Integrimi dhe “kalbëzimi” shqiptar i euros

0

Nga Feti Zeneli

Loading...

Vizita shpresëdhënëse, rreth një javë më parë, e Presidentit të KE-së, z. Jean-Claude Juncker, “…për t’i rekomanduar Këshillit hapjen e negociatave me Shqipërinë, nëse vijojnë rezultatet pozitive…”, siç premtoi në dhjetor të vitit të kaluar, dhe që, për hir të së vërtetës, u prit gojëhapur e u mbështet nga gjithë faktori politik në vend, për fat të keq, përveçse nga raporti i TI-së, lidhur me përkeqsimin e indeksit të perceptimit të korrupsionit gjatë 2017-ës, me plotë 8 pikë më shumë se në 2016-ën, u pasua edhe nga mbërritja e 613 kg drogë kolumbiane në territorin shqiptar dhe nisja e disa ngarkesave me kanabis drejt Greqisë e Italisë. Të gjitha këto ngjarje, duket se i jepnin të drejtë, shqetësimit të deputetit të PD-së, Agron Shehaj, i cili ditën e vizitës së zyrtarëve të lartë europian në Shqipëri, kishte publikuar në “facebook” një banderolë të vendosur në autostradën Tiranë-Durrës, në të cilën shkruhej: “z. Junker, a shqetësohet Bashkimi Europian nga trafiku i drogës së Tahirit?”

Këto e shumë fakte të tjera, të publikuara kohë pas kohe, sidomos gjatë 4-5 viteve të fundit, tregojnë, se mbi të gjitha, është droga e çdo lloji, që po pengon seriozisht zhvillimin ekonomik dhe ecurinë integruese të vendit në Bashkimin Europian. Fjalët e mira apo heshtjet e pështira kombëtare dhe ndërkombëtare, duket sikur s’po ndihmojnë për asnjë zgjidhje, përkundrazi, po e ndërlikojnë edhe më tej situatën e krijuar. Po kështu, nuk po ndikojnë pozitivisht, as disa veprime apo iniciativa konkrete, të ndërmarra nga institucione vendase dhe të huaja, siç mund të përmendim këtu, për shembull, edhe paketën e masave të Bankës së Shqipërisë për “deeuroizimin”, që hyri në fuqi para pak ditësh. Guvernatori i Bankës sonë Qendrore thotë, se ky proces ka si qëllim kryesor, rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në ekonominë shqiptare, dhe nuk duhet parë si një luftë ndaj euros. Parimisht z. Sejko ka të drejtë, pasi një masë e tillë synon rritjen e efektivitetit të politikës sonë monetare dhe konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në Shqipëri, por praktikisht nuk ka të qartë, se kur ka filluar kjo “luftë” ndaj euros, dhe cilat janë pasojat afatshkurtëra, që do ndikojnë negativisht në ekonominë, biznesin apo jetën tonë sociale. Ndoshta këto çështje deshi të sqaronte një gazetar i fushës së ekonomisë, teksa e pyeti Guvernatorin Sejko në konferencën për shtyp: “Pse një vendim i tillë në këtë moment, dhe a ka ndikim kjo në procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?”.

Natyrisht, kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjesh me shprehje standarde se: “Ne nuk jemi shteti i parë që i merr këto masa, pasi i njëjti fenomen ka ndodhur dhe në vendet e tjera, anëtare ose joanëtare të Bashkimit Evropian”, apo, me që, “…përdorimi i monedhës vendase do të ishte një avantazh për ekonominë tonë, për të përshpejtuar integrimin dhe për të forcuar stabilitetin financiar …”, sikundër nuk mund ta deklarosh periudhën aktuale, si “… momentin më të mirë për të stimuluar gradualisht përdorimin e lekut …”. Faktet tregojnë, se procesi i “deeuroizimit” shqiptar, më shumë se sa një vendimmarrje e studjuar është një lëvizje e diktuar, si në lojën e shahut. Madje është një lëvizje e tipit – “shah-mat”, e dhënë nga ekonomia dhe paraja informale, si rezultat i rritjes në nivele të larta të depozitave në euro. Statistikat tregojnë, se në fund të vitit të kaluar, kursimet në valutë të sektorit privat arritën në 53 për qind të depozitave të përgjithshme, duke shënuar një rekord historik. Mjafton të përmendim, se gjatë 4-5 viteve të fundit, vlera e depozitave në valutë është rritur me 25 për qind, ndërsa vlera e depozitave në lekë, vetëm me 8 për qind. Një nga ekonomistët më të njohur sot në vend, z. Zef Preçi është shprehur lidhur me këtë situate se: “Personalisht dhe profesionalisht i gjej me vend faktorët e renditur nga Banka e Shqipërisë për rritjen e depozitave bankare në vendin tonë gjatë 2-3 viteve të fundit, por kjo analizë “politically correct” e saj nuk është e plotë, nëse nuk merren parasysh edhe ndikimi nga të hyrat monetare nga “burime të tjera”, domethënë nga aktivitetet kriminale, siç janë të ardhurat nga kanabisi. Ecuria e kursit të këmbimit në vend gjatë kësaj periudhe dhe “boom”-i transaksioneve në sektorin e pasurive të patundshme e justifikojnë rritjen e depozitave më mirë se pesë faktorët libreskë të ofruar në analizën e Bankës së Shqipërisë”. Kaq të shumta kanë qënë paratë e ardhura nga këto “burime të tjera”, sa që brenda 2-3 vitesh e zhvleftësuan euron me gati 10 për qind, nga 141 lekë, që ishte kursi i këmbimit në 2015-ën, në 131 lekë këto javët e para të 2018-ës. Nëse do të perifrazonim një thënie politike të kohës së monizmit, që e cilësonte “imperializmin”, si “fazën e fundit të zhvillimit të kapitalizmit”, apo “një kapitalizëm në rënie e kalbëzim”, do të thoshim se euro e përjetoi “kalbëzimin apo rënien”, për shkak të zhvillimit “kanabist” dhe jo për shkak të zhvillimit “imperialist” të ekonomisë shqiptare.

Duke ju referuar literaturës dhe mendimit shkencor të profesorëve të fushës së ekonomisë dhe financave mësojmë se, kur bëhet fjalë për ekonominë e ligjshme apo formale të vendit, shëndeti i bankave pasqyron, në fund të fundit, shëndetin e vetë ekonomisë; pra zgjerimin e punësimit, shtimin e prodhimit,  investimeve, eksportit, mirëqenies, etj. Ndërsa në ato vende, ku ekonomia informale dhe ajo kriminale së bashku zënë një peshë të konsiderueshme, ky konkluzion nuk konfirmohet, që do të thotë, se bankat mund të shëndoshen, por një gjë e tillë nuk mund të ndodh me ekonominë. Siç dihet, banka është një biznes si gjithë të tjerët, por kryen një veprimtari disi të ndryshme në krahasim me ndërmarrjet apo firmat, pasi “lënda e parë” që përdor çdo bankë, është paraja. Sa më shumë para të grumbulloj një bankë, aq më shumë shërbime bankare ofron ajo për individët dhe bizneset. Parë në këtë këndvështrim, mundësia e individëve dhe bizneseve për të depozituar para në bankë rritet paralelisht me shtimin e treguesit relativ të rritjes ekonomike dhe formalizimin e biznesit. Gjithëçka varet nga përgjegjshmëria dhe efiçienca qeverisës e vendit, me të cilat rritja ekonomike është në përpjestim të drejtë, ndërsa informaliteti është në përpjestim të zhdrejtë. Por momentalisht në Shqipëri, informaliteti është një problem më i madh se sa rritja ekonomike, pavarësisht niveleve të ulëta të saj. Në faqen e vetë zyrtare mbi ekonominë e vendit tonë, CIA shkruante, se sektori i informalitetit dhe pjesa e pa raportuar e ekonomisë shqiptare llogaritet në rreth 50 për qind të GDP-së zyrtare. Në këto kushte, ekziston rreziku i përfshirjes së parave të ardhura nga trafiku i drogës në ekonomi dhe në sistemin bankar.

Denoncimet e ardhura nga opozita, por jo vetëm, tregojnë se ekzekutivi i “Rilindjes”, prej kohësh po ndërton skema të caktuara investimi për pastrimin e parave, siç mund të jetë edhe nisma e qeverisë për investime me vlerë 1 miliard euro në projektet e infrastrukturës publike. Ndërkohë janë hedhur akuza edhe për pastrimin e këtyre parave në sektorin e ndërtimit, ku sipas të dhënave të publikuara në INSTAT, numri i lejeve të dhëna gjatë 2017-ës është rritur me 88,3 për qind. Por, akuza të tilla s’do të ishin shumë të besueshme, nëse nuk do të konfirmoheshin edhe nga institucione apo agjenci të ndryshme ligjzbatuese të rangut ndërkombëtar, përfshirë këtu FMN-në dhe BB-në. Këto ditët e fundit ishte Prokurori i Antimafias Italiane, Nicola Grattieri, që deklaroi qartë, se Shqipëria është një vend i përfshirë nga droga, ku paratë e drogës u përdorën për të blerë zgjedhjet dhe për të finanuar biznesin e ndërtimit në qytetet kryesore të vendit tonë. Pa u ndalur më gjatë në këto histori informale dhe kriminale njëherësh, që vetëm qeverisë aktuale nuk i intereson t’i pranojë, mjafton të themi, se masat dhe koha për “deeuroizimin”, më shumë se sa të studjuara, janë të diktuara nga oferta e lartë e eurove të drogës. Ndaj më kot Banka e Shqipërisë dhe qeveria përpiqen t’ja faturojnë vetes këtë lloj  “timing”-u për “deeuroizimin”, apo thënë ndryshe, kohën e përzgjidhur për të nisur një reformë, aksion apo një sipërmarrje të caktuar, pasi nuk do të arrihet të harmonizohet si duhet efekti i menjëhershëm me efektin e qëndrueshëm. Nga ana tjetër, kjo nismë e natyrës financiare ndërmerret në një kohë, që sipas vrojtimit më të fundit të Bankës Qendrore Europiane, “…agjentët financiarë në rajonin e Ballkanit, veçanërisht Shqipëria dhe Maqedonia, vazhdojnë të parapëlqejnë përdorimin e euros në vend të monedhës së tyre kombëtare, kryesisht për arsye të cilat lidhen me besimin që ata kanë ndaj kësaj monedhe”. Në këto kushte, përballë pasojave negative vihen, në radhë të parë, qytetarët dhe bizneset vendase të eksportit. Kësisoj depozitat në euro, që vijnë e shtohen nga remitancat e larta emigratore, janë zhvleftësuar me gati 10 për qind brenda 2-3 vitesh, ndërkohë që bizneset e eksporteve kanë humbur, për të njëjtat arsye, më shumë se 100 milionë euro. Përveçse dekurajimit për ardhjen e kursimeve të emigrantëve dhe rudhjes së biznesve që prodhojnë për eksport, masat për “deeuroizimin”, do të nxisin edhe më tej investimet e nisura në euro të bankave jashtë vendit, duke ja dorëzuar përfundimisht ekonominë tonë informalitetit dhe kriminalitetit.

Natyrisht, përderisa as anëtarësimi në BE, e jo më adoptimi i euros, nuk duket fare në horizont, rritja e efektivitetit të politikës monetare kërkon ulje të peshës relative të euros në vend, në shumë drejtime. Por një shtyrje relativisht e fortë administrative kundër euros, do të krijonte më shumë dëme se vlerë. Ndaj gjatë formulimit të këtyre masave duhen marrë në konsideratë realitetet objektive ekonomike, me qëllim që të sjellin efekte më të larta pozitive, me dëme e risqe anësore sa më të vogla. Ekonomia jonë ka nevojë imediate për një balancim të interesave. Sot pranohet gjerësisht, se vendet në tranzicion, që vazhdojnë të varfërohen apo që nuk japin shenja të një zhvillimi të shpejtë, i përjetojnë situata të tilla, jo dhe aq për shkak të mungesës së burimeve, se sa për shkak të dobësisë apo mungesës së një shteti efektiv, dhe ca më keq akoma kur vihet nën diktatin e informalitetit dhe kriminalitetit që prodhon pushtetit i drogës. Ndaj kolosi i mendimit ekonomik në botë, Milton Friedman, na mëson: “Nëse ligjet e tregut respektohen, ekonomia ekuilibrohet spontanisht falë kërkesë-ofertës, duke bërë që të jetë njëkohësisht efiçiente dhe sociale”.

Loading...

Lini nje pergjigje