Edhe unë dua të mbjell një pemë në shërbim të dashurisë dhe kundër hipokrizisë

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

Loading...

“38 vite më parë unë fillova të mbjellë pemë në shkretëtirë, sapo mbërrita nga studimet në Londër. Më pas mbolla edhe të tjera. Fshatarët në fillim më konsideruan si të çmendur, por në 38 vute, arrita të mbuloj një sipërfaqe më shumë se 5 apo 10 ha me pemë, bimë një pjesë e të cilave shërbejnë si ushqim për vetë fshatin. Tani fshati e quan njeriun e bekuar, të dërguar nga Zoti në shërbim të tyre. Nuk ishte asgjë më shumë se një njeri i thjeshtë që kërkonte të mirën për vendin e vet”. Kjo është një copëz e një dokumentari të shkëputur nga National Gjeographic, që tregonte për nismën e ndërmarrë nga një njeri në Kenia, që arriti të shndërronte shkretëtirën në një tokë prodhuese dhe brenda pak viteve në një pyll me sistem. Ky njeri më shumë se një lopatë kishte mendje të artë dhe duar të magjishme që rrëmonin pa ndihmën e askujt, pa kamera rreth e rrotull, pa ndonjë veshje speciale dhe sigurisht nuk kishte asnjë foto të vetme, të punës së tij të madhe.

Kur e pashë dokumentarin për këtë njeri mendova se vërtet duhet mbjellë të paktën një pemë në emër të shumë gjërave.  Një pemë në emër të dashurisë dhe jo të inatit, armiqësisë, ndarjes së njerëzve në raca e fe.

Një pemë në emër të së ardhmes më të mirë të fëmijëve. Një pemë për një shkollë më të mirë, për më shumë ushqim dhe veshmbathje të atyre që sot nuk kanë e vuajnë edhe për pakëz dritë. Një pemë për atë që nuk ka një grusht miell e shikon plot dhimbje fëmijët që të qajnë e të luten e më pas të flenë më barkun bosh.  Një pemë për të sëmurin që nuk gjen dot ilaçin që i duhet, e më kot shpreson se të nesërmen do të vij.

Një pemë për mësuesin që vijon të mësojë fëmijët edhe pse askush nuk e respekton më. Një pemë në emër të një jete më të mirë, larg dhe afër vendit, brenda e jashtë Shqipërisë. Një pemë për studentin që rri në lagështirë e përpiqet të bëhet i ditur e të hyjë në elitën më të mençur të shoqërisë sonë.

Por ama unë refuzoj të mbjellë një pemë me ty, në merr të hipokrizisë së radhës.

Nëse do të dhimbseshim, pemët, pylli, gjelbërimi, e gjithë drurët e botës, së paku njëherë si ministër i arsimit profesional nuk ndërmore një plan masash, sesi shkollat e mesme pohore do të shërbenin në këtë vend për të respektuar mjedisin dhe ambientin. Nëse ke ndërmend të thyesh rekorde (megjithëse paguhesh si Kryetar Bashkie dhe jo sportist olimpiade), mundohu të sigurosh një shkollë të sigurt, transport si në të gjitha kryeqytet për fëmijët e vegjël e madje edhe gjimnazistët. Nëse do të dhimbsej kaq shumë gjelbërimi, qyteti duhet të gëlonte nga pemët dhe nga pllakat e hirta në mes të sheshin që mbushen me vajin e qofteve njëherë më dy muaj.

Unë refuzoj të mbjell një pemë me njeriun që lopatën mban në dorë, por kurrë nuk ka nxjerrë bukën e gojës me bishtin e lopatës. Njeriu që mban jelekun e punëtorët të gjelbërimit 18 orë në ditë, asnjëherë nuk ka provuar të ulet në tryezën e punëtorit të gjelbërimit. Përkundrazi me miqtë që u ndan shtëpi, pi verë të kuqe të servirur si në restorantet më luksoze të Parisit dhe Vjenës. Njeriu me lopatë në dorë, nuk e di dhe asnjëherë nuk ka për ta marrë vesh, çdo të thotë ta mbash 40 e kusur vjet në dorë, për të mbajtur frymën tënde gjallë dhe të familjes.

Refuzoj të mbjellë një pemë me njeriun që urdhëron shkuljen e sahateve të ujit, pa asnjë motiv dhe që nëpunësit e tij, të përgjigjen si të jenë në mall të vet dhe jo në një ndërmarrje shtetërore sikundër është ujësjellësi. Refuzoj të mbjellë një pemë me njeriun që ka dy muaj e më shumë që ka hapur rrugë e rrugica, dërgon e hedh baltë çdo ditë, e çdo mëngjes, duhet të kapërcejmë pengesat që vendos natën vonë ku të teket.

Mbase mund të kisha përfituar pak më shumë nga një foto, ndoshta një projekt, një redaktim, një bord, një juri e ku di unë se çfarë, por përsëri refuzoj. Për hir të dinjitetit që duhet të ketë njeriu. Nuk mund  të shërbesh kaq mirë në qytet, kur zgjedh që të mbjellësh pemë me njerëz që mbajnë në majë të kokës syze që kushton aq sa merr në një punëtori i gjelbërimit. Nuk të shkon o njeri, të keqpërdorësh kaq shumë veten, ti që dole e bërtisje për mjerimin, padrejtësitë, mundësitë dhe shanset e barabarta që duhet të kenë të gjithë.

A mendon njëherë të vetme, që orë të tëra në TV, i ke mohuar të drejtën e një lajmi a informimi një njeriu të thjeshtë në një hall më të madh se thyerja e rekordit tënd personal? A nuk mendon se kaq i ri sa je, do të duhet të bësh një udhëtim të gjatë, që nuk është e thënë ta marrësh me kaq revan, se kohë boll ke e mund të bësh shumë më mirë se kaq? Nuk e di nëse je i lumtur sot dhe a do të jesh shumë më i lumtur nesër. Nuk e di nëse kur të shoh në rrugë po të kem shansin të them dy fjalë, jo për politikë, as për inat personal, por në emër të sinqeritetit, ndershmërisë, dëshirës për një jetë më të mirë, për një qytet ku të gjithë duam të kemi hapësirë. E nëse një ditë do të takoj, pak fjalë do të them: Na lë njëherë vetëm në mbrëmje, mos na ul në tryezë, mos na rri vërdallë me lopatë në dorë. Na lë në hallet tona, të mendojmë njëherë për veten rreth orbitës së zemrës sonë dhe jo rreth unazës ku na ke futur me zor o njeri. Prandaj unë do mbjell një pemë në Dajt a Qafë –Shtamë, në emër të shumë gjërave, por refuzoj të mbjellë, rris e lulëzoj së bashku me ty pemën e hipokrizisë.

————-

Studim i ri mbi luftën kundër terrorizmit në internet

VOA

Termi “lone wolf” ose “ujku i vetmuar” që i atribuohet individëve që kryejnë sulme terroriste pa ndihmën e askujt, është bërë pjesë e fjalorit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kërcënimi terrorist ka evoluar nga sulmet në shkallë të gjerë në ato të kryera nga individët e radikalizuar në izolim. Por një raport i ri pohon se tipologjia “ujku i vetmuar” është e gabuar dhe mund të jetë kundërproduktive në luftën kundër terrorit.

 

Mars 2017. Një sulmues i vetëm shtyp me furgon këmbësorët në Urën Westminster të Londrës, duke vrarë katër vetë, para se të vritej nga policia. Tre muaj më vonë, një person shtypi me kamion besimtarët myslimanë jashtë një xhamie në veri të Londrës.Në tetor, Stephen Paddock hapi zjarr ndaj turmave në një festival muzikor në Las Vegas, duke vrarë 58 njerëz. Disa javë më vonë, një njeri tjetër shtypi me furgon çiklistët në Nju Jork, duke vrarë tetë vetë.Vetëm disa nga sulmet e fundit janë përshkruar nga politikanët dhe mediat si akte terroriste nga të ashtuquajturit “ujqër të vetmuar”. Por termi është i padobishëm, thotë eksperti i terrorizmit Paul Gill, bashkëautor i një studimi të kohëve të fundit që ka analizuar 100 sulmet e fundit terroriste në të gjithë globin. “Radikalizimi ndodh rrallë kur ka një vakum. Zakonisht kjo bëhet ose lehtësohet nga ndërveprimet me njerëz të tjerë, duke u takuar me ta ose duke komunikuar përmes internetit. Rreth 60 për qind e tyre i njoftojnë njerëzit, miqtë, ose anëtarët e familjes mbi planet e tyre.”

Policia thotë se përshkrimi është i ngjashëm me atë të sulmuesit vetëvrasës në Mançester, Salman Ramadan Abedi, i cili realizoi sulmin vetëm, por kishte njoftuar njerëz të tjerë mbi planet e tij.Gill argumenton se emërtimi “ujku” është gjithashtu i gabuar. “Kjo në njëfarë mënyre u jep atyre këtë shëmbëlltyrë të të qenit dinakë, ‘ të zgjuar’, gjëra që janë të frikshmne. Ndërkohë që shumica dërrmuese e tyre janë mjaft të paaftë, dhe bëjnë shumë gabime operacionale. Shumë prej tyre kanë të kaluar kriminale dhe dhune, të tjerë kanë një histori me probleme të shëndetit mendor”.

Kjo i ndihmon shërbimet e inteligjencës të zbulojnë dhe të ndalojnë shumë sulme. Ata që nuk zbulohen përfundojnë në titujt e lajmeve, ku përdorimi i etiketimit “ujku i vetmuar” i jep shtytje trajektores së radikalizimit, thotë Paul Gill. “Shumë prej tyre janë në kërkim të një statusi, një identiteti. Ata duan të shihen si njerëz të mëdhenj, të fortë , dhe duan që imazhi i tyre të kujtohet për një kohë të gjatë dhe të adhurohet nga njerëz të tjerë. Pra, në fakt, kur media fillon të fryjë imazhin e tyre më pas, ajo bën pikërisht punën që ata duan”. Zoti Gill thotë se duke marrë parasysh nivelin e lartë të radikalizimit dhe komunikimit që po ndodh në internet, kompanitë e mediave sociale duhet të jenë më të shpejta në heqjen nga interneti të materialeve si ato për prodhimin e një bombe, që ndihmojnë individët e radikalizuar në kryerjen e sulmeve.

Loading...

Lini nje pergjigje