Për familjen, rolet sociale dhe rrezikun e degradimit

0
206

Gëzim Tushi

Që kur filluan të shfaqen dukuritë e jetës postmoderne dhe turbulencat strukturore e funksionale të familjes, në procesi e kapërximit të modelit tradicional, u shfaqën dilemat pesimiste për degradimin e qëndrueshmërisë sociale të saj. Që në prag të afrimit të mbylljes së shekullit të 20-të filozofi britanik Bertrand Rasell shkruante: “Dështimi i familjes për të na ofruar kënaqësi themelore, që do të mund të ofronte në parim, është njëri nga shkaqet më të thella të pakënaqësisë aq të përhapur në kohën tonë”. Por për të qënë realist dhe analog me të vërtetat e familjes në këtë shekull të ri, duhet pohuar se po shfaqen tregues madhorë eksentrikë, që tregojnë se dinamika e zhvillimeve në këtë zonë është kaq shumë intensive dhe e paqëndrueshme, sa që mund të themi se ndryshimet e akseleruara nga ndikimet e tipologjisë së jetës postmodrene po vënë në dyshim në se do ketë më “norma qëndrueshmërie” dhe “kufi” të funksioneve ekzistencialë të saj. Edhe shoqëria shqiptare është duke përjetuar me intensitet “tërmetet” që kanë prekur familjen si tipologji, në strukturë, role e përgjegjësitë e saj. Kjo është arsyeja që si sociolog i angazhuar në këtë ndryshime dhe zhvillime dinamike dhe duke ndjekur me përgjegjësi sociale edhe trendin e debatit dhe diskutimeve publike, idetë mbi të cilat mbështeten dhe mënyrat si vlerësohet familja si institucion, dhe rolin e saj si strukturë e organizimit të jetës sociale, duket se qëndrimet janë të ndryshme, në shumë raste edhe të skajshme. Shpesh herë është bërë evidente situata që kur flitet për familjen shqiptare dhe rolin e saj intim e social, duken dy qëndrime të skajshme.

Nga njëra anë në mënyrë të dukshme, për shkak të traditës dhe stofit të fortë të familjes tradicionale patriarkale janë të shumtë ata që kanë për dëshirë pikëpamjen mbivlerësuese, ashtu sikurse shumë të tjerë të ndikuar nga efektet orientuese ideologjike liberale e individualiste, kundërshtarë të familjes si institucion paternalist, mbajnë qëndrime anatemuese dhe mohuese për rolin dhe funksionet e saj. Këto tendenca lidhur me vlerësimin apo rivlerësimin e rolit, strukturës dhe funksioneve të familjes shqiptare tek ne janë të vona. Ka kohë që në mendimin sociologjik botëror është ndezur një debat i gjërë dhe kompleks për familjen.  Ka sociologë që e shënjtërojnë rolin e familjes si strukturë sociale fondamentale, që e trajtojnë atë me adhurim të veçantë duke e vlerësuar të kaluarën e saj si më të stabilizuar, duke e çmuar atë për rolin dhe funksionet e njohura biologjike e sociale. Ndërsa disa të tjerë nën ndikimet e ideve postmoderne, liberale e individualiste shikojnë anën negative të familjes. Ky vlerësim eksentrik është një nga arsyet pse po gëlon një nivel mjeran i lidhjeve dhe marrëdhënieve brenda familjes. Nga që kundërshtarët e familjes tradicionale kanë vërejtje për strukturën dhe funksionet e saj,  sepse sipas tyre në kohën postmoderne nuk është më ajo që ka qenë në të kaluarën. Madje ata shkojnë deri aty sa të “kalojnë” kufirin ekzistencial dhe të thonë hapur se “familja tradicionale po shfaqet më shumë si strukturë sociale me rol të vjetër shoqërizues dhe karakter konservator”.

Në se do ta shikojmë familjen shqiptare si strukturë sociale komplekse, tipologjinë e marrëdhënieve që zhvilloheshin brenda saj, nuk ka dyshim që është i vërtetë pohimi se ajo në ditët tona është bërë një nga institucionet më të ndërlikuara të jetës private por dhe publike të shoqërisë, brenda të cilës zhvillohen marrëdhënie sociale dhe personale kontroversale. Ka qënë e natyrshme dhe e parashikuar sociologjikisht që familja shqiptare do kalonte natyrshëm “krizat e adoptimit” me jetën që ecën vrullshëm dhe sjell ndryshime në drejtimin e pakthyeshëm postmodern. Familja shqiptare në këtë proces të vështirë ristrukturimi të roleve dhe funksioneve, patjetër që do të kishte, ka dhe po i shfaq problemet e veta. Ato janë të shumta me natyrë të larmishme psikologjike, sociale e materiale.  Familja shqiptare nuk është më ajo struktura e vjetër sociale me disiplinë, hierarki e kohezion social të fortë, që buronte nga fakti që ajo ka qënë e bazuar në lidhjet e forta të gjakut, ndjenjat e forta të humanizmit dhe solidaritetit familjar. Tani ndikimet postmoderne strukturore e funksionale, kanë bërë dhe po diktojnë akoma më fort tendenca të reja, që tregojnë se ajo ka humbur shumë tipare tradicionale, cilësi dhe standarte të përcaktuara nga struktura dhe funksionet e “familjes klasike”. Madje, kanë ndryshuar edhe ekuilibret relacionale e individuale klasike brenda saj që më parë kanë qenë të njohura, “proverbiale”, koherente në relacionet midis pjestarëve të saj.

Nuk mund të mohojmë të vërtetën që shumë familje për këto dhe shkaqe të tjera, e kanë humbur cilësinë e dikurshme që e bënte atë “vatrër” të sigurisë, solidaritetit, mbështetjes reciproke, altruizmit, qetësisë shpirtërore. Kjo situatë e re e statusit të ndryshuar të familjes shqiptare, është e tillë nga që nën ndikimet e efekteve të postmodernitetit brenda saj ka një shprishje të relacioneve dhe ekulibreve relacionalë afektivë të dikurshëm. Për hir të së vërtetës familja shqiptare ka pësuar transformime të thella emancipuese dhe degraduese. Sepse brenda saj zhvillohen shumë drama individuale dhe kolektive që kanë lidhje me nivelin e lartë të dhunës mbi gratë, konflikteve me adoleshentët, grindjeve midis bashkëshortëve, braktisjen dhe mosrespektimin e të moshuarve deri tek nuancat e para negative të shbalancimit dhe deformimit të marrëdhënieve seksuale. Megjithatë pavarësisht këtyre të vërtetave, parashikimeve ogrurzeza e destruktive për të ardhmen familja është dhe do të mbesë deri sa të ekzistojë shoqëria njerëzore struktura e organizimit social më e konsoliduar, forma më e qëndrueshme e marrëdhënieve njerëzore.  Madje, ne kemi nevojë të ndihmojmë veten dhe shoqërinë për të kuptuar se përkundrazi, në kushtet kur në mënyrë të natyrshme kohezioni dhe solidariteti social zbehen me shpejtësi, kur marrëdhëniet sociale midis njerëzve frakturohen, ftohen dhe desolidarizohen për shkak të thellimit të tendencave të jetës me natyrë individualiste, familja duhet “rivlerësuar” në rolet e saj sepse ajo mbetet e vetmja strukturë e ngrohtë, intime ku njeriu ka mundësi të realizojë të gjithë relacionet në mënyrë humane dhe shpirtërore. Me fjalë  të tjera familja duhet ruajtur nga prishja dhe erozioni destruktiv, sepse aty njeriu luan “dramën familjare” dhe realizon edhe “poezinë vetjake” .  Familja shqiptare mbetet e vetmja strukturë sociale ku “njeriu bëhet njeri” dhe ku të gjithë pjestarët e familjes të marrë së bashku bëhen njerëz, nga që aty mësojnë rregullat morale, sjelljen qytetare dhe kodet e socializimit, humanitetit dhe njerzillëkut. Megjithse ka kaluar kohë e gjatë është me vlerë ideja e Aleksis de Tokëvil, i cili mendonte se “Kur krenaria familjare resht së vepruari, futet në lojë egoizmi individual. Kur ideja e familjes bëhet e paqartë, e papërcaktuar dhe e pasigurt, njeriu mendon për leverdinë e çastit…” (Robert Nisbet, “Konservatorizmi”, f. 98)

Duke arsyetuar për familjen rolin dhe statusin social nuk mund të jemi konservatorë, as të ngulim “këmbët në ajër” duke qenë nostalgjikë për vlerat e e pacënueshme të familjes tradicionale shqiptare. Pa mohuar trashëgiminë pozitive por dhe duke analizuar natyrën konservatore jo demokratike të familjes shqiptare, ne duhet të mendojmë ndryshe për të. Është koha ajo që imponon nevojën e ndryshimeve që po ndodhin intensivisht në tipologjinë, strukturën, funksionet dhe lidhjet tradicionale të familjes tonë.  Natyrisht vorbulla globale e postmodernitetit është shumë e fortë, e papërballueshme nga skemat e  strukturës dhe funksioneve të familjes konservatore e tradicionale. Ndikimet janë radikale dhe kjo është arsyeja kryesore që të gjithë jemi të shqetësuar për masën dhe shpejtësinë me të cilin po ndodhin këto ndryshime, të cilat sjellin kokëçarje e marramendje konceptuale në shoqëri dhe tek njerëzit tanë, të cilët kanë të drejtë të jenë të shqetësuar për ritmin me të cilin familja po braktis lidhjet tradicionale të jetës intime, zakonet, lidhjet e vjetra të gjakut dhe farefisnisë.  Unë jam dakord me idenë që ne nuk mund të ecim në rrugën postmoderne duke shenjtëruar familjen si strukturë, duke ekzagjeruar rolet sociale brenda saj, as duke e konsideruar qëndrueshmërinë e strukturës klasike të saj përtej nevojave të zhvillimit dhe dinamikës së jetës postmoderne. Idealizimi i familjes si strukturë dhe funksione duke e krahasuar apo ca më keq, duke kërkuar që ajo të ngjajë me tipologjinë e familjes shqiptare të kohës së shkuar, do të ishte një aksion pengues për të dhe individët e saj, do të ishte një mendim dhe koncept konservator që do të pengonte vendosjen e shoqërisë në parametrat e ndërtimit të saj në përputhje me standartet e qytetërimit postmodern.

Ndërkaq nuk mund të jemi dakord me ithtarët e paekuilibruar të postmodernitetit, që të frymëzuar nga idetë e individualizmit ekstrem, anomisë dhe anarkisë sociale janë kundër rolit të familjes si strukturë shoqërore bazë apo që atë e konsiderojnë si “strukturë sociale penguese të panevojshme, madje reaksionare”. Në mentalitetin shoqëror dhe për shkak të natyrës së shoqërisë në të së kaluarës, ende ka recidiva të shikimit të kufizuar të rolit të familjes, duke e vlerësuar atë si strukturë që garanton “dobinë biologjike” që ka ca role shoqërizuese dhe funksionale. Ky shikim socio-biologjik i rolit të familjes nuk është aq shumë adekuat për kohën tonë. Familja nuk është strukturë e kufizuar ku rrjedh vetëm jeta intime e njeriut nuk është vendi ku njeriu ha, pi, rritet dhe riprodhohet. Këto funksione socio-biologjike e reduktojnë rolin e familjes postmoderne, e pengojnë atë që të jetë adekuate me kërkesat e kohës. Personalisht mendoj se ne debatin që zhvillojmë për familjen, ndryshimet pozitive dhe përkeqësimet e roleve të saj sociale, duhet të përqëndrohemi dhe të flasim hapur për një rol të rëndësishëm dhe prioritar që ka ajo sot.  Kjo do të thotë që të njohim dhe pranojmë rolin dhe “funksionit ndërmjetësues” të familjes si strukturë e jetës sociale, pikërisht në pikën e lidhjes së jetës publike dhe intime të njeriut. Një “rol i ri”, jo shumë i njohur dhe i praktikuar nga e kaluara jonë. Këtë gjë duhet ta kuptojmë mirë, madje para se të bëjmë parashikime superoptimiste apo ogurzeza për të ardhmen e saj…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here