Lluksi i familjes Gjiknuri, apartamente 300.000 eurshe dhe udhëtime egzotike në Mauritius…

0

Pak kohë më parë, gazetarët e Portalit – Tpz.al zbuluan një hije skandali me deklarimin e të ardhurave të familjes pasanike të Damian Gjiknurit. Padyshim një nga ministrat më të rrezikuar nga SPAK-u, që fillon sëshpejti punë.
Sipas Tpz.al, Ministri i Energjisë, Industrisë dhe Transporteve, Damian Gjiknuri, ka rritur ndjeshëm të ardhurat dhe shpenzimet gjatë dy viteve të fundit, 2016-2017.
Gjiknuri & co, është e njohur për pasionin familjar të udhëtimeve të shtrenjta, në vende egzotike, duke filluar nga Santa Quaranta (ku edhe ka mjaft detaje që do të zbulohen) e deri në Ishujt Mauritius, ku më e pakta shpenzohet 1.000 euro nata, pa llogaritur udhëtimin dhe harxhimet extra.
Opozita e ka vënë prej kohësh në qendër të denoncimeve të saja, babëzinë e rrallë të Gjiknurit, që sipas Opozitës, është ministri më i korruptuar i kabinetit Rama, madje edhe vetë kryeministri, e ka shprehur disa herë në ambiente të mbyllura, sikletin jo te vogël që ka, nga rekordet e babëzisë që ka ai.
Nga një hulumtim të bërë nga Tpz.al, Gjiknuri e ka nisur karrierën e tij politike, me të ardhura modeste, ku përfitonte pagën si deputet dhe rrogën që merrte bashkëshortja e tij, Rovena Gjiknuri, si drejtuese e një Departamenti në Top Channel. Tpz.al mëson se Rovena (Agolli) Gjiknuri ka qënë arkitekte e Shtëpisë së “Big Brother”, pothuajse në çdo sezon.
Përpara se sa të rekrutohej nga Rama, thuhet se Gjiknuri, si ish punonjës i Shik, ka patur aty, një karierë të “shkëlqyer” dhe mbresëlënëse, ku dhe janë shënuar edhe aty rekorde të papara, që lidhen sigurisht me detyrën përkatëse.
Nga deklaratat e pasurisë, familja Gjiknuri, nuk i kalonin 40 milionë lekë (të vjetra) të ardhura në një vit. Pavarësisht manovrave, duke marrë hua nga bashkëshortja, apo duke deklaruar të ardhura nga punët private, përgjatë viteve 2012-2015, familja Gjiknuri i kishte shifrat e të ardhurave apo shpenzimeve, në nivele deri diku normale.
Rovena Gjiknuri, shënoi një rritje të lehtë të aktivitetit të saj privat, deri në 17 milion lekë (të vjetra), përveç pagës që merrte si arkitekte e “Big Brother” në Top Channel. Brenda tre viteve, 2012-2015, familja Gjiknuri, me të ardhurat e siguruara, arritën të shlyejnë pjesërisht kreditë që kishin marrë për një banesë me vlerë 50 milion lekësh si dhe kredinë për një makinë në vlerën e 18 200 euro.
Viti 2015 dhe 2016, mund të cilësohen si të “artë” për Ministrin e Energjisë dhe bashkëshorten e tij. Kjo e fundit pasi shet makinën me një çmim prej 15 mijë eurosh, blen një Mercedes Benz në shkurt 2015 me një vlerë prej 44 000 euro. Për blerjen e kësaj makine, Rovena Gjiknuri ka marrë një kredi pranë një banke të nivelit të dytë.
Ndërkohë në 2016, familja Gjiknuri kryen porosinë për blerjen e një apartamenti me vlerë tepër të lartë, 271 450 euro, për të cilin është paguar kësti i parë 100 000 euro me kredi. Ndërkohë mbetet e paqartë, sesi Ministri Gjiknuri, do të shlyejë edhe pjesën e mbetur prej 171 450 eurosh për blerjen e shtëpisë luksoze.
Ajo që bie në sy, është 3-fishimi i të ardhurave të Rovena Gjiknurit, krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2016, ajo deklaron 6 231 627 lekë, nga punët private si arkitekte.
Por pavarësisht rritjes të së ardhurave, kurrësesi nuk mund të justifikohen blerja me kredi e një apartamenti super të shtrenjtë si dhe një makine luksoze. Po t’i shtosh këtu edhe kredinë e pashlyer të banesës së parë (rreth 26 milion lekë të vjetra), rezulton se familja Gjiknuri është e zhytur në luks dhe borxhe.

Megjithatë, këto manovra me kredi për të mos blerë me para kesh në dorë, janë të njohura nga politikanët shqiptarë. Nëse do të ishte një qytetar me të njëjtat të ardhura si familja Gjiknuri, kurrësesi nuk mund të ketë këto asete, dhe asnjë lehtësi nga bankat e nivelit të dytë për të marrë 3 kredi të majme.

Lini nje pergjigje