IGJEUM: Edhe sot vijojnë reshjet/Pritet shtimi i prurjeve në lumenj

0

Instituti i Gjeoshkencës Ujërave dhe Mjedisit, sipas përllogaritjeve të bëra, paralajmëron se prurjet në lumenjtë Drin, Buna dhe Liqenin e Shkodrës pritet të rriten. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të rëna në pjesët malore të basenit. Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin.

Nga llogaritjet hidrologjike të ketij Instituti, në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, do të vazhdojë zgjerimi i hartës së përmbytjeve. Prurjet më të larta janë llogaritur të arrihen gjate dites se sotme. Për arsye të rritjes së rrezikut nga përmbytja është vendosur shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës . Kurse  në pjesën tjetër të territorit nuk parashikohet rrezik nga përmbytjet.

Sot pasdite në shumicën e qarqeve pritet të ketë reshje, në përgjithësi, të dobëta. Vetëm në zona të kufizuara mund të ketë reshje intensive me kohëzgjatje të shkurtër, kryesisht në qarqet Tiranë dhe Elbasan. Ndersa nesër nuk priten reshje.

Lini nje pergjigje