Kalvari i biznesit të vogël, si po e shkatërron kupola e drogës…

0

Biznesi i vogël ndihet i frikësuar dhe i pashpresë. Edhe pse sëbashku me biznesin e mesëm mbajnë më shumë se gjysmën e ekonomisë së vendit, këto sipërmarrje po vihen çdo ditë në vështirësi duke rrezikuar mbylljen. Kalvari i vështirësive nis me rritjen herë pas here të taksave deri tek gjobat e majme të cilat e tejkalojnë kapacitetin pagues dhe arsyetimin. Ajo që bizneset e vogla, kryesisht dyqanet ushqimorë vënë re gjatë punës së tyre të çdo dite janë vështirësi ekonomike që kanë njerëzit, situata të paqëndrueshme  në biznes sipas tyre, në kuptimin që ligjet ndryshojnë nga momenti në moment dhe nuk e kanë sigurinë se çfarë paguan këtë vit, nuk paguan vitin tjetër. “Domethënë që të dekurajon e të fut frikën të kesh çdo inisiativë për të menduar për të zgjeruar sado pak biznesin sepse nuk e di se si do shkojnë gjërat.”

Loading...

Agroni, rreth të 50-ave, ish emigrant në një ishull të Greqisë, prej gjashtë vitesh, sëbashku me të shoqen zotëron një dyqan të vogël ushqimor mes pallateve në rrugën Rrapo Hekali në kryeqytet. Ai nuk ka pritur datën 1 prill për të qenë pjesë e skemës së TVSh-së, por e ka paraprirë këtë hap duke e kaluar biznesin e vetë në skemë që në 1 janar të këtij viti.

“Unë e kalova me TVSH që nga 1 janari biznesin tim, pasi mësova se biznesi i vogël do të futej në këtë skemë. I dola të keqes përpara pasi kam vështirësi në hedhjen e produkteve. Ne si familje këtë vit jemi në provë; do të mbijetojmë apo jo. Edhe pse apriori duke analzuar situatën e përgjithshme ekonomike mendoj se është tepër e vështirë të mbijetojmë.” – shprehet Agroni për portalin Ekonomix.al.

Ai thotë se nuk ka patur asnjë asistencë nga institucionet kompetente për futjen në skemën e TVSH-së. Është informuar në lidhje me ligjin nga Televizori dhe i ka marrë vetë masat. “Jam mini market, i kaloj 2 mln lekë xhiro, automatikisht hyj në TVSH sipas ligjit në fuqi. Pavarësisht se fitimi është tepër i paktë dhe më duhet që me këto fitime minimale të mbaj familjen; bashkëshorten dhe dy fëmijët që i kam studentë. Unë dyqanin e kam të blerë. Nëse vazhdon rritja e taksave, i bie që me mënyrën e re të pagimit të taksës së pronës do të paguaj qira për dyqanin tim. 0,05 të vlerës e rëndon goxha biznesin. Kjo mund të paguhet në këtë mënyrë në të gjithë botën, por biznesi nuk funskionon si këtu në gjithë botën dhe ajo taksë, atje është e papërfillshme krahasuar me fitimet.”

Sipas Agronit, është e kuptueshme që arka e shtetit mbahet nga tatimet dhe taksat, por biznesi ka nevojë për shumë mbështetje, sidomos bizneset familjare, të cilët janë të rregullt dhe nuk kanë burime të tjera të ardhurash. Ai thotë se “taksat vijnë gjithnjë me rritje, pa marrë diçka mbrapsht. Se është e pranueshme që taksat të rriten në varësi të situatës ekonomike financiare, sepse shteti me taksa funksionon, por në anën tjetër duhet të kthehet diçka. Të qartësohet funksionimi i biznesit, të ndihmohet biznesi në kupimin që kërkohet rregull tek biznesi që është i rregullt dhe nga ana tjetër lulëzon biznesi informal; tregtia në rrugë, apo dyqane të paregjistruar me nipt.”

 

Ajo që Agroni e sheh si të patolerueshme janë gjobat e majme sipas tij në raport me përgjegjësinë sociale që duhet të ketë si shteti, ashtu edhe njerëzit e tjerë ndaj atyre që janë në pamundësi ekonomike. “Kam marrë 2 gjoba. E para, kuponi që u pre, nuk shënonte artikullin, por të përgjithshme. Për 200 lekë produkt perime, mora 50000 lekë gjobë. E ankimova dhe nuk fitova. E dyta, po 50 000 lekë, pasi dhashë me listë ushqimet një zonje e cila nuk kishte mundësi të paguante. Nuk dhashë kupon. Kur hyri në dyqan punonjësi i tatimores unë po shënoja në listë. Nuk bëhej fjalë për falje.” – tregon Agroni. Ai vëren se ka shumë njerëz që blejnë me listë. Vlera sipas tij është shumë e lartë dhe varion nga muaji në muaj e shpesh e tejkalon edhe fitimin pasi dikush jep një muaj e dikush tjetër nuk ka mundësi të shlyejë detyrimet për disa muaj me radhë.

Pyetjes se cila kategori blen veresije, Agroni i përgjigjet: “Dikur blinin të papunë dhe familjet e dobëta ekonomikisht. Sot blejnë personat që pretendohen të ishin shtresë e mesme edhe pse unë jam koshient që shtresa e mesme nuk ekziston në Shqipëri. Kjo të rëndon më tepër. Intelektualët marrin me listë; mësues, inxhinierë, punonjës policie. Nuk di nga se vjen; vonesa e pagës, rritja e çmimeve apo ekonomia ka rënë në mënyrë drastike”. Agroni është një shembull i vetëm që u jep zë qindra të tjerëve. Situata është e njëjtë tek bizneset e vegjël familjarë, kryesisht tek ata ushqimorë, ku familjet drejtohen për produktet bazike të jetës së përditshme.

Çfarë ndodh më 1 prill?

Në fakt data 1 prill do të jetë si data 31 mars. Bizneset e vogla do të hapin njësitë e tyre, do të shesin e shërbejnë e po ashtu do të blejnë. Por më parë çdo biznes duhet të ketë hartuar inventarin në sasi dhe në vlerë, ku të evidentohet data e regjistrimit të mallrave. Ky inventar që do të dorëzohet në drejtorinë rajonale, i jep të drejtën çdo personi që nëse ka ruajtur edhe faturën e blerjes me TVSH, të mund të zbresë tatimin kundrejt shumës që do të rezultojë për pagesë. Bëhet fjalë për fatura blerjeje jo më parë se 12 muaj. Para kësaj date çdo biznes duhet të ketë bërë edhe ndryshimin e kuponit tatimor, ku të paraqitet shkalla tatimore prej 20% ose 6% për ato që kanë aktivitet në fushën e hotelerisë apo strukturavë akomoduese.

Pajisja e domosdoshme me fatura tatimore me TVSH, të cilat ndryshe nga faturat e thjeshta tatimore, kërkojnë më tepër vëmendje si në plotësim të gjithë rubrikave të tyre ashtu edhe mirëmenaxhimin e tyre, pasi duhet t’i konsiderojnë si letra me vlerë. Por duhet shtuar edhe hapja e mbajtja kronologjike e librave të blerje e shitjeve ku rregullisht e me kujdes duhet hedhur çdo faturë blerjeje apo shitjeje.Këto libra që plotësohen kronologjikisht, çdo tre muaj do të duhen dërguar elektronikisht në portalin e tatimeve. Në vijim procesohet deklarata e TVSH, ku hidhen të dhënat e këtyre librave, e cila gjithshtu do të dërgohet elektronikisht po ashtu çdo tre mujor dhe në fund, do të duhet edhe një urdhërpagesë për t’u dërguar e  paguar në bankë , nëqoftëse deklarata rezulton me pagesë.

Normalisht duhet të rriten kostot për biznesin e vogël, por më tepër ndikimi do jetë në ato shpenzime që janë të natyrës administrative. Pra kryesisht shpenzime direkte dhe jo direkte. Pra shpenzimet direkte do jenë ashtu si më parë, përveçse ato do të jenë të mbështetura me dokumetacion të blerjes, pra me faturë tatimore. Ndërkohë ndikimi mund të jetë tek shpenzimet indirekte, pasi nëse sot dokumentacioni mbahet nga profesionistë të fushës, këto të dhëna shtesë do të kërkojnë edhe rritje të faturës së shërbimit të tyre. Pra gjithësesi shtimi i dokumentacionit proporcionalisht shoqërohet me kosto shtesë. Në fund edhe kosto e pritjes së një kontrolli tatimor është relativisht më e lartë kur bëhet fjalë për verifikim të dokumentimit të të dhënave të këtij tatimi.

 

Taksa-plus e ndërtesave

Gjatë vitit 2017, buxheti i shtetit ka arkëtuar 4 miliard e 879 milion lekë nga taksa mbi pasurinë (ndërtesat) duke shënuar një rritje prej 201 milion lekësh krahasuar me vitin 2016. Kjo taksë mblidhet aktualisht nga pushteti vendor. Nëse analizojmë statistikat zyrtare te Ministrisë së Financave rezulton se masa e arkëtimit në 10 vitet e fundit është rritur me 4 herë, po që gjithsesi është shumë larg nivelit reale të arkëtimit të saj. Në vitin 2007, të ardhurat nga kjo taksë ishin 1.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të përvitshme deri në vitin 2017 kur arkëtimi arriti në thuajse 5 miliardë lekë. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, pritshmëritë janë që këtë vit, arkëtimet nga kjo taksë të njohin një rritje të konsiderueshme si rrjedhojë e ndryshimit të mënyrës së përllogaritjes dhe mbledhjes së saj. Skema e re që pritet të nisë në fillim të muajit të ardhshëm parashikon ndryshimin e përllogaritjes së kësaj takse, nga vlera fikse te vlera e tregut. Për familjarët taksa pritet të llogaritet në 0.05 % të vlerës së ndërtesës ndërsa për bizneset, 0.20%.

 

 

 

——–

 

Bie sërish vlera e euros, qarkulllim i pandalshëm i narko-valutave

 

Monedha e përbashkët i është kthyer sërish rënies në tregun vendas, pas një rritjeje të lehtë të disa ditëve më parë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 132.04 lekë, me një rënie të lehtë prej 0.01 lekë në krahasim me ditën e mëparshme. Monedha e përbashkët ka qenë në rënie për katër ditë radhazi. Nëse rënia vazhdon, euro do i afrohetsërish nivelit më të ulët të 10 viteve, që u arrit dy javë më parë, në 22 shkurt, kur një euro u këmbye me 131.93 lekë. Euro ka qenë e dobët në tregun e brendshëm këto dy muaj, ndryshe nga tendenca historike sezonale, kur monedha e përbashkët është e fortë në muajt e parë të vitit, si pasojë e qarkullimit të sasive gjigande të drogave të rënda në territorin e Republikës së Shqipërisë. Aktorët e tregut presin që euro të vijojë të jetë e dobët, sidomos me afrimin e verës, kur rritet oferta në valutë si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve. Edhe dollari ka hyrë në cikël rënës, duke zbritur ditën e djeshme në 106.9 lekë.

 

———

Sa vlen Shqipëria?

Pyetja është shumë e çuditshme, megjithatë dikush i jep edhe asaj përgjigje. Shqipëria duke përfshirë njerëzit, pasuritë natyrore dhe prodhimin kombëtar është çmuar me 153,6 miliardë dollarë prej Bankës Botërore në një vlerësim të fundit për pasuritë e kombeve, sipas të dhënave që i përkasin vitit 2014. Vlerën më të madhe e ka kapitali human (njerëzit) me rreth 66  miliardë lekë, duke zënë kështu 42 për qind të totalit të vlerës së pasurisë së Shqipërisë. Më pas për nga vlera vjen prodhimi kombëtar i vendit me rreth 54 miliardë lekë 34 për qind e totali. Ndërsa pasuritë natyrore të vendit tonë ku janë përfshirë pyjet, tokat bujqësore dhe zonat e mbrojtura janë vlerësuar nga Banka Botërore me 38 miliardë dollarë, duke zënë 24 % të totalit të vlerës së Shqipërisë. Banka Botërore vlerëson se pasuria e kombeve u rrit ndjeshëm midis 1995 dhe 2014 dhe vendet me të ardhura të mesme po arrijnë në vendet me të ardhura të larta në aspektin e pasurisë që zotërojnë .

 

——-

Ulet sërish interesi i bonove njëvjeçare të Thesarit

Tregu primar i bonove të thesarit të qeverisë shqiptare po shfaq një tendencë stabilizimi gjatë fillimit të këtij viti. Në ankandin e zhvilluar të martën, bonot 12-mujore u emetuan me një normë mesatare të ponderuar prej 2.55%. Interesi shfaqi sërish një rënie të lehtë, ashtu siç kishte ndodhur edhe në ankandet e mëparshme. Tregu financiar këtë fillim viti duket mjaft likuid dhe kërkesat në ankande arritën vlerën e mbi 13 miliardë lekëve, nga 9.2 miliardë lekë që ishte vlera e bonove të shpallura për shitje nga Ministria e Financave. Rritja e kërkesës së tregut shpjegon frenimin e rritjes së interesave. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017, ankandet e bonove dhe obligacioneve ishin rritur me ritme të ngadalta, por të qëndrueshme. Për momentin, frenimi i rritjes së interesave të bonove ndihmon në ruajtjen e interesave të ulëta në tregjet financiare. Sistemi bankar nuk ka shumë trysni për të rritur interesat e depozitave dhe të kredive.

 

======

Transaksione bankare nga shtëpia, u bënë 2.26 milionë më 2017

Transaksionet bankare nga shtëpia nëpërmjet internetit kanë vijuar ritmet të larta të rritjes në vitin 2017 si në vlerë ashtu edhe në numër. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë numri i transaksioneve shënoi rritje me 26 për qind vitin e kaluar. Nëpërmjet “Home Baking” në vitin 2017 u bënë 2,263,607 transaksione të cilat qenë kryesisht pagesa të faturave utilitare dhe transferta të ndryshme. Rritja e më të madhe e pësoi volumi i transaksioneve nga interneti me rreth 60 për qind më 2017. Vlera e pagesave arriti në 550 miliardë lekë nga 343 miliardë më 2016. Gjithësi vlera pagesave nga interneti vijon të jetë e ulët në raport me totalin e pagesave duke zënë vetëm 6% të totalit.

Kohët e fundit, shërbimet “Home Banking” po marrin shtrirje gjithnjë e më të gjerë në tregun shqiptar. Në fillim të vitit kaluar 14 nga 16 banka ofrojnë produkte të ndryshme “home banking”. Këto produkte mundësojnë aksesimin e llogarisë bankare në distancë, nëpërmjet një linje interneti, linje telefoni apo një softëare-i që banka i vë në dispozicion klientit të saj. Banka e Shqipërisë vlerëson se prirja gjithnjë e në rritje e përdorimit të “home banking”, lidhet ngushtë me ekzistencën e infrastrukturës, si edhe me përhapjen e mundësive për të aksesuar internetin edhe përmes disponimit të një “smart phone”.

Loading...

Lini nje pergjigje