Rreth 10 mijë biznese të vegjël kalojnë nga 1 prilli në TVSH, ja vendimi

0
248

Nga 1 prilli, bizneset me qarkullim 2 milionë lekë, të konsideruara edhe si të vegjël, do të përfshihen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, janë 9910 biznese në të gjithë Shqipërinë që do të paguajnë TVSH muajin e ardhshëm. Rreth 4500 biznese ose 46% e totalit të atyre që do të përfshihen në skemën e TVSH-së janë në Tiranë. Në vend të dytë është Durrësi me 12% të totalit, pasuar nga Fieri me 9%. Kukësi ka edhe numrin më të ulët të bizneseve të vogla që do të përfshihen në TVSH, me vetëm 1% të totalit ose 99 subjekte. Konfindustria shprehet se do t’i kërkojë zyrtarisht qeverisë shqiptare shtyrjen në fillim të 2019-ës të zbatimit të TVSH/Tatimit të Vlerës së Shtuar mbi kategorinë e biznesit të vogël të parashikuar më 1 prill 2018. Përmes një njoftimi për shtyp, Konfindustria sqaron se “kërkesa bëhet për arsye se vështirësia objektive e menaxhimit nga institucionet fiskale përgjegjëse të skemës së zgjeruar të TVSH, rrezikon të prodhojë problematika financiare për buxhetin e shtetit dhe njëkohësisht rritjen e mundësive për abuzime dhe korrupsion. Gjithashtu, mbështetur në të dhënat zyrtare, janë me mijëra biznese të vogla, që sipas Drejtorisë së Tatimeve po kalojnë me shpejtësi në mbyllje të sforcuara, si pasojë e përfshirjes në skemën e TVSH”.

Sipas saj, shtrirja e TVSH mbi biznesin e vogël me qarkullim vjetor mbi 2 milionë/lekë nuk duhet të ndërmerret si një akt i veçuar, por pjesë e një procesi të mirëstudiuar profesional, institucional dhe ligjor për ndikimin e një mase të tillë në ekonominë dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë në afatgjatë. “Masa e mësipërme ka vetëm ndikim të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të informalitetit në ekonomi. Në rast të kundërt, pasojat do të jenë mbyllja e disa mijëra biznesesh të vogla, që do të kërkojnë mbështetje sociale papunësie nga buxheti, monopolizim sektorial, rrezikim masiv të prodhimit vendor, që punon me cikël të mbyllur për tregun e brendshëm dhe favorizim i prodhimeve të importit”, reagon Konfindustria përmes njoftimit për shtyp.

Një pjesë e bizneseve të vogla që duhet të përfshihen në skemën e TVSH-së nga 1 prilli kanë filluar të gjejnë forma për ta shmangur. Por shumë të tjera kanë ulur qepenat dhe kanë mbyllur aktivitetin, të sigurtë që nuk e përballojnë dot një barrë të tillë fiskale. Këtë e bëri të ditur pak ditë më parë Bujar Bendo, ekspert kontabël për biznesin në një intervistë për Ekonomix.al. “Një pjesë e tyre, zakonisht kategoria ‘të vetëpunësuar’ kanë aplikuar dhe vazhdojnë procedurat për mbyllje aktiviteti. Këto biznese që kanë aplikuar për mbyllje, janë të mendimit se nuk mund t’ia dalin me hyrjen në TVSH, pasi rrit kostot e pagesave tatimore, nuk kanë infrastrukturë (internet, kompjuter, njohuri, personel) për deklarim apo nuk mund të paguajnë profesionistë për përpilim inventarësh, librablerje-shitje dhe për deklarimet tatimore”, shprehet Bendo.

Një situatë e tillë u pranua nga tatimet. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur pak ditë më parë se është konstatuar një shtim i numrit të aplikimeve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për çregjistrim apo pezullim të aktivitetit, nga tatimpagues që janë penalizuar për shkelje të ndryshme nga administrata tatimore, që kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore, si dhe tatimpagues të cilët për herë të parë hyjnë në skemën e TVSH-së dhe regjistrime të menjëhershme në po të njëjtën njësi nga persona të lidhur me tatimpaguesit që e zotëronin më parë këtë aktivitet. Tatimet kanë paralajmëruar se këto subjekte nuk do të shpëtojnë nga përfshirja në skemën e TVSH-së.

Për ta bërë sa më të zbutur procesin e përfshirjes së rreth 10 mijë bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së, administrata tatimore do të nisë nga dita e sotme trainimet për këto subjekte. Ato do të realizohen nga Drejtoritë Rajonale Tatimore për të gjithë bizneset e vogla, përfaqësuesit e tyre, si dhe personat e interesuar. Tatimet shpjegojnë se përmes këtyre trajnimeve, bizneset do të mund të njihen hollësisht me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e këtyre librave, plotësimi i një fature tatimore etj.

 

====

 

Banka Botërore: Qeveria shqiptare fsheh shifrat e buxhetit!

 

Banka Botërore ka bërë publik të plotë dokumentin e Vlerësimit për Performancën në Shpenzimet Publike dhe Përgjegjësinë Financiare  të Shqipërisë. Raporti merr në analizë shtatë shtylla: besueshmërinë tek buxheti, transparencën në financat publike, menaxhimi i aseteve dhe detyrimeve, strategjia fiskale dhe e buxhetimit, parashikueshmëria dhe kontolli për zbatimin e buxhetit, auditimi dhe raportimi, kontolli dhe auditi i jashtëm.

 

Investimet, transparenca në diskutim

 

Ekspertët e Bankës Botërore vlerësojnë se raportimi që bëhet për investimet në buxhet është i mangët në raport me atë që përcakton vetë ligji organik. “Buxheti përfshin informacion për shpenzimet kapitale aktuale dhe ato të klasifikuara sipas programeve por nuk përfshin informacion për koston totale të projekteve dhe as një ndarje me nënprograme ose projekte. Edhe pse neni 29 i Ligjit organik të buxhetit nënvizon që buxheti duhet të prezantojë të dhëna të detajuara për projektet kapitale, përfshirë vlerën totale të kontratës shuma që është shpenzuar për projektin deri në vitin buxhetor, alokimin në vitin buxhetor dhe vlerësimet për dy vite të tjera si dhe burimet e financimit, ky informacion nuk jepet. Mungesa e transparencës për koston totale të projekteve “minohet” edhe më shumë nga grupi i projekteve, një pjesë e mirë e të cilave praktikisht janë komponentë të atyre që janë projekte më të mëdhenj për shembull mbikqyrje projekti ose shpronësime që në mënyrë rutinore identifikohen si projekte të ndara nga komponenti i ndërtimit duke e bërë të vështirë të llogarisësh koston totale të projektit” thuhet në dokument.

 

E ndërsa kuadri rregullator dhe ai i monitorimit janë të plotësuar, problem sipas Bankës Botërore është sistemi i monitorimit. Kjo lidhet me numrin e kufizuar të burimeve njerëzore ku një supervizori i takon të monitorojë 5-10 kontrata në rastet e atyre me financim të brendshëm për shkak të numrit të lartë të kontratave. “Nga ana tjetër sfidë është mungesa e fondeve të mjattueshme dhe pamundëisa për t’i financuar në kohë. Prandaj është e rëndësishme që shpenzimet e të ardhmes të jenë në linjë me me të ardhurat për të parandaluar akumulimin e detyrimeve të prapamebtrua ndaj kontraktorëve. Kjo kërkon një angazhim për të mos nisur rehabilitime dhe ndërtime nga e para nëse nuk janë siguruar paratë” vijon raporti.

 

Mjegulla në detyrimet e tjera

 

Për Bankën Botërore raportimi i detyrimeve të prapambetura duhet të shkojë përtej atyre tipike që njihen në investime. Qeveria duhet të përfshijë në raportim situatën e korporatave publike, partneriteteve publike private dhe çështjeve gjyqësore. “Janë një seri zërash me detyrime të prapametura ku shteti mund të përmirësonte montorimin dhe raportimin e aseteve dhe detyrimeve. Dokumentet e buxhetit tregojnë transferta ndaj korporatave publike dhe llogaritë e tyre janë publikisht të disponueshme por nuk ka një deklaratë të konsoliduar financiare të portofolit të qeverisë dhe aktivitetit thuajse fiskal të kompanive. Detyrime kontigjence të detajuara në formën e garancive shtetërore monitorohen dhe publikohen në baza tre mujore. Programi i reformave 2017-2019 përmban informacion për detyrimet e tjera të kontigjencës siç janë Partneritetet Publike Privae që krijojnë detyrime direkte për buxhetin. Gjithsesi nuk ka një raport të rregullt dhe të kuptueshëm për PPP apo detyrimet e tjera të detajuara në formën e sigurimit të depozitave, katastrofave, sigurimit të bujqësisë, çështjeve gjyqësore brenda vendit dhe atyre jashtë” thuhet në raport.

 

=

 

Plas informaliteti në industrinë e qumështit

 

 

 

Qumështi dhe nënproduktet e tij përfshihen në shportën bazë të konsumit. Por vitet e fundit teksa në treg kanë hyrë rreth 30 kompani që e ofrojnë këtë produkt të përpunuar, duke tentuar të largojë konsumatorët nga blerja direkte e tij tek fshatari, sërish informaliteti është tejet i lartë. Aktualisht kjo industri vuan informalitet në shkallën mbi 70 për qind, ndërsa janë rreth 400 baxho në funksion dhe duket se lënda e parë është problemi kryesor që prish të gjithë hallkën e zinxhirit. Qumështi i grumbulluar për përpunim rezulton të jetë më pak se 11% e totalit të qumështit në ferma të raportuar për vitin 2016, përkundrejt një norme të grumbullimit të qumështit mesatarisht 90% në vendet e BE-së.

Sipas shifrave të Eurostat norma e grumbullimit varion nga 72% në 100%, nga kjo normë bëjnë përjashtim vetëm Rumania (22%) dhe Bullgaria (48%). Norma e grumbullimit të qumështit në Kosovë rezulton të jetë rreth 24.3%, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Qumështit në Kosovë. Bazuar në këto të dhëna, kompanitë e mëdha të qumështit ngrenë edhe pikëpyetjet mbi informalitetin e lartë dhe sa nga ky qumësht konsumohet i pa kontrolluar. “Pyetja që shtrohet është se çfarë përdorimi gjen rreth 89% e qumështit të prodhuar në vend, sasi e cila vlerësohet se nuk kalon përmes një procesi përpunimi në sektorin e blegtorisë dhe agro-industrisë? Nga kjo diferencë, sa është shifra reale e informalitetit në sektorin e qumështit? A ushqehen shqiptarët me qumësht dhe nënprodukte të tij të kontrolluara dhe të përpunuara sipas standardeve të lejuara të ushqimit?”, shprehet Elivar Golemi, Drejtore e Përgjithshme e kompanisë “AGS Sh.p.k.

 

Në Shqipëri prodhohen 1.15 milion tonë qumësht ose rreth 400 litra për frymë. Sipas INSTAT sasia e qumështit të grumbulluar nga fabrikat e përpunimit gjatë vitit 2016 llogaritet në rreth 125 mijë tonë. Ndërsa si volum tregu formal dhe informal, kjo industri llogaritet të qarkullojë një vlerë prej 600 milionë eurosh.

 

——-

 

Rikthehen në rritje huatë me probleme, mungojnë më shumë se gjysmë miliard €

 

Huatë e pakthyera në afat në banka nga bizneset dhe individë iu rikthyen rritjes në janar, pas një rënieje prej gati një vit radhazi. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në janar kreditë në probleme u rritën në 13.45%, nga 13.23%, që kishin qenë në dhjetor. Përgjithësisht dhjetori është një muaj kur bankat fshjnë nga bilanci huatë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen dhe kjo ndikon në përmirësimin e këtij treguesi. Viti 2017 ishte shumë pozitiv në drejtim të kthimit të kredive me probleme. Huatë problematike në dhjetor arritën në 13.23% të totalit të kredisë, me një rënie të dukshme me 5 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2016, kur ishin 18%. Ky ishte  niveli më i ulët i huave problematike që nga dhjetori 2010. Më pas, teksa kriza ekonomike trokiti dhe në Shqipëri pasi nisi në botë, bizneset filluan të ndienin pasojat dhe të mos i shlyenin kreditë. Në 2013-n u shënua dhe niveli rekord, ku gati një e katërta e huave ishin në vonesë më shumë se tre muaj. Një tjetër faktor që ndikoi në përkeqësimin e portofolit të bankave ishte dhe përqendrimi i huave në pak kompani të mëdha, ku 35 sipërmarrje kishin mbi 60% të totalit të huave me probleme. Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një proces ristrukturimi të huasë me probleme, një kombinim i fshirjes nga bilanci të kredive që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, por edhe ristrukturimit të kompanive. Sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë, pothuajse gjysma e 35 kompanive kanë ristrukturuar huatë dhe po i kthejnë gradualisht. Rreth 7 kompani vlerësohet se janë të falimentuara dhe nuk ka mundësi rikuperimi. Bankat nga ana e tyre kanë bërë dhe shkurtim të kredive për disa biznese (fshirje e një pjesë, kur kthehet një përqindje e caktuar).

 

Në vlerë absolute, kredia që nuk kthehet për më shumë se tre muaj është 72 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro, nga 99 miliardë lekë që ishin në fund të 2016-s. Deri në fund të 6-mujorit të parë, bankat kishin fshirë në total nga bilancet 43 miliardë lekë, ose rreth 320 milionë euro. Banka e Shqipërisë ka sqaruar në raportin e mbikëqyrjes së 6-mujorit të parë se rënia e stokut të kredive me probleme është rezultat i ristrukturimit të kredive me probleme, shlyerjes së kredive të prapambetura të bizneseve dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave.

Banka e Shqipërisë sqaron se cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat të gjatë maturimi. Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të politikës monetare, thotë se rënia e raportit të kredive me probleme tregon se bilancet e sektorit bankar po përmirësohen dhe se rreziku i kreditit po vjen drejt reduktimit. Por, rritja në janar tregon se ulja e mëtejshme e huave me probleme do të jetë një mision i vështirë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here