Eksperti për arsimin jep alarmin: “Mësuesit janë kthyer skllevër të kryeminstrit, arsimi në kushte emergjente”

0

Eksperti në fushën e arsimit Ndriçim Mehmeti në studion e Syri.net tha se qeveria Rama ka ulur në kuotën më të ulët financimin e arsimit parauniversitar.

Mehmeti tha se financimi është diku tek 3.2 % e GDP-së, ndërsa nga Rama u premtua në nivelin e 5 %.

Sipas tij, ky është niveli më i ulët në 10 vitet e fundit përsa i takon financimit të arsimit.

“Kjo ndikon shumë në cilësinë e mësimdhënies, mësuesit janë kthyer në skllevër të keqpaguar, që nga 31 Maji i 2017 që nuk kanë asnjë kontratë kolektive. Sot arsimtarët nuk i mbron askush, janë me dhjetra mësues që i ndërpritet marrëdhënia e punës në mënyrë të menjëhershme dhe pa arsye”, tha Mehmeti.

Në vijim ai tha se sot Kryeministri Edi Rama referuar ligjit që është në fuqi nuk nis dot punë si mësues vizatimi, pasi nuk ka master, ndërkohë që ky ligj bie ndesh me një tjetër ligj të 2012, që nuk është shfuqizuar.

Mehmeti tha se prej vitit 2013 nuk është bërë asnjë rritje page të mësuesve, ndërkohë që i është hequr edhe paga e 13-të.

“Shiko se çfarë ndodh, mësuesit përkulen para Kryeministrisë në vend që të ishte Edi Rama që të përkulej para mësuesve. Shikoni se çfarë ndodh me sigurinë në shkolla? Ndodhin sherre masive, rrihen me thika nxënësit, gjendet kokainë në shkolla, vritet nxënësi, atëherë çfarë gjendje është kjo? Pse nuk janë marrë sot masat në shkolla? Sepse ka dashakaqësi dhe paaftësi. Këta nuk i duan njerëzit e shkolluar, këta i urrejnë të arsimuarit, sepse sa më injorant të jesh aq më kollaj i nënshtron ai”, tha Mehmeti.

Ai tha se mësuesit kanë fajin më të madh në atë që duhet të vendosin dinjitetin e tyre në vend.

“Jemi i vetmi vend që librat e shkollës jepen me pagesë dhe prindërit qëndrojnë në rradhë për të paguar, ndërsa hodhën poshtë propozimin për t’i dhënë falas. Ne dhe Serbia jemi të vetmet vende që librat i shesim. Ku janë mjediset e ngrohta të shkollave? Tirana mbulon vetëm 1/4 e kapaciteteve për të fëmijëve të sistemit parashkollor, atëherë çfarë ndodh me 3/4 që nuk kanë mundësi të shkojnë në kopshte?”, tha Mehmeti. Ai e cilësoi situatën në arsim si emergjencë kombëtare, ndërsa i bëri thirrje Presidentit të Republikës që të ngrejë një Komision vetëm për arsimin.

“Ne kërkojmë veting sot, po kush do e bëjë vetingun kur këtu nuk mund të shkollohen fëmijët dhe të rinjtë”, tha ai.

Lini nje pergjigje