Tatimet: nga 1 prilli bizneset e vegjël të dorëzojnë inventarin e mallrave!

0

Biznesi i vogël që do të përfshihet në skemën e TVSH-së nga 1 prilli i këtij viti, do të duhet të dorëzojë dhe një “Fletë inventari” për gjendjen e mallrave dhe materialeve të blera me TVSH. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tatimpaguesit me xhiro mbi 2 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë duhet që fillimisht të duhet të raportojnë inventarin e gjendjes stok të mallrave deri në datën 31 mars 2018 të blerë me faturë me TVSH jo më parë se 12 muaj. Më pas duhet ta dorëzojnë atë brenda datës 30 prill të këtij viti. Sipas njoftimit të DPT-së, duhet që fillimisht të përpilohet lista e mallrave stok, ku duhet të evidentohet data e regjistrimit të stoqeve. Periudha e faturave të deklaruara në inventar përfshin datën 1 prill 2017 deri në datën 31 mars 2018 të cilat i bashkëngjiten inventarit. Dorëzimi i këtij të fundit do të behet në Drejtorinë Rajonale në momentin e regjistrimit në regjimin normal të TVSH-së. Ndërkohë, DPT sjell në vëmendje pajisjen e tatimpaguesve me blloqe tatimore me TVSH, të cilat duhet të tërhiqen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë regjistruar.

Ja njoftimi i Tatimeve:

Drejtoria e Përgjithshëm e Tatimeve njoftoi sot se tatimpaguesit e biznesit të vogël, me xhiro mbi 2 000 000 lek deri në 5 000 000 lekë, të cilët bazuar në ligjin nr.107/2017 – Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, VKM nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave “Për Dispozitat Zbatuese të ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 11, duke nisur nga data 1 Prill 2018, do të përfshihen në skemën e TVSH-së,  krahas masave organizative që duhet të ndërmarrin, do të raportojnë edhe inventarin e gjendjes stok të mallrave deri në datën 31 Mars 2018, të blerë me faturë me TVSH jo më parë se 12 muaj.

Për këtë arsye, duhet të mbahet parasysh sa më poshtë:

Të përpilohet lista e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë, ku të evidentohet data e regjistrimit të stoqeve, sipas formularit bashkëngjitur këtij njoftimi; Çdo mall i përfshirë në inventar, duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data e deklarimit të inventarit, dhe të jenë të regjistruara në librat e tatimpaguesit. Periudha e faturave të deklaruara në inventar është data 01 Prill 2017 deri në 31 Mars 2018. Këto fatura i bashkëngjiten inventarit.

Inventari, duhet të dorëzohet në drejtorinë rajonale, në momentin e regjistrimit në regjimin normal të TVSH-së, brendadatës 30 Prill 2018. Një kopje të këtij inventari tatimpaguesi e ngarkon edhe në e-filing. Gjithashtu të gjithë këta tatimpagues, duhet të pajisjen me blloqe tatimore me TVSH, të cilat duhet të tërhiqen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë regjistruar.

Lini nje pergjigje