Projektohen rritje të reja çmimesh për ujin e pijshëm

0

Enti Rregullator i Ujit po shqyrton 7 aplikime nga shoqëritë e ujësjellësit për rritjen e tarifave të ujit. Konkretisht, bëhet fjalë për UK Maliq, UK Gramsh, UK Krujë, UK Malësi e Madhe, UK Skrapar, UK Shkodër dhe UK Fier. Pritet që ky Ent të miratojë rritjen e kërkuar të tarifave, për shkak se kriteri ku bazohet vlerësimi i çmimit të ujit për metër kub e justifikon tarifën e kërkuar.

ERRU bazohet se fatura e ujit duhet të jetë deri në 5% të të ardhurave mesatare të familjeve shqiptare, të cilat sipas INSTAT janë 70 mijë lekë në muaj. Kjo i takon një niveli të përballueshmërisë së tarifave prej rreth 300 lekë për metër kub dhe tarifat aktuale të UJ janë akoma më të ulëta se kjo vlerë.

Këto aplikime ndjekin 7 shoqëri të tjera të ujësjellësit, të cilave iu miratuar kërkesa për rritjen e tarifave, përkatësisht: UK Durrës, UK Tiranë, UK Gjirokastër, UK Berat-Kuçovë, UK Lushnjë, UK Ura Vajgurore, UK Korçë. Me miratimin e rritjes së çmimit të ujit për Tiranën dhe Durrësit u rrit efektivisht fatura e ujit për gjysmën e popullsisë në vend. Këto dy ujësjellës e bazuar kërkesën për rritjen e çmimit në investimet që do të bëhen në rrjet, përmes kredive që do të merren nga Banka Botërore dhe BERZH. Ndryshimi i tarifave vjen në një kohë kur në vend po zbatohet reforma në ujësjellës, ku kompanitë duhet të arrijnë kriteret e performancës për të përfituar subvencionin nga shteti.

Tarifat

Korça, Durrësi dhe Tirana janë 3 qytetet që tarifojnë më shtrenjtë abonentët familjarë për ujin e pijshëm. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Ujit, në Korçë kjo tarifë është 72 lekë/m3, për Durrësin 70 lekë/m3 dhe për Tiranën 65 lekë/m3. Në të tre këto qytete u bënë ndryshime tarifash përgjatë vitit 2017, pavarësisht se Korça kryesonte listën edhe më herët si qyteti më i shtrenjtë. Pas tyre renditen kompanitë e ujësjellës Kanalizime Lushnje fshat, Lushnje dhe Lezhë, me 60 dhe 58 lekë/m3.  Por pavarësisht se tarifojnë më shtrenjtë abonentët, këto kompani nuk kryesojnë listën në drejtim të mbulimit të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes. Korça dhe Tirana lihen pas nga Kamza në këtë drejtim, duke u renditur në vend të dytë e tretë, ndërsa Durrësi zë vendin e 27-të, me 78% të mbulimit të kostove.

Kompanitë e ujësjellësit në Lushnje dhe Lushnje fshat renditen në vend 30-të dhe të 44-t, ndërsa Lezha është ndjeshëm më mirë, duke u listuar në vend të 4. Ndërkaq, një tregues tjetër i performancës, që është uji pa të ardhura, e rendit Lushnjën në vendin e fundit me 80.54%, në krahasim me gjithë kompanitë e ujësjellës kanalizime. Edhe Durrësi performon keq në këtë drejtim, duke regjistruar një nivel prej 70.87%, ndonëse le pas disa kompani të tjera. Po ashtu, Tirana regjistron një nivel të lartë të ujit pa të ardhura, me 64.06%, ndërkohë që Korça, si qyteti me tarifat më të shtrenjta paraqet të dhëna më të mira në këtë drejtim, me 30.26%. Treguesi i tretë i përformancë së ujësjellësve, që është norma e arkëtimit pozicionon shumë mirë Tiranën, e cila renditet e treta në të gjithë vendin, me 94.99%, duke u lënë pas vetëm nga Fieri dhe Berati. Edhe ujësjellësit e tjerë, pavarësisht se aplikojnë tarifat më të shtrenjta në vend, regjistrojnë norma të larta arkëtimi. Sipas treguesve, Lushnja Fshat ka një normë arkëtimi prej 80.13%, Lushnja qytet 63.09%, Korça me 72.94%, Durrësi 73.63% dhe Lezha me 81.32%.

Tarifa për abonentë familjarë

Korçë 72 lekë/m3

Durrës 70 lekë/m3

Tiranë 65 lekë/m3

Lushnje fshat 60 lekë/m3

Lushnje 58 lekë/m3

Lezhë 58 lekë/m3

Mbulim i kostove

Korçë 174%

Tiranë 174%

Lezhë 161%

Durrës 78%

Lushnje 75%

Lushnje fshat 61%

Uji pa të ardhura

Korçë 30.26%

Tiranë 64.06%

Lezhë 39.93%

Durrës 70.87%

Lushnje 80.54%

Lushnje fshat 51.31%

Norma e arkëtimit

Korçë 72.94%

Tiranë 94.99%

Lezhë 81.32%

Durrës 73.63%

Lushnje 63.09%

Lushnje fshat 80.13%

Lini nje pergjigje