E rëndë/ Familja me 6 anëtarë lihet në mëshirë të fatit pa asnjë mbështetje

0
175

Gjashtë anëtarë të një familjeje në Elbasan janë në qiell të hapur prej tri javësh.

Më 10 shkurt 2018, banesa e familjes Lazi në fshatin Kaçivel në Elbasan u shkrumbua nga zjarri, ndërsa 4 fëmijë të moshës nga 2 deri në 14 vjeç, si dhe dy kryefamiljarët, strehohen tek të afërmit, ku qëndrojnë 10 vetë në një dhomë. Tre javë pas ngjarjes, strukturat përkatëse ende nuk kanë një përgjigje nga ekspertiza për shkaktimin e zjarrit, ndërsa dyshohet nga një shkëndijë elektrike.

“Fiks Fare” udhëtoi drejt familjes Lazi, ku kryefamiljari tha se Bashkia e Elbasanit i premtoi një çadër, por megjithëse koha kaloi, asnjë person nuk e solli çadrën. “Zjarri ka rënë pas dreke. Unë erdha në shtëpi, hëngra drekë dhe pastaj shkova të punoj tek ara. Aty më lajmëruan se ka rënë zjarr. Kur mbërrita, tentova të hyj brenda, të shpëtoj ndonjë gjë, por ishte vonë. Gjithçka ishte shkrumbuar brenda pak minutash. Instalimet e shtëpisë i kisha bërë para pak muajsh, ishin të reja”, thotë kryefamiljari.

Sipas tij, i vetmi shkak i rënies së zjarrit mund të jetë energjia, pasi ishte shkëputur për rreth 2 orë dhe më pas, sa erdhi, ra zjarri. “Edhe më parë kemi pasur probleme me shtyllën elektrike, elektricisti i zonës këtë e di. Nga banesa s’ka mbetur asgjë, por për fat, familja ndodhej te vëllai im, pak minuta larg që këtu. Tani jam në qiell të hapur. Më premtuan një çadër, por akoma nuk e kanë sjellë. Të paktën ta vendosja këtu, në një dhomë”, thotë kryefamiljari.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij thotë se ka shkuar te shtëpia e kunatit, bashkë me fëmijët. “Sa u ula, më njofton kunati tjetër që ka rënë zjarr. Erdhëm menjëherë, por flakët kishin përfshirë gjithçka. Para Vitit të Ri, kisha marrë edhe kredi dhe bleva disa plaçka të reja. Tani nuk mund të marr më, se e kam emrin në dy banka dhe nuk e di as se si do t’i shlyej. Deri tani na ka ndihmuar vetëm fshati me rroba dhe ushqime, pasi na është djegur gjithçka. I lutem shtetit dhe kush e ka mundësinë të më ndihmojë të paktën të kem një dhomë ku të fus fëmijët”, thotë ajo, ndërsa tregon kuzhinën dhe dhomën e ndenjes, ku nuk ka mbetur asgjë.

Bashkë me familjen Lazi, gazetarët shkojnë te shtëpia ku janë strehuar. Në oborr është ndezur një zjarr, ku ngrohin ujë për të larë rrobat, pasi nuk kanë lavatriçe dhe rrobat i lajnë me dorë. Kunata thotë se i ka hapur derën, por është shumë e vështirë pasi të dyja familjet, prej 10 vetësh, flenë në një dhomë.

“Fiks Fare” pyeti edhe kryeplakun e fshatit Kaçivel, Petrit Karaj, i cili tha se është premtuar nga Bashkia e Elbasanit që familjes Lazi do t’i bëhet shtëpi. Sipas tij, familja trajtohet me ndihmë ekonomike. Ai thotë se luhatjet e tensionit të energjisë elektrike kanë shkaktuar edhe zjarre të tjera në banesat e fshatit. Në lidhje me ndihmesën e kësaj familjeje, kryefamiljari thotë se iu premtua një çadër, por në bashki i kanë thënë se magazina është bosh.

Fiksi u interesua edhe në Drejtorinë e Emergjencave Civile në Elbasan, ku drejtori, Luan Dervishi, tha se ndihmesa ndaj kësaj familjeje nuk është kompetencë e bashkisë, por e Emergjencave Civile në Tiranë. Gjithsesi, disa ditë më vonë, zëdhënësi i Bashkisë Elbasan konfirmoi për “Fiks Fare” se familjes i është dërguar çadra, bashkë me disa ndihma të tjera.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here