e tij të “famshëm”, ai i kishte bërë mësuesit leckë, “pa arsim përkatës dhjetar prej tyre, drejtues injorantë” kështu i ulte e i ngrinte pa u skuqur e  zverdhur prej gënjeshtrës së tij, nga mëngjesi në darkë. Mësuesit u lanë me rroga të mjerueshme, që gjithnjë u dilte nga një kleçkë administrative dhe merren vetëm nga mesi i muajit, pa shpërblim, pa nder e dinjitet e pa kurrfarë respekti nga drejtuesit e arsimit, e pale më nga nxënësit. Pastaj menduan që të afroheshim sa më afër modelit të Irlandës, ShBA-së, Hungarisë, Greqisë, Letonisë, Kanadasë e Estonisë. Shpallën reformën e orëve blloki, 3 lëndë në 6 orë. Gjenerali u emocionua aq shumë nga kjo reformë saqë u bë u gjallë e shkroi kaq bukur për reformën 6 lëndë në 3 orë. Nën frymën që e la trashëgimi gjenerali të destruktivizmit, u hodh në treg reforma “bëjmë detyrat e shtëpisë në klasë”, ndërkohë që bota e qytetëruar i ka hequr fare. Por kemi edhe një reformë të rëndësishëm: Të hamë drekë me lekët tona në shkollë, ose të ushqehemi me ushqimet që vihen përtokë në shkollën që ndodhet vetëm pak metra larg ministrisë. Në respekt të së vërtetës, për të gjitha këto nuk është faji vetëm i gjeneralit por edhe i racës së pashkolluar, e pa kultivuar qeveritare që e dëgjoi dhe zbatoi pa hezitim platformën e deformimit të arsimit kombëtar. Por kjo gjë nuk bën përshtypje, ndër njerëzit pa ndërgjegje dhe arsye. Tani jemi përpara faktit të kryer që natyrisht duhet ta evidentojmë me forcë. Unë i pari them se kjo gjendje nuk mund të durohet. Prandaj duhet të mendojmë sa më shpejt çfarë duhet bërë, për të dalë nga ky batak ku jemi zhytur kokë e këmbë?

Tani nuk bën më fajde as edhe një tryezë në lidhje me gjendjen ku është katandisur arsimi. Ka një rrugëzgjidhje të vështirë e të guximshme: Shkulja me rrënjë e kësaj race qeverisëse dhe servilëve që vetëquhen gjeneralë, të cilët janë hapur si krisja në arrë me rrënjë e degë. E ndoshta më pas mund të ulemi e të flasim të qetë për atë që i nevojitet arsimit tonë kombëtar.

Sot është vonë, nesër nuk bën më fajde.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here