Ekonomia e drogës lartësoi kullat, në 2017 në Tiranë u dhanë 231 leje ndërtimi

0
240

Prej kohësh është vënë re nga specialistët e ekonomisë një përpjesëtim i zhdrejtë midis kërkesës për ndërtime të reja, kryesisht në metropole dhe parave që kërkohen për t’i financuar ato. Me pak fjalë, ndryshe nga sa do të ishte e logjikshme, shumë ndërtues nuk po u drejtohen aspak bankave për të tërhequr kredi, edhe në rastet kur lejet e reja të ndërtimeve që ata marrin nga Bashkia e Tiranës, për kulla shumëkatëshe, jepen për ndërtime me vlera jashtëzakonisht të lartë. Shpjegim për këtë jep vetëm një hipotezë, me baza të fuqishme reale: ato financohen nga ekonomia e drogës!

Po çfarë po ndodh në sektorin e ndërtimit?

Lejet

Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në vend gjatë vitit 2017 është rritur ndjeshëm, ku rekordin e mban Tirana, duke paralajmëruar për një valë të re ndërtimesh në afatin e mesëm. Sipas të dhënave të publikuara dje nga INSTAT, në total, në gjithë vendin në 2017-n janë dhënë 819 leje ndërtimi, me një rritje prej 88.3% ose 384 leje më shumë. Përqendrimi më i madh i lejeve ka qenë në kryeqytet. Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje me një rritje prej 118% në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë.

Në rritje ka qenë dhe sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet. Në vitin 2016 janë dhënë gjithsej 106 leje ndërtimi në Tiranë, për një sipërfaqe prej 209.3 mijë metra katrorë, ndërsa në 2017-n numri i lejeve arriti në 231 për një sipërfaqe totale prej 522 mijë metra katror. Pra për sipërfaqe, rritja ishte 2.5 herë. Sipërfaqja e planifikuar për ndërtim në Tiranë, është sa 60% e totalit për gjithë Shqipërinë. Pas Tiranës, për leje ndërtimi kryeson Fieri, me 133 leje të dhëna për gjithë vitin dhe Durrësi me 105 leje. Qytetet ku nuk ka interes për ndërtime janë Kukësi dhe Dibra, ku numri i lejeve të dhëna ka qenë minimal.

Sipas njoftimit zyrtar të INSTAT, në tremujorin e katërt 2017 janë miratuar gjithsej 211 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 147 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2016, duke shënuar një rritje prej 43,5 %. Referuar vitit 2017, janë miratuar gjithsej 819 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 455 leje të miratuara në vitin 2016, duke shënuar një rritje prej 80%. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2017, është rreth 197.130 m2 , nga rreth 183.319 m miratuar në tremujorin e katërt 2016. Ky tregues, në tremujorin e katërt 2017, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, shënoi rritje me 7,5%.

Gjatë vitit 2017, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është rreth 868.534 m2, nga rreth 380.141 m2 miratuar në vitin 2016, duke shënuar një rritje prej 128,5%. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e katërt 2017, është 9.7 miliardë lekë, nga 8.8 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2016.

Ky tregues, në tremujorin e katërt 2017, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me 9,5%. Referuar vitit 2017, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 49.1 miliardë lekë, nga 25.8 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2016, duke shënuar një rritje prej 90,3%.

Kreditimi

Pra, të dhënat tregojnë se lejet e ndërtimit janë rritur me ritme të frikshme. Sipas INSTAT krahasuar me vitin 2016 vlera e lejeve të ndërtimit u rrit me gati dy herë, ndërsa numri i tyre me 80 për qind. Pjesa më e madhe i përket Bashkisë së Tiranës. Sipas INSTAT vetëm në Tiranë vitin e kaluar janë miratuar leje për objekte ndërtimi ku do të investohen mbi 220 milionë euro. Pjesa më e madhe e tyre janë kullat shumëkatëshe, që do të ndërtohen në afërsi të qendrës së kryeqytetit. Rritja e frikshme e industrisë së ndërtimit, përveç impakteve shkatërruese në mjedis, ka ngritur edhe një dyshim tjetër të madh, që lidhet me financimin e kësaj industrie. Sipas të dhënave zyrtare, kredia për ekonominë, përfshirë atë për ndërtimin është në krizë, por ndërkohë grataçelat gjigande po ngrihen me shpejtësi.

Bankat njoftojnë se kanë në gjendje mjaft para për të siguruar kreditimin e sektorit të ndërtimit, madje edhe me vrullin që ka marrë tani me objektet shumëkatëshe. Totali i kursimeve në banka në muajin janar qëndroi në nivelin e 1 trilionë lekëve, pothuajse në të njëjtin nivel me muajin dhjetor, bënë të ditur statistikat e publikuara sot nga Banka e Shqipërisë. Por stanjacioni i depozitave ka ardhur si rrjedhojë e performancës së dobët të kursimeve në lekë, ndërsa ato në valutë kanë vijuar rritjen. Të dhënat tregojnë se depozitat në monedhën vendase arritën në 468 miliardë lekë, me një rënie prej 1.2% në krahasim me dhjetorin 2017. Kjo tkurrje vjen pas dy muajsh radhazi kur kursimet në lekë kishin shfaqur një tendencë pozitive. Rënia e janarit ka ardhur tërësisht nga ulja e kursimeve të individëve si pa afat ashtu dhe pa afat. Kjo tendencë po vazhdon prej disa vitesh tashmë, teksa normat e interesit të depozitave kanë zbritur në më pak se 1% për kursimet 12 mujore, duke bërë që individët të rendin drejt alternativave të tjera më fitimprurëse.

Në të kundërt, depozitat në valutë shënuan rritje në janar. Stoku i kursimeve të monedhë të huaj arriti në 533 miliardë lekë, me një rritje prej 1% me bazë vjetore. Rritja do të kishte qenë më e lartë pa efektin e kursit të këmbimit (euro është e nënçmuar në raport me janarin e kaluar). Janari është tradicionalisht një muaj kur bankat shohin rritje të valutës për shkak të prurjeve të emigrantëve që vijnë për pushime në fund të dhjetorit. Këtë muaj, rritja ka ardhur singa individët, ashtu dhe nga korporatat jo financiare, madje këto të fundit kanë dhënë ndikimin më të lartë. Pesha e depozitave në valutë ka vijuar të rritet duke arritur një nivel rekord prej 53.3% në janar.

Konkluzioni

Në kushtet e mungesës së kredisë, opozita por edhe ekspertë të pavurur kanë denoncuar se sektori i ndërtimit po financohet me paratë e trafikut të drogës, duke u shndërruar kështu në lavatriçen e parave të pista.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here