Skandali/ Spitali i “rilindur” i Peqinit, kosto 8 herë më të larta se QSUT

0

I ndërtuar në të dalë të qytetit, spitali i Peqinit i ngjan një karakatine 4-katëshe të braktisur. Në recepsion dyert janë të shqyera. Në urgjencë mungon energjia elektrike dhe pacientëve u  duhet të kalojnë përmes një korridori të errët për të mbërritur në njërën prej tre dhomave me shtretër hekuri dhe harta lagështie në mure. Pavioni i patologjisë në katin e dytë është gjithashtu i zbrazur. Ndonëse është një ditë e zakonshme pune, dera e zyrës së mjekut të vetëm patolog, Ilir Rrushi është e mbyllur dhe mbi të është ngjitur për çdo rast numri i tij i telefonit.

Rrushi përbën gjysmën e organikës së mjekëve specialistë të spitalit të Peqinit, i cili supozohet të trajtojë me shërbime shëndetësore rreth 38 mijë banorë të zonës. Gjysma tjetër përbëhet nga mjekja gjinekologe, Burbuqe Ajazi, e cila mbushur moshën e pensionit katër vite më parë, vazhdon të drejtojë pavionin gjithashtu të zbrazur të gjinekologjisë. Kushtet e mjerueshme dhe mungesa e mjekëve specialistë i ka detyruar banorët e Peqinit që të braktisin spitalin e tyre dhe të udhëtojnë dhjetra kilometra në drejtim të Elbasanit, Lushnjes apo Tiranës për të marrë shërbimet e duhura mjekësore. Një fakt i tillë pranohet edhe nga nëndrejtori i spitalit, Agim Bahja. “Që në vitin 2005, për shkak të mungesave në ekipin mjekësor nuk kemi pasur asnjë pacient të shtruar,” tha Bahja për BIRN, duke nënvizuar se shërbimi i këtij spitali është kufizuar vetëm në dhënien e ndihmës së parë.

E megjithatë, trajtimi i një pacienti në spitalin e Peqinit i kushton taksapaguesve shqiptarë 8 herë më shumë se sa trajtimi në spitalet universitare të Tiranës. Shërbimi spitalor në vend përbëhet nga 5 spitale universitare, 11 rajonale dhe 24 spitale bashkiake, të cilat sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH morën së bashku një buxhet prej 17.8 miliardë lekësh për vitin 2016. Një analizë e Fondit tregon se kostoja mesatare e trajtimit për pacient varion nga 37.7 mijë lekë në spitalet rajonale në 48.1 mijë lekë në spitalet bashkiake. Në pesë spitalet universitare të Tiranës kostoja është mesatarisht 40.4 mijë lekë për pacient.

Paradoksalisht, spitale të ngjashme me atë të Peqinit kanë kosto deri në 10 herë më të larta se mesatarja e trajtimit për pacient. Në krye të kësaj liste gjendet spitali i Mallakastrës, i cili u financua nga Fondi i Sigurimeve me 430 mijë lekë për pacient në vitin 2016, i ndjekur nga spitali i Peqinit me 335 mijë lekë dhe spitali i Delvinës me 243 mijë lekë për pacient. Luhatja e madhe e kostove për pacient nxjerr në pah anomalitë e financimit të sistemit spitalor në Shqipëri, që sipas ekspertëve të intervistuar nga BIRN vazhdon të bëhet mbi baza historike dhe në anashkalim të treguesve të performancës apo nevojave të pacientëve. I pyetur nga BIRN për kostot shumëfish më të larta për pacient të disa prej spitaleve bashkiake, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tha në një përgjigje me shkrim se “kostot janë të ndryshme pasi edhe harta e sëmundshmërisë është e ndryshme”.

Fondi i Sigurimit konfirmoi gjithashtu se buxhetimi i spitaleve bëhet me zëra, sipas Vendimeve të përvitshme të Këshillit të Ministrave. “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketën e shërbimeve spitalore  të kontraktuara me metodat e mëposhtme të përcaktuar në VKM. Buxhetim me zëra shpenzimesh për: Paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit; Kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;  Mallra e shërbime të tjera,“ thuhet në përgjigjen me shkrim të FDSKSH.

Spitali i Peqinit nuk është i vetmi në këtë gjendje. Një studim i realizuar nga organizata “Together For Life” tregon mungesa të theksuara në mjekë specialistë, infrastrukturë apo medikamente në tetë prej spitaleve rajonale në vend. Drejtoresha ekzekutive e “Together for Life”, Eglantina Bardhi i tha BIRN se për shkak të këtyre problemeve kronike, qytetarët thuajse i kanë braktisur totalisht spitalet bashkiake. “Shkaqet kryesore janë keqmenaxhimi i sistemit shëndetësor, buxheti i pamjaftueshëm dhe korrupsioni i lartë.  Për këto arsye, pacientët janë të detyruar të ndeshen me mungesa barnash, mungesa analizash dhe ekzaminimesh, mungesa të mjekëve specialistë, etj,” tha Bardhi.

“Të gjitha këto sjellin një fenomen tjetër, duke i përplasur këta pacientë nga rrethet në spitalet terciare, kryesisht në QSUT,” shtoi ajo. Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili ka mbajtur më parë edhe postin e ministrit të Shëndetësisë, i tha BIRN se buxhetimi i shërbimit spitalor në vend bëhet në mënyrë fiktive, ç’ka sipas tij shpjegon edhe diferencat e mëdha të kostove nga rrethet në Tiranë. “Ato janë transferime  të karakterit  historik, pra  janë buxhete fiktive që nuk janë bazuar mbi performancën dhe nevojën  e qendrave spitalore, por janë  bazuar mbi  buxhete historike që tradicionalisht u janë dhënë spitaleve dhe aq vijojnë t’u jepen,” shtoi Vasili.

“Qeveria i ka lënë spitalet rajonale dhe bashkiake në mëshirë të fatit. Pothuajse në çdo spital sheh mure plot lagështi, pajisje e krevate të ndryshkura, dollapë të prishur, ku nuk ka as alkool, as pambuk dhe as shiringa.  Në një pjesë të mirë të spitaleve mungojnë mjekët e specializuar. Praktikisht është pothuajse e pamundur të marrësh shërbim mjekësor e aq më pak shërbim të specializuar,” tha Vokshi. “Nëse 400 milion euro nuk do të shkonin për 4 klientë dhe sponsor të kryeministrit dhe Qeverisë, po do shkonin për furnizim me barna e pajisje spitalesh, për rroga më të larta e për shpërblime të stafit mjekësor, sot gjendja nuk do ishte ajo që paraqitet në raportin e Fondit,” shtoi Vokshi. BIRN kontaktoi me disa deputetë të Partisë Socialiste në komisionin parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, por asnjëri prej tyre nuk pranoi të jepte komente mbi skemën e financimit të spitaleve në vend.

Edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka premtuar zgjidhjen e çështjes së spitaleve rajonale dhe bashkiake deri në vitin 2021. “Ne tre vitet e ardhshme do të transformojmë spitalet bashkiake në qendra 24 orëshe të urgjencës dhe shërbimeve bazë. Deri në vitin 2021, do të kemi transformuar 11 spitalet rajonale duke i akredituar dhe rankuar, bazuar në cilësinë e shërbimeve,” tha ministrja ndërsa  prezantoi strategjinë e Shëndetësisë 2020 në ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor. Por Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e shohin me mosbesim premtimin e kryeministrit, ndërsa e akuzojnë atë për politikat e deritanishme klienteliste në shëndetësi.

Lini nje pergjigje