7 faktet e panjohura për diktatorin Enver Hoxha. Prapaskenat dhe lidhjet e fshehta me fashistët

0
1025

(Në libri i ri “ENVER HOXHA “Gjysma tjetër e Hënës”)

Vasfi BARUTI

Në Korçë (’37 – ‘39) Enver Hoxha me tre “kostume”: kostumi i profesorit në Lice, kostumi i mbretërorit (“kollonë e pestë” ndër komunistët e atjeshëm) e manteli i bashkëpunëtorit fashist, dhe vendimi fals për “pushimin” nga puna me motivim “element kundër regjimit (fashist)” dhe donxhuan me vajza liceiste, nxënëse të tij. Shtatë fakte veç e veç, ama shumë më shumë, tepër shumë kur shihen bashkë, vihen në lidhje me njëri-tjetrin formojnë një lidhje harmonike për identitetin e profesor Enver H. në Korçë.

Kallzimtari komunist në gjyqin antikomunist të ’39-ës

Biografi e shkurtër ka një fakt për shpërndarjen e librave komuniste dhe Enver H. rrezikohej me shumë vite burg në gjyqi kundër komunistëve, janar 1939: “Në janar 1939 qeveria e Zogut arrestoi e hedh në gjyq një numër të madh komunistësh. Enveri u kallzua nga profesorët reaksionarë të Liceut si pjesëtar i organizatës subversive por shokët e arrestuar nuk treguan asnjë emër.”[1] Shokët e tij mbajtën qëndrim “heroik” dhe s’treguan asgjë për Enverin dhe e vërteta vjen nga K. Tashko, i cili në vjeshtën e parë ’42 në letrën që i dërgoi Kominternit shkruante: “Shoku Vasil Shanto s’është kërkuar akoma prej Partisë të japë hesape […] Shoku Vasil Shanto është ai që kallzoi shokët e Grupit të Korçës në gjyqi i komunistëve në 1939.”[2] […] Refleksion i P. Plakut për marrëdhëniet Enver – Shanto: “…Marrëdhëniet ndërmjet Vasil Shantos, një nga komunistët më të vjetër shqiptarë në një anë dhe Enver Hoxhës në anën tjetër, janë interesante në shumë pikëpamje. Enver Hoxha nuk e duronte kurrësesi Vasil Shanton. Intoleranca e tij ndaj Vasil Shantos daton që nga Konferenca e parë Nacionale e PKSH, në mars 1943. Gjatë një debati të hapët e të ashpër, Vasil Shanto i tha drejt në sy Enver Hoxhës se e konsideronoportunist i madh e njeri i pakarakter në udhëheqjen e PK të Shqipërisë.” Enver Hoxha kurrë nuk ia ka harruar këtë Vasil Shantos, megjithëse gjithë konflikti e fjalët që u thanë atëherë mbaheshin në fshehtësi. […].”[3] Shpërthimi i revoltës së Shantos s’mund të jetë i rastit. Në dokumentet e gjyqit të janarit ’39 lexohet qartë se Shanto në gjyq kallzoi shokët e grupit të Korçës dhe në Konferencë tregoi se nga radhët e Grupit të Korçës ishin dy të Grupit që kallzuan shokët në polici. Kryetari i Grupit të Korçës ishte Miha Lako, i akuzuar me grupin e komunistëve, por në gjyq mori pafajësi dhe si i tillë përjashtohet mundësia e të qenit komunist kallzimtar i shokëve në polici. […] Enveri ridel përsëri në skenë, i pushtuar nga ndjenja e fortë e hakmarrjes. Hoxha nuk ia fal as shpirtit hero të Shantos, i cili në Konferencë lëshoi bombën për komunistë që kallzuan shokët në polici. Fundvitet ’70 Petro Bullati (dënuar me vdekje në mungesë nga gjyqi special fashist me vendimin e 25 qërshorit ’43), kunati i Shantos, pushkatohej për veprimtari “armiqësore” dhe lihej pa varr; kurse motra e Vasilit internohej – hakmarrje pacak – dhe diku-diku shihet konflikti me Shanton në ditët e marsit ’43, sepse ai diti të vertetën e kallzimtarit të shokëve në polici dhe i dyshuari i madh mbeti Enveri.

Tjetër hakmarrje me Niko Xoxi …

Komunisti Niko Xoxi jetonte me profesionin këpucar dhe iu muar jeta pas daljes nga burgu politik fashist 3 -vjeçar. Ai kishte informacion për spiunimin e komunistëve në polici sepse edhe vetë ra në këtë kurth; të varrosej ky burim informacioni për të vërtetën e pamëshirë Enveri urdhëroi “dekorimin” e tij pa gjyq e pa varr. Në Biografia e EH shkruhet për meritë: “Enveri u dha urdhër shokëve të Korçës të pushkatonin Niko Xoxen trockist e agjent i fashizmit. Ai u ekzekutua.”[4] Niko X. merr dënim maksimal (10 vjet) me motivacion se ishte komunist e përhapte idetë komuniste, kurse tre vjet më pas Enveri urdhëron pushkatimin e tij pa gjyq sepse ishte “trockist” e “agjent” i fashizmit. E vërteta e akuzave të Hoxhës zerohet nga tinzëria e tij për ekzekutimin e Xoxit në mënyrë të fshehtë e sekret pa lënë gjurmë, por gjurma mbeti në vetë Biografia e tij (1947).

Enver H. nuk ishte “Element kundër regjimit fashist”!

Enver H. i rikthyer nga Brukseli pritej të likujdojë gjithë detyrimet ligjore (të kthente bursën e marrë trevjecare dhe të kryente shërbimin ushtarak) dhe përkundër i jepej punë ndër më të nderuarat e kohës, mësues i Liceut të Korçës dhe sërish thyhet si s’ka më keq urdhëri i prerë mbretëror që “asnjë nënpunës të mos emërohet pa kryer shërbimin ushtarak”. E s’ka asnjë arësye të justifikojë shkeljet e dekreteve të mbretit dhe ka veç një përjashtim: të qenit e EH me status të veçantë: “… shërbime të posaçme për shtetin”, i cituar më parë. S’ka e s’ka do të thotë s’ka asnjë vendim pushim nga puna me motivacion “Enver Hoxha element kundër regjimit fashist”; përkundër, Ministria e Arsimit e pushon me motivacion “del i panevojshëm” – pa sqarime të tjera – dhe Enveri kërkon vetë, me lutje Liceut, largimin nga puna si mësues i Liceut. Si mësues vlerësohet “I padenjë për edukator.”

Në historitë e shumta të Luftës shkruhet se Enveri pushohej nga puna e mësuesit në Liceun e Korçës me motiv “Element kundër regjimit dhe refuzoi të shkruhet fashist” dhe ky “motiv” ndryshoi nga koha në kohë! Motivi i pushimit nga puna i EH: “ Një ditë fashistët me demagogjinë e tyre [] shpallë një manifestim të madh që do bënte populli i Korçës të nderojë kujtimin e dëshmorit Themistokli Gërmenji. Në vendin e festimit shkojnë autoritetet më të larta […] Por Grupi Komunist i Korçës dha kushtrim për sabotimin e manifestimit dhe në shesh shkuan vetëm kryetarët fashist. Enveri që në atë kohë pushohej nga puna me motivacionin: Është kundër regjimit dhe nuk ka pranuar të shkruhet fashist dhe kanë shkruar kundër tij shumë raporte në Luogotenca nga Tefik Mborja. Autoritetet fashiste kishin të drejtë.”[5]

Ngjarja, siç shkruhet, s’ka ndodhur, manifestimi është bërë, por jo entusiast; e pavërtetë se “Grupi Komunist i Korçës dha kushtrim për sabotimin e manifestimit”, sepse Grupi në mars 1938 kishte shpërndarë celulat dhe kishte pushuar si grup në zbatim të direktivës të Kominternit. Meqë s’ngjiste ky motiv i pushimit nga puna i Enverit, u gjet një “motiv” tjetër edhe më shumë absurd, i shkruar një vit pasi Enver H. ishte nën dhé – “Enver Hoxha 1908-1985”[6] “Për veprimtarinë revolucionare e qëndrimin e vendosur e të hapët antifashist, pas daljes në ballë të demonstratës së 28 nëntorit 1939, Enver Hoxha pushohet nga puna dhe nxirret jashtë kuadrit të arsimit.”[7]

Është e njohur demonstrata antifashiste e 28 nëntorit ’39 në qytetin e Korçës dhe për të ka tre komente të ndryshme. Aqif Selfo i referohej dokumentit dt. 29.XI.1939 i Mini- strisë Punëve të Brendëshme (pa treguar burimin arkivor) e EH dokumenti e ka pjesëmarrës me nxënës e mësues në manifestim para monumentit të Heroit Kombëtar: “… nxënësit ishin të detyruar të ndodheshin edhe ata në mbjelljen e drurëve dhe kishin formuar kortezh në qytet dhe duke shëtit tërë rrugët depozituan kurorë para monumentit të Heroit Kombëtar… Sot jemi në gjëndje të kërkojmë që Mini- stria e Arsimit të ndëshkojë profesor Enver Hoxha. Për të tjerët rezervohemi të raportojmë herën tjetër.”[8] Në albumi Enver Hoxha 1908-1985 botohet një faksimile me diçiturë: Faksimile e vendimit të pushimit nga puna për pjesëmarrje në demonstratën antifashiste të 28 nëntorit ‘39 dhe faksimile e vënë në lupë zbulon motivin e pushi- mit nga puna të Enverit, dy absurd:

      Absurdi i parë. Vendimi “i pushimit” nga puna daton 13 nëntor, 15 ditë më parë se të vinte demonstrata e 28 nëntorit dhe natyrshëm vendimi s’ka asnjë lidhje me demonstartën; Absurdi i dytë. Vendimi nuk e shpall EH “element kundër regjimit fashist” por e le “jashtë kuadrit mbasi nuk shihet nevoja e mbajtjes së tij në shërbim” si profesor. Teksti i vendimit të pushimit nga puna është ky:

Vendim

Ministria e Arsimit

Nr. 66 21/4X

                                               Tiranë 13. 11. 1939

                                            Gjimnazit të Gjirokastrës

Shkurtimi:

Ju njoftohet se z. Enver Hoxha, mësues i transferuar aty prej Liceut të Korçës shkarkohet nga detyra dhe mbetet jashtë kuadrit mbasi nuk shihet nevoja e mbajtjes së tij në shërbim.

Ministri [d.v]                         

 Drejtorisë së Liceut Korçë

 Për njoftim e për të marrë shënimet e nevojshme.[9]

Figura 59. Imazh/Vendimi i largimit nga detyra por jo si “element kundër regjimit fashist”.

 

Apologjetë sajojnë ngjarje e vendime të paqena dhe ne të tjerët na shohin si të jemi berra që me një shenjë e ndjekin pas bariun e tyre – të lexohet vendimi sipas interesave të tyre. Vendimi është i shkurtuar (i arsyetuar s’gjendet në dosje) se transferimi i tij ka qenë i arsyetuar gjatë e arsye kryesore është motivacioni që e jep qartë Panajot Plaku – për       marrëdhënie intime me vajzat e Liceut, apo Pavël Goraniç, të cituar më parë, po edhe me kërkesën e vetë EH për largim nga detyra e mësuesit të Liceut. Vendimi i Ministrisë për transferimin e EH në Gjirokastër, i 13 nëntorit, vjen me vonesë në Korçë dhe i ko- munikohet më 8 dhjetor 1939.[10] 

      … Enveri do të tregohej hakmarrës, sidomos me njerëzit që  kishin dijeni për jetën e tij. Me porosi të tij u vranë me atentat gjatë luftës ish-qarkomandanti i Korçës Skënder Çami (1942), ish-prefekti i Korçës Veli Vasjari (1944), të cilët kishin dijeni të plotë për EH kur ishte mësues në Korçë. Hakmarrje për persona të tjerë në funksione, si ish qarkomandantët Tahsim Bishqemi, Daut Çarçani, Shyqyri Borshi, Gjush Dedja etj., ish-prefektët Zef Kadarja, Javer Hurshit, Kolë Tromara etj. u shkuan në plumb për informacione për Korçën e Gjirokastrën…”[11] Enveri pastron mirë arkivin sekret të Shërbimit Sekret edhe arkiva të prefekturave të Gjirokastrës, Korçës e Tiranës dhe megjithë spastrimet mbetë gjurmë (në vijim) me shtatë argumente-fakte konspiracioni sekret të Enverit.

————————————————————————–

LIDHJE TË FSHEHTA

TË PROFESOR ENVER HOXHËS

Me dokumente arkivore fashiste…

Krerë komunistë shihen në rrjeta konspiracionit të fshehtë dhe s’është ndonjë habi! Nako S. në fillimet e fashizmit ishte kreu i rinisë fashiste në Durrës, Bedri S. në vitin ‘39 bëhej militant fashist i orëve të para, Omer Nishani e plot të tjerë, po kështu. Në kërkim gjurmë konspiracioni fashist të EH me fakte burimore. Ngulmues që faktet historike t‘i kërkoj e trajtoj me përgjegjësi “hetuesi” të përgjegjshëm, ndryshe s’mund të shkruhet histori e vërtetë dhe lexuesi le të jetë gjykatësi im! Në Lice me “kostum” profesori – po ai “kostum” studenti e diplomati në Monpelje e Bruksel – vetëmse ndryshon ngjyrë dhe materia mbeti po ajo. Shtatë fakte burimore vënë në lidhje formojnë hallka të një zinxhiri dhe me të njëjtin argument: lidhje të fshehta apo kallzim shokësh në de- monstrata antifashiste e 28 nëntorit ’39!

Fakti 1

Enveri me kostumin e profesorit të Liceut është aktiv në demonstrime të hapura antifashiste në qytet amá është edhe në paqe me organet fashiste. “Ngjarjet e ditëve të para të prillit 1939 e gjejnë Enverin në Korçë gjithnjë në krye të përpjekjeve për organizimin e një fronti të përbashkët antifashist.”[12] [Enver Hoxha. Biografi e shkurtër].

 

Paralele Enver – Zai Fundo

      “Në prag të 7 prillit [Z. Fundo] pasi bëri ç’ishte e mundur të sabotonte punën tonë për rezistencën kundër pushtuesit, pa pritur ndërroi rol. Në kulmi i demonstratës popullore u ngjit në shkallët e Bashkisë e mbajti fjalim “antifashist” gjithë figu- ra, gjeste e ekstazë. Ne që njihnim fytyrën e vërtetë të rene- gatit nuk i hëngrëm fjalët e tij por ato efektin e bënë.”[13] Fundo për “shpërblim” të fjalimit entusiast antifashist para shkallëve të Bashkisë së Korçës mori internim me 3 vjet në ishullin e vdekjes Ventotene dhe e vojti atë deri ditën e fundit; kurse EH s’pësoi asfare si “antifashist” i hapur, përndryshe nga “agjenti” Fundo! EH njëshi në manifestimin antifashist të 28 nëntorit në Korçë, por asnjë gjemb fashist s’i hyri! Rastësi!? E shohim në vijim…

Fakti 2

Enveri betohej se kishte qëndrime të hapura antifashiste amá shpërblehet nga organet e larta fashiste me vizë udhëtimi në Itali. Vizë fashiste për Enverin antifashist! EH, rrëfimi: “Kur isha mësues në Korçë dhe Italia na kishte pushtuar, mua m’u fry gjuri keq dhe doktorët më rekomanduan se duhet të bëja banja me një baltë speciale. Fahrija dhe Bahriu nuk ishin kthyer akoma në Shqipëri. Mora ca para hua dhe tok me Fahrijen shkuam në Salcomaxhore. Duhet thënë se banjat ishin të mira, po ashtu e shërbimi dhe pata një përmirësim të tillë sa sëmundja e gjurit nuk m’u përsërit më, bile as gjatë viteve të rënda të luftës.[14] Memorie, Luan Omari:[15] “Në vitin 1939 erdhi në Bari për mjekim. [] Shkuam dhe kur anija iu afrua skelës pamë se Enveri ishte në kuvertën e anijes në një karrike, me gjunjët e mbuluar me batanije. Hipëm në anije dhe morëm vesh se nuk ecte dot dhe se kishte dhimbje të forta në këmbë, nga gjuri e poshtë. Nga anija deri në skelë e mbajti një hamall i fuqishëm. Në Bari iu nënështrua vizitave dhe analizave mjekësore te patolog i njohur i Uni- versitetit të atjeshëm, profesor Gargasole. […] fjala ishte për reumatizëm akut që mund të shërohej me kura të ndryshme dhe me banja termale. Në Bari filloi kurat. Qëndroi në shtë- pinë tonë një kohë relativisht të gjatë, ndoshta dy-tre muaj dhe gradualisht u përmirësua, ngrihej në dhomë me paterica e me bastun dhe pas një farë kohe dilte shëtitje. Kur u për- mirësua krejt e hoqi edhe bastunin Enveri u largua nga Bari për në Shqipëri. Në verë (më duket se ishte po viti 1939) së bashku me nënën time dhe vëllanë e vogël Fatosin, shkoi në Salsomaggiore (një vend me banjo termike pranë Bolonjës), bëri banja për reumatizëm. …”[16]

Enveri “protagonist” i njohur antifashist: “Enveri u shqua për demaskimin në popull e veçanërisht me rininë shkollore të qëllimeve të fashizmit.”[17] EH merr vizë në Ministrinë e Brendshme fashiste e shkon në Itali për mjekim dhe kjo s’mund të ndodhë kurrë pa afri e lidhje të fshehta interesi me Ministrinë e Brendëshme fashiste. Një protagonisti të njohur “anti- fashist”, si EH, s’mund të besohet kurrë se do i jepej një vizë, qoftë e shëndetësore në Itali, përkundër do të ndi- qej e internohej, si Fundo me shokë!

Fakti 3

Më 28 nëntor 1939, me profesorë e nxënës të Liceut të Korçës organizohet një demonstrim antifashistë dhe prefekti i Korçës e Mëkëmbësia e Përgjithëshmë fashiste në Shqipëri saktësonte shkaktarët dhe i pari në rend i organizatorëve antifashistë listohet Enver Hoxha. Figura 60. Në dosjen hetimore të gjyqit fashist janë gjithë organizatorët e demonstratës dhe mes tyre në dosje mungon profesor Enver Hoxha, i pari në shkresën denoncuese të policisë dhe heqja e tij nga dosja hetimore ishte e drejta vetëm e eprorëve të organeve të fshehta fashiste, SIMI apo OVRA fashiste.

Figura 60. Enver H. i pari demonstrues në dokumenti fashist!

Manifestimi antifashist i 28 nëntorit në Korçë vjen edhe në memorie të Abaz Ermenjit, njëri nga organizatorët: “Demonstrata e madhe antifashiste e 28 nëntorit 1939 ishte një nga veprimet e para të fuqishme. Selman Riza ishte në rreshti i parë bashkë me organizatorë të demonstrates: Faslli Frashëri, Llazar Fundo, Stavro Skendo, Loni Kristo.”[18] Mes tyre edhe rrëfimtari Abaz Ermenji, aso kohe profesor i Liceut të Korçës, kurse EH e “harron” ta listojë në organizatorët e demonstrimit antifashist, por s’e harron policia që e liston të parin e demonstruesve. Policia arreston organizatorët e demonstrates por jo Enver H dhe ku ishte ai atë natë arrestimi të shokëve? “… Natën e asaj dite karabinierët arrestuan Selman Rizën, po atë natë arres- tuan e Loni Kristo, Pëllumb Dishnica, Masar Shehu, Stavri Skendo, Fejzulla Shahini. Natën vonë pasi u lodhë së pyeturi i lanë të lirë. “Mbaj mend, tregon Masar Shehu në kujtimet e tij, se në shtëpi më priste Enver Hoxha për të marrë vesh se çfarë kishte ndodhur.”[19] 

Në dokumentin fashist Enver H është i pari i organizatorëve të demonstratës, por nuk thirret nga zyra e karabinerisë fashiste dhe pret në shtëpi shokun e tij Masar Shehu të      mësojë ç’u ishte thënë shokëve në zyrën fashiste ku merren në gjendje arresti. Përse Enver H. nuk merret në gjendje arresti si shokët e tij organizatorë antifashiste dhe ishte i listuar i pari antifashist? E pa një arsye s’mund të jetë!

Prefekti i Korçës me shkresë nr.  235 XVII rez, dt. 7.12.39 njofton eprorët, në përfundim të hetimeve dyjavore, se shkaktarët e manifestimeve të 28 nëntorit ishin profesorët e Liceut të Korçës Enver Hoxha, Masar Shehu, Stavro Skendi, Selman Riza, Foto Bala, Loni Kristo, Abaz Ermenji e disa studentë të klasave të larta …[20] Figura 60. Mëkëmbësia e Përgjithshëm fashiste në Shqipëri, në relacionin mbi hetimin e prefektit Kodeli, në reshtin e parë të raportit konstaton shkaktarët e manifestimit: “Për incidentin e 28 nëntorit janë përgjegjës profesorët e Liceut të Korçës Masar Shehu, Stavro Skendi, Selman Riza, Abaz Ermenji, Vedat Kokona dhe studentët…”

Seksioni Politik i MP të Brendëshme njofton prefekturën e Korçës, 8 dhjetor ’39, se personat e akuzuar në lidhje me incidentin e vërejtur janë 39 persona (emrat) dhe profesori Enver hiqej nga lista e të akuzuarve,[21] kur ishte i pari në listën e prefektit e të Mëkëmbësisë së Përgjithëshme fashiste të Shqipërisë, siç citohet më parë. Heqja e Enverit nga lista e të akuzuarve të policisë fashiste është argument i lidhjeve të tij me shërbimin policor fashist, me motiv kallëzim shokët për të shpëtuar ai vetë.

Komisioni i internimeve merr masa të egra për organizatorët e demonstratës së 28 nëntorit: shkurt 1940 internohen me tre vjet, në ishulli Ventotene në Deti Tirren,               demonstruesit antifashistë të 28 nëntorit ‘39: Selman Riza, Abazi Ermenji, Stavri Skendi, Masar Shehu, Loni Kristo.[22] Papërjashtimisht me ta bashkë pritej të ishte dhe               “antifashisti” Enver H. dhe përderisa ai nuk internohej me shokët antifashistë, atëherë cili është argumenti kundërshtues, pse ai nuk internohej, kur listohej i pari antifashist?

Pesë konstatime të fundme

Prefekti i Korçës dhe Mëkmbësi i Përgjithshëm fashist ndër pesë organizatorët e manifestimit antifashist të 28 nëntorit në Korçë (1) përgjegjës të parë saktëson profesor Enver Hoxha; (2) në dokumentin e Seksionit Politik të MB nuk lexohet kund emri i Enver Hoxhës dhe mbetën përgjegjës të atij demonstrimi antifashist katër demonstruesit e tjerë të renditur pas Enverit; (3) dosjes hetimore të gjyqit për organizatorët antifashistë i mungon Enver Hoxha dhe janë gjithë të tjerët; (4) gjyqi fashist dënon me tre vjet internim në Ventotena organizatorët e demonstartës antifashiste: Selman Riza, Abazi Ermenji, Stavri Skendi, Masar Shehu, Loni Kristo, kurse Enver Hoxha as thirret në gjyq, as masë policore e as masë disiplinore nuk merret për të dhe vendimi për pushimin nga puna qartësisht s’ka e s’mund të ketë motiv politik antifashist; (5) Këto katër konstatime kanë dhe shumë pikëpyetje dhe tekefundit: Profesor Enver Hoxha nuk mund të fitojë çertifikatën e pafajësisë dhe mbetet kontigjent bashkëpunues i policisë fashiste për manifestimin antifashit të 28 nëntorit ’39.

Fakti 4

Drejtoria e Liceut të Korçës i jep përgjigje negative lutjes së professor EH për t’u paguar orë mësimi të pabëra dhe drejtoria e Liceut i drejtohet Ministrisë së Arsimit dhe me urdhër të Ministrit të Brendshëm fashist urdhërohet Ministria e Arsimit që profesorit EH t’i paguhen orët e mësimit që ai kërkon. Mesa duketprofesor Enveri kërkon ndihmën e jerarkëve të lartë fashist e përgjigjia jepej në urdhërin e ministrit të brendshëm fashist. Kronologjia e faktit e konstatimet.

Nëndrejtori i liceut i shkruan Ministrisë së Arsimit: “Kemi nderin t’i paraqitim bashkëngjitur asaj Ministrije lutjen më datë 30/11/’43-XVIII të Enver Hoxha profesor me orë speciale[23] në Lice i cili kërkon të paguhet që prej datës 25/9-1/10/39-XVII. Veç kësaj ky zotni na paraqiti sot një listë për 116 orë të muajit Tetor k.v tue kërkue të paguhet dhe për këto orë. Siç dihet mësimet në këtë Institut filluan datën e sotme[24] andaj lutemi të kemi përgjigjen e asaj Ministrie të mund t’ja komunikojmë t’interesuarit. Zv. Drejtor i Liceut. Sarafim Ligori.[25] Drejtoria e Liceut i shkruan Ministrisë Arsimit se profesor Enveri kërkon ti paguen orë që s’i kishte bërë e kërkon përgjigjien e asaj.

Profesori mori përgjigjien negative të drejtorisë së Liceut dhe ç’ndodhi më pas? Me shkresën 5.XII.1939 me porosi të ministrit të brendshëm përgjigjja vjen nga zëvendësministri i Brendshëm dhe në zbatim të urdhërit të eprorit fashist Ministri e Arsimit lëshon urdhër të brendshëm. Përgjigjia – urdhër i ministrit të brendshëm: “Llogarisë këtu. Autorizoheni me lëshue në favor personelit mësimor të Liceut të Korçës si shpërblim orësh specialeEnver Hoxhës me llogari: 142 X 3=426 [franga].[26]             

Konstatimi i parë

Drejtoria e Liceut i shkruan Ministrisë Arsimit e përgjigjja jepet me porosi të Ministrit të Brendshëm dhe ç’lidhje ka profesor Enveri me Ministrinë e Brendshme që urdhëron t’i bëhet pagesa për orë të pabëra! Nëse përgjigjia do të jepej nga ministri i Arsimit, ndofta ky citim s’do të vinte këtu. Me dukje lidhje të fshehtë të EH me Ministrinë e Brendëshme fashiste.

Konstatim i dytë

Ministria e Arsimit urdhëron financën e saj të paguhen në favor të profesor Enverit 142 orë të pabëra (426 franga)[27] si “shpërblim për orët e shtator – tetorit të k.v.”,[28] por     mësimet filluan më 30 nëntor!!! Ka arsye të fortë pse të dy ministritë urdhërojnë pagesë për profesorin për punë të pabërë, derisa nëndrejtori i Liceut i shkruante Ministrisë së vet: “mësimet sot filluan!”[29]

Konstatimi i tretë

Urdhëri për pagesë të orëve të pabëra jepet pas kryerjes së demonstartës së 28 nëntorit, kur policia fashiste profesor Enverin e liston të parin me organizatorët e demonstrates dhe në vend të pësonte atë që vuajtën shokët – internimin, paguhet për orë të pabëra, ama edhe me porosi të ministrit të brendshëm fashist!!!

Konstatimi i katërt

Profesor Enveri kërkon që drejtoria e Liceut t’i paguajë punën e papaguar për 118 orë, ama në list-kërkesën e profesorit janë bërë korrigjime nga drejtori i Liceut, Kurville, që shihen në kolona e dytë dhe nga 118 orë të kërkuara drejtori nxjerr vetëm 37 orë që kishte bërë profesor Enveri. Ndërsa datat 9, 11 e 12 dhjetor drejtori i mbyll në kuadrat e u heq kryq me shënimin e tij me bojë: “Më datë 8/XII/ iu komunikua udhëri i transferimit.”[30] Pas urdhër-transferimit profesor Enveri s’kishte bërë asnjë orë mësimi dhe kërkon pagesë për punë të pabërë dhe kërkesa për orë të pabëra s’shkon për detyrën që mban, është mësues i moralit, është një kërkesë fare ordinere.

Fakti 5

Në inventarin e AQSH (viti 1939) mbeti fare rastësisht (mungesë vigjilence e censures) një fakt-provë se EH shkon në Itali dhjetorin ’39 me vizë nga instancat e larta fashiste. Në përmbajtjen e dosjes arkivore mbeti indikacioni: “Korrespodencë ndërmjet Ministrisë Arsimit dhe drejtorive të gjimnazit Korçë e Gjirokastër mbi transferimin e Enver Hoxhës, shpërblimin e orëve të mësimit dhe dhënia lejë për të shkuar në Itali për arsye familjare.”[31] U kwërkua nëw qindra metra shirit bobine për të gjetur atë dosje (nr. 274) dhe përfundimi ishte tronditës, dosja mungonte, ama rrëmbeva një trofe të çmuar: Bobina[32] ka prerje të shiritit me shënimin: “Dokumentat janë marrë [prerje] nga Komiteti Qëndror.” Shënimi në bobinë është pa emrin e marrësit të dosjes e censori mendoi se zhduku çdo gjurmë të dokumentit dhe s’i punoi mendja se dokumentet ishin dubluar në fondi i origjinës, Liceu i Korçës (cituar më parë). Dosja ka dokumentin e transferimit të EH dhe atë për shpërblimin e orëve të mësimit, por në fond s’mund të ishte leja e ministrisë Brendëshme se merrej nga Partia.

Pse ai “dënimi” kapital – prerje e shiritit të bobinës me gërshërë? Që dokumenti të jetë vetëm në arkivin personal të EH apo për t’u asgjësuar! Dhe nëse dokumenti në film s’kishte ndonjë sekret atëherë pse duhej prerë? Sepse kishte disa sekrete: Kërkesa e paligjëshme për t’u paguar për punë të pabërë; për të fshehur vendimin e Ministrisë së Arsimit i cili s’ka motiv politik për pushimin e profesor EH si e deshin të ishte; dhe një arsye madhore: Të fshehë lejën e Ministrisë së Brendshme që i jepej profesor EH për të udhëtuar në Itali “për arsye familjare”, dhjetor 1939. EH la në ditar udhëtimin në Itali për arsye shëndetësore (1939), siç shkruhet më parë amá s’la gjurmë udhëtimi të dytë, dhjetor 1939 dhe pa arsye s’mund të jetë! Një tjetër lidhje e fshehtë e profesor Enverit me linja fashiste….

Fakti 6

Loja fashiste e “kapjes” së EH – protagonist në demonstrata e 28 tetorit 1941! Më këtë datë bëhej e para demonstratë politike antifashiste në Tiranë – nga e premte e zezë e 7 prillit 1939, kur vendi pushtohej nga Italia fashiste. Frutet e demonstratës i korrë komunistët dhe organizator e udhëheqës i saj njihej EH i cili e përshkruan ngjarjen: “Demonstrata u bë e madhe, e fuqishme, e furishme, ashtu siç kishim parashi- kuar. U përleshëm e gjakosëm me karabineri e me milicinë fashiste.”[33]

Në mjaft burime e vërteta është tjetër. Demostrata ishte e rinisë antifashiste dhe asaj komuniste, rinia e organizoi, rinia mbajti peshën kryesore dhe Enveri s’kishte asnjë rol udhëheqësi e organizatori, ai me shokë të tij ishte vëzhgues në bisht të turmës. [34] Kalendari enciklopedik i Vasil Xhaçkës (’45) “fikson” me dy rreshta se EH u përlesh me një fashist për t’i rrëmbyer nga duart shokun Gjikë Kuqali, pa iu referuar ndonjë burim informacioni ndaj dhe s’është i besueshëm – “fiksimi” i kësaj “përleshje” nga botuesi i Kalendarit bëhej për interesa pragmatiste dhe kam parasysh zhvillimin e asaj ngjarje: I vërtetë është dhe fakti se ku ndodhi “përleshja” (para Xhamisë së sotme) demonstruesit ishin të rrethuar me milicë të shumtë, si e jep dokumenti, e as zogu s’mund t’i shpëtojë atij rrethimi fashist, por Enveri i “shpëtoi” dhe doli ilegal në Tiranë!

Si shpëtoi EH nga arrestimi fashist? Lojë fashiste!

Dhe “rrëfen” vetë Enveri pa e kuptuar edhe vetë thelbin e rrëfimit të tij: “… Të nesërmen u detyrova të hidhem në ilegalitet. Ka edhe kjo historinë e vet. Në mëngjesin e 29 tetorit në “Flora” ia behën karabinierët. Dy prej tyre, krekosur me rripa meshini  kryq e tërthor kraharorit e me këllëfët e revolverëve të hapur, hynë brenda, të tjerët qëndruan jashtë. […] “Enver Hoxha! – thirri një nga karabinierët. – Dove e Enver Hoxha […] – Ja, këtu brenda është, prisni ju lutem, ta lajmëroj, – u thashë me zë të qetë e me gjeste të një “gatishmërie” kaq shembullore, sikur mezi prisja rastin t’u bëja pipinove një shërbim të çmuar! Kisha goditur në shenjë. Më besuan. Hyra në pjesën e brendshme të dyqanit, duke thirrur me zë të lartë, “Enver, të kërkojnë”, hapa me shpejtësi derickën e pasme, të çelur apostafat për raste të tilla, u lëshova në një rrugicë të ngushtë, kapërceva në oborrin e një plake të vetmuar dhe prej andej, duke i rënë mes për mes “Lagjes së çobanëve”, përshkova “i qetë”, por me sytë katër bulevardin e madh. Pas disa çastesh kur hyra në lagjen popullore, matanë bulevardit, u binda se fashistëve vetëm emri u kishte mbetur në duar.”[35]

Një përrallë nga vite lufte! Milicët fashistë që pas tyre janë ata të OVRA-s a të SIMI-t fashist, të rregjur në ngritje kurthesh për antifashistët dhe: bastisej dyqani “Flora” nga shumë milicë fashistë e s’njohin EH që e kishin parë një ditë më parë në demonstratën e 28 tetorit dhe pyesin EH: “Ku është Enver Hoxha?” dhe ai largohet duke thirrur: Enver të kërkojnë… Dhe të ishin kaq naivë karabinierët fashistë e specilistët pas tyre sa të mos bënin rrethimin e “Florës”, siç bënë në rastin e Qemal Stafës apo të Vojo Kushit etj. Është kjo një lojë fashiste.

      Tjetër fantaste Lufte! Pas “dështimit” të kapjes së Enverit fashistët largohen pa bërë rregullin elementar: arrestimin e shokëve të Enverit – Pilo Peristeri e Ilo Dardha; “harruan” dhe kontrollin e mjediseve të brendëshme të Flora-s! “Harruan” të venë në ndjekje të fshehtë shokët e EH që ishin në “Flora” dhe këtë e zbulon EH vetë: E vetmja gjë që më mbajti në ankth e në shqetësim gjithë atë ditë ishte fati i shokëve. Por në mbrëmje vonë, në bazën ilegale ku isha vendosur, brofa në këmbë, kur pashë Pilon të hynte. Ishte gjithë qejf. – Ama të punuar, tha. – Ua le bajgat pipinove, – dhe më shpjegoi fill e për pe rrëmujën e zemërimin e karabinierëve kur e kishin kuptuar se ç’u kishte ndodhur. Shokëve tanë për fat nuk u kishin bërë asgjë. Si duket emrat e tyre nuk qenë futur akoma në listat e kuesturës fashiste.[36]

Fakti 7

Lidhje të fshehta të Enverit dhe Miladin P. me Kamber Qafmolla, kryekuestori fashist i Kuesturës së Tiranës dhe kjo është arsye pse Qafmolla ftohet delegat në Konferencën e Pezës dhe zgjidhet kryetar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, organi më i lartë i luftës antifashiste. Në vendimin nr. 04801, dt. 15.11.1941 të Kuesturës fashiste të Tiranës – një listë me 32 persona të identifikuar demonstrues aktivë në demonstratë të 28 tetorit dhe Enveri është i listuar i 12-i: “… 12. Hoxha Enver i Halilit, lindur në Gjirokastër, 32 vjet, banues në Tiranë, Rruga e Dibrës, tregëtar, i caktuar për t’u arrestuar.”, pjesmarrës në demonstartën e 28 Tetorit të stude- ntëve të Tiranës.[37] Firma: Kuestori Kamber Qafmolla. Shkruhej për EH se kërkohej për tu arrestuar dhe asnjëherë s’jepej faksimile apo burimi arkivor dhe ishte një arsye e fortë: Vendimi mban firmën Kamber Qafmolla. Në biografia “Enver Hoxha 1908 – 1985” (1986) e qëndrorit të Partisë vendimi i cituar më lart është i mistifikuar: EH nga i 12-i del i pari e i vetmi (!) Kamber Qafmolla kryekuestori fashist i Tiranës pa kaluar viti është delegat në Konferencën Pezës dhe zgjidhej kryetar Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar (i përkohshëm), organi më i lartë i Luftës. Qafmolla fashist infil-trohej në strukturat komuniste, ama njëherësh i infiltruar edhe nga binomi Miladin-Enver – ta likujdojnë me tinzërinë e njohur të tyre – por s’u shkoi mbroth deri në fund. Qafmolla dekonspirohej nga Miladin – EH dhe arrestohej nga fashistët, qëndroi gati një vit burg e me firmën e kreut të Qeverisë kolaboracioniste fashiste lirohej me vendimin: Kamber Qafmolla është i pafajshëm! Ama s’mungojnë as edhe faktologji tjetër…

[1]Enver Hoxha Biografi e shkurtër 1947 [Gjyqi special i 73 komunistëve, në shkurt ’39, nga të cilët u dënuan 49 vetë me dënim maksimal 10 vjet ishin: Zef Mala, Niko Xoxi, Vasil Shanto e Petro Dume dhe u shpallë 23 të pafajshëm. AQSH, Fondi Qemal Stafa, dosja 7-9, 1939]

[2] AQSH, Fondi 14, dosja 5, 1942

[3] Panajot Plaku. Dhuna kundër revolucionit në Shqipëri: 31-32

[4] Enver Hoxha. Biografia e shkurtër, Tiranë 1947:41

[5] Enver Hoxha. Biografi e shkurtër 1947:12

[6]Në redaksinë e biografisë është dhe Teuta Hoxha, bashkëshortja e Ilir Hoxhës, djali i Enverit.

[7] Enver Hoxha 1908 – 1985. Tiranë 1986:41

[8] AQSH. Fondi Personal i E. Hoxhës. Dokumenti dt. 29.11.39 i MPB, Studimi i Aqif Selfos, f.75.

[9] Enver Hoxha 1908 – 1985. Tiranë 1986:41

[10] AQSH, Fondi 335, dosja 305, 1939

[11] Kastriot Dervishi. Shërbimi Sekret Shqiptar, 2007:326

[12] Enver Hoxha. Biografi e shkurtër, 1947:4

[13] Enver Hoxha. Kur lindi Partia, 1982: 29

[14] Enver Hoxha. Vite të Rinisë,  1988: 128

[15] Djali i Bahriut,  kunati i Enver H.

[16] Kujtime për Enverin, vol. I, faqe 394

[17] Enver Hoxha 1908 -1985. Tiranë 1986:38

[18] Abaz Ermënji. Intervistë në Dita Informacion 2.11. 1995. Cituar nga E. Angoni. Selman Riza, gjuhëtar e atdhetar i shquar. 1999: 31

[19] Masar Shehu, kujtime për gjuhëtarin e papërkulur Selman Riza Rilindja 17.12.98. Cituar nga: Engjëll Angoni. Selman Riza, gjuhëtar dhe atdhetar i shquar. Tiranë 1999:31

[20]AQSH Fondi 252/2, dosja 24, 1939.

[21] Arkivi i Ministrisë Brendëshme, Fond hetimor gjyqi dosja 12551, ‘39

[22]Engjëll Angoni: Selman Riza, gjuhëtar dhe atdhetar i shquar. Tiranë 1999:31

[23] Kështu quheshin kur kishin ngarkesë mësimore jo të plotë.

[24] As do të thotë kjo se mësimet sot fillojnë dhe profesor Enveri  kërkon ti paguhen orë që  nuk i ka bërë!

[25] AQSH Fondi 335, dosja 306, 1939

[26] Po aty.

[27] Sa paga e tre muajve për një profesor me orë të plota.

[28] AQSH Fondi 335, dosja 306, 1939

[29] Faksimile e dokumentit: shih Enver Hoxha në optikë të re, 2013:103

[30] Faksimile e dokumentit, Po aty, f. 104

[31] AQSH, Inventari 1939. Fondi 195, dosja 274

[32] AQSH, Kutia 9, arka 139, bobina 335, 1939

[33] Enver Hoxha. Kur lindi Partia, 1981:158

[34] Todi Lubonja 2004.

[35] Enver Hoxha. Kur lindi Partia, 1982:160-

[36] Po aty

[37] AQSH, Fondi 153, dosja 103, 1941

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here