Lufta me njeriun “bishë” me gjak të ftohtë

0
327

Qytetari, shteti dhe policia për të mposhtur krimin si “çmenduri shoqërore”

Gëzim Tushi 

Rastet e shumta, të shumëfishta dhe të shumëllojshme të krimit me të cilat po përballet shoqëria jonë kohët e fundit, të lejojnë pa frikë të nxjerrësh konkluzionin sociologjik, se këto përmasa e kanë “banalizuar” këtë të keqe sociale, e cila në mënyrë absolute është duke e kaluar “kufirin e së keqes” që ekziston në shoqëritë normale. Ndodhemi përballë një paradoksi të fortë social, të konfrontuar përditë me njërëz të “animalizuar”, që nuk kanë aftësi të kontrollojnë instiktet kriminale, që kanë humbur treguesit më elementarë të humanitetit. Ti themi të vërtetat tona ashtu si janë, edhe pse mund të përbëjnë objekt për të ndjerë “turp social”. Fakti është që përditë po shtohen njërëzit që bëjnë krime me “gjak të ftohtë”, që vrasin gruan, nënën, babën, vajzën, birin, shokun e shkollës, fqinjin, njeriun rastësor, etj.

Gjithë problemi social dhe preokupimi shtetëror tashmë është fare i qartë dhe imperativ: çfarë duhet bërë dhe si duhet të veprojmë për të parandaluar situatat që nxitin dhe prodhojne kriminalitet në shoqërinë shqiptare? Si duhet vepruar për të frenuar këta njerëz që janë të implikuar me krimin social dhe shfaqin “pasione shtazore”? Tejet i frikshëm është bërë një lloj “ambientimi” dhe adoptimi social me situatat dhe rastet e krimit në shoqëri, e cila po tenton të krijojë një kundërkulturë banale që kërkon të na pengojë të bëjmë dallimin midis normales dhe patologjikes dhe të mbajmë qëndrimet e duhura adekuate ndaj tyre. Qëllimi i “antantës kriminale” në shoqërinë tonë është fare i qartë. Krimi dhe pasuesit e shumtë të tij e kanë të qartë “strategjinë e tyre”. Ata po e sulmojnë individin qytetar dhe shoqërinë me synimin e tyre përfundimtar që ta bëjnë shoqërinë tonë anemike përballë sulmit të krimit, të atrofizuar, indiferente, konformiste deri sa të mësohemi dhe të adoptohemi me zgjerimin e së keqes sociale. Kufiri së keqes në shoqëri, synon të krijojë një lloj “pafuqie” të reagimit ndaj krimit dhe ligësisë sociale që buron prej tij.

Kjo strategji është e frikshme, paralizuese sepse krimi po tenton të forcohet, të “bëjë ligjin” mbi njeriun e ndershëm, human dhe shoqërinë në tërësi duke tentuar të trembë qytetarin ta bëjë atë indiferent, konformist dhe me logjikën e mos kundërshtimit të situatave kriminale dhe “kriminelëve nominalë”, duke diktuar një ndjenjë fataliste dhe një qytetar që të pranojë pa kundërshtuar jetën e kërcënuar nga rreziqet e krimit ordiner. Të cilat qytetarit të zakonshëm duhet t’i duken “normale” dhe për të cilat nuk duhet të shqetësohet “më shumë se duhet”.  Duhet ta pranojmë hapur që tani ndodhemi në një situatë të ballafaqimit të forte, konfrontimit të hapur midis qytetarit normal dhe antishoqërores. Si rezultat jeta sociale dhe individuale kohët e fundit janë bërë tejet të shqetësuara. Sinqerisht kur analizon rastet e krimit në Shqipëri, format e përbindshme dhe tipologjitë atipike të shumë rasteve të situatave të zgjeruara kriminale në familje, shkollë e ambiente publike, pa e tepëruar të krijohet ideja se në mes tonë po shfaqen qënie të përçudnuara, që tregojnë se si disa njerëz edhe pse jetojnë në suazën e shoqërisë janë duke u metaformizuar në një lloj të veçantë të “njeriut kafshë”.

Realisht shoqëria po përballet me shumë patologji sociale dhe probleme të ndërlikuara të natyrave të ndryshme. Një pjesë janë të kuptueshme, kanë shkaqe e arsye historike e aktuiale, kulturore e morale që të ekzistojnë. Por këto përmasa të krimit, kjo epidemi patologjike e agresivitetit social është e pajustifikuar, e pamendueshme, e pa argumentueshme sido që ta trajtosh. Sepse niveli i krimit në shoqërinë tonë nuk është më patologji periferike, veprim eksentrik i disa qënieve të paekuilibruara. Krimi në këto nivele është në prag të vlerësimit si një lloji të veçantë të “çmendurisë sociale”. Të gjithë qytetarët normalë janë të shqetësuar “ekzistencialisht”, nga që rreziqet e krimit janë në nivele të larta. Që realisht duhet të jenë shumë shqetësuese për shtetin, shoqërinë dhe qytetarin. Megjithë përpjekjet e bëra, duket se rezultatet në luftën kundër tij, nuk janë në përpjestim të drejtë me luftën e organizuar nga shteti, policia dhe gjyqësori, për të bërë “zap” këtë të keqe sociale, tejet shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Po përse është ende i ulët efektiviteti i luftës kundër krimit në Shqipëri? Cilat janë shkaqet që kjo dukuri vazhdon të ketë tregues të lartë e shqetësues?

Sipas mendimit tim, në luftën kundër krimit ka një “coptim” të faktorëve që e bëjnë këtë luftë komplekse, sistematike, të organizuar, të sukseshme. Sepse në shoqërinë tonë ka zënë vend koncepti i deformuar, i njëanshëm për luftën me krimin. Nuk ka nevojë fare për sondazh, sepse është e vërtetuar me të gjithë mënyrat e testimit të opinionit, që tani ka një koncept semplist për krimin dhe nevojën e luftës së vendosur kundër tij, duke e konsideruar atë detyrë eksplicite vetëm të shtetit dhe policisë. Në se do vazhdojmë t’i biem kësaj kësaj “këmbane” dhe nuk do të ndryshojmë mentalitetin semplist, krimi në Shqipëri do të mbesë në nivele përsëri kritike.  Është një mentalitet social i “fiksuar”, që e konsideron luftën me krimin detyrë vetëm të shtetit.  Ky mendim është shumë publik, sepse sa herë flitet për krimin në të gjithë diapazonin dhe tipologjinë e tij të larmishme, mendja e shumicës së qytetarëve shkon tek përgjegjësia e policisë, si institucioni që ekskluzivisht është e detyruar të përballet ligjërisht me krimin. Ky qëndrim semplist, i masivizuar është bërë me shtrirje sociale dominante. Kjo do të thotë se mentaliteti që bën obligues për përballjen me krimin vetëm shtetin, nuk është vetëm problem i shfaqies së një koncepti të thjeshtë, të kufizuar social. Realisht kemi të bëjmë më një sindromë sociale gati kolektive, e cila është shprehje e dukshme e një mënyre të deformuar të perceptuari të krimit, me të cilin ne si qytetarë mendojmë vetëm për përgjegjësinë e shtetit. Padyshim, shteti ka “pjesën e luanit” dhe duhet ta bëjë më mirë, më qartë dhe më me vendosmëri ligjore.

Por në se fenomenin e shikojmë më gjërë nga pikpamja sociologjike, në se shikojmë përtej dukjes, thelbin e luftës sonë me krimin, duhet të pranojmë se ka ca arsye të tjera që kemi rezultate të ulta. Kjo do të thotë që lufta për mposhtjen e krimit, duhet kërkuar në një optikë sociale më të gjërë. Në se do vazhdojmë të kemi “vendosje të deformuar” të faktorëve dhe aktorëve të tjerë, të cilët në komplementaritet me shtetin kanë kapacitete dhe detyrë, të ndikojnë në uljen e intensitetit të kurbës  së krimit, atëherë nuk mund të kemi rezultate  pozitivisht progresive të veprimit të sukseshëm e të organizuar anti-kriminal. Por me sa duket, megjithë përmirësimet e dukshme të punës së policisë si strukturë e specializuar në luftën kundër krimit, dhe ndihmës së cmuar të medias, si pjesë e reagimit të shoqërisë civile, duket se efektiviteti social i “luftës” është ende jo aty ku duhet. Megjithë reformat në polici dhe drejtësi, ndërhyrjet strukturore, organizative dhe bashkëpunuese, ajo që çalon, që zbeh efektivitetin e luftës kundër tij, është “indiferentizmi qytetar”. Pa këtë komponent të reagimit, solidaritetit dhe informimit qytetar, si element esencial i treguesve të qytetarisë, lufta kundër krimit do të jetë “luftë në gjunjë”. Sado e mirë të jetë policia dhe politikat e saj anti-krim, sado të kualifikuar të jetë trupa e policisë dhe kapacitetet profesionale të saj, efikasiteti i luftës gjithnjë do të jetë i ulët, në se shoqëria jonë nuk kapërxen plagën e agravuar të indiferentizmit qytetar.

Ne ende kemi sindromën e mentalitetit komunist, që qytetari që denoncon krimin dhe ndihmon në identifikimin e kriminelit, quhet “spiun”. Natyrisht, në shoqërinë shqiptare është kapërxyer mentaliteti i konformizmit dhe spiunimit sipas me logjikës totalitare, që i katandisi qytetarët në instrument të bindur të pushtetit. Tashmë nuk ka më kushte të denoncimit të të gjithëve kundër të gjithëve, por duhet të ketë reagim të fuqishëm pozitiv, ndaj kujtdo që shkel ligjet e qytetërimit. Indiferentizmi si mentalitet antiqytetar dhe kundër-qytetërues. As në shkollë, as në familje, nuk po përpiqemi të kultivojmë mentalitetin modern qytetar, se krimi nuk është veprim që cënon autoritetin e policisë, por veprim që dëmton realitetin social, sfondin qytetar të shoqërisë në tërësi. Reagimi dhe informimi qytetar për kriminelët, keqbërësit, prishësit e rendit publik, hajdutët, trafikantët, nuk janë thjesht të dobishme për “policinë si polici”, por për ne, për qytetarët, jetën tonë të përditshme. Në asnjë vend të botës, sado të jetë numuri i efektivave policore, nuk është e mundur që policia të jetë në cdo rast aty ku ndodh krimi. Media dhe qytetarët janë aleatët më të ngushtë të policisë në luftën kundër krimit. Kjo aleancë në vendet e qytetëruara e ka treguar efektivitetin në luftën kundër të gjithë llojeve të krimeve, që nga ai ordiner deri tek krimi i organizuar.

Bashkëpunimi i policisë me median dhe qytetarët, është ndoshta ajo “strategji” që duhet përpunuar në shoqërinë tonë. Natyrisht këtë organizim nuk e bën vetëm policia, pa frymën e konsensusit qytetar. Ky është një aksion që duhet programuar kudo, në familje, në shkollë dhe komunitet, për të kultivuar tek të rinjtë, ndjenjën dhe detyrën qytetare për të qënë aleatë të shtetit në luftën për të përballuar krimin e cdo ngjyre qoftë. Koha kërkon që shoqëria dhe qytetarët tanë të dalin nga pozita pasive, komode, e kërkesës së llogarisë për përgjegjësinë e shtetit dhe të policisë për të mposhtur krimin në shoqërinë tone. Padyshim, qytetarët kanë të drejtë që bëjnë presion mbi policinë dhe shtetin, të kërkojnë më shumë rend dhe siguri publike. Por kjo nuk mund të arrihet, në se ne si qytetetarë qëndrojmë pasivë, kur krimi kalon para syve tona. Nuk është e mjaftueshme të ndihesh, kur ai të cënon individualisht apo të penetron në shtëpinë tënde.  Lufta kundër krimit nuk është cështje personale, por mision social, një problem i madh publik. Në këtë kontekst, denoncimi i krimit nuk është akt spiunimi, por gjest i pastër qytetar. Si rezultat megjithëse jemi dëshmitarë të krimit, edhe pse ai gjallon para syve tanë, ne heshtim ose e shumta mbytemi në “vajtime private”. Bëjmë kritika dhe presim që dikush tjetër nga jashtë, të verë dorën dhe të frenojë krimin. Nuk mund të kemi sukses, në se nuk edukojmë dhe nxisim njerëzit tanë që kundër krimit të kenë vullnet, reagim qytetar kontestues, dëshirë për ta luftuar atë publikisht. Doemos që në këtë aksion kombëtar të betejës sonë sociale kundër krimit duhen vlerësuar më mirë faktorët historikë, ekonomikë, kulturorë, social e psikologjikë.

Sepse duhet të jemi koshient për mungesat tona të ndjeshme në kulturën demokratike dhe qytetare, për ta luftuar krimin fronatalisht dhe publikisht. Mungesa e përgjegjësisë qytetare dhe indiferentizmi, janë aleatë të fortë që ndihmojnë lulëzimin e krimit. Pavarësisht të gjithave, është shqetësuese në shoqërinë tonë kjo “baticë e krimit” dhe shtimi i njerëzve me “impulse vrasjeje” në këto përmasa alarmante.Na duhet angazhim i qytetarëve kundër krimit si “prirje e pashëndetshme” sociale, kudo që të shfaqet. Ky është një mësim i madh, që vjen nga vende dhe popuj të qytetëruar, të cilët kanë bashkuar angazhimin qytetar me funksionimin e institucioneve të specializuara në luftën kundër krimit…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here